Aktualitet

'Braktisen' bananet, tani e sjellin me qymyr! Kapen 60 kg kokainë brenda anijes, vinte nga Kolumbia

Policia ka bërë një kontroll rutinë duke gjetur vetëm dy çanta por mendohet se ka më shumë dhe në orët në vijim do të kërkohet sërish për kokainë, edhe pse qeni anti-drogë nuk ka dhënë asnjë sinjal se në anije ka ende lëndë narkotike.

17 Maj 2022, 06:58 Nga DOSJA
'Braktisen' bananet, tani e sjellin me qymyr! Kapen 60 kg kokainë
Foto ilustruese

DURRËS- 60 kile kokainë janë zbuluar në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, brenda një anijeje me qymyr që vinte nga Kolumbia dhe ishte ankoruar në portin e Durrësit. Kokaina është kapur në hambarin e anijes "Unistream" me flamur të Antigua Barbuda nga Ishujt Karaibe dhe ishte e ndarë në 53 pako me nga 2 çanta të veçanta. Deri më tani, Policia ka bërë një kontroll rutinë duke gjetur vetëm dy çanta por mendohet se ka më shumë dhe në orët në vijim do të kërkohet sërish për kokainë, edhe pse qeni anti-drogë nuk ka dhënë asnjë sinjal se në anije ka ende lëndë narkotike.

Kanë qenë partnerët ndërkombëtar që kanë sinjalizuar Policinë Shqiptare për sasinë e drogës dhe më pas është kryer edhe operacioni nga Task Forca e Durrësit që ka zbuluar kokainën, ndërsa kapiteni i anijes, i cili është nga Rusia tha se nuk kishte dijeni për mallin në mjetin që drejtonte. Por bashkë me të janë marrë në pyetje edhe ekuipazhi i anijes. Të gjithë kanë pohuar se ngarkesën ua kishin ë kontrolluar dhe një ditë më parë, por s’kishin gjetur asgjë.

“Erdhët dhe kontrolluat dje dhe nuk gjetët gjë. Nuk kam dijeni nëse ka pako droge në anijen time,”- mësohet të ketë thënë kapiteni rus i anijes.

Anija "Unistream" është nisur nga porti i Barranquilla në Kolumbi në 26 prill në orën 11:32 dhe ka mbërritur në Portin e Durrësit në 16 maj, pra një ditë më parë në orën 08:32. E që prej atij momenti nuk ka lëvizur më nga porti, por nuk dihet nëse ky ishte destinacioni final i saj. Megjithatë kjo nuk është hera e parë që nga vendet e Amerikës Latine vijnë “pako me drogë”. Hera e fundit, nga më shumë se 8 kapje të bëra, ishte vetëm pak javë më parë, më konkretisht në 5 prill ku u gjet 1 kg heroinë. Ndërsa në janar ku u kapën 119 kg kokainë të ngarkuara me kamionët me banane. Por mesa duket tanimë trafikantët kanë gjetur një mënyrë tjetër, duke e fshehur drogën nëpër qymyr, jo në banane.

(a.b)/dosja.al

Sondazh

Poll