Sport

VIDEO / Manchester City “vrapon” drejt titullit. Rishfaqet Liverpool, ndez garën për Champions

4 Prill 2021, 05:47 Nga DOSJA
VIDEO / Manchester City “vrapon” drejt titullit. Rishfaqet

ANGLI – Skuadra e Guardiolës po “vrapon” drejt titullit kampion dhe duket i vendosur të mbyllë sa më shpejt llogaritë. Manchester City ka marrë një tjetër fitore, këtë herë me shifrat 0-2 në transfertën e vështirë ndaj Leicester.

Pjesa e parë ishte me një ritëm më të ulët sesa pritej. Sfida u zhbllokua në minutën e 58-të, kur mbrojtësi francez Mendy, brenda zonës së rreptësisë, lëshoi një gjuajtje të menjëhershme me të djathtën dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së Schmeichel.

Më pas trajneri Guardiola hodhi në fushë edhe anglezin Sterling, që në minutën e 74-t shërbeu saktë për brazilianin Gabriel Jesus, i cili mposhti për herë të dytë portierin e Leicester dhe vulosi fitoren 2-0 për “citizens”.

Deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar dhe Manchester City u ngjit në kuotën e 74 pikëve, plot 17 më tepër se United i vendit të dytë (me dy ndeshje më pak), ndërsa Leicester mbetet në vendin e tretë me 56 pikë, që i japin komoditet për ruajtjen e një vendi në zonën Champions.

Liverpool siguron fitoren e dytë radhazi në kampionat dhe rikthehet të triumfojë në Londër përballë Arsenalit pas plot pesë viteve. Kampionët në fuqi triumfuan 0-3 falë dygolëshit të Diogo Jota dhe rrjetës së Momo Salah në pjesën e dytë të ndeshjes.

“Topçinjtë” e Artetës vetëm sa ishin në fushë, pa forcë të reaguar përballë furisë së “The Reds”. 24-vjeçari luzitan zhbllokoi ndeshjen në minutën e 64-t me një goditje me kokë, pas një krosimi perfekt të Alexander-Arnold.

Katër minuta më vonë egjiptiani Momo Salah veproi bukur në krahun e djathtë dhe ia doli të mposhtë gjermanin Leno për së dyti. Në të 82-tën minutë, Jota realizoi një tjetër gol, i teti sezonal me Liverpool në kampionat.

Me humbjen e kësaj ndeshjeje Arsenali heq dorë përfundimisht nga pretendimet për një vend në Europë, ndërsa gara për zonën Champions bëhet shumë interesante, pasi janë plot 5 skuadra që do të garojnë për një vend.

B.T (Dosja.al)

Rama është propozuar për president nga disa deputetë socialiste, mendoni se:

View Results

sport sport arsenal leicester liverpool manchester city premier league arsenal leicester liverpool manchester city premier league

Sondazh

Poll