Aktualitet

11 dhjetori po vjen!‘Non grata’ nxiti luftën brenda PD, pse po hesht ambasadorja Kim

5 Dhjetor 2021, 16:28 Nga DOSJA
11 dhjetori po vjen!‘Non grata’ nxiti luftën brenda PD, pse po

TIRANË– Data 9 shtator shënoi “pikën e vlimit” brenda Partisë Demokratike! Një “non grata” nga DASH dhe një përjashtim (i përkohshëm) nga kryedemokrati Lulzim Basha për liderin historik të PD-së dhe një nga politikanët më të pushtetshëm në vend, Sali Berisha ka trazuar ujrat mes të djathtës shqiptare. Që nga ajo ditë, vetëm 24 orë para nisjes së Kuvendit, Berisha, ashtu siç edhe kishte paralajmëruar Lulzim Bashën, ka marrë masat e tij. Përveç padisë në Francë për Sekretarin Antony Blinken, edhe në Shqipëri ka nisur një tjetër lëvizje, PD kundër PD. Pas Foltores së parë në Tiranë, që nga shtatori, Berisha ka lëvizur në dhjetra qytete të vendit, duke u kërkuar votën demokratëve që të rimarrë partinë që themeloi më shumë se 3 dekada më parë. Për ta hequr nga duart e Bashës, të cilit ia dorëzoi pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.

E gjitha për një qëllim; mbledhjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm Kombëtar më 11 dhjetor, ditë që përkon me themelimin e partisë. Për të shkarkuar Bashën nga posti i tij. Firmat e mbledhura, të mbështjella me nga një kuti letreje A4 janë kyçur në zyrën e deputetit Edi Paloka, kryetar i Këshillit Kombëtar. Lëvizje kjo e kontestuar nga PD-ja zyrtare! Zyrtarë të lartë të PD-së, edhe delegatë të thjeshtë, por edhe vetë Basha, dolën publikisht dhe kërkuan depozitimin e formave për verfikim tek protokolli, duke kundërshtuar “kasafortën” e Palokës. Por fletët ishte dërguar në zyrën e tij, ndaj dhe Paloka doli me propozim të ri, verifikimin e firmave me nga një ‘komisioner’ nga secila palë.

Ai propozoi negociata, madje duke përcaktuar edhe emrat e negociatorëve që sipas tij mund të jenë Ivi Kaso dhe Ervin Minarolli. Propozimi as që u mor parasysh. Megjithatë me të tyren u “plotësuan” edhe dëshirën për një Kuvend, por me kushtet e Bashës. Me të gjithë Kryesinë (shumë të futur në lista nga vetë Basha, e pa kontakt politik me Berishën) votuan pro, ndërsa mbështetësit e liderit historik lanë mbledhjen, duke thelluar edhe më tej krisjen. Mesa duket të lodhur nga gjithë akuzat se firmat, numri i saktë i tyre ndryshon në çdo dalje të Berishës, mbështetësit e Foltores vepruan ndryshe. Duke dalë nga shkallët e selisë së Partisë Demokratike, duke provokuar kundërshtarët, lexuan një më një emrat që kishin hedhur firmën e tyre për të thirrur një Kuvend. E deri më sot nuk është raportuar për asnjë konstestim. As nga vetë PD, as nga emrat e përmendur.

Megjithatë kjo nuk do të thotë që u gjet kompromisi. Ende PD nuk njeh emrat e thirrur nga shkallët e selisë, por as ka dalë publikisht kundër tyre. Përveç ditës së sotme, kur më pak se një javë na ndan nga 11 dhjetori. Në media është publikuar një email i Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi drejtuar Degëve të Partisë. Pa përmendur fare vërtetësinë e firmave, Bardhi pretendon se po shpërndahen bexha me logon e PD dhe Kuvendit Kombëtar duke pretenduar se dokumentet janë të falsifikuara, sepse nuk po prodhohen nga asnjë organ i PD. Mesa duket ky është filli i vetëm ku mund të kapen për të ndaluar takimin që pritet të zhvillohet në ambientet e stadiumit “Air Albania” në Tiranë. Kur pothuajse të gjitha degët e PD-së po dalin hapur dhe po thonë pa frikë se i janë bashkuar nismës, të tjerët duket se kanë zgjedhur “të kapen prej bishti”. Ndoshta kjo është e vetmja kleçkë ku edhe mund që të nxjerrin diçka. Ndërkohë që nga Foltorja mbizotëron heshtja, njëjtë si ajo para stuhisë.

E meqë jemi tek heshtja. Mbytëse duket si nga ambasada amerikane, po ashtu edhe nga socialistët në qeveri që duket më komodë se kurrë për përçarjen e kundërshtarëve. Përveç disa daljeve në intervista, edhe aty pa e përmendur direkt me emër, ambasadorja amerikane Yuri Kim nuk flet më Berishën. Duke zbutur edhe sulmet tij. E as nuk ka përmendur përplasjen për mbledhjen e Kuvendit, por është mjaftuar duke u shprehur qartë se SHBA-të qëndrojnë pranë Bashës. Por kjo nuk do të thotë që nuk janë përcjellë mesazhe në selinë blu. Jo më larg se dy ditë më parë, në zyrë Bashës i shkoi zv.ambasadori Demian Smith. Më një mesazh të Kim? Me shumë mundësi…por nuk pati asnjë njoftim për mediat. Ndërkohë që po këtë javë pritet që Tiranën ta vizitojë i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, i cili do të zhvillojë takime me kryeministrin Edi Rama dhe me kreun e demokratëve, Lulzim Basha.

“Countdown-i” ka filluar dhe sytë e të gjithëve janë nga Amerika! Kjo sepse BE e ka bërë të qartë zgjedhjen e saj, duke u shprehur gati të bashkëpunojë me këdo që demokratët i besojnë drejtimin e PD. Por do të duhet të presim dhe pak ditë, ndoshta një reagim që do të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve do të vijë. Gjithçka mund të ndodhë…

(k.m/dosja.al)

Cila mendoni se është alternativa më e mirë:

View Results

kryesore politike lulzim basha sali berisha lulzim basha sali berisha

Sondazh

Poll