Bota

Megaoperacion në Itali, policia vë në pranga 31 anëtarë të 'Cosa Nostra', posedim droge, armëmbajtje dhe zhvatje

Sipas prokurorëve italianë, ai është një nga “kumbarët” më të fuqishëm, në rritje të mafies siciliane. Në shumë pjesë të Palermos, me gjithë përpjekjet e autoriteteve, ai kishte arritur të vendoste sërish pagesën e “taksës së mbrojtjes së detyrueshme” për pothuajse të gjithë tregtarët.

17 Maj 2022, 13:34 Nga DOSJA
Megaoperacion në Itali, policia vë në pranga 31 anëtarë
Antonio Lo Nigro

ITALI- Policia italiane dhe karabinierët në Palermo të Siçilisë arrestuan herët mëngjesin e sotëm 31 anëtarë të organizatave mafioze. Mes të arrestuarve është Antonio Lo Nigro, 43 vjeç, me një rol kryesor në trafikun e drogës, në bashkëpunim me Ndragetta, mafian e fuqishme kalabreze.

Sipas prokurorëve italianë, ai është një nga “kumbarët” më të fuqishëm, në rritje të mafies siciliane. Në shumë pjesë të Palermos, me gjithë përpjekjet e autoriteteve, ai kishte arritur të vendoste sërish pagesën e “taksës së mbrojtjes së detyrueshme” për pothuajse të gjithë tregtarët.

Sipas gazetës La Repubblica, “të gjithë paguanin, që nga shitësi ambulant e deri te pronarët e kompanive të ndërtimit”. Të arrestuarit kërkuan edhe “pastrim parash” nga shumë banorë të Palermos, të cilët donin të shisnin pronat e paluajtshme që zotëronin.

Ka bërë bujë fakti që asnjë nga qytetarët apo pronarët e një sipërmarrjeje tregtare nuk ka dashur të denoncojë këto veprime të paligjshme dhe presioni i vazhdueshëm që kanë marrë. Vetëm kur dhjetë tregtarë u thirrën në departament, pas monitorimit dhe grumbullimit të detajuar të provave, pranuan se çdo muaj ishin të detyruar të mbështesnin përfaqësuesit e Cosa Nostra -s duke paguar një shumë fikse parash.

(d.a/dosja.al)

Sondazh

Poll