Art&Argëtim

Raporti i AMA: Televizionet abuzuan gjatë pandemisë me reklama për barnat

10 Maj 2022, 18:22 Nga DOSJA
Raporti i AMA: Televizionet abuzuan gjatë pandemisë me reklama

Televizionet shqiptare abuzuan me pandeminë e COVID-19 duke shtuar kohën e reklamave për mediakamente, emisione për shëndetin si dhe me anë të reklamave të fshehura. Konstatimi vjen nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) në raportin vjetor të punës të paraqitur të martën në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

“Situata e krijuar nga pandemia COVID-19 ka shtuar kohën programore nga OSHMA-të për aspekte të shëndetit. Duke u nisur nga interesi për mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimet me transmetimet mbi këtë temë, AMA ka realizuar shqyrtime me fokus reklamat për medikamentet, apo të trajtimit të çështjeve shëndetësore në përgjithësi,” shkruhet në raportin e prezantuar para deputetëve nga kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi.

Lidhur me këtë problem ajo shtoi se AMA ka qenë në komunikim me Agjencinë Kombëtare të Barnave nëse medikamentet e reklamuara ishin të licencuara dhe se autoriteti u kishte tërhequr vërejtje subjekteve audio dhe audiovizive për reklamat e fshehura në këtë sektor.

Gjithashtu ajo tha se “autoriteti u ka kërkuar shmangien e fenomeneve të tilla si konfuzioni apo deformimi i rezultateve shkencore të konfirmuara” si dhe “shmangjen e forumeve të debatit vetëm me individë jo ekspertë të fushës, të cilat krijojnë paqartësi dhe pasiguri te ndjekësit’. Probleme të tjera të evidentuara në raport i referohen mbrojtjes së fëmijëve nga përmbajtjet e papërshtatshme dhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit në trasmetimet audiovizive.

Gjatë vitit 2021, AMA ka marrë mbi 300 ankesa, të ardhura nga individë, shoqata e organizata të shoqërisë civile, ku pjesa më e madhe sipas Krasniqit, “kishin si objekt të tyre shkeljen e të drejtave të njeriut, të normave ligjore dhe etike, shkeljen e të drejtave të fëmijëve, cenimin e dinjitetit, si dhe disa ankesa të shtuara ndaj rrjeteve sociale, portaleve dhe gazetave”.

Deputetët e opozitës iu rikthyen çështjes së zgjedhjes së Krasniqit në krye të këtij institucioni të pavarur duke e cilësuar anti-ligjore për shkak të afërsisë së saj politike me partinë në pushtet dhe punës së mëparshme si zëdhënëse e kryeministrit Edi Rama.

“Pozicioni juaj është i dyshimtë, jeni politike, kur ligji nuk lejon njerëz politik”, tha Luçiano Boçi. Më tej Boçi i kërkoi asaj qëndrim mbi raportin e “Reporterëve pa Kufij” për përkeqësimin e lirisë së medias, si dhe sjelljen e kryeministrit ndaj gazetarëve.

Në përgjigje, Krasniqi iu referua ligjit që e përcakton AMA-n si autoritet rregullator dhe përmendi trajnimet dhe kualifikimet e gazetarëve si kontribut në këtë drejtim.

“Patjetër që ka probleme, por ne jemi të detyruar të zbatojmë vetëm kuadrin ligjor që kemi”, tha ajo e pyetur sërish për gjendjen e lirisë së medias nga deputetë të tjerë. Ajo solli një shembull ku autoriteti kishte ndërhyrë në mbrojtje të të drejtave të gazetarëve.

Në raportin e vlerësimit të hartuar nga Shërbimet e Monitorimit të Kuvedit, AMA-s i kërkohet që të luaj një rol proaktiv në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve si një çështje me ndikim të drejpërdrejtë në lirinë e medias, dhe si një kërkesë e ripërsëritur e raporteve të Komisionit Europian. Gjatë muajit 2021, AMA e ka ushtruar aktivitetin me 4 anëtarë duke krijuar ngërç në punën e saj për shkak të pamundësisë për miratimin e vendimeve të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar (5 vota).

“Mungesa e kuorumit të nevojshëm ligjor ka bërë të pamundur vendimmarrjet për marrje licence, rinovim dhe heqje të licencave/autorizimeve,”-thuhet në raport.

Të mërkurën komisioni do të miratojë një rezolutë me rekomandime për punën e AMA-s.

Marrë nga Reporter.al

Çmimet e hoteleve në prag të finales së Conference League, janë rritur disa herë dhe kanë detyruar tifozët italianë të anullojnë udhëtimin. Si duhet menaxhuar kjo situatë?

View Results

televizion televizion ama barnat ne television ama barnat ne television

Sondazh

Poll