Bota

DW: Një në katër vetë në Gjermani kanë ‘prejardhje migracioni’

21 Prill 2022, 06:38 Nga DOSJA
DW: Një në katër vetë në Gjermani kanë

Numri i qytetarëve me “prejardhje migracioni” në Gjermani vazhdon të rritet. Kryesojnë emigrantët nga Turqia, Polonia dhe Rusia.

Një sondazh i fundit tregon se më shumë se një e katërta e njerëzve që jetojnë aktualisht në Gjermani, ose janë të lindur jashtë vendit ose kanë të paktën një prind emigrant.  

Shifrat e fundit të publikuara nga Agjencia Gjermane e Statistikave Destatis, tregojnë se “njerëzit me prejardhje migracioni” përbëjnë 27.2% të popullsisë së Gjermanisë. 

Sipas të dhënave të nxjerra nga agjencia ky është numri më i lartë që nga viti 2005, kur ky sondazh u krye për herë të parë. Nga 82 milionë banorë që jetojnë Gjermani, rreth 22.3 milionë janë të lindur jashtë Gjermanisë ose kanë prejardhje jo gjermane.

Nga vijnë emigrantët?

Shumica e njerëzve me prejardhje migracioni e kanë origjinën nga Evropa dhe Azia. Rreth 7.5 milionë kanë lidhje me vendet e tjera të BE-së, 3.5 milionë me Lindjen e Mesme dhe 1.1 milion me Afrikën.

Turqia mbetet shteti me numrin më të madh të migrantëve në Gjermani, me 12%, e ndjekur nga Polonia me 10% dhe Rusia me 6%.

Çfarë gjuhësh flasin?

Anketuesit evidentuan se në 46% të rasteve, njerëzit me prejardhje migracioni komunikojnë ekskluzivisht ose kryesisht gjermanisht në shtëpinë e tyre. Turqishtja është gjuha e dytë më popullore, me 8% të njerëzve me prejardhje migrante që e flasin atë në shtëpi, e ndjekur nga rusishtja me 7% dhe arabishtja me 5%. 

Po emigrantët ukrainas?

Raporti nuk përfshin të dhënat nga lufta ruse në Ukrainë, e cila që nga muaji shkurt bëri që miliona vetë të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Shifrat e vitit 2021 treguan se në Gjermani jetojnë rreth 308.000 ukrainas, shumica prej tyre emigrantë prej shumë vitesh.

Megjithatë policia gjermane njoftoi se që nga fillimi i luftës në Gjermani kanë mbërritur mbi 335,000 refugjatë ukrainas duke dyfishuar numrin e shtetasve ukrainas në vend. Numri real ka të ngjarë të jetë më i madh, pasi ukrainasit mund të udhëtojnë në Gjermani pa vizë. Gjysma e tyre janë fëmijë dhe të rinj. 

Prej shumë dekadash ekonomia gjermane ka qenë shumë e varur nga punëtorët e huaj, ndërkohë që politikanët vitet e fundit kanë punuar për të joshur edhe më shumë emigrantë në vend.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, politikanët gjermanë dhe ata të BE-së janë përpjekur të frenojnë emigracionin e paligjshëm nga Afrika dhe Lindja e Mesme, duke u akuzuar për racizëm, kur krahasohen me solidaritetin e ofruar për refugjatët që vijnë tani nga Ukraina. 

Marrë nga DW. 

Ndihmës-Sekretarja e Shtetit takoi Alibeajn, ndërsa Paloka deklaroi se ka firmosur peticionin kundër ambasadores Kim. Çfarë do të thotë kjo për PD?

View Results

bota bota gjermani prejardhje migracioni ne gjermani gjermani prejardhje migracioni ne gjermani

Sondazh

Poll

Bota 21 Prill 2022, 06:22

Kosova dhe Serbia përplasen në OKB

Kosova dhe Serbia kanë shkëmbyer akuza gjatë një mbledhjeje që u mbajt në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 20 prill. Ministrja e Punëve të Jasht...