Bota

U dënua me 11 vite burg, Reagon BE pas vendimit të Bjellorusisë mbi kundërshtaren e Lukashenkos

7 Shtator 2021, 17:29 Nga DOSJA
U dënua me 11 vite burg, Reagon BE pas vendimit të Bjellorusisë

BRUKSEL– Lajmi nga Minsku nuk erdhi aq papritur. Një gjykatë në kryeqytetin bjellorus, Minsk dënoi të hënën, më 6 shtator opozitaren bjelloruse, Maria Kolesnikova me 11 vite burg. Edhe kolegu i saj i akuzuar, i cili ishte pjesë e Këshillit të Koordinimit të opozitës ruse, avokati Maksim Snak u dënua me 10 vite burg. Reagimet në Gjermani dhe BE ishin të ashpra. “Dënimet janë për ne simbol i veprimit të paskrupullt dhe represioneve e frikësimit të regjimit bjellorus kundër politikanëve të opozitës dhe shoqërisë civile”, u shpreh Andrea Sasse, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme në Berlin. Kolesnikova u kthye verën e kaluar në figurën e njohur të opozitës, që protestoi gjerësisht kundër zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi. Pas një përpjekje të dështuar për ta nxjerrë jashtë vendit pasi ajo grisi pasaportën, 39 vjeçarja u arrestua.

Gjermania: Solidaritet të pakufizuar me Kolesnikovën dhe të burgosurit politikë në Bjellorusi

“Si dy nga figurat më të guximshme të lëvizjes protestuese pas zgjedhjeve të manipuluara presidenciale Kolesnikova dhe Maksim Snak u ngritën për demokracinë dhe të drejtat e njeriut”, tha Sasse. Qeveria gjermane i dënon “dënimet e pajustifikuara” kundër tyre dhe “instrumentalizimin e drejtësisë për përndjekjen politike në Bjellorusi.” Sipas Sasse, “Gjermania i siguron Maria Kolesnikovës, Maksim Snak dhe të gjithë të tjerëve të burgosur për arsye politike solidaritet të pakufizuar.” Berlini kërkoi lirimin e të gjithë të burgosurve politikë në Bjellorusi.

Edhe Bashkimi Europian e dënoi të hënën “mungesën e respektit nga ana e regjimit ndaj të drejtave të njeriut dhe lirive fundamentale” si edhe mënyrën e veprimit “të drejtësisë kundër figurave simbolike të lëvizjes demokratike bjelloruse “. Eurodeputetja sllovake, Miriam Lexmann i tha Deutsche Welles se “mendimet e lutjet e mia janë me Maria Kolesnikovën dhe Maksim Snak si edhe me 659 të burgosurit politikë që regjimi i mban në kushte të padurueshme.” Kurse organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International e quajti dënimin “arbitrar”.

Nga ana e saj, zëvendëspresidentja e Bundestagut, Claudia Roth (Aleanca90/Të Gjelbrit) kritikoi Berlinin dhe Brukselin për pasivitet dhe kërkoi më shumë sanksione. “Ajo që nevojitet tani është angazhimi i qeverisë gjermane për lirimin e menjëhershëm të Maria Kolesnikovës dhe të gjithë të burgosurve politikë në Bjellorusi”, tha Roth. “Të dy të dënuarit janë halë në sy për diktatorin Lukashenko.” Edhe kryetarja e Partisë Socialdemokrate gjermane, Saskia Esken u shpreh e zemëruar. “Tek diktaturat, ku të drejtat e njeriut shkelen me këmbë, duhet të shtohet presioni me mjete diplomatike dhe sanksione.” Kurse deputetja gjermane liberale, Renata Alt u shpreh se “dënimi i Maria Kolesnikovës dhe Maksim Snak me dënime 11 apo 10 vjet burg është një keqësim i ri i të drejtave të njeriut dhe opozitës demokratike në Bjellorusi”.

Dënimi kundër Maria Kolesnikovës filloi më 4 gusht duke përjashtuar publikun dhe me fajësime të rënda kundër opozitarëve: përgatitje e një komploti për marrjen e pushtetit në mënyrë antikushtetuese, rrezikim i sigurisë kombëtare, themelim i një organizate ekstremiste. Më parë ishte dënuar me 14 vjet burg edhe kandidati për president, Viktor Babariko, shtabin zgjedhor të të cilit e drejtonte Maria Kolesnikova. Kolesnikova dhe Snak u treguan për pak kohë në televizionin bjellorus gjatë shqiptimit të dënimit: Kolesnikova me simbolin e saj, duart bashkuar në formë zemre. Në sallën e gjyqit u lejuan vetëm pak avokatë dhe të afërm, përkrahësit dhe diplomatët perëndimorë nuk u lejuan. Babai i Kolesnikovës, Aleksandr Kolesnikov e quajti dënimin “le të themi të padrejtë”. “Maksim dhe Masha nuk ndjeheshin si të akuzuar, ata ndjenin, se nuk kishte për t’i prekur kjo. Shqetësimi i madh që kishin ata ishte për ne si prindër, se si do ta përballojmë”, tha babai i opozitares./DW/

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

bota bota aleksandër lukashenko be reagon ndaj denimit te kolesnikoes claudia roth maria kolesnikova aleksandër lukashenko be reagon ndaj denimit te kolesnikoes claudia roth maria kolesnikova

Sondazh

Poll