Bota

Kosova dhe Serbia shkëmbejnë akuza për destabilizim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

21 Prill 2022, 18:31 Nga DOSJA
Kosova dhe Serbia shkëmbejnë akuza për destabilizim në

SHBA- Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar misionin e OKB-së në Kosovë të mërkurën në Nju Jork, Serbia dhe Kosova u përpoqën ta portretizonin tjetrin si një agjent destabilizimi në dritën e shqetësimeve se situata e sigurisë në Ballkan mund të përkeqësohet ndërkohë që lufta është në vazhdim në Ukrainë.

Ministri i jashtëm serb Nikola Selakoviç tha se “nacionalizmi malinj i autoriteteve në Prishtinë … krijon një atmosferë pasigurie të plotë dhe çon në eksodin” e pakicës serbe nga Kosova. Selakoviç tha se autoritetet në Prishtinë po “shpërfillnin përfaqësuesit politikë të serbëve” dhe po merrnin vendime pa pjesëmarrjen e tyre, ndërsa synonin liderët e komunitetit serb me “hetime dhe procedura gjyqësore të montuara politikisht”.

Ministrja e jashtme e Kosovës Donika Gervalla-Schwarz ndërkohë akuzoi Serbinë se është burim destabiliteti në rajon.

“Njerëzit e tanë kanë bërë zgjedhjen e tyre shumë kohë më parë, ne jemi pjesë e Perëndimit, ndërsa Serbia, fqinji ynë verior, mbetet satelit i Rusisë”, tha Gervalla-Schwarz.

“Kjo është mjaft unike në Evropën e sotme dhe tregon arsyen kryesore pse rajoni ynë mbetet i paqëndrueshëm”, shtoi ajo.

Seanca e Këshillit të Sigurimit u mbajt për të diskutuar raportin dyvjetor të Misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, i cili filloi të veprojë në vend pasi forcat serbe u tërhoqën në fund të luftës në vitin 1999 dhe administroi shumë nga punët e tij deri në shpalljen e pavarësisë së Prishtinës. në vitin 2008.

Gervalla-Schwarz vuri në dyshim rolin e UNMIK-ut në Kosovë pasi kjo e fundit tani është një vend sovran.

UNMIK-u nuk është një mision administrativ sepse Kosova ka një qeveri, nuk është mision paqeruajtës se Kosova ka KFOR-in si garantues të sigurisë. UNMIK-u nuk luan më një rol në jetën e qytetarëve të tij dhe të vendit tonë”, tha ajo.

Richard Mills, zëvendës-përfaqësuesi i SHBA-së në OKB, bëri të njëjtën gjë, duke thënë se “mbetet më e qartë se kurrë që UNMIK-u e ka përmbushur qëllimin e tij siç është përshkruar në mandatin fillestar të Këshillit të Sigurimit në vitin 1999”.

“Prandaj ne i bëjmë thirrje përsëri Këshillit të Sigurimit që t’i japë fund mandatit të UNMIK-ut dhe t’i mundësojë pranisë së OKB-së në Kosovë kalimin në një rol më efektiv, për të mirën e Kosovës dhe të gjithë rajonit”, tha Mills.

Por zëvendës përfaqësuesja e përhershme e Rusisë, Anna Evstigneeva, e përshkroi qëndrimin e Prishtinës ndaj misionit të OKB-së si “të papranueshëm”. Rusia mbështet qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës dhe nuk e njeh atë si shtet të pavarur dhe nuk dëshiron që OKB-ja të ndërmarrë ndonjë hap që mund të forcojë sovranitetin e Prishtinës. Kina gjithashtu refuzon të njohë Kosovën dhe përfaqësuesi i saj Dai Bing tha se “sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i Serbisë duhet të respektohen plotësisht”.

Marrë nga Reporter.al

Ndihmës-Sekretarja e Shtetit takoi Alibeajn, ndërsa Paloka deklaroi se ka firmosur peticionin kundër ambasadores Kim. Çfarë do të thotë kjo për PD?

View Results

rajoni rajoni nikola selakoviç okb nikola selakoviç okb

Sondazh

Poll