Aktualitet

I kanë mbetur edhe 10 muaj burg, Safet Bajri kërkon lirinë: S'përfshihem më në krime...

I dënuar nga Belgjika me 6 vite për trafik të lëndëve narkotike, Bajri kërkon lirim nga burgu duke garantuar drejtësinë se nuk do të përfshihet më në krime.

15 Maj 2022, 10:21 Nga DOSJA
I kanë mbetur edhe 10 muaj burg, Safet Bajri kërkon lirinë:
Safet Bajti

TIRANË- Safet Bajri kërkon lirinë nga Gjykata e Tiranës. Kur edhe më pak se 10 muaj i kanë mbetur për të qëndruar në qeli, Safet Bajri ka vendosur që të kërkojë lirinë me kusht nga togat e zeza. I dënuar nga Belgjika me 6 vite për trafik të lëndëve narkotike, Bajri kërkon lirim nga burgu duke garantuar drejtësinë se nuk do të përfshihet më në krime.

Duke përfituar edhe se dënimit të tij po i vjen fundi, ai kërkon lirimin me kusht duke përdorur si argument edhe sjelljen e mirë brenda qelisë, por megjithaë ende nuk është marrë një vendim për lirimin apo jo të tij.

Kush është Safet Bajri?

Safet Bajri akuzohej nga asokohe Krimet e Rënda si kreu i një grupi kriminal që kryente trafik droge, vrasje dhe trukim ndeshjesh. Ai u prangos në shtator të 2018 gjatë një operacioni masiv policor të FNSH-së dhe RENEA-s që çoi në arrestimin e 11 të fortëve, anëtarë të bandës kriminale “Bajri” në Shkodër. Për Safet Bajrin ka një dënim edhe nga drejtësia belge për shfrytëzim prostitucioni.

Grupi kriminal “Bajri” nga Dobraçi i Shkodrës akuzohet për vrasje me dashje, gjobëvënie, trafik droge dhe pastrim parash. Madje akuzoheshin edhe si autorë të disa prej ngjarjeve kriminale që kanë tronditur kryeqendrën e veriut, por akuzat ndaj tyre ranë gjatë gjykimit, duke u dënuar minimalisht nga drejtësia shqiptare. Vetë Bajrit i kanë mbetur për të shlyer edhe 10 muaj dënim, pasi nga 6 vite, 3 i shleu në Bruksel dhe 2 vite e dy muaj i ka shlyer deri më tani në qelitë e 302-shit.

(k.m/dosja.al)

Sondazh

Poll