KOSOVA- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar republikanin Donald Trump për fitore në garën presidenciale kundër demokrates Kamala Harris në SHBA - fitore që ende nuk është konfirmuar. Ajo theksoi se SHBA-ja mbetet partner dhe aleat “i palëkundur dhe i pazëvendësueshëm” për Kosovën.
“Pres me padurim të punoj me administratën e re për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike”, shkroi Osmani në X.
Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, ende nuk është deklaruar lidhur me zgjedhjet në SHBA. Edhe pse fitorja e Trumpit ende nuk është konfirmuar, ai duket të jetë pranë fitores pasi ka siguruar 267 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t'u shpallur president. Vetë Trump e shpalli fitoren në një fjalim të mbajtur përpara mbështetësve të tij në Florida.
Urimeve u janë bashkuar liderët e partive opozitare në Kosovë, para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Kosovë, në shkurt të vitit 2025. Kandidati i Partisë Demokratike për kryeministër, Bedri Hamza, uroi Trumpin për fitoren, ndërsa lavdëroi republikanët dhe demokratët për garën e zhvilluar.
"Zgjedhjet në Amerikë janë festë e mrekullueshme e demokracisë. I shpreh urimet më të përzemërta presidentit Donald Trump për fitoren e tij", shkroi Hamza në llogarinë e tij në Facebook.
Edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, uroi Trumpin ndërsa theksoi shpresën që Kosova do ta ketë vëmendjen e administratës së ardhshme në SHBA.
"Rikthimi i Kosovës në agjendën e Washingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës. Pa SHBA-në, ecja e Kosovës si shtet i ri në konsolidim ndërkombëtar është e pamundur! Në Qeverinë e ardhshme, këto lidhje do të rikuperohen e mirëmbahen si orientime të pandryshueshme, të pathyeshme, të pazëvendësueshme!", shkroi Abdixhiku në Facebook.
Urimeve i është bashkuar edhe udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili shpreson se fitorja e pretenduar e Trumpit do të ndihmojë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
"Nën udhëheqjen e presidentit Trump kemi krijuar Ushtrinë e Kosovës. Jam i bindur se, nën drejtimin e tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të qëndrojnë si aleati ynë më i fortë dhe i palëkundur", shkroi Haradinaj në Facebook.
Në këtë rrugëtim për konsolidimin e shtetit dhe synimin tonë afatshkurtër drejt anëtarësimit direkt në NATO, mbështetja e SHBA-së mbetet kyçe. Kosova, ndër vite, ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e SHBA-së, pavarësisht nga udhëheqësia e saj politike.
Nën presidentin demokrat, Bill Clinton, në vitin 1999, SHBA dhe aleatët e tjerë të NATO-s bombarduan objektiva të ushtrisë së atëhershme jugosllave për të ndaluar dhunën në Kosovë. Pothuajse dhjetë vjet më vonë, nën presidentin republikan, George W. Bush, Kosova shpalli pavarësinë.
Edhe administrata aktuale ka inkurajuar vazhdimisht Kosovën që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë si një kusht për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian, ndërsa Trumpi, sa ishte president, ishte dëshmitar i nënshkrimit të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.
Megjithatë, Richard Grenell, i cili gjatë administratës Trump ishte përfaqësuesi amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, shtyu përpara marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve, të cilën qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, e kundërshton.
Gjatë presidencës së Trumpit, ai dhe administrata e tij kanë paralajmëruar disa herë për mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova. Prania e tyre brenda misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, shihet si një garanci për sigurinë e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vitin 2020 kishte akuzuar Grenellin se ishte “drejtpërdrejt i përfshirë” në rrëzimin e qeverisë së tij më pak se dy muaj pasi mori detyrën si kryeministër. Në atë kohë, Grenell tha se Albin Kurti është anti-amerikan dhe se ai ka qenë kundër politikave amerikane të sugjeruara nga ish-presidentët amerikanë: Bill Clinton, Barack Obama dhe Donald Trump./ REL