Politike

PS futet në zgjedhjet e qershorit me koalicion, aleatët kërkojnë garanci për votën

30 Prill 2019, 10:46 Nga DOSJA
PS futet në zgjedhjet e qershorit me koalicion, aleatët

TIRANË– Partia Socialiste dhe 23 partitë aleate kanë firmosur koalicionin e majtë nën siglën “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

Marrëveshja është nënshkruar mesditën e sotme në selinë e PS-së nga sekretari i Përgjithshëm Taulant Balla dhe krerët e partive aleate. Nga marrëveshja, aleatët i kërkojnë kryetarit të PS-së, Edi Ramës që t’u sigurojë zgjedhje të lira e të ndershme. Sipas tyre, objektivi i Koalicionit është fitorja e zgjedhjeve administrative të 30 qershorit 2019.

Një pikë tjetër që bie në sy nga vendimet, është që aleatët i delegojnë çdo kompetencë Ramës lidhur me veprimet që duhet të ndiqen për zgjedhjet lokale apo dhe zgjerimin e  koalicionit me parti të reja. Mes partive aleate, shihet se janë dhe dy nga bashkëpunëtorët e vjetër të PS, Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo.

Pas takimit në selinë e PS-së, numri dy i socialistëve Taulant Balla doli para gazetarëve. I pyetur në lidhje me tryezën e dialogut që aleatët e PD-së po tentojnë përmes presidentit Ilir Meta, Balla u shpreh se zgjedhjet nuk do të merreshin në tavolinë dhe se në kurriz të kushtetutës nuk do të kishte asnjë negociatë.

DEKLARATA E PLOTË

Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane” konsideron zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si objektiv parësor të procesit të votimeve për organet e pushtetit vendor në 30 qershor 2019.

Anëtarët e këtij Koalicioni jo vetëm garantojnë përkushtimin ndaj këtij qëllimi të partive që janë pjesë e këtij bashkëpunimi, por i bëjnë thirrje çdo subjekti politik, brenda dhe jashtë garës ti shërbejnë këtij objektivi kombëtar.

Gjithashtu partitë tona nxisin Administratën Zgjedhore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit të garantojnë zbatimin rigoroz e me tolerancë zero të standardeve zgjedhore ligjore sidomos në numërimin korrekt të çdo vote të subjekteve zgjedhore dhe eliminimin e çdo tentative për shitblerje të votës.

Koalicioni ynë e vlerëson zhvillimin në standarde ndërkombëtare të zgjedhjeve si tejet domethënës për procesin e hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ne ftojmë çdo parti politike në vend t’i shërbejë këtij objektivi me rëndësi strategjike të Shqipërisë tonë në pragun e vendimmarrjes për këtë çështje në muajt në vijim.

Zgjedhjet e 30 qershorit janë zgjedhje administrative por që kanë rëndësi politike të madhe në kuadër të ambicieve politike të të gjithë subjekteve partiake. Mospjesëmarrja në zgjedhje e disa subjekteve nuk është përgjegjësi e qeverisë, por e llogarive të gabuara dhe kundërproduktive të lidershipit të këtyre subjekteve që interesat e ngushta personale i kanë vënë mbi interesat kombëtare.

Dhuna mbi zgjedhjet dhe përsëritje e skenarëve të vitit ’96 mbi vullnetin e zgjedhësve nuk do të tolerohet jo vetëm nga qytetarët dhe organet shtetërore, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

(k.m & A.S/dosja.al)

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

politike politike aleanca për shqipërinë europiane ps ps dhe aleatet zgjedhjet lokale 2019 aleanca për shqipërinë europiane ps ps dhe aleatet zgjedhjet lokale 2019

Sondazh

Poll