Sali Berisha
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se në kohën kur ishte në qeveri, kishte hartuar një projekt të detajuar për zhvillimin e bregdetit shqiptar, duke akuzuar qeverinë e Edi Ramës se e rrëzoi atë sapo erdhi në pushtet. Gjatë konferencës për mediat, Kryedemokrati theksoi se qeveria e drejtuar prej tij kishte angazhuar një kompani të njohur britanike për të studiuar të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë.
Ai tha se studimi përcaktoi zonat ku nuk duhej të ndërtohej, ndërsa zhvillimi i pjesës tjetër të bregut iu besua autoriteteve vendore. Sipas tij, nëse ai projekt do të ishte zbatuar, Shqipëria do të kishte sot një bregdet krejt ndryshe dhe nuk do të përballej me ato që i quajti "krime të rënda mjedisore".
"Dua tu rikujtoj këtu ju, përfaqësuesve të medieve dhe gjithë shqiptarëve, cili ka qenë projekti i qeverisë së mëparshme për bregun. Qeveria e mëparshme tregoi një kujdes shumë të veçantë për bregun dhe zhvillimin e turizmit. Për këtë qëllim, përveç ndërtimit të infrastrukturës në të gjithë bregun, ajo mori një kompani britanike të famshme, të shquar, e cila studioi bregun në të gjithë gjatësinë e tij. Dhe kjo kompani, që ta dini ju, përcaktoi me studimin e saj zonat ku nuk mund të ndërtohej. Nuk përcaktoi zonat ku duhej të ndërtohej. Kjo kompani, pasi përcaktoi zonat ku nuk duhej të ndërtohej, së bashku me qeverinë shqiptare, zhvillimin e bregut ia besoi autoriteteve lokale të bregut.
Mbi këtë bazë, kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, i cili ishte një gardian i pakorruptuar i interesave të banorëve të bregut, mori një kompani greke për të bërë tashmë planet e zhvillimit të komuniteteve nga komunitetet. Unë u them ju se ajo kompani bëri një punë të shkëlqyer. Dhe në qoftë se ajo kompani, them edhe njëherë, do zbatohej projekti i saj, shqiptarët do kishin sot një breg krejt tjetër. Nuk do ishte asnjë nga batërditë dhe krimet e tmerrshme mjedisore të kryera në bregun e detit në Shqipëri. Çfarë ndodhi?
Edi Rama, me të ardhur në pushtet, e përmbysi si studimin britanik, dhe unë njerëzisht u kërkoj ju të bëni kontroll në arkiva dhe ta gjeni se u kujtohet ju kur falanga të krimit të PS dhe Erion Veliajt arritën me shpifjet e tyre, trillimet e tyre, arritën të publikojnë, të fabrikojnë një raport gjoja të pavarur të një eksperti të pavarur të bankës, në të cilat përpiqeshin të implikonin për korrupsion qeverinë shqiptare. Në një kohë kur qeveria kishte zbatuar me rigorozitet absolut memorandumin e firmosur me Bankën Botërore. Por, hapi arkivat, pas një përballje të fortë mes qeverisë dhe Bankës, BB dërgoi këtu zëvendëspresidentin e saj Filip Beiru, i cili kërkoi falje publike qeverisë shqiptare për akuzat të pabaza të lëshuara në atë raport, të fabrikuara të gjitha në kuzhinën e Xhorxh Sorosit dhe Edi Ramës në Tiranë. Por kjo është midis të tjerash," tha Berisha./Dosja.al