nje nga te mbijetuarit e tragjiedise
KOÇAN- Në oborrin e spitalit të Koçanit situata është e tensionuar, ku familjarë kërkojnë që t’i marrin trupat e pajetë të të afërmve të tyre që kanë humbur jetën në aksidentin tragjik në klubin e natës “Puls”. Mes këtyre personave kishte dhe nga ato që i kanë mbijetuar zjarrit, ndonëse me lëndime. Në një prononcim për Alsat, një prej tyre është shprehur se pasi ra zjarri
“Ndodhi me shpejtësi, nuk e mbaj mend si u lëndova dhe si arrita deri në spital.. Kam djegie në kokë dhe nëpër duar. Asgjë nuk mbaj mend, vetëm e di se një zjarrfikës më tërhoqi dhe më tej asgjë më nuk di. Mendoj se gjithçka nisi rreth orës 3 e gjysmë, ashtu disi, gjithçka ndodhi me shpejtësi.”, u shpreh një i mbijetuar.
Qytetarët dhe të afërmit shprehen të tmerruar nga kjo fatkeqësi që ka tronditur vendin dhe jo vetëm.
“E gjithë Maqedonia është në mërzi, jo vetëm Maqedonia, ngushëllime japin nga të gjitha shtetet. Kjo është tragjedi shumë e madhe, për Koçanin, por edhe për të gjithë rrethinën, ka pasur edhe nga Dellçeva, Vinica, nga fshatrat e Koçanit. Babai ishte tani pak më parë para spitalit, nuk kishin fëmijë për shumë vite”, tha një familjar.
“I biri i një mikut tim punonte sigurim, u helmua me monoksid, merrte pjesë në tërheqjen, thotë se ishte e tmerrshme, do të ju lutem kaq, nuk mundem më tepër”, u shpreh një tjetë familjar.
Kryetari i Kryqit të Kuq, Sait Saiti tha se aktualisht nuk ka nevojë për dhurim të gjakut për pacientët, por njoftoi se do të jenë të mobilizuar edhe për ditët në vijim.
“Sa i përket gjakut, për momentin nuk kemi nevojë, rezervat e sistemit shëndetësorë janë të mjaftueshme, nëse ka nevojë eventualisht këtu jemi. Mirëpo për momentin nuk ka nevojë të mobilizohemi për një aktivitet të tillë”, tha Saiti.
Të paktën 59 persona kanë humbur jetën nga tragjedia në Koçan nga zjarri që shpërtheu gjatë një koncerti të një grupi të famshëm maqedonas dhe 155 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Në një mbledhje të jashtëzakonshme qeveria maqedonase shpalli zyrtarisht 7 ditë zie në të gjithë vendin.
Po ashtu ka ngarkuar Inspektoratin Shtetëror të Tregut që në tre ditët e ardhshme në territorin e Republikës së Maqedonisë të kryejë inspektim të jashtëzakonshëm në objektet e hotelerisë (kabare, klub nate, etj) dhe menjëherë ta njoftojë Qeverinë për konstatimet e inspektimit, në mënyrë që të përcaktojë gjendjen dhe kushtet sipas rregullores dhe akteve të tyre vendi.