Editorial

Eja, luajmë kukafshehti!

16 Nëntor 2021, 08:49 Nga DOSJA
Eja, luajmë kukafshehti!

Nga Meri Lika

Më kujtohet shumë mirë, besoj njëjtë dhe ju të gjithëve, kur ishim të vegjël dhe luanim me kukafshehti ose me të fshehura siç e quanim ne.

Më pëlqente kur strukeshim pas cepave të mureve, pas pemëve, kudo ku mendonim se ishte një vend i sigurt.

Po ashtu më pëlqente shumë momenti kur pas numërimit me sa më shpejt të mundej, duke iu marrë fryma, nga ai që mbyllte sytë, një nga një, sapo gjenim momentin, vraponim tek vendi i “dorëzimit” e bërtisnim “ptuj, ptuj, ptuj” duke simuluar pështyrjen.
Fitues ishte gjithmonë ai që dilte nga skuta dhe arrinte i pari tek vendi i përcaktuar, në garë me atë që mbyllte sytë.

Por kaq, gjithçka ngelet tek kujtimet e fëmijërisë. Kurrë nuk e kam përdorur këtë lojë në jetë e as në punë, madje as me veten time nuk kam luajtur më kukafshehti.

E vetmja gjë që mbart gjithmonë nga kjo lojë është morali i saj: “ Kush del nga skuta, ku është strukur, në momentin e duhur dhe vrapon shpejt, fiton!”.
Edhe pse unë nuk kam pasur dëshirë ta luaja e rritur këtë lojë, shumë njerëz e bëjnë. Vazhdojnë ta kenë jetën dhe punën e tyre njëjtë si loja kukafshehti.
Por ndërsa në jetën personale apo edhe në punën e tyre, secili nga ne është i lirë të zgjedhë ta luaj këtë lojë edhe kur rritet, në politikë kjo lojë është një mision i pamundur.

Në politikë nuk mund të luash kukafshehti, sepse ka aq shumë kundërshtarë dhe rivalë, saqë e ke të pamundur të rrish i fshehur për shumë kohë, e kur mendon se mund të fitosh duke u fshehur harron thelbin e lojës që është gara: “kush vrapon më shpejt, fiton”.

Në Partinë Demokratike sot po luajnë kukafshehti.
Krytari i partisë, po luan, duke u futur sa në një skutë tek tjetra duke menduar se kështu i fshehur do mund të arrijë finishin dhe pastaj të bërtasë “ptuj ptuj ptuj”, me zërin që po i ngjiret nga “britmat e tenorit” që po lëshon në kuvend.

Më vjen keq që kryetari nuk paska mësuar asgjë nga fëmijëria e kukafshehtit. Nuk e paska mësuar se fshehja nuk të jep fitore, fitoren ta jep mençuria që të kapësh momentin dhe të nisësh vrapin për të arritur i pari.

Duke u futur në fillim tek skuta “s’ka kongres kundër SHBA-së”, pastaj duke kërcyer tek skuta “firmat nuk janë të verifikuara”, e duke kaluar tek skuta e fundit “kuvendi do të mblidhet në 18 dhjetor” ai mendon se do mund të arrijë vendin e fitores përpara rivalit që po e sfidon hapur, por jo me teknikën e lojës por me shprehjen “topin e kam unë, penalltinë e gjuaj vetë”.

Më vjen keq t’i them se përditë është duke humbur!

Partinë e ka humbur që pas çadrës, por tashmë dalëngadalë është duke humbur edhe dinjitetin.
Mund të duket moraliste por, nuk është e mundur të bësh për vete masën duke mos u përballur me sfiduesin.
Kur dikush të sfidon, beteja duhet të jetë e hapur, madje madje, për të mbrojtur dinjitetin, beteja duhet të zhvillohet pikërisht tek fronti i kundërshtarit.

Një lider që frymëzon, që nuk fshihet pas procedurave, pas mbledhjeve boshe e pa bereqet, sfidon.
Dhe Lulëzim Basha duhet të sfidonte: “Kur e do kuvendin në 11 dhjetor? Në 11 dhjetor do ta kesh! Çfarë do në kuvend, do votëbesimin për kryetarin? Atë do të kesh?”

Por Lulëzim Basha nuk e bën dot këtë, sepse gjatë gjithë karrierës së tij politike, gjithmonë ka zgjedhur të fshihet dhe frika se nëse garon do të humbasë është aq e madhe saqë e ka futur në labirintin e saj pa asnjë rrugëdalje.

Sot, ai po na tregon të vërtetat e tij gënjeshtare, se bashkinë e fitoi se përjashtoi Berishën, se pa Berishën ai do ishte më i fortë, por ai harron se njerëzit kanë kujtesë, dhe të gjithë e dimë se pa Berishën, ai që sot është ulur në karrigen e kryetarit dhe që në tetë vitet e drejtimit e ka venitur opozitarizimin, do ishte zhdukur nga faqja e politikës që në vitin 2013 nëse votimi për kryetar do të ishte bërë i rregullt dhe pa preferencën e shpallur hapur të Berishës.
Ai harron se pa Berishën, nuk do kishte pasur asnjë mundësi të fitonte partinë më të madhe opozitare, sepse, sipas mendimit tim, ai nuk di të përballet e kush nuk di të përballet nuk di as të fitojë.

Ai harron, se nuk e ka fituar atë vend, atij ia dhanë atë karrige, e kushdo, të cilit i dhurojnë një post, duhet ta dijë se siç ia kanë dhënë postin ashtu edhe ia marrin.

Me keqardhje po i them se është në momentin kur po i marrin karrigen, prandaj në mënyrë që të dal me dinjitet nuk duhet të luajë më kukafshehti.

Cila mendoni se është alternativa më e mirë:

View Results

editorial editorial meri lika politika shqiptare meri lika politika shqiptare

Sondazh

Poll

Editorial 13 Nëntor 2021, 14:12

Ndarja e pakthyeshme e opozitës

Nga Enton AbilekajPasditen e djeshme Basha zgjodhi ta sfidonte Berishën në një betejë shikueshmërie. Ai ekskluzivisht në News24, Berisha në televizionet e tjera...

Editorial 13 Nëntor 2021, 17:04

Librat e tim biri

Muajin nëntor, ashtu si edhe dhjetorin, gjithmonë e kam pritur me shumë dëshirë, sigurisht nisur nga festat. Përveç festave të nentorit, 28 dhe 29, muaji...

Editorial 12 Nëntor 2021, 08:56

Orakulli nuk gënjen!

Nga Meri LikaNë profetësinë e Ezekielit, në Bibël, thuhet: “Zoti verbon atë që do që të humbasë”! Fatkeqësisht ky është edhe rasti i kryetarit të Partisë Demokr...

Editorial 8 Nëntor 2021, 08:41

Unë dua një opozitë tjetër!

Nga Meri Lika“Kur nuk je i dobishëm, duhet të dish të tërhiqesh!”Me këto fjalë, në 4 maj të këtij viti, Pablo Iglesias, kandidati i Podemos dhe ish zv.kry...