Politike

Ambasadorja Yuri Kim jep LAJMIN: Hera e parë që flas, në Shqipëri do zhvillohet stërvitja më e madhe ushtrake në Balkan

28 Janar 2021, 20:07 Nga DOSJA
Ambasadorja Yuri Kim jep LAJMIN: Hera e parë që flas, në

TIRANË– Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka folur për stërvitjen më të madhe ushtarake që pritet të zhvillohet në Shqipëri gjatë muajve maj-qershor. E ftuar në emisionin “Real Story”, Kim shtoi se në stërvitje do të marrin pjesë trupa nga 26 vende të botës, për të lëvizur më pas në vende të tjera.

“Kam pasur mundësi të udhëtoj pavarësisht koronavirusit dhe kam pasur mundësinë për të takuar shqiptarë të thjeshtë. SPAK nuk po lëviz aq shumë sa duan njerëzit, por po lëviz. Në Shqipëri kemi tre prioritete: demokrati, mbrojtje dhe biznes. Në mbrojtje do të kemi diçka shumë të rëndësishme. Hera e parë që flas, por është një operacion që përfshin 26 vende, do të vijnë në Shqipëri dhe do të stërviten. Stërvitja më e madhe ushtrake që do të zhvillohet në Balkan. 6 mijë trupa do të vijojnë këtu,”-tha ajo.

INTERVISTA E PLOTË:

Sokol Balla: Mirëmbrëma dhe mirësevini në Real Story. Një vit më parë, në Tiranë, në Presidencë, dorëzoi kredencialet e saj të cilat sigurisht u pranuan, ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Znj. Yuri Kim. Ka qenë një vit i rëndësishëm viti 2020, një vit i rëndësishëm për Shqipërinë por edhe një vit i rendësishëm për vetë Shtetet e Bashkuara, dhe në këtë njëvjetor, unë kam kënaqësinë të kem Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Znj. Yuri Kim, të ftuar përsëri në Real Story, këtë radhë në studio. Zonja Kim, mirëmbrëma dhe faleminderit që jeni sonte këtu me mua.

 

 

Ambasadorja Kim: Faleminderit, Sokol. Jam shumë e kënaqur që jam përsëri me ju.

Sokol Balla: Është kënaqësi gjithnjë të flasësh me ju, jashtë kameras dhe në kamera. Saktësisht një vit sot në Tiranë. Ç’kuptim ka pasur ky vit për ju personalisht?

Ambasadorja Kim: Mendoj se ka qenë nderi i jetës sime që kam mundur të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë dhe për mua personalisht, ka qenë kënaqësi të jem këtu. Duhet të them që megjithë kufizimet e imponuara nga koronavirusi, prapë kam pasur mundësi të udhëtoj pak. Mendoj pjesa më e mirë ka qenë mundësia që të takoj shqiptarë të zakonshëm kudo ku kam shkuar, edhe duke ecur në park në Tiranë apo shëtitja pas zonave të banuara, ka qenë e mrekullueshme.

Sokol Balla: Këtë vit ju desh të merreshit edhe me shqiptarë jo të zakonshëm, të paktën situate jo normale në Shqipëri; erdhët këtu kur kishim një krizë të thellë politike dhe në fakt, janarin e kaluar, diçka filloi të ndryshonte, me një lloj marrëveshjeje mes partive dhe pastaj erdhi marrëveshja e qershorit, ku roli juaj ishte i dukshëm. Mbaj mend që tundët marrëveshjen, duke i bërë thirrje Z. Luli Basha të vinte ta nënshkruante. Pra ka qenë vit i suksesshëm për ju, supozoj?

Ambasadorja Kim: Mendoj ka qenë një vit plot ngjarje për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe mendoj se jemi të kënaqur që mundëm të kishim një rol mbështetës por merita, nëse ka meritë, i shkon popullit dhe udhëheqësve shqiptarë. Mendoj se në shumë mënyra, prodhuan rezultate. Puna nuk ka mbaruar ende, por mendoj është shumë e qartë që udhëheqësit morën angazhime përpara meje, SHBA, popullit shqiptar, dhe prodhuan rezultate. Për shembull, vitin e kaluar Gjykata Kushtetuese nuk ishte funksionale, tani është funksionale. Nuk është ende e përsosur, por funksionale, një hap madhor përpara për reformën në drejtësi. Së dyti, SPAK tani është funksional. Nuk po lëviz aq shpejt sa mendoj do shpresonin njerëzit, por po lëviz dhe mendoj është diçka e rëndësishme. Së treti, BKH është institucionalizuar, inspektorët janë marrë në punë dhe mendoj gjërat do fillojnë të lëvizin. Dhe nuk janë vetëm këto. Siç jua kam thënë, për mua, në Shqipëri kemi tri prioritete: demokraci, mbrojtje dhe biznes. Fola për pjesën e demokracisë. Për mbrojtjen, këtë vit do të kemi diçka me shumë rëndësi dhe jam e kënaqur t’ju flas pak më shumë për të. Është hera e parë që e përmend në publik, por do të kemi atë që e quajmë stërvitjen ushtarake Defender 21. Do të jetë një stërvitje e drejtuar nga Ushtria e SHBA në Europë dhe do të përfshijë rreth 26 vende të ndryshme, 30 mijë trupa. Do të jenë ndoshta 6 mijë trupa që do të kalojnë nëpër Shqipëri në maj dhe qershor dhe javën e ardhshme, Zv. Komandanti i Ushtrisë Amerikane për Europën dhe Afrikën do të jetë këtu për të informuar udhëheqësit e vendet dhe publikun se çfarë është kjo stërvitje. Pra, shumë domethënëse. Së treti, për biznesin, ju kujtohet vjet, më 3 tetor, nënshkruan një Memorandum historik dypalësh për Bashkëpunimin Ekonomik. Dhe nuk janë vetëm fjalë. Brenda një ore, aty në vend, Bechtel – një kompani kryesore amerikane në botë – nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Qeverinë Shqiptare për të parë se ç’mund të bëjmë për të ndërtuar hidrocentralin e Skavicës. Pra, këta janë tregues shumë të mirë dhe jam e emocionuar për çfarë do të bëjmë në vitin 2021.

Sokol Balla: Pra, Amerika u kthye?

Ambasadorja Kim: Nuk do të thoja Amerika u kthye, gjithnjë kemi qenë këtu.

(k.m/dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike yuri kim yuri kim

Sondazh

Poll