Aktualitet

VD- 3 orë monitorim nga ajri! GdF kontroll me helikopter për parcela me kanabis në Veri të vendit

Përveç kanabisit, u ndoq dhe u verifikua një mjet lundrues, i cili nuk kishte sende të kundërligjshme në bord, por kishte dalë për peshkim.

15 Maj 2022, 11:32 Nga DOSJA
VD- 3 orë monitorim nga ajri! GdF kontroll me helikopter për parcela
Pamje nga aksioni i Policisë

TIRANË- Prej datës 1 maj, paralelisht me kontrollin në terren, Guardia di Finanza italiane po patrullon nga ajri për të pikasur parcela të mbjella me kanabis në Shqipëri. Në fluturimin e sotëm për tre orë me ta në ajër ka udhëtuar edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Gjatë monitorimit u verifikuan, në zona të thella si Dukagjin, Theth, Valbonë, Muriqan, Malësi e Krujës etj, koordinata në të cilat kishte dyshime se kultivoheshin bimë narkotike. Por përveç kanabisit, u ndoq dhe u verifikua një mjet lundrues, i cili nuk kishte sende të kundërligjshme në bord, por kishte dalë për peshkim.

NJOFTIMI I PLOTË:

Policia e Shtetit

Prej datës 1 maj, paralelisht me kontrollin në terren nga strukturat e Policisë së Shtetit, ka nisur monitorimi ajror nga GDF, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, së bashku me ekipin e GDF-së, për 3 orë, monitoruan nga ajri, me helikopter të pajisur me aparatura speciale, zonën veriore të vendit.

Gjatë monitorimit u verifikuan, në zona të thella si Dukagjin, Theth, Valbonë, Muriqan, Malësi e Krujës etj, koordinata në të cilat kishte dyshime se kultivoheshin bimë narkotike. Gjithashtu, u ndoq dhe u verifikua një mjet lundrues, i cili nuk kishte sende të kundërligjshme në bord, por kishte dalë për peshkim. Në përfundim të monitorimit, Drejtori i Përgjithshëm, Gledis Nano dhe kapiteni i GDF-së, Sergio Angelucci u shprehën:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Gledis Nano: Ne, sot, zhvilluam një fluturim monitorimi, bashkë me kolegët e “Guardia di Finanza”, kryesisht në zonën veriore të vendit. Pjesëmarrja ime në këtë fluturim nuk ishte thjesht për t’i falenderuar kolegët italianë që punojnë për të na mbështetur në luftën kundër kultivimit të kanabisit, por për t’iu treguar të gjithë mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe vendosmërinë time personale, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, po ashtu edhe të të gjithë efektivëve, në lidhje me goditjen e problematikës së kultivimit të kanabisit.

Dua t’i falenderoj kolegët e “Guardia di Finanza”, si ekuipazhin e helikopterit ashtu edhe kolegët e tjerë, që monitorojnë nga qendra e kontrollit të gjitha fluturimet dhe vendndodhjet e vendeve, të dyshuara si pjesë e kultivimit të kanabisit, janë një skuadër profesionistësh dhe për këtë unë falënderoj kolegët e Interforce, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë italiane dhe Ministrinë e Brendshme italiane, e cila na ka ofruar këtë mundësi, për të lokalizuar me teknologjinë më të fundit që mjeti fluturues, helikopteri, që kemi pas shpine, mban me vete.

Dua të siguroj të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që do të kenë mbështetjen time personale lidhur me luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe çdo lloj paligjshmërie tjetër në vendin tonë.

I përgëzoj dhe i falenderoj për të gjithë punën që ata bëjnë në terren, është punë jo e lehtë të gjurmosh dhe të lokalizosh çdo bimë kanabisi, të mbjellë në terrenet më të thyera të vendit tonë.

Ju siguroj që Policia e Shtetit është e vendosur, me tolerancë zero, kundër fenomenit apo problematikës së kultivimit të kanabisit dhe do të vazhdojmë siç e kemi nisur këtë vit, pak më herët nga vitet e kaluara, për të identifikuar çdo vend të përgatitur për kultivimin e kanabisit, për të shkatërruar e asgjesuar çdo bimë, që në fazën fillestare të saj, në mbjelljen në terren.

Kapiteni i GDF-së Sergio Angelucci: Falënderoj Drejtorin për vlerësimin që shpreh për shtetin italian dhe për “Guardia di Finanza”-n. Ne sigurisht, garantojmë impenjim maksimal, me qëllim realizimin e kësaj veprimtarie të rëndësishme, në territorin shqiptar. Monitorimi ajror nga GDF-ja dhe kontrollet intensive nga toka, me punonjës police dhe dronë që Policia e Shtetit ka në dispozicion do vijojë në mënyrë të vazhdueshme, me qëllim evidentimin dhe goditjen e çdo tentative për kultivim të bimëve narkotike.

Vitin që lamë pas, në Shqipëri kultivimi i marijuanës regjistroi shifra në rritje dhe gjatë vitit 2021. Të dhënat zyrtare nga fluturimet e kryera nga mjete të Guardia di Finanza-s italiane flisnin për një shtim të ndjeshëm të sipërfaqeve të kultivuara. Mbi 37 hektarë të dyshuar se janë përdorur për të kultivuar cannabis sativa, sipërfaqja më e madhe që pas vitit 2016. Gjatë gjithë vitit, një avion dhe një helikopter i Guardia di Finanza-s italiane realizoi 70 misione me 182 orë fluturimi, falë të cilave u zbuluan mbi 1.100 plantacione.

(k.m/dosja.al)

Sondazh

Poll