Aktualitet

Policia e Shtetit deklaratë urgjente para protestës: Distancohuni nga dhuna, do reagojmë!

8 Qershor 2019, 10:58 Nga DOSJA
Policia e Shtetit deklaratë urgjente para protestës: Distancohuni nga

TIRANË- Disa orë para se opozita e bashkuar të zhvillojë protestën e tetë kombëtare, Policia e Shtetit ka lëshuar një deklaratë për mediat ku bën thirrje për distancim nga dhuna.

Zv.drejtoresha e Përgjithshme e Policisë, Aida Hajnaj, tha se policia e Shtetit disponon informacione shqetësuese për dhunë në protestë.

Hajnaj, tha se policia do të përgjigjet para dhunës, si dhe iu bëri thirrje qytetarëve të Tiranës, që s’kanë lidhje me protestën, të evitojnë zonën ku do të zhvillohet ajo. 

Deklarata e plotë:

Sot disa forca politike kanë thirrur një tubim proteste. Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të garantuar lirinë demokratike të tubimit dhe njëkohësisht ka kërkuar bashkëpunimin e organizatorëve për të shmangur dhunën gjatë saj.

Për shkak të informacioneve shqetësuese që Policia disponon, në vazhdën e protestave të shkuara të të njëjtave subjekte politike, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të mos tejkalojnë kufijtë e ligjit.

Po ashtu, nisur nga ngjarja e rëndë e protestës së kaluar ku protestues të dhunshëm goditën me shufra metalike protestues paqësorë, u bëjmë thirrje organizatorëve të largojnë nga turma njerëz me maska apo me mjete të forta në duar, duke ia dorëzuar menjëherë Policisë.

Policia e Shtetit ka konstatuar me shqetësim se mes të ndaluarve në protestat e shkuara ka individë me precedentë të rëndë penale, siç ishte rasti i njërit prej dhunuesve të dy protestuesve paqësorë, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge.

I bëjmë thirrje të drejtpërdrejtë organizatorëve të marrin të gjithë përgjegjësinë e tyre për moslejimin e devijimit të protestës. Po ashtu ri-kujtojmë se përdorimi i mjeteve piroteknike është jo vetëm i paligjshëm, po edhe tejet i rrezikshëm për shëndetin e jetën e punonjësve të Policisë dhe qytetarëve.

Policia e Shtetit do t’i qëndrojë strikt parimit demokratik të proporcionalitetit dhe është e përgatitur të reagojë në proporcion të plotë, me çdo akt dhune. Po ashtu u kërkojmë qytetarëve të Tiranës, që nuk janë të interesuar për protestën, të shmangin lëvizjen në perimetrin e protestës së sotme, e cila do të jetë nën monitorimin e plotë të Policisë.

Opozita zhvillon ditën e sotme protestën e 8-të kombëtare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. 1300 forca policie do të jenë në gatishmëri, si dhe autobotet me ujë për shpërndarjen e protestuesve nëse do të jetë e nevojshme. Nga ana tjetër ndërkombëtarët kanë bërë thirrje kundër përdorimit të dhunës.

(F.g/dosja.al)

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

aktualitet aktualitet aida hajnaj protesta e opozitës 8 qershor 2019 aida hajnaj protesta e opozitës 8 qershor 2019

Sondazh

Poll