Aktualitet

Vdekja “fantazmë” e Zyber Currit, punëtorit të ndërtimit që nuk e njeh askush në Itali

7 Qershor 2019, 15:02 Nga DOSJA
Vdekja “fantazmë” e Zyber Currit, punëtorit të

ITALI– Zyber Curri u nda nga jeta gjashtë muaj më parë, pas një aksidenti të ndodhur në vendin e tij të punës.

Ende sot asnjë sipërmarrje ndërtimi nuk pranon ta ketë patur punonjës të tij. Të gjithë e mohojnë dhe ngrejnë supet.

Zyber Curri ishte 48 vjeç, i martuar dhe me katër fëmijë. Ai kishte shkuar në Itali me gjithë familjen, gjatë kohës së luftës së Kosovës. Gjatë qëndrimit në Itali, Zyber jetoi në Edolo, në Valle Camonica, por profesioni i tij si punëtor ndërtimi e bëri që të punonte pothuajse kudo në Lombardi.

Mëngjesi i 12 dhjetorit të vitit 2018, do të ishte i fundit për të. Teksa punonte në një impiant hidroelektrike në Val Cavargna, Curri po transportonte tuba në zonën e Mondragos, kur ndoshta për shkak të akullit mund të ketë rrëshqitur disa metra poshtë duke përplasur disa herë kokën nëpër shkëmbinj.

“Kjo ndodhi rreth orës 11.30, por ne e mësuam vetëm pas orës 21.00. Askush nuk erdhi tek ne, as të na informojë dhe as të kërkojë informacion të dobishëm për hetimin”– kujton Mina, vajza e tij më e madhe.

Ndërsa prokuroria në Como hapi dosje hetimore, pranë familjes Curri u paraqit dhe sindikata e ndërtimit.

“Kemi hetuar në të gjithë rajonin për të rindërtuar historinë e Zyber Currit. Hetim për të cilin na kanë ndihmuar edhe vajzat e të ndjerit”– thotë sekretari i Fillea Cgil Valcamonica-Sebino, Donato Bianchi.

Nga hetimet rezulton se në kohën e aksidentit punonjësi kosovar është punësuar nga Hera Srl me qendër në Gallaratë, komunë në Lombardi. Mesa duket Zyber Curri i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesës për punë të njeriut, që vepronte si menaxher i Edilnova Srl, i cili gjithashtu i kishte dhënë atij një veturë me të cilën ai transportonte kolegë të tjerë lart e poshtë dhe në fundjavë shkonte në shtëpi.

Më 13 nëntor, një muaj para se të vdiste, Zyber Curri kishte nënshkruar një kontratë të re me “Hera-n”, edhe pse pas disa muajsh nuk janë gjetur gjurmë të pagesave për të nga ana e shoqërisë.

Nga ana e avokatit të sindikatës iu janë kërkuar sqarime të gjitha kompanive të përfshira si dhe personit përgjegjës për sigurinë e kantierit. Por kompania përgjegjëse për sigurinë (me inxhinier Salvetti Graneroli) duket se e ka krejtesisht të panjohur emrin e të ndjerit.

Punonjësi i kujt ishte Zyber Curri?

Do të jenë hetimet, që po kryen nga ana e prokurorisë së Comos që do t’i përgjigjet këtyre pyetjeve. Ndërkohë, sindikatat vazhdojnë kërkimet e tyre.

“Është një rast skenari emblematik. Ndërtimi është një sektor i rëndësishëm për zhvillim, por që ka nevojë për ligjshmëri dhe rregulla që garantojnë sigurinë” – thotë Tiziana Scalco, sekretare rajonale e Fillea Cgil.

Në fakt, ndërtimi është një sektor i trishtuar, ku midis janarit dhe majit në Lombardi, vetëm këtë vit numërohen pesë viktima, kurse vit

i 2018 u mbyll me një bilanc lufte, 13 muratorë të vdekur. I fundit ishte Zyber Curri.

Marrë dhe përshtatur: corriere.it

(k.m/dosja.al)

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

aktualitet aktualitet vdekja enigme e zyber currit vdes shqiptari ne itali zyber curri vdekja enigme e zyber currit vdes shqiptari ne itali zyber curri

Sondazh

Poll