Aktualitet

Fatura e ‘kripur’! Sa i kanë kushtuar Shqipërisë gjyqet e humbura në Arbitrazh, nga Beccheti te TIA/ 7 dosjet që kanë

21 Korrik 2021, 15:41 Nga DOSJA
Fatura e ‘kripur’! Sa i kanë kushtuar Shqipërisë

TIRANË– Plot 7 raste me gjyqe të humbura kundër shtetit shqiptar në Gjykatën e Arbitrazhit, e kanë çuar faturën në mbi 110 milionë euro të humbura. Të paktën aq ka njohur shteti shqiptar. Këto detyrime janë dëmshpërblime që shteti shqiptar duhet t’u japë palëve, kryesisht biznese për çështjet që kanë fituar, por pjesën më të madhe të borxhit, shumën prej 99.9 milionë eurosh, Shqipëria e ka detyrim ndaj biznesmenit italian, Francesco Becchetti. Në fakt, vendimi i gjykatës ndërkombëtare ka vlerësuar se Shqipëria duhet të paguajë 110 milionë euro për biznesmenin italian, por vlera e njohur dhe raportuar nga Qeveria Shqiptare nuk përfshin kamatën për vonesën e pagesës së dëmit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Open Data Albania, ka procese të tjera Arbitrazhi që ende nuk kanë marrë formën përfundimtare apo ende nuk janë njohur zyrtarisht nga shteti ynë. Në total detyrime potenciale që mund të materializohen në kosto buxhetore shtesë janë në vlerën 300 milion euro. Duke përfshirë këtu mbulimin e kostove për përballjet në Gjykatë, por gjërat mund të shkojnë edhe më keq nëse këto vendime merren në favor të bizneseve me të cilat Shqipëria është përballur.

Nëse përveç kostove, duhet të paguhen edhe dëmet, atëherë vlera totale e detyrimeve do të shkojë në rreth 446 950 959 euro. Një tjetër detyrim lind nga konflikti i shtetit shqiptar me ‘Anglo-Adriatic Group Limited’, e cila krijoi në Shqipëri fondin Anglo Adriatika Investment Fund sh.a me qëllim mbledhjen e kuponëve të privatizimit. Edhe pse çështja u fitua nga shteti ynë, kostoja arriti në 1 milionë euro për shpenzimet administrative të Arbitrazhit.

Nga buxheti i Shtetit duhet të paguhet gjithashtu dhe vlera prej 550 000 Euro për konfliktin ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe kompanisë Valeria Italia s.r.l, proces i nisur që në vitin 2018 në lidhje me një ndërmarrje të fermave të produkteve bujqësore. 

Kompanitë që kanë hedhur në gjyq Shqipërinë dhe kanë fituar, janë:

Analiza e gjyqve të humbura nga OPEN DATA:

Peshën me të madhe ndaj kostos totale të Arbitrazheve, me rreth 91,3% e ka çështja Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë – Familja Becchetti. Ky vendim është njohur nga shtetit shqiptar si detyrim që në dokumentin zyrtar “Raporti i Mes Vitit mbi Zbatimin e Buxhetit 2019”, të publikuar nga Ministria  e Financave dhe Ekonomisë. Në llogaritë e tij, shteti shqiptar pretendon të paguajë vetëm 99.9 milion euro, por vendimi i arbitrazhit ka gjykuar 108 milion euro. Vlera e njohur dhe raportuar nga Qeveria Shqiptare nuk përfshin kamatën për vonesën e pagesës së dëmit. Në këtë vendim parashikohet se për cdo vit vonesë, Qeveria Shqiptare ngarkohet me një kamatë që është normë LIBOR plus 3% interes të përbërë, kamatë që e rrit detyrimin çdo vit me disa milion euro shtesë. Shkak i mosmarrëveshjeve mes palëve është pengesa për realizimit e investimeve në hidrocentralin e Kalivaçit, Televizionin AgonSet dhe impjantin e trajtimit të mbetjeve nga kompanitë Hydro s.r.l dhe Costruzioni s.r.l.

Një tjetër detyrim lind nga konflikti i shtetit shqiptar me Anglo-Adriatic Group Limited, e cila krijoi në Shqipëri fondin Anglo Adriatika Investment Fund sh.a me qëllim mbledhjen e kuponëve të privatizimit. Ky konflikt i kushton shtetit 1 milion Euro. Kjo çështje në arbitrazh është fituar nga shteti ynë, por pagesa njihet për shpenzimet administrative të Arbitrazhit.

Nga buxheti i shtetit duhet të paguhet gjithashtu dhe vlera prej 550 000 Euro për konfliktin ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe kompanisë Valeria Italia s.r.l., në lidhje me një ndërmarrje të fermave të produkteve bujqësore. Ministria e Financave dhe Ekonomisë njeh si detyrim vetëm koston totale të shpenzimeve për avokatët dhe kostot fillestare të arbitrazhit në vlerën 769 500 Euro, ndërsa deri në Qershor 2019 janë likujduar nga shteti shqiptar 219 500 Euro. Për këtë çështje nuk ka ende një Vendim final të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Një tjetër shumë që duhet të paguhet nga Buxheti i Shtetit është detyrimi ndaj shoqërisë “J&P AVAX” s.a, në vlerën 4 214 402 Euro, si rezultat i konfliktit mes kompanisë dhe ish-Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit (sot Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë). Konflikti ka lindur për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve gjatë zbatimit të kontratës nr. C-006, datë 22.05.2005 Për ndërtimin e segmentit rrugor Gjirokastër – Tepelenë, pjesë e korridorit Veri-Jug.

Konflikti mes kompanisë SAFA sh.p.k dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë  i ka shkaktuar buxhetit të shtetit koston prej 3 543 338 Euro. Kjo çështje lidhet me projektimin dhe ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan. Nga Raporti i Ministrisë së Financave evidentohet se në këtë vlerë janë përfshirë vlera e dëmshpërblimit ndaj Investitorit prej 2 495 166 Euro dhe kostot administrative të Arbitrazhit në vlerën 1 048 166 Euro.

Detyrim tjetër që Ministria e Financave dhe Ekonomisë njeh si detyrim Arbitrazhi të Shtetit Shqiptar ndaj Palës Private, është vlera prej 217 563 Euro, për HFW LLC Porti Karpen.

Në lidhje me këtë, me Ligjin Nr. 77/2016  për “Përcaktimin e Proçedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt, projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike, ndërmjet shtetit Shqiptar dhe kompanisë “Star Bridge Port Developments Limited”, u parashikua ndërtimi i një porti me thellësi të madhe në zonën e Karpen, Kavajë, të ambienteve mbështetëse të portit, të shoqëruar me një zonë të lirë tregtare, si dhe ndërtimin e një terminali rigazifikimi të gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe një centrali për prodhim energjie. Ky ligj është publikuar në Fletoren Zyrtare nr.154, datë 16.08.2016.

Gjithashtu, edhe një tjetër detyrim prej 50 000 Euro (pesëdhjetë mijë Euro) që shteti shqiptar duhet të paguajë si detyrim arbitrazhi për shkak të kompanisë Tirana International Airport sh.p.k. Në lidhje me këtë çështje, nga Avokatura e Shtetit në datë 19.04.2019, është shpallur thirrja për sigurimin e konsulencës së huaj me qëllim mbrojtjen e interesave të shtetit Shqiptar, në kushtet e negocimit apo rishikimit të mundshëm të Marrëveshjes së Koncesionit të lidhur me Tirana International Partners SH.P.K, për Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Rinas, Tiranë. Detyrimi është i njohur edhe nga llogaritë e shtetit.

(kle.m./dosja.al)

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

aktualitet aktualitet gjyqet e humbura ne arbitrazh gjyqet e humbura ne arbitrazh

Sondazh

Poll