Politike

Zbardhet draft-rezoluta e PS për Metën, socialistët tërhiqen nga shkarkimi: Presidenti të reflektojë!

11 Qershor 2019, 09:08 Nga DOSJA
Zbardhet draft-rezoluta e PS për Metën, socialistët tërhiqen

TIRANË- Mazhoranca ka ndryshuar qëndrim në lidhje me rezolutën që do të paraqiste në parlament për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Dosja.al ka siguruar draft rezolutën që do t’i paraqitet nesër Kuvendit, ku në asnjë rresht nuk thuhet se PS do të kërkojë nga Kuvendi shkarkimin e Metës.

Në këtë draft, kërkohet vetëm reflektim nga ana e presidentit për të mos ndërmarrë asnjë akt tjetër që bie ndesh me kushtetutën, si dhe i kërkohet KQZ dhe organeve të tjera të vijojnë punën me përgatitjen e zgjedhjeve lokale.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.”-thuhet në projekt-rezolutë.

Nuk dihet si ka ndryshuar ky qëndrim i partisë Socialiste, e cila deri pak orë më parë, ishte investuar fuqimisht në shkarkimin e presidentit, e nëse kjo lidhet me konferencën që presidenti ka paralajmëruar për ditën e sotme në orën 16:00.

Draft-rezoluta e plotë e Partisë Socialiste për presidentin Ilir Meta:

KUVENDI I SHQIPËRISË

PROJEKT – REZOLUTË

MBI AKTIN E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS PËR SHFUQIZIMIN E DEKRETIT Nr. 10928, DATË 05.11.2018 “PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR ORGANET E QEVERISJES VENDORE

Kuvendi i Shqipërisë:

Kuvendi i Shqipërisë duke u njohur me aktin e Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” dhe duke konsideruar se ky është një akt i paprecedentë që synon të mohojë realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor konstaton:

Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se akti i Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në kapërcim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.

Kuvendi i Shqipërisë mbështet qëndrimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për vijimin e procesit zgjedhor dhe inkurajon këtë organ të vijojë të mbrojë pacënueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të datës 30 Qershor 2019 nisur si rrjedhojë e zbatimit të Dekretit të Presidentit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, duke e njohur këtë të fundit si të vetmin akt të ligjshëm të nxjerrë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në kuadër të zgjedhjeve vendore 2019.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të mbarëvajtjes dhe organizimit të zgjedhjeve vendore të Qershorit 2019 të konsiderojnë si inekzistent aktin e Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 dhe të vijojnë përmbushjen e detyrave të tyre sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës për të garantuar të drejtën kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.

(F.g/dosja.al)

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

politike politike ilir meta ps shkarkon metën rezoluta e ps per meten shtyrja e zgjedhjeve lokale ilir meta ps shkarkon metën rezoluta e ps per meten shtyrja e zgjedhjeve lokale

Sondazh

Poll