Politike

Mjekët ikin nga Shqipëria, Meta: Alarmante, pasoja e dëmeve që prodhoi korrupsioni

7 Maj 2022, 16:40 Nga DOSJA
Mjekët ikin nga Shqipëria, Meta: Alarmante, pasoja e dëmeve

TIRANË– Presidenti Ilir Meta ka reaguar një ditë pasi media evropiane Euractiv denoncoi largimin e mjekëve nga Shqipëria. Në një postim në Facebook, Meta shkruan se shifrat e mjekëve për banorë në Shqipëri janë alarmante dhe tregojnë përkeqësimin e shërbimeve por edhe të gjendjes shëndetësore të popullatës. Meta shton se kjo është pasoja e dëmeve të pallogaritshme që prodhoi mjekësia koncensionare, korruptive dhe e trajtimeve fiktive, që u mbylli shtigjet e karrierës dhe të profesionit mijëra të rinjve mjekë dhe infermierë.

Postimi i plotë:

Fondacioni Europian i burimeve njerëzore të kualifikuara e rendit Shqipërinë si vendin e fundit në Europë për numrin e mjekëve për banorë. Një tregues dramatik dhe alarmant i përkeqësimit të shërbimeve, por edhe të gjendjes shëndetësore të popullatës. Kjo është pasoja e dëmeve të pallogaritshme që prodhoi mjekësia koncensionare, korruptive dhe e trajtimeve fiktive, që u mbylli shtigjet e karrierës dhe të profesionit mijëra të rinjve mjekë dhe infermierë, që u detyruan të braktisin Shqipërinë për të shërbyer në klinikat dhe spitalet e Gjermanisë dhe Europës. Ndaj renditemi ndër të parët në kontinent për numrin e lartë të vdekjeve nga pandemia COVID-19 në raport me popullsinë, për shkak të mangësive alarmante në personel të kualifikuar dhe pajisje shëndetësore, që ndikuan në strategjinë e gabuar që u ndoq në zbulimin, parandalim dhe mjekimin e duhur. Nuk ka sesi të mos renditemi të parët edhe për frekuencën e shfaqjeve të sëmundjeve sistemike dhe kronike, kur një mjek paguhet 20 herë më pak se një tellall i Qeverisë që del çdo natë në banaqet televizive dhe paguhet si drejtor marketingu në spital. Largimi i mjekëve dhe i infermierëve duhet të ndalet dhe do të ndalet vetëm kur të çmontohet kapja e sistemit nga pak duar oligarkësh të cilët po mbajnë peng shëndetin e popullit, por edhe karrierën dhe të ardhmen e profesionistëve të shëndetit. Koha për të ndalur këtë shkretim të programuar nga “Rilindja”!

Një ditë më parë, Euractiv shkruante se një raport i fundit ka zbuluar se si mijëra punonjës shëndetësorë (mjekë dhe infermierë) ikën në Gjermani në vitin 2020, ndërsa kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë shqetësimet për humbjen e punëtorëve të kualifikuar në sektorin jetik. Fondacioni Evropian i Trajnimeve publikoi një raport javën e kaluar duke theksuar eksodin masiv të punëtorëve të kualifikuar, duke përfshirë një numër të madh të rinjsh. Situata është veçanërisht shqetësuese për mjekët dhe infermierët dhe përfshin gjithashtu psikoterapistë, dentistë dhe farmacistë, të gjithë të kërkuar në Shqipëri.

(f.m/dosja.al)

Aksidenti i rëndë në Tiranë, si mund të shmangen ngjarje të tilla?

View Results

politike politike ilir meta largimi i mjekëve nga shqiperia ilir meta largimi i mjekëve nga shqiperia

Sondazh

Poll