Politike

Presidenti Meta letër publike Ramës: Doja ta vendosnim të dy datën e zgjedhjeve, reflekto, mos na zhgënje!

27 Qershor 2019, 19:26 Nga DOSJA
Presidenti Meta letër publike Ramës: Doja ta vendosnim të dy

TIRANË– Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër publike kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit refuzoi që ta takonte sot për të caktuar një datë të re për zgjedhjet lokale.

Në hyrje të letrës së tij, Meta i shkuran Ramës se e kishte privuar padrejtësisht nga takimi me të kur ai e priste që prej orës 05:00 të mëngjesit, ndërsa kryeministri zgjodhi që të shkonte për t’u larë në një pishinë 200 metra larg Presidencës.

Sa i përket “teorive konspirative” të Ramës së Meta e kishte vendosur datën e re të zgjedhjeve vetëm dy ditë para ditëlindjes së ish-kryeministrit Sali Berisha, kreu i shtetit dha versionin e tij të historisë.

Për asnjë moment Meta nuk bën hapa pas, duke pranuar edhe njëherë dobësinë e tij për ish-kyreministrin, që sipas kreut të shtetit është edhe pika e dobët e Ramës. Meta shkruan se Rama nuk e urren Berishës aq shumë sa aktron pasi me të ndryshoi themelet e Kushtetutës brenda natës duke krijuar krizën që është edhe sot.

Në fund të letrës së tij, Meta i dërgon një lutje kryeministrit Edi Rama për t’u treguar vizionar dhe të reflektojë për të mos u futur në zgjedhjet e 30 qershorit.

LETRA E METËS:

I dashur Edi,

Ti më ke privuar padrejtësisht, si në planin institucional, ashtu edhe në atë njerëzor, nga mundësia për t’u takuar bashkë.

Jam thellësisht i indinjuar dhe njëkohësisht i brengosur që pritjes sime sot, nga ora 05:00 e mëngjesit ti i’u përgjigje me një të larë në pishinë vetëm 200 metra larg Presidencës.

Doja ta vendosnim bashkë datën e zgjedhjeve dhe kam që nga data 8 qershor 2019 që të pres e të pres, me shpresë.

Por unë, siç me të drejtë ti ankoheshe, nuk mund ta lija Shqipërinë pa një datë të zgjedhjeve vendore dhe t’u mohoja shqiptarëve të drejtën për të votuar në mënyrë të qetë, në paqe dhe me alternativa.

Data 13 tetor 2019 e dekretuar nga unë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, u vendos sepse kjo është data më e shpejtë për të garantuar të drejtën e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje, por edhe për të garantuar përfshirjen në procesin e administrimit të zgjedhjeve.

Ne të dy e dimë mirë, nga ata që vendosin për të ardhmen europiane të Shqipërisë, se nuk ka çelje të negociatave me Bashkimin Europian me zgjedhje monopartiake, siç ja ke marrë vrapit t’i bësh ti, përkundrazi.

Po të kujtoj se në 17-18 tetor 2019 ne presim mbledhjen e Këshillit Europian, që do të mund të vendosë për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ti thua se data e dekretuar nga unë është dhuratë me rastin e ditëlindjes së Doktorit më 15 tetor.

Ti e di që unë nuk ta kam fshehur asnjëherë, as ty dhe as publikut, dobësinë që kam për Doktorin.

Njerëz jemi, kemi edhe pika të dobëta.

Por edhe ti nuk është se e “urren” aq shumë sa aktron para kamerave dhe militantëve të tu.

Aq më tepër që marrëveshjet më të mëdha në këtë vend i keni bërë ti dhe Doktori, siç ishte edhe ajo brenda natës që ndryshoi themelet e Kushtetutës, që ishte votuar me referendum nga i gjithë populli, dhe pasojat e të cilës i vuajmë edhe sot.

Natyrisht që nuk ka lidhje as me 18 tetorin, ditën e lindjes së udhëheqësit të fundit komunist, Ramiz Alia, i cili, pavarësisht formimit të tij komunist, nuk besoj se e ke harruar, tregoi përgjegjshmëri të lartë me shtyrjen e zgjedhjeve në vitin 1991, duke i krijuar hapësirat e duhura opozitës për të marrë pjesë në to, për të mirën e vendit.

Ndaj të lutem Edi tregohu vizionar, reflekto dhe mos na zhgënje!

Presidenti Ilir Meta shpall datën e re të zgjedhjeve lokale. Me një dekret pas konsultimit me opozitën dhe ndërkombëtarët, Meta ka caktuar 13 tetorin si datën e dytë të zgjedhjeve. Reagon Rama: E pa në filxhan çmendurinë e dytë! Basha u shpreh se nuk futet në zgjedhje pa u dënuar ata që kanë vjedhur votat. 

(k.m/dosja.al)

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

politike politike data e re e zgjedhjeve edi rama ilir meta ilir meta leter publike edi rames zgjedhjet lokale 2019 data e re e zgjedhjeve edi rama ilir meta ilir meta leter publike edi rames zgjedhjet lokale 2019

Sondazh

Poll