Politike

Negociatat/ Kalon Maqedonia e Veriut, Parlamenti holandez i thotë “jo” Shqipërisë: S’ka progres

Parlamenti holandez ka votuar një mocion i cili i kërkon qeverisë të votojë kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE. Sipas qeverisë holandeze, Shqipëria nuk ka arritur rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Featured image of article: Negociatat/ Kalon Maqedonia e Veriut, Parlamenti holandez i thotë “jo” Shqipërisë: S’ka progres Foto ilustruese

HOLANDË– Parlamenti i Holandës ka votuar mocionin ku i kërkon qeverisë të votojë kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE.

Sipas mediave holandeze, mocioni u propozua nga deputeti i Kristian-Demokratëve, Pieter Omtzigt dhe dy parti e tjera të koalicionit qeveritar të përfaqësuar nga Anne Mulder e partisë ” Freedom and Democracy” dhe Nico Drost, i “ChristenUnie”. Propozimi i deputetit të Kristian-Demokratëve është votuar nga 105 deputet nga 150 që ka parlamenti. 

Po ashtu shtohet se shkaku kryesor për këtë vendim është mosarritja e rezultateve në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mëgjithatë ky vendim nuk është përfundimtar. Ashtu si kurse në rastin e rikthimit të vizave, është qeveria holandeze ajo që thotë fjalën e fundit. 

Pas votës kundër, një reagim ka ardhur edhe nga ministri holandez Stef Blok ka deklaruar se rekomandimi i Komisionit Evropian ishte i parakohshëm për Shqipërinë, duke theksuar se vendi nuk ka plotësuar kriteret në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Një reagim ka ardhur edhe nga ambasada holandeze në Tiranë, e cila edhe pse pranoi se kishte ende punë për t’u bërë tha se do të vazhdonin të mbështesin Shqipërinë në reformat e ndërmarra.

(k.m, a.m/dosja.al)

  • 22:53

    Ministri holandez: Rekomandimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë, i parakohshëm

    Ministri i Jashtëm Holandës, Stef Blok ka deklaruar se rekomandimi i Komisionit Evropian ishte i parakohshëm për Shqipërinë, duke theksuar se vendi nuk ka plotësuar kriteret në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    “Rekomandimi i Komisionit Evropian ishte i parakohshëm. Shqipëria nuk ka plotësuar kriteret për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha ministri Blok.

    Sipas qeverisë holandeze, Shqipëria nuk ka arritur rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se në bazë të progres-raportit, mund të vërtetohet se Shqipëria nuk i plotëson kushtet e vendosura.

  • 22:53

    Parlamenti votoi kundër negociatave, ambasada holandeze: Do vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë

    TIRANË– Ambasada e Holandës ka reaguar menjëherë pasi parlamenti holandez votoi për moshapje të negociatave me Shqipërinë.

    Në njoftimin e ambasadës holandeze thuhet se Holanda mbetet e angazhuar për integrimin e Ballkanit Perëndimor.

    Njoftimi i ambasadës holandeze në Tiranë:

    – Politika e zgjerimit të BE bazohet në kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz për të siguruar që reformat në vendet që aspirojnë të bashkohen me Bashkimin Europian janë të qëndrueshme dhe të pakthyeshme dhe të dhënat bazike janë të qëndrueshme.

    – Holanda vlerëson dhe mirëpret hapat që ka ndërmarrë Shqipëria, veçanërisht në lidhje me reformën gjyqësore dhe procesin e vettingut. Procesi i vettingut është një proces vërtet i shquar, unik për rajonin.

    – Megjithatë, ka edhe hapa, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që Shqipëria ende duhet të marrë përpara përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Këshilli në qershor të vitit 2018 para se negociatat e pranimit të mund të hapen. Në vazhdën e kësaj, parlamenti i Holandës më 12 qershor miratoi një mocion që i kërkoi qeverisë të mos pranonte të hapte negociata me Shqipërinë. Një vendim i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të 18 qershorit për të hapur negociatat e pranimit do të ishte i parakohshëm.

    – Ne fuqimisht inkurajojmë qeverinë e Shqipërisë që të vazhdojë rrugën e saj. Ne e pranojmë se sa sfiduese është procesi i pranimit dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në reformat e saj sa më shumë që mundemi, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.

Shto Koment