Aktualitet

Ujësjellësi i Sinecit, IMT në Elbasan gjen shkelje administrative: “Salillari” s’ka autorizim për marrjen e ujit

11 Gusht 2021, 17:27 Nga DOSJA
Ujësjellësi i Sinecit, IMT në Elbasan gjen shkelje

TIRANË- Ndërtimi në kanionin e Sinecit është në shkelje me ligjin! 3 inspektorë të IMT-së në Elbasan kanë kryer inspektime në zonën ku po ndërtohet ujësjellësi nga firma “Salillari”, ku kanë identifikuar edhe shkeljet e gjetura.  Klajdi Merxhani, Aranit Çela dhe Ardian Lufo kanë mbajtur një procesverbal pas inspektimeve të bëra më datë 5 gusht, ku edhe kanë shkruar e zeza mbi të bardhë kundravajtjet ligjore.

Sipas inspektorëve janë konstatuar kundravajtjet: marrja pa leje administrative e ujit, mospajisje me autorizim, veprimtari që kryhen në kundërshtim të mbrojtjes së brigjeve dhe ndërtimin e objekteve për shfrytëzimin e burimeve.

Edhe pse shkeljet e konstatuara parashikojnë marrjen e vendimit për prishjen e punimeve të kryera deri më tani në zonën e burimit të Sinecit, firma “Salillari” rrezikon edhe gjobë. Kompania mund të ndëshkohet me shumën 650 milion lekë (të vjetra), megjithatë pritet të merret vendimi nga kryeinspektoriati.

Kanioni i Sinecit i njohur edhe si Kanioni i Saraselit, ndodhet pranë fshatit të Saraselit të komunës së Sultit. Në dhjetor 2002, ai u shpall me vendim qeverie monument natyre, për shkak të shumëllojshmërisë së bimëve e specieve të ndryshme. Por në vitin 2019, qeveria Rama e shfuqizoi këtë vendim duke i hequr Kanionit të Sinecit mbrojtjen si “monument natyror” dhe duke i hapur rrugën shfrytëzimit dhe transformimit të tij.

Menjëherë pas heqjes së mbrotjes, u hartua projekti për marrjen e ujit me tubacion për të furnizuar me ujë disa fshatra të zonës, por me kushtin e dëmtimit. Punimet për ujësjellësin po kryhen nga kompania Salillari, e cila fitoi në muajin shkurt kontratën prej mbi 354 milionë lekë për ndërtimin e ujësjellësit, ndërkohë që banorët e zonës kanë 8 ditë në grevë urie për të kundërshtuar ndërtimin e ujësjellësit.

Por aksioni i tyre nuk ka nisur me grevën e urisë, ata kanë 3 muaj që protestojnë dhe kërkojnë nga kryeministri Edi Rama pezullimin e punimeve, megjithatë deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigjie. 

(k.m/dosja.al)

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

aktualitet aktualitet burimi i sinecit imt ne burimin e sinecit burimi i sinecit imt ne burimin e sinecit

Sondazh

Poll