Bota

Vaksinimi i detyruar, qindra kamionistë protestojnë përpara Parlamentit në Kanada

29 Janar 2022, 20:12 Nga DOSJA
Vaksinimi i detyruar, qindra kamionistë protestojnë përpara

OTAVA– Qindra kamionë u futën në kryeqytetin e Kanadasë, Otava ditën e sotme për të organizuar një protestë masive kundër mandateve të kryeministrit Justin Trudeau për vaksinën COVID-19 përpara parlamentit në një ditë të ftohtë dimri. Gjithçka nisi si një tubim kundër  kërkesës për vaksinim të detyruar për kamionistët që kalojnë kufirin, por është kthyer në një demonstrim kundër qeverisë.

“Nuk ka të bëjë vetëm me vaksinat. Ka të bëjë me ndalimin e kalimit të kufirit,” tha Daniel Bazinet, pronar i Valley Flatbed & Transportation në Nova Scotia në bregdetin e Atlantikut.

Ai është në një kolonë prej rreth 200 kamionësh që vijnë ngadalë nga lindja dhe thotë se politikat e shëndetit publik të shtyra nga qeveria e Trudeau kanë shkuar shumë larg.

“Ku do të përfundojë gjithçka? Kështu ndihen shumë njerëz,” tha ai në një intervistë telefonike.

Kamionët u rreshtuan para parlamentit mëngjesin e së shtunës, duke u rënë borive, teksa mijëra njerëz u mblodhën paqësisht në oborrin e mbuluar me borë të parlamentit.

Pak mbanin maska, por shumë ishin me kapuçë, pasi temperatura ishte minus 21 Celsius. Deri në fund të ditës, priten rreth 2 mijë e 700 kamionë, tha një burim i qeverisë federale.

Retorika e dhunshme e përdorur nga disa prej protestuesve në rrjetet sociale në prag të protestës ka shqetësuar policinë.

“Ne jemi të përgatitur sa më mirë që të jetë e mundur për ata që zgjodhën të vijnë këtu për të bërë dëm ose për të bërë të tjerët të dëmtojnë,” tha të premten shefi i policisë së Otavës, Peter Sloly.

Trudeau dhe familja e tij kanë lënë shtëpinë ku jetojnë në qendër të Otavës për shkak të shqetësimeve, raportoi CBC. Zyra e tij tha se nuk komenton çështjet e sigurisë.

Të premten, Trudeau i tha shtypit kanadez se ishte i shqetësuar se në protestën e paralajmëruar mund të kishte dhunë. Në fillim të kësaj jave ai tha se kolona përfaqësonte një “pakicë të vogël të skajshme” që nuk përfaqësonte pikëpamjet e kanadezëve.

Rreth 90% e kamionistëve ndërkufitarë të Kanadasë dhe 77% e popullsisë kanë bërë dy vaksina kundër COVID. Udhëheqësi konservator Erin O’Toole kundërshton vendimin e qeverisë dhe shprehu mbështetje për protestën pas bisedimeve me disa nga kamionistët të premten.

“Unë mbështes të drejtën e tyre për t’u dëgjuar dhe i bëj thirrje Justin Trudeau të takohet me këta kanadezë punëtorë për të dëgjuar shqetësimet e tyre,” tha O’Toole pas takimit. Anëtari konservator i parlamentit Michael Cooper po u shpërndante kafe protestuesve të shtunën.

Aleanca Kanadeze e Kamionëve, e cila përfaqëson rreth 4,500 transportues, pronarë-operatorë dhe furnizues të industrisë e kundërshton demonstrimin.

Marrë nga përshtatur nga Reuters

(f.m/dosja.al)

Ndihmës-Sekretarja e Shtetit takoi Alibeajn, ndërsa Paloka deklaroi se ka firmosur peticionin kundër ambasadores Kim. Çfarë do të thotë kjo për PD?

View Results

bota bota kanada protesta ne otava kanada protesta ne otava

Sondazh

Poll