Bota

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë/ Ka probleme me ligjin, Albin Kurtit s’i lejohet të garojë më 14 shkurt

20 Janar 2021, 09:02 Nga DOSJA
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë/ Ka probleme me ligjin, Albin Kurtit

KOSOVË–Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk është certifikuar për të qenë pjesë e garës për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentarë të 14 shkurtit. Pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ai do të hiqet nga lista e kandidatëve të LVV-së, pasi ishte dënuar në janar të vitit 2018 për dy vepra penale: përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Përveç Kurtit, KQZ-ja s’i ka certifikuar edhe 47 kandidatë të tjerë për deputetë nga listat e subjekteve të tjera partiake, të cilët gjithashtu kanë dënime aktive. Sipas njoftimit të KQZ-së 15 nga 28 subjektet politike, kanë persona që kanë probleme me ligjin.

Ndërkohë, që janë publikuar dhe 38 emra të kandidatëve për deputet që janë të dënuar me vepër penale.

Bëhet e ditur se përveç,  Albin Kurtit, aktakuzë aktive kanë edhe Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Arbërie Nagavci, Mimoza Kusari- Lila, Xhelal Sveçla, Fitore Pacolli, Valon Ramadani, Jetmire Vrenezi, Drita Millaku, Ekrem Mustafa e Sali Zyba.

Partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 8 kandidatë për deputetë me aktakuza, të cilët janë: Time Kadrijaj, Pal Lekaj, Teuta Haxhiu, Haxhi Shala, Meliza Haradinaj- Stublla, Shkumbin Demaliaj, Gani Dreshaj e Rrustem Berisha janë kandidatët për deputetë të AAK- së që kanë aktakuza.

Partia Demokratike e Kosovës 6 kandidatë me aktakuza, ata janë: Sadik Halitjaha, Xhavit Haliti, Kujtim Gashi, Ramë Vataj, Lulzim Abazi dhe Bajrush Xhemajli janë kandidatët nga radhët e PDK- së që kanë aktakuza.

Ndërsa nga Lista Serbe janë dy kandidatë për deputetë me aktakuza, të cilët janë Milan Aritnovic dhe Ivan Todosijevic. Kurse,  nga Lidhja Demokratike e Kosovës është vetëm një kandidat me aktakuzë, Sali Asllanaj.

Vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, më 14 shkurt. Vendimi është marrë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës e cila më herët konstatoi se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese. Kjo, për shkak të votës së deputetit Etem Arifi, i cili, më 3 qershor, votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë prej një viti e tre muajsh burgim, për veprën penale “mashtrim me subvencione. Partitë politike kanë paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e kandidatëve për deputet tre ditë më parë. Në garë janë 3 kandidatë për kryeministër dhe dy për president.

(k.a/dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

rajoni rajoni kosove zgjedhjet e parakohshme në kosovë kosove zgjedhjet e parakohshme në kosovë

Sondazh

Poll