Politike

Meta: Kriza ekonomike ishte rënduar, e gjithë rinia donte ndryshim në vitin 1990

4 Janar 2021, 21:38 Nga DOSJA
Meta: Kriza ekonomike ishte rënduar, e gjithë rinia donte ndryshim

TIRANË– Presidenti Ilir Meta ka treguar detaje nga lëvizja e Dhjetorit të vitit 1990.  I ftuar në emisionin “Opinion” Meta ka thënë se asokohe kriza ekonomike në Shqipëri ishte rënduar shumë dhe se gjithë rinia donte që vendi të ndryshonte.

Ndër të tjera Meta ka thënë se 80% e njërëzve që punonin në fabrika dhe uzina, nuk merrnin pagën që meritonin dhe se shumë shqiptarë u detyruan të futen në ambasada.

Pjesë nga intervista: 

Blendi Fevziu: Zoti Meta kanë kaluar 30 vjet nga Lëvizja Studentore për ndryshimin e sistemit në Shqipëri. Ju jeni një nga 10-15 personat ende aktivë, që kanë marrë pjesë nga dhjetori e këndej dhe njëkohësisht një nga 3-4 personat kryesore gjatë këtyre 30 viteve në Shqipëri. Cilat kanë qenë momentet më të rëndësishme të kësaj pjese postkomuniste, edhe pse po ju pyes për pjesën e formimit tuaj pak më herët?

Presidenti Ilir Meta: Momentet më të rëndësishme janë pikërisht Lëvizja Studentore dhe hyrja në një epokë të re të pluralizimit politik e demokracisë.

Blendi Fevziu: Ju keni thënë një gjë shumë interesante në fjalën që u drejtuat të rinjve me rastin e 8 dhjetorit: Thatë që po të prisja unë që ndryshimin ta bënte babai, s’do të kishte ndodhur kurrë.

Presidenti Ilir Meta: Jo vetëm unë, por shumica e atyre që kanë qenë atë Lëvizje, besoj se ndajnë të njëjtin vlerësim edhe sot pas 30 vitesh.

Blendi Fevziu: E donit vërtet ndryshimin në ato ditë?

Presidenti Ilir Meta: Padyshim! E gjithë rinia në atë kohë kërkonte një ndryshim, sepse e kishte kuptuar që vendi po lëngonte shumë…

Blendi Fevziu: Jo, doja t’ju pyesja në fakt ndryshimin e kërkonin të gjithë, por dukej se për ju ishte pak më e vështirë. Babai juaj, ju kishit një lidhje me komunizmin, familja juaj kishte qenë e lidhur me luftën, babai juaj ishte oficer, pra nuk dukej se kishit ndonjë pakënaqësi që lidhej drejtpërdrejt me sistemin.

Presidenti Ilir Meta: Shumica e shoqërisë kërkonte një ndryshim, sepse situata kishte ardhur aty ku nuk mbante më. I kemi parasysh të gjithë tallonat…

Blendi Fevziu: Ushqimi i racionuar…

Presidenti Ilir Meta: …ushqimi i racionuar, 80% në fabrika dhe uzina, ishin në pamundësi për të punuar dhe për të marrë një pagë të atyre standardeve që meritonin të merrnin. Probleme pafund, që detyruan futjen e shqiptarëve në ambasada…

Blendi Fevziu: Përplaseshit me babain për këto gjëra? Çfarë kërkonit ju dhe çfarë ju thonte ai?

Presidenti Ilir Meta: Po, patjetër, sepse sikurse edhe ju e thatë familja ime ishte një familje e lidhur shumë me Luftën Antifashiste dhe në këtë kuptim, më pas, edhe me sistemin. Jo në kuptimin e privilegjeve, por në kuptimin e të mos qenit të persektuar.

Blendi Fevziu: Me përjashtim të një pakice të vogël, pjesa tjetër nuk është se kishin ndonjë privilegj të madh.

Presidenti Ilir Meta: Nuk ishim një familje, që vuante nga persekutimi siç ishin shumë familje në Shqipëri apo nga mungesa e shanseve për të garantuar një standard të pranueshëm për atë kohë, si e drejta për në shkollë të lartë apo për punë. Këto ishin standardet e asaj kohe dhe ne i kishim këto mundësi.

(A.k.dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike ilir meta ilir meta

Sondazh

Poll