Aktualitet

Do ulim taksat de more de, si lum ti popull mezi na ke!

18 Mars 2021, 08:43 Nga DOSJA
Do ulim taksat de more de, si lum ti popull mezi na ke!

Sa më shumë i afrohemi datës së zgjedhjeve aq më të zjarrta bëhen premtimet e partive. Ato nuk varen aspak nga programi por janë vetëm rivalizim i pamëshirshëm i kundërshtarit.

Pardje kryeministri me zjarr e pathos, herë duke i ikur fryma e herë duke i ardhur,  pa asnjë ndryshim nga një njeri që flet me “pasion e dashuri të pashoqe”, hodhi shashkën e radhës: “do të hiqet tatimi për pagat deri në 40.000 lekë (të reja)”. Ul e ul, e ul e ul, e unë nuk po kuptoj më se kush dreqin do paguaj taksa në Shqipëri apo ndoshta ata italianët që u bënë anëtarë të Partisë Socialiste. Marksi ka një shprehje “Feja është opium për popujt” por në kohët moderne duhet ta ndryshojmë në “Paga minimale dhe taksat janë opium për popujt”.

Por çfarë do të ndodh me heqjen e tatimit për këtë nivel page?
Një pagë deri në 40.000 lekë paguan tatim mbi pagën të barabartë me 1.300 lekë (të reja) pra kaq do përfitojë i punësuari me këtë pagë. Intervali i përfitimit të këtyre të punësuarve është nga 130 lekë (të reja) ata me pagë 31.000 lekë dhe deri në 1.300 lekë (të reja) ata me pagë 40.000 lekë.

Sa është numri i këtyre të punësuarve. Sipas të dhënave të INSTAT përqindja e të punësurave me nivel page nga 30.000 – 40.000 lekë është 13.8% e totalit të të punësuarve. Po sipas të dhënave të INSTAT numri i të punësuarve në të dy sektorët si privat dhe publikë është 1.147.131 të punësuar. Pra të punësuar që do të përfitojnë nga 130 deri në 1.300 lekë janë vetëm 158.304 të punësuar. Sikur INSTAT të na ofronte të dhëna për numrin e të punësuarve në nivelet e pagave deri 31.000 lekë të cilët përfitojnë 130 lekë (të reja), deri në 32.000 lekë të cilët përfitojnë 260 lekë (të reja) e kështu me radhë, atëherë do të mund të analizonim qesharakërizmin e këtij propozimi.

Me gjoja argumentin e rritjes së nivelit të jetesës së të punësuarve, e se me këto “dhurata” zgjedhore qytetarët do të kenë më shumë ushqim, veshje, argëtim etj, etj, etj… ne qeshim se nuk qajmë dot kur duhet të mendojmë se sa shumë do t’i rritet mirëqënia të punësuarit me pagën 31.000 lekë që do fus në xhepin e tij as më shumë e as më pak por 130 lekë (të reja) më tepër nga sa fut sot. Kryeministri nuk u mjaftua me rritjen e pagës minimale, të cilën siç e kam shpjeguar në një artikull tjetër, është e vetmja qeveri që e ka përdorur për fushata sepse e ka rritur nivelin e saj vetëm në vite zgjedhore, por tani për të qenë më kompetitiv me kundrshtarin, lëshoi dhe “paratë që do të bien nga qielli”.

Por kryeministri ka harruar të thotë se ndërsa ai bën fushatë me pagën minimale, çmimet rriten dhe i zbrazin xhepat tanë ashtu qetësisht pa bërë aspak zhurmë. Kryeministri ka harruar të na thotë se paga, çdo pagë, është gjithmonë një kosto prodhimi e cila i kalohet në mënyrë të pashmangshme konsumatorëve, pra të gjithëve ne, nga fëmijët e deri tëk pensionistët. E sqaruar më thjeshtë, rritja e pagës minimale sigurisht që është kosto për punëdhënësin por ai për të mos e ulur fitimin e tij, në mënyrë direkte e kalon këtë kosto në rritjen e çmimeve pra kjo kosto na kalon ne, konsumatorëve të produkteve. Pra, nëse rritja e pagës minimale është e punëtorëve që prodhojnë bukë, bulmet apo çdo mall tjetër konsumi, kjo rritje page do të rëndojë në xhepat tanë që konsumojmë bukë, bulmet etj.

Pas çdo premtimi elektoral i cili lidhet me rritje niveli për pagat dhe me ulje taksash, gjithmonë më shkon mendja tek shprehja se “në këtë botë as vdekja nuk është falas”.
Gjithmonë duhet të mendojmë se taksat, duam apo nuk duam ne, janë të lidhura drejtë për drejt me jetën tonë. Me këto premtime tinzare, përfitojnë disa por ata që dëmtohen janë më shumë. Fushata me pagën minimale dhe me uljen e taksave është si ai shkopi që vendoset në kërcimin së larti, sa më lart të vendoset aq më pak atletë do ta kapërcejnë atë.

Këta që na bëjnë oferta për paga minimale të larta bëjnë sikur harrojnë se pagën minimale të lartë një dyqan i vogël në një lagje nuk e përballon dot, dhe kur na bëjnë oferta me taksa të ulëta përsëri bëjnë sikur harrojnë se ne çdo lekë më pak në buxhet e paguajmë me shëndetësi të keqe, me arsimim të keq, me siguri të keqe, me gjyqësor të keq. Nëse të babëziturit për pushtet duan karriget dhe na premtojnë Diellin, po ne a jemi të gatshëm të digjemi nga ky Diell?

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet meri lika meri lika

Sondazh

Poll