Politike

Komisioni i Ligjeve përzgjedh kandidatët për  ILDKPI-në, ISP: Deputetët votuan edhe pse nuk panë CV-të e kandidatëve, p

21 Dhjetor 2020, 16:32 Nga DOSJA
Komisioni i Ligjeve përzgjedh kandidatët për 

TIRANË– Ditën e sotme Komisioni i Ligjeve, ka përzgjedhur 2 kandidatët që kërkojnë të marrin drejtimin për 7 vitet e ardhshme të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPI). Sipas njoftimit për mediat mësohet se kandidatët janë Evgjeni Bashari dhe Helena Papa.

Instituti i Studimeve Politike në një njoftim bën të ditur se Komisioni nuk ka publikuar CV e kandidatëve, megjithatë zhvilloi seancë dëgjimore ku 5 kandidatët kishin në dispozicion vetëm 5 minuta prezantim online. Sipas ISP-së, me vetëm 5 minuta prezantim online, deputetët zgjodhën kandidatet që do të kenë në dorë ILDKPI-në për 7 vite, 3 vite më shumë edhe se mandati i deputetit.

Instituti i Studimeve Politike shprehet se ka ngritur vazhdimisht shqetësimin për praktika jo transparente, selektive dhe standarde të dyfishta në proceset zgjedhore, ndërsa ky ishte rasti i fundit që tregon vërtetësinë e kritikave të ISP-së, e cila shton se postet në vendin tonë më shumë dhurohen sesa fitohen.

Deklarata e Institutit të Studimeve Politike:

Kuvendi po “zgjedh” këtë javë Inspektorin e Përgjithshëm të ILDKPKI. Ky është një prej 2-3 funksioneve me mandatin më të gjatë kushtetues, 7 vjet, – 3 vjet më shumë se vetë parlamenti dhe se një kabinet i rregullt qeveritar. Në praktikat e vendeve të maturuara demokratike zgjedhja e funksionarëve me mandate të tilla është proces i gjatë konsultimesh, seancash dëgjimore dhe konkurrimi të hapur bazuar mbi meritën, vizionin dhe integritetin. Teorikisht, kështu ndodh edhe tek ne. Vetëm teorikisht, pasi praktikisht procedurat janë formale, gara është fiktive dhe postet më shumë dhurohen sesa fitohen. Ja një shembull konkret nga mbledhja dhe vendimi i sotëm i Komisionit të Ligjeve në Kuvend, komision përgjegjës për seancat dëgjimore dhe vendimmarrjen mbi kandidatët. Komisioni nuk ka publikuar CV e kandidatëve, megjithatë zhvilloi seancë dëgjimore ku 5 kandidatët kishin në dispozicion vetëm 5 minuta prezantim online. Pra, 5 minuta prezantim online për një mandat kushtetues 7 vjeçar! Dhe Komisioni, pasi dëgjoi 5 x 5 minuta online të gjithë kandidatët, vendosi me votim të përzgjedhë dy prej tyre. Interesante është rezultati i votimit: si rregull, në 5 kandidatë me të dhëna profesionale, rezultatet duhet të ishin të përafërta, sidomos kur Komisioni i Ligjeve supozohet se ndjek praktikat e meritokracisë dhe kur në përbërje të tij ishin edhe deputetë jo zyrtarisht anëtarë të mazhorancës.

Megjithatë votimi është e mbetet model ilustrues për praktika parlamentare formale: ligji kërkon dy kandidatë dhe Komisioni i Ligjeve iu dha dy kandidatëve përkatësisht 15 dhe 14 vota pro, pra 100% dhe 94% vota pro! Pastaj, për ta bërë “garën” të qartë e të dallueshme, 3 kandidatëve të tjerë iu dhanë përkatësisht 0 vota, 0 vota dhe 1 votë pro, të gjitha të tjerat vota kundër në bllok ose abstenim!! Dhe për ta bërë edhe më të qartë formalitetin e garës dhe përcaktimin paraprak të fituesit, u kujdes vetë kryetari i Komisionit Manja, i cili në shpallje të vendimit tha se ai e kolegët e tij deputetë kanë marrë në konsideratë nevojën për vazhdimësinë e punës në këtë institucion për shkak të procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë dhe në polici! Shkurt, një nga kandidatët punon në ILDKPKI dhe sipas kryetarit të Komisionit, kjo e dhënë ka qenë përcaktuese për ta zgjedhur atë në emër të vazhdimësisë, deklaratë që zhvleftëson dhe e bën të paragjykueshëm të gjithë procesin e thirrjes, seancës dëgjimore dhe votimit “të pavarur dhe me ndërgjegje” të deputetëve në komisionin, që duhej të ishte, së paku formalisht, model i respektimit të procedurave ligjore. Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka ngritur vazhdimisht shqetësimin për praktika jo transparente, selektive dhe standarde të dyfishta në proceset zgjedhore me burim Kuvendin e RSH. Ky rast vetëm sa e provoi përsëri këtë kritikë. ISP nuk synon të trajtojë CV e kandidatëve, CV e cila ishte dhe është jo publike, dhe as të trajtojë të dhënat profesionale të tyre, të cilat janë gjithashtu relevante, – por synon të shprehë shqetësimin sesi një proces kaq thelbësor dhe i rëndësishëm i zgjedhjes së një titullari kushtetues me mandat 7 vjeçar, nuk trajtohet me standardet minimale formale të garës dhe të meritokracisë. Kuvendi, i cili do të duhej të ishte institucioni promovuese i meritës, humbi edhe njëherë shansin për të ofruar standarde të larta zgjedhore në përgjegjësinë e tij. Për më tepër kur Shqipëria vijon të jetë nën kritika ndërkombëtare për nivelin e lartë të korrupsionit, dhe ku ILDKPKI ka një rol specifik, përfshirë edhe në kontrollin e pasurisë të atyre që sot 100% votuan kandidatin e paracaktuar “të vazhdimësisë”.

(a.k.dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike komisioni i ligjeve komisioni i ligjeve

Sondazh

Poll