Bota

VKM/Qeveria heq nga “rruga” Diasporën, 5 muaj pas shkrirjes, dikasteri i kalon MPEJ

9 Shkurt 2022, 17:37 Nga DOSJA
VKM/Qeveria heq nga “rruga” Diasporën, 5 muaj pas shkrirjes,

TIRANE– Me një vendim të miratuar në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave vendosi kalimin e të gjitha kompetencave që deri dje i kishte Ministria e Diasporës për tek Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Me vendimin që është firmosur nga vetë kryeministrit Edi Rama, dikasteri i shkrirë pa asnjë arritje dhe pa “portofol”, që u drejtua nga socialisti Pandeli Majko, tashmë i kalon Ministrisë së Drejtuar nga Olta Xhaçka. 5 muaj kaluan shpejt dhe ministria që ishte lënë mes rrugëve duke mos iu përgjigjur problemeve të shqiptarëve nëpër botë, tashmë ka gjetur “administrator” dhe godinë. Ende asnjë bilanc nga ana e qeverisë mbi punën e kësaj ministrie në mandatin qeveritar Rama 2, ndaj le të shpresojmë që me kalimin në MPEJ, diçka do të ndryshojë.

VENDIMI I KESHILLIT TE MINISTRAVE: 

V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË PËR EVROPËN DHE PUNËT E JASHTME

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e misionit dhe të fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

2. Misioni i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme është hartimi dhe zbatimi i politikave të jashtme, drejtimi teknik dhe bashkërendimi i procesit të integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, zhvillimi dhe fuqizimi i diplomacisë ekonomike, si dhe mbrojtja e të drejtave të shtetasve shqiptarë dhe komuniteteve shqiptare jashtë vendit.

3. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ushtron veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie shtetërore:

a) Harton, përpunon, organizon dhe zbaton politikën e jashtme të shtetit shqiptar;
b) Realizon shprehjen dhe mbrojtjen e interesave të shtetit shqiptar dhe të shqiptarëve në marrëdhëniet ndërkombëtare me shtetet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare;
c) Mbështet Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Këshillin e Ministrave dhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në përcaktimin e qëndrimeve të rëndësishme lidhur me politikën e jashtme;
ç) Mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë dhe të komuniteteve shqiptare jashtë vendit, si dhe organizon, harton e zbaton politikën shtetërore në interes të tyre në bashkëpunimin me ministritë përgjegjëse;
d) Nxit dhe ndihmon për zhvillimin e komunikimit e të ndërveprimit të diasporës dhe të shqiptarëve jashtë kufijve me përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë në shtetet ku ata banojnë;
dh) Promovon dhe ndihmon në rritjen e zhvillimin e vlerave dhe të traditave më të mira shqiptare te bashkëkombësit jashtë kufijve shtetërorë;
e) Promovon interesin ekonomik kombëtar në arenën ndërkombëtare, duke ndërmarrë aktivitete zyrtare diplomatike të fokusuara në rritjen e eksporteve, tërheqjen e investimeve të huaja dhe pjesëmarrjen në punë të organizatave ekonomike ndërkombëtare;
ë) Bashkërendon procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nëpërmjet përafrimit të legjislacionit dhe hartimit të politikave të integrimit, si dhe propozon projektaktet që kanë lidhje procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

4. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.500, datë 13.9.2017, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme”, dhe nr.510, datë 13.9.2017, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Diasporën”, shfuqizohen.

5. Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

(f.g/dosja.al)

Ndihmës-Sekretarja e Shtetit takoi Alibeajn, ndërsa Paloka deklaroi se ka firmosur peticionin kundër ambasadores Kim. Çfarë do të thotë kjo për PD?

View Results

diaspora politike ministria e diaspores olta xhacka ministria e diaspores olta xhacka

Sondazh

Poll