Editorial

Ndarja e pakthyeshme e opozitës

13 Nëntor 2021, 14:12 Nga DOSJA
Ndarja e pakthyeshme e opozitës

Nga Enton Abilekaj

Pasditen e djeshme Basha zgjodhi ta sfidonte Berishën në një betejë shikueshmërie. Ai ekskluzivisht në News24, Berisha në televizionet e tjera informative që transmetonin foltoren. Ishte hera e parë që kryetari po mbronte pezullimin e liderit historik të PD-së, duke treguar se sa shumë e kishte mbrojtur, deri në pikën ku nuk mbrohej më. Pastaj tregoi se kishte më shumë se 10 vjet që mendonte se Berisha i prish punë Partisë Demokratike, kur rrëfeu sekretin e fitores së famshme të 11 majit 2011. Ishin dëgjuar versionet që fitorja erdhi prej KQZ-së së kryesuar nga Arben Ristani që dy vjet më vonë u bë sekretar i Përgjithshëm i PD-së, versionet që votat e LSI-së dhe Hysni Milloshit ishin deçisive, por asnjëherë që fitorja erdhi për shkak të përjashtimit të Berishës nga fushata.

Lulzim Basha, e ka vlerësuar si pengesë ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e partisë, 10 vjet e 6 muaj më parë dhe e ka pezulluar vetëm 2 muaj e gjysmë më parë dhe i shpalli luftë vetëm 2 javë më parë, pasi e pa se nuk ka më kthim. Rrëfimi i Bashës, sado i pabesueshëm, tregon që nga ana e tij dhe mbështetësve të tij, nuk do të ketë më asnjë tentativë për ta bashkuar PD-në. Intervista e djeshme tregoi se ai e ka vendosur të largojë Berishën, si një pengesë prej 1 dekade për partinë. Duke shpallur largimin e Berishës, theksoi “konservatorizmin”, si linjën ideologjike me të cilën po tenton të mbajë elektoratin e djathtë me vete. Konservatorizmi ishte kryefjala e Berishës, në të njëjtën orë në Sarandë. Injorimi i procedurës së kërkuar nga ekzekutivi i partisë, për dorëzimin e firmave dhe ashpërsimi i gjuhës me Bashën ishin shenjat se edhe ai është gati për ndarjen e PD-së.

Thirrja e Kuvendit me një procedurë të pakujdsesshme, pa transparencën e firmave, pa bindur anëtarësinë e Kuvendit dhe të PD-së për vërtetësinë e formularëve, nuk duket si fshehje e dështimit për të mbledhur 1900 firmat e nevojshme. Ajo duket si shpallje e një lufte që fillon me përjashtimin paraprak të Lulzim Bashës dhe bashkëpunëtorëve të tij nga Kuvendi dhe vazhdon si një provë mbështetjeje politike për të gjtihë delegatët, që duhet të shkojnë aty, jo se u respektua procedura, por se mbështesin Sali Berishën. Me këtë mënyrë, Berisha do të testojë kush është me të dhe kush vepron siç kërkon ai, pa patur parasysh rregullat e partisë. Me këtë mënyrë të mbledhjes së Kuvendit, ai mund të heqë dorë nga vula e PD-së, por provon mbështetjen brenda partisë.

Është e qartë se të dyja palët bashkohen vetëm tek ndarja. Madje jo vetëm palët brenda PD-së. Nga e enjtja e para 2 javëve kur Basha shpalli Metën si pjesë të trekëndëshit të Bermudës, tek e enjtja e para dy ditëve në Open, kur Gazment Bardhi shpalli LSI-në si fajtore për dështimin e koalicionit parazgjedhor, opozita do të ndahet përfundimisht. Tashmë PD e Bashës dhe LSI nuk kanë më asnjë pikë takimi, ndërsa lëvizja e Berishës shihet me sy shumë të mirë nga Ilir Meta, që mezi po pret të heqë kostumin e Presidentit dhe të kthehet në terren. Fronti opozitar do të jetë i ndarë në 3 llogore, ndërkohë që as të bashkuar nuk e rrëzuan dot Edi Ramën. Pavarësisht kush do të jetë më i fortë, askush i vetëm, nuk mund ta rrëzojë një qeveri autokrate që ka gjetur mekanizmin perfekt për tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Më keq akoma, përtej marrëdhënieve me SHBA, asnjëra nga palët nuk e ka besimin e publikut se mund ta përfaqësojë në betejën me Edi Ramën. Ato vetëm mund të përfitojnë nga relativizimi që u bëhet për shkak të rrezikut që Rama përfaqëson. Një opozitë e re, e papërfshirë në historitë dhe aferat e dyshimta të së shkuarës, e pangarkuar me fajet e së shkuarës, mund të mos bashkojë partitë, por mund të bashkojë opozitarizmin, që kërkon një alternativë te besueshme për të rrëzuar regjimin.

Dosja.al

Cila mendoni se është alternativa më e mirë:

View Results

editorial editorial enton abilekaj ilir meta lulzim basha monika kryemadhi enton abilekaj ilir meta lulzim basha monika kryemadhi

Sondazh

Poll

Editorial 13 Nëntor 2021, 17:04

Librat e tim biri

Muajin nëntor, ashtu si edhe dhjetorin, gjithmonë e kam pritur me shumë dëshirë, sigurisht nisur nga festat. Përveç festave të nentorit, 28 dhe 29, muaji...

Editorial 12 Nëntor 2021, 08:56

Orakulli nuk gënjen!

Nga Meri LikaNë profetësinë e Ezekielit, në Bibël, thuhet: “Zoti verbon atë që do që të humbasë”! Fatkeqësisht ky është edhe rasti i kryetarit të Partisë Demokr...

Editorial 8 Nëntor 2021, 08:41

Unë dua një opozitë tjetër!

Nga Meri Lika“Kur nuk je i dobishëm, duhet të dish të tërhiqesh!”Me këto fjalë, në 4 maj të këtij viti, Pablo Iglesias, kandidati i Podemos dhe ish zv.kry...