LIVE UPDATES
LIVE UPDATES

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend kërkimor bërthamor në Teheran, Irani paralajmëron: Nuk ka vend për negociata derisa të ndalen sulmet!

• Forcat Ajrore Izraelite, IDF kryen një valë sulmesh në Teheran gjatë natës, duke synuar dhjetëra objekte ushtarake iraniane dhe një vend kërkimor bërthamor. • Sipas ushtrisë më shumë se 60 avionë luftarakë u përfshinë në sulme, duke hedhur 120 municione. • IDF thotë se objektivat përfshinin disa vende industriale të prodhimit të raketave në Teheran, të cilat kishin shërbyer si bërthama industriale e Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit. • Sulmet goditën gjithashtu selinë e projektit bërthamor të SPND, një vend që është shënjestruar tashmë gjatë konfliktit. • Një tjetër vend që u godit ishte përdorur për të prodhuar një komponent thelbësor për programin e armëve bërthamore të regjimit. • Australia ka mbyllur ambasadën e saj në Teheran dhe u ka urdhëruar zyrtarëve të largohen nga Irani duke përmendur një situatë të përkeqësuar të sigurisë. • Ministrja e Jashtme Penny Wong në një konferencë për shtyp në Adelaide udhëzoi të gjithë zyrtarët të largohen nga Irani. • Wong tha se ka rreth 2,000 australianë dhe anëtarë të familjeve të tyre të regjistruar në Iran që duan të largohen, dhe 1,200 të tjerë në Izrael. • Kombe të tjera që kanë pezulluar operacionet e ambasadave në Teheran përfshijnë Bullgarinë, Republikën Çeke, Zelandën e Re, Portugalinë dhe Zvicrën. • Irani nga ana tjetër ka emëruar Gjeneral Brigade Majid Khadami si kreun e ri të shërbimit të inteligjencës së Gardës Revolucionare, duke zëvendësuar Mohammad Kazemi. • Kazemi, u vra të dielën më 15 qershor, së bashku me dy oficerë të tjerë të lartë të inteligjencës, Hassan Moayegh dhe Mohsen Bagheri, në një sulm ajror izraelit. • Gjeneral Major Pakpour kërcënoi të premten e kaluar se "portat e ferrit" do të hapeshin dhe Izraeli do të përballej me pasoja katastrofike pas sulmeve ajrore. • Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi tha se Teherani nuk do të zhvillojë bisedime me asnjë palë derisa Izraeli të ndalojë sulmet ndaj Republikës Islamike. • Araghchi pritet të takohet sot me ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë në Gjenevë për të diskutuar për uljen e tensioneve me Izraelin. • Ai gjithashtu pohoi se SHBA-të duan të kthehen në tryezën e negociatave për të diskutuar programin bërthamor të Iranit, por se Teherani e ka refuzuar kërkesën. • Ministri shtoi se nuk ka vend për negociata me SHBA-në derisa të ndalet agresioni izraelit. Ai ka akuzuar SHBA-në se është partner në krimin izraelit kundër Iranit.

44 artikuj për këtë temë.

11 MUAJ ME PARE

Ushtria izraelite: Kishim planifikuar sulmet ndaj Iranit për vite me radhë

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Eyal Zamir

LINDJE E MESME- Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thonë se i kanë përgatitur sulmet e tyre kundër Iranit për vite të tëra. Në një përditësim, Shefi i Shtabit të saj, Eyal Zamir, thotë se përgatitjet janë përshpejtuar në muajt e fundit në "fshehtësi të rreptë".

Pa dhënë detaje, Zamir thotë se operacioni u bë i mundur falë konvergjencës së kushteve operacionale dhe strategjike dhe se vonesa e sulmeve do të kishte rrezik të humbiste këto kushte dhe ta vinte Izraelin në disavantazh.

"Falë një goditjeje hapëse të fuqishme dhe të papritur, arritëm rezultate të jashtëzakonshme", thotë Zamir.

11 MUAJ ME PARE

“Izraeli po ia del mirë në këtë luftë!" Trump: Irani nuk dëshiron të dialogojë me Europën! Po flasim me Teheranin dhe do të shohim

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Donald Trump

SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi sot se po zhvillohen kontakte me Iranin për një zgjidhje diplomatike, duke lënë të hapur mundësinë për ulje tensionesh në rajon. Gjatë një deklarate për shtyp, Trump shprehu mosbesim ndaj përpjekjeve diplomatike evropiane, duke nënvizuar se “Irani nuk dëshiron të flasë me Europën”, duke i konsideruar këto përpjekje të dështuara.

“Po flasim me Iranin dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë,” tha Trump.

Ai shtoi se është e vështirë të kërkosh ndaljen e operacioneve ushtarake nga Tel Avivi në një moment kur, sipas tij, Izraeli është në epërsi. Trump gjithashtu hodhi poshtë deklaratat e drejtoreshës së Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabbard, e cila kishte siguruar më herët Kongresin se Irani nuk është duke punuar për të ndërtuar një armë bërthamore. 

“Izraeli po ia del mirë në këtë luftë. Irani më pak. Është e vështirë të ndalosh dikë kur është në avantazh”, u shpreh ai.

11 MUAJ ME PARE

"Teherani ka një axhendë gjenocidale!" Debat i ashpër në Këshillin e Sigurimit të OKB-së/ Rusia: Izraeli ka shpërfillur hapur diplomacinë! SHBA: Irani, burim terrori

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Përfaqësuesi izraelit

SHBA- Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka pasur një shkëmbim të nxehtë polemikash midis Iranit dhe Izraelit, ndërsa fuqitë botërore takohen për të diskutuar përshkallëzimin e konfliktit ushtarak.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i OKB-së paralajmëroi se bota po nxiton drejt krizës, dhe fuqitë e përhershme evropiane në këshill, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, bënë thirrje për qetësim urgjent të situatës, shkëmbimi i ashpër i fjalëve midis Iranit dhe Izraelit nxori në pah natyrën e rrënjosur të qëndrimeve të tyre.

Ambasadori iranian e quajti sulmin izraelit “të paprovokuar". Aii këmbënguli se programi bërthamor i vendit të tij ishte paqësor dhe duke akuzuar SHBA-në për bashkëpunim dhe pjesën tjetër të Këshillit të Sigurimit për dështim në veprim, tha se Irani do të vazhdojë të mbrohet derisa të ndalet veprimi ushtarak i Izraelit.

Ambasadori izraelit, në komentet e tij pasuese, akuzoi Iranin se ka një “axhendë gjenocidale”, duke pretenduar se aftësia e tij për të vendosur armë bërthamore po afrohej më shpejt nga sa mund ta imagjinonte kushdo dhe, tha ai, Izraeli nuk do të ndalonte së synuari objektet e tij bërthamore derisa kërcënimi të “zhdukej”.

Kina tha se Izraeli po shkelte të drejtën ndërkombëtare. Nga ana tjetër Rusia tha se kishte treguar një "shpërfillje të hapur" për diplomacinë. Por SHBA-të, duke e quajtur Iranin burimin kryesor të terrorit në Lindjen e Mesme, thanë se vazhdojnë të qëndrojnë me Izraelin si aleat dhe mbështesin veprimet e tij.

11 MUAJ ME PARE

DASH: Nuk parashikojmë të ofrojmë largim të asistuar direkt nga qeveria amerikane nga Irani

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Foto ilustruese

SHBA- Më shumë se 25,000 njerëz kanë kërkuar informacion nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së në lidhje me situatën në Izrael, Bregun Perëndimor dhe Iran, tha të premten zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.

Ajo tha se njerëzit po kërkonin "informacion të përgjithshëm" dhe disa prej tyre mund të kërkonin informacion në lidhje me largimin. Bruce nuk dha një numër të caktuar për ata që kërkonin informacion në lidhje me largimin.

Departamenti ka lançuar një formular pranimi në rast krize për amerikanët në Izrael dhe Iran që kërkojnë informacion në lidhje me largimin nga këto vende ndërsa konflikti vazhdon.

“Ne nuk parashikojmë të ofrojmë largim të asistuar direkt nga qeveria amerikane nga Irani. Amerikanët që kërkojnë largim duhet të përfitojnë nga mjetet ekzistuese për t'u larguar", tha Bruce në një konferencë për shtyp.

SHBA-të nuk kanë një prani diplomatike në Iran. Ndërkohë, Ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee, tha të enjten se SHBA-të “po punojnë për të siguruar fluturime ushtarake, tregtare, çarter dhe anije turistike” për evakuim për Izraelin.

11 MUAJ ME PARE

Bisedimet në Gjenevë/ Ministri i Jashtëm i Iranit: Gati të shqyrtojmë diplomacinë sapo të ndalet agresioni! Programi bërthamor është paqësor

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Abbas Araghchi

ZVICRA- Ministri i Jashtëm i Iranit Abbas Araghchi ka folur gjithashtu pas bisedimeve në Gjenevë. Araghchi u tha gazetarëve se Irani është gati të shqyrtojë përsëri diplomacinë sapo të ndalet agresioni dhe Izraeli të mbahet përgjegjës për "krimet e tmerrshme të kryera".

Ai vazhdon duke thënë se programi bërthamor i Iranit është paqësor dhe se sulmet ndaj tij janë shkelje e ligjit ndërkombëtar, duke shtuar se Irani do të vazhdojë të "ushtrojë të drejtën e tij legjitime të vetëmbrojtjes".

"E bëj të qartë si kristali se aftësitë mbrojtëse të Iranit janë të panegociueshme", thotë ai.

11 MUAJ ME PARE

Përfundimi i bisedimeve në Gjenevë/ Ministri i Jashtëm francez: Irani shprehu gatishmëri për të vazhduar bisedimet

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Jean-Noël Barrot

ZVICRA- Ministri i Jashtëm Francez Jean-Noël Barrot, duke folur gjithashtu pas bisedimeve, tha se ata nuk mendojnë se ekziston një "zgjidhje përfundimtare" ushtarakisht për "problemin bërthamor iranian". Ai tha se presin që Irani të jetë i hapur për diskutime, përfshirë edhe me Shtetet e Bashkuara, për të arritur një zgjidhje të negociuar.

"Ministri i Jashtëm iranian ka shprehur gatishmërinë e tij për të vazhduar këto diskutime mbi programin bërthamor dhe, në një kuptim më të gjerë, për të gjitha çështjet. Dhe ne presim që Irani të jetë i hapur për diskutime, përfshirë edhe me Shtetet e Bashkuara, për të arritur një zgjidhje të negociuar përmes dialogut", u tha ai mediave të mbledhura në kryeqytetin zviceran.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul thotë se kjo është "përpjekje e përbashkët për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm" në Lindjen e Mesme dhe për të "bërë përparim me negociatat".

11 MUAJ ME PARE

"Përplasja Izrael-Iran pranë pikës pa kthim!" Erdogan: Gishtat të largohen nga këmbëzat dhe butonat

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Recep Tayyip Erdogan

LINDJE E MESME- Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se përplasja në rritje mes Iranit dhe Izraelit po i afrohet shpejt “pikës pa kthim” dhe njoftoi planet e Ankarasë për të rritur prodhimin e raketave me rreze mesatare dhe të gjatë, në mënyrë që askush të mos guxojë ta sulmojë Turqinë.

Deklaratat e Erdoganit u bënë gjatë një forumi rinor të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC) në Stamboll, përpara një takimi të ministrave të jashtëm të OIC-së gjatë fundjavës. Ndër pjesëmarrësit pritet të jetë edhe ministri i jashtëm iranian Abbas Araghchi, me krizën në vazhdim me Izraelin që pritet të jetë një nga temat kryesore të diskutimit në takimin dyditor.

“Për fat të keq, gjenocidi në Gaza dhe konflikti me Iranin po i afrohen shpejt pikës pa kthim. Kjo çmenduri duhet të përfundojë sa më parë,” tha Erdogan, duke paralajmëruar se pasojat mund të ndikojnë rajonin, Evropën dhe Azinë “për shumë vite”.

“Është thelbësore që gishtat të largohen nga këmbëzat dhe butonat, përpara se të ndodhë më shumë shkatërrim, gjakderdhje, viktima civile dhe një katastrofë e tmerrshme që mund të prekë rajonin tonë, si edhe Evropën e Azinë për shumë vite,” shtoi ai.

11 MUAJ ME PARE

Tensione në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së/ Përfaqësuesi i Iranit: Do të vazhdojmë të mbrohemi! Ambasadori izraelit: Nuk do të ndalemi derisa kërcënimi bërthamor të zhduket

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
pamje nga mbledhja

SHBA- Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së u mbajt në një atmosferë të tensionuar, ndërsa nga ana tjetër ministrat e jashtëm evropianë u takuan me homologët e tyre iranianë në Gjenevë. Irani dhe Izraeli kryqëzuan "shpatat e tyre diplomatike" në Nju Jork, me deklarata nga të dyja palët që tregonin përshkallëzimin e tensionit midis dy vendeve.

Përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në OKB, Amir Saeed Iravani, e bëri të qartë se Teherani nuk do të mbetet indiferent ndaj sulmeve të Izraelit. "Vendi im do të vazhdojë të mbrohet kundër Izraelit", theksoi ai, ndërsa i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të ndërmarrë veprime për të çtensionuar krizën. Diplomati iranian shtoi se "Izraeli me sa duket ka deklaruar se do të vazhdojë sulmet për aq ditë sa të jetë e nevojshme".

Nga ana e tij, ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, përdori retorikë të ashpër, duke deklaruar se vendi i tij nuk do t'i ndalte sulmet e tij. "Ne nuk do të ndalemi - jo derisa kërcënimi bërthamor i Iranit të neutralizohet, jo derisa makina e tij e luftës të çarmatoset, jo derisa populli ynë dhe i juaji të mbrohen", tha ai.

11 MUAJ ME PARE

Përfundimi i bisedimeve në Gjenevë me Iranin/ Nënkryetari i Komisionit Evropian: T'i mbajmë diskutimet të hapura! Kallas: Palët ranë dakord të flasin për çështjen bërthamore

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Deklarata për mediat

ZVICRA- Në komente të shkurtra për mediat pas përfundimit të bisedimeve, nënkryetari i Komisionit Evropian tha se përshkallëzimi rajonal "nuk i sjell dobi askujt" dhe kjo është arsyeja pse "duhet t'i mbajmë diskutimet të hapura".

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian Kaja Kallas deklaroi nga ana tjetër se të dyja palët ranë dakord të diskutojnë çështjen bërthamore dhe "çështje më të gjera".

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, tha se "ishin të qartë se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore". Ai shton se ai dhe kolegët e tij ministra të jashtëm evropianë janë “të prirur” të vazhdojnë “diskutimet e vazhdueshme” mbi negociatat me Iranin.

"Ne i bëjmë thirrje Iranit të vazhdojë bisedimet me Shtetet e Bashkuara. Ky është një moment i rrezikshëm dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mos shohim një përshkallëzim rajonal të konfliktit midis Iranit dhe Izraelit", tha Lammy.

11 MUAJ ME PARE

Përfundojnë bisedimet midis ministrave të jashtëm evropianë dhe Iranit në Zvicër

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Foto ilustruese

ZVICRA- Takimi midis ministrave të jashtëm evropianë dhe një delegacioni iranian në Gjenevë ka përfunduar. Mediat e huaja shkruajnë se ata kanë zhvilluar bisedime sot si pjesë e përpjekjeve për të lehtësuar konfliktin midis Iranit dhe Izraelit.

Bisedimet u zhvilluan në Gjenevë midis ministrave të jashtëm nga Irani, Franca dhe Gjermania, së bashku me shefen e politikës së jashtme të BE-së. Ky ishte takimi i parë i konfirmuar ballë për ballë i këtij lloji që nga fillimi i konfliktit.

Pas ditësh me mesazhe gjithnjë e më agresive nga administrata Trump, kjo ka hapur mundësinë që veprimi ushtarak të mund të shmanget. Në fakt, kampi i Trump duket se është thellësisht i ndarë nëse duhet të ndërmarrë sulme të drejtpërdrejta kundër Iranit

 

11 MUAJ ME PARE

Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike: Sulmi ndaj centralit bërthamor të Bushehrit në Iran do të ishte katastrofik

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Rafael Grossi

LINDJE E MESME- Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike paralajmëroi të premten se një sulm i drejtpërdrejtë ndaj centralit bërthamor Bushehr të Iranit do të rezultonte në "një çlirim shumë të lartë radioaktiviteti" që do të prekte njerëzit brenda qindra kilometrave nga centrali.

Duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rafael Grossi tha se Bushehri ishte "vendi bërthamor në Iran ku pasojat e një sulmi mund të jenë më serioze". Ai tha se si një central bërthamor në funksion, Bushehri mban "mijëra kilogramë material bërthamor".

Vendndodhja e Bushehrit në Iranin jugor do të thotë se është më afër kryeqyteteve të disa aleatëve të SHBA-së në rajon sesa Teheranit, dhe Grossi tha se vendet në rajon i kanë kontaktuar drejtpërdrejt atij për të shprehur shqetësimin e tyre.

“Dua ta bëj absolutisht dhe plotësisht të qartë. Në rast të një sulmi ndaj centralit bërthamor të Bushehrit, një goditje e drejtpërdrejtë do të rezultonte në një çlirim shumë të lartë radioaktiviteti në mjedis”, tha ai.

Grossi shtoi se një sulm që do të çaktivizonte linjat e furnizimit me energji të centralit mund të shkaktonte shkrirjen e bërthamës së reaktorit, gjë që gjithashtu mund të rezultonte në një çlirim shumë të lartë të radioaktivitetit.

Ai paralajmëroi se njerëzit brenda qindra kilometrave nga uzina do të ishin në rrezik nga rrezatimi, duke shtuar se evakuimet, trajtimet me jod dhe kontrollet e ushqimit mund të jenë të nevojshme në rast të një sulmi.

11 MUAJ ME PARE

Administrata Trump njofton sanksione të reja ndaj Iranit, synon minimin e programeve të armëve

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
donald trump

SHBA- Administrata Trump vendosi sot sanksione ndaj disa kompanive të huaja, një individi kinez dhe një anije mallrash për të minuar aftësitë ushtarake të Iranit, ndërsa konflikti i tij me Izraelin vazhdon.

Departamenti i Thesarit tha në një deklaratë se bizneset dhe individët e sanksionuar i furnizuan Iranit makineri të ndjeshme dhe kërkime që mbështesin programet e raketave balistike, mjeteve ajrore pa pilot dhe armëve asimetrike të regjimit.

Administrata Trump tha se shtetasi kinez Zhang Yanbang, kapiteni i anijes Shun Kai Xing, ishte në dijeni se në anijen që po shkonte drejt Iranit kishte makineri ushtarake. Shun Kai Xing është një anije mallrash që u identifikua si "pronë e bllokuar" nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të vendosura të pengojnë çdo përpjekje të Iranit për të siguruar teknologjinë, komponentët dhe makineritë e ndjeshme me përdorim të dyfishtë që mbështesin programet e raketave balistike, mjeteve ajrore pa pilot dhe armëve asimetrike të regjimit. Ne kemi qenë të qartë: ata që i mundësojnë këto skema do të mbahen përgjegjës”, tha Sekretari i Thesarit Scott Bessent në një deklaratë.

 

11 MUAJ ME PARE

"Marrëveshja e vitit 1968 që ndalon Terehanin!" BBC: Pse nuk mund të ketë Irani armë bërthamore kur vendet e tjera munden?

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Foto ilustruese

LINDJE E MESME- Vetëm disa vende në botë zotërojnë armë bërthamore, si Britania e Madhe, SHBA, Rusia, Kina, Franca, India, Pakistani dhe Korea e Veriut. Izraeli besohet gjerësisht se i ka, por as nuk e konfirmon, as nuk e mohon këtë. Por, pse disa vende lejohen të kenë armë bërthamore, ndërsa të tjerët jo? Përgjigjja gjendet në një marrëveshje të vitit 1968, të njohur si Traktati për Mos-Përhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).

Ky traktat lejon vendet të zhvillojnë programe bërthamore civile, por ndalon që më shumë vende të zotërojnë armë bërthamore përveç atyre që tashmë i kanë. NPT-ja është një marrëveshje ligjërisht detyruese dhe shumica dërrmuese e vendeve e kanë nënshkruar, përfshirë edhe Iranin.

Megjithatë, Izraeli, India, Pakistani dhe Sudani i Jugut nuk e kanë nënshkruar këtë traktat, ndërsa Koreja e Veriut është tërhequr prej tij. India dhe Pakistani nuk u njohën si vende me armë bërthamore kur u krijua traktati dhe do të ishin të detyruar të dezarmoheshin nëse do t’i bashkoheshin tani. Sudani i Jugut është një shtet relativisht i ri dhe nuk ka program bërthamor.

Izraeli nuk e ka nënshkruar traktatin sepse ndjek një politikë të “ambiguitetit bërthamor” si taktike kundër kundërshtarëve dhe nuk lejon inspektime në objektet e tij bërthamore, të cilat kërkohen nga NPT-ja. Irani, vendet arabe dhe të tjera prej kohësh kërkojnë që Izraelit t’i ushtrohet presion për të çarmatosur dhe për të qenë transparent në lidhje me programin e tij bërthamor, duke e parë arsenalin e supozuar të Izraelit si një burim tensioni rajonal dhe kërcënim.

Irani gjithmonë ka mohuar se kërkon armë bërthamore dhe nuk zotëron të tilla, megjithëse shumë vende nuk janë bindur nga pretendimet e Iranit për qëllime paqësore. Në vitin 2002 u zbulua se Irani kishte pasur një program sekret bërthamor, i ndaluar nga NPT-ja, gjë që shkaktoi një krizë disa vjeçare dhe që në masë të madhe ka çuar në ngjarjet e sotme./ BBC

11 MUAJ ME PARE

Britania e Madhe tërheq përkohësisht stafin e ambasadës nga Irani: Vazhdojmë të veprojmë nga distanca

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Foto ilustruese

LINDJE E MESEM-  Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të tërheqë përkohësisht stafin e ambasadës së saj nga Irani për shkak të "situatës aktuale të sigurisë" në vend. Sipas Ministrisë së Jashtme Britanike, ata po marrin seriozisht mbrojtjen e stafit dhe shtetasve britanikë dhe prej kohësh kanë këshilluar kundër të gjitha udhëtimeve në Iran.

“Për shkak të situatës aktuale të sigurisë, ne kemi marrë masa paraprake për të tërhequr përkohësisht stafin tonë të Mbretërisë së Bashkuar nga Irani. Ambasada jonë vazhdon të veprojë nga distanca.

Ne e marrim shumë seriozisht mbrojtjen e stafit tonë dhe shtetasve britanikë dhe prej kohësh kemi këshilluar kundër të gjitha udhëtimeve në Iran”, tha një zëdhënës i Zyrës së Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit.

11 MUAJ ME PARE

Zëdhënësi i presidencës së Iranit: Presidenti Trump mund t'i japë fund konfliktit me vetëm një telefonatë për...

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
foto ilustruese

SHBA- Diplomacia me Iranin mund të rifillojë lehtësisht nëse Presidenti i SHBA-së Donald Trump urdhëron udhëheqjen e Izraelit të ndalojë sulmet ndaj Iranit. Kështu ka deklaruar për CNN Majid Farahani, zëdhënësi i presidencës së Iranit.

“Presidenti Trump mund ta ndalojë lehtësisht luftën vetëm me një telefonatë me izraelitët”, tha ai, duke përsëritur qëndrimin iranian se bisedimet ishin të pamundura ndërsa bombat izraelite po godisnin Iranin.

Farahani tha se Irani nuk do të mbështeste ndalimin e pasurimit bërthamor, për të cilin Teherani këmbëngul se është për qëllime paqësore, por shtoi se lëshimet ishin të mundshme.

"Ndoshta mund të jetë më e ulët, por ne nuk e ndalojmë", tha ai.

Në ditët e fundit, fuqitë evropiane i janë bashkuar thirrjeve amerikane dhe izraelite për ndalimin e pasurimit, duke ngurtësuar qëndrimet e tyre mbi çështjen kyçe, me Francën që paraqet "një qëndrim të qartë për zero pasurim", tha sot për CNN zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Francës, Christophe Lemoine.

Irani thotë se ka nevojë për uranium të pasuruar për qëllime paqësore, ndërsa prodhon gjithashtu sasi të mëdha materialesh të nivelit të armëve. Vendimi i Trump për të hapur një dritare negociatash dyjavore përpara se të vendosë për goditjen e Iranit ka ofruar një rrugë të ngushtë - megjithëse të pamundur - drejt një marrëveshjeje paqeje midis Iranit dhe Izraelit.

Bisedimet po zhvillohen në Gjenevë midis ministrave të jashtëm nga Irani, Franca dhe Gjermania, së bashku me shefen e politikës së jashtme të BE-së, takimi i parë i konfirmuar ballë për ballë i këtij lloji që nga fillimi i konfliktit. Pas ditësh me mesazhe gjithnjë e më agresive nga administrata Trump, kjo ka hapur mundësinë që veprimi ushtarak të mund të shmanget. Në fakt, kampi i Trump duket se është thellësisht i ndarë nëse duhet të ndërmarrë sulme të drejtpërdrejta kundër Iranit

11 MUAJ ME PARE

Takimi mes zyrtarëve evropianë dhe atyre iranianë në Zvicër/ Mediat e huaja: Bisedimet zgjatën për rreth 90 minuta, po zhvillohet një pushim

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Foto ilustruese

ZVICËR- Zyrtarët iranianë dhe evropianë që po takohen aktualisht në Gjenevë të Zvicrës, biseduan për rreth një orë e gjysmë përpara se të bënin një pushim, tha një diplomat i Evropës Perëndimore. Të dyja palët tani po konsultohen në dhoma të ndara, me bisedimet e drejtpërdrejta që pritet të rifillojnë së shpejti, tha zyrtari.

Ky është takimi i parë ballë për ballë midis zyrtarëve perëndimorë dhe atyre iranianë që nga fillimi i konfliktit më 13 qershor. Aktualisht Ministri i Jashtëm i Iranit është duke zhvilluar bisedime me diplomatët kryesorë evropianë lidhur me shqetësimet për programin bërthamor të Teheranit, i cili para një jave nxiti një luftë përshkallëzuese mes Izraelit dhe Iranit.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, mbërriti në një hotel në qytetin zviceran për takimin me homologët e tij nga Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, si dhe me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

11 MUAJ ME PARE

Kremlini: Nëse Khamenei do të vritet, do të hapet dhe "Kutia e Pandorës"! Situata është e rrezikshme për rajonin dhe gjithë botën

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
foto ilustruese

MOSKË- Rusia ka paralajmëruar se çdo përpjekje për të vrarë udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, do të "hapte kutinë e Pandorës" dhe do të shkaktonte një përshkallëzim të rrezikshëm në të gjithë rajonin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha Sky News në Pallatin Constantine në Shën Petersburg të premten se ndryshimi i regjimit në Iran është "i papranueshëm", duke paralajmëruar se një veprim i tillë do të nxiste "ndjenja ekstremiste" në vend.

"Ata që flasin për (vrasjen e Khameneit), duhet ta kenë parasysh. Ata do të hapin kutinë e Pandorës", paralajmëroi Peskov.  Komentet e tij erdhën pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se do të vendoste brenda dy javësh nëse do t'i bashkohej fushatës ushtarake të Izraelit kundër Teheranit. Trump kishte spekuluar më parë në internet rreth vrasjes së udhëheqësit iranian.

“Situata është jashtëzakonisht e tensionuar dhe e rrezikshme jo vetëm për rajonin, por edhe për të gjithë botën.”, tha Peskov.

Moska është shqetësuar gjithnjë e më shumë për trajektoren e konfliktit, pasi ka frikë se mund të humbasë një partner kyç të Lindjes së Mesme. Irani dhe Rusia nënshkruan një marrëveshje partneriteti strategjik në janar, duke thelluar bashkëpunimin që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Kur u pyet nëse Rusia do të hakmerrej nëse Khamenei do të vritej, Peskov tha se një zhvillim i tillë do të kishte pasoja të brendshme në Iran. "Do të çonte në lindjen e atmosferave ekstremiste brenda Iranit", vuri në dukje ai.

Ndërsa Trump tha se e kishte refuzuar ofertën e ndërmjetësimit të Presidentit Vladimir Putin, duke i thënë atij të ndërmjetësonte konfliktin e vet, Peskov e minimizoi këtë vërejtje.

“Presidenti Trump ka mënyrën e tij unike të të folurit dhe gjuhën e tij unike”, tha ai. “Ne jemi mjaft tolerantë dhe presim që të gjithë të jenë tolerantë ndaj nesh.”

11 MUAJ ME PARE

Tjerër sulm me raketa në Izrael! Irani shënjestron qytetetet veriore, disa të plagosur

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Foto nga vendi i ngjarjes

LINDJE E MESME- Raketat iraniane goditën disa vende në të gjithë Izraelin të premten, sipas ekipeve të zjarrfikësve dhe shpëtimit, duke bërë që të dërgoheshin ekipe për çmontimin e bombave.

Qyteti portual verior i Haifës ishte midis atyre që u goditën, si dhe distrikti më verior Dan, shtuan shërbimet e emergjencës. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale të premten treguan një re të madhe tymi që ngrihej mbi ndërtesat në Haifa.

Sipas mediave të huaja, banorët në qytetin verior izraelit të Haifës ikën për t'u fshehur në një parking nëntokësor poshtë një qendre tregtare. Bëhet me dije se të paktën 17 persona u plagosën ndërsa 3 prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë, përfshirë një djalë 16-vjeçar.

11 MUAJ ME PARE

48 orë pa internet në Iran, lidhshmëria ra në vetëm 3% të mërkurën

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Foto ilustruese

LINDJE E MESME- Në mes të një konflikti me Izraelin, iranianët ende kanë akses jashtëzakonisht të kufizuar në internet, 48 orë pasi Irani vendosi kufizime në internet.

Lidhshmëria me internetin ra në vetëm 3% të mërkurën pasdite dhe ka mbetur e ulët që atëherë, sipas të dhënave nga Netblocks, një organizatë joqeveritare që monitoron qeverisjen e internetit.

Ndërprerja e energjisë ndodhi një ditë pasi Banka Sepah e Iranit u godit nga një sulm kibernetik, të cilin e mori përsipër një grup hakerash i lidhur me Izraelin, i cili i nxori jashtë funksionit bankomatet.

Irani ka përjetuar ndërprerje të pjesshme të internetit që kur filluan sulmet izraelite një javë më parë, me numrin e njerëzve të lidhur me internetin në rënie ndërsa banorët evakuohen nga qytete të mëdha si Teherani dhe bizneset mbyllen.

11 MUAJ ME PARE

Ministri i Jashtëm i Iranit zhvillon bisedime me diplomatët kryesorë evropianë në Gjenevë

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
abbas araghchi

ZVICËR- Ministri i Jashtëm i Iranit është duke zhvilluar bisedime me diplomatët kryesorë evropianë në Gjenevë të premten, lidhur me shqetësimet për programin bërthamor të Teheranit, i cili para një jave nxiti një luftë përshkallëzuese mes Izraelit dhe Iranit.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, mbërriti në një hotel në qytetin zviceran për takimin me homologët e tij nga Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, si dhe me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Ky është takimi i parë ballë për ballë midis zyrtarëve perëndimorë dhe atyre iranianë që nga fillimi i konfliktit më 13 qershor.

Para takimit, Araghchi tha se vendi i tij “nuk ka asgjë për të biseduar” me Shtetet e Bashkuara për sa kohë Izraeli i vazhdon bombardimet ndaj Iranit, por shtoi se është i hapur për “dialog” me të tjerët, megjithëse jo për negociata.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, tha se “ka një mundësi që gjatë dy javëve të ardhshme të arrihet një zgjidhje diplomatike”.

Ai udhëtoi drejt Gjenevës pas një takimi në Uashington me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe të dërguarin e presidentit Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.

Trump është duke shqyrtuar mundësinë se a ta sulmojë Iranin, më saktësisht ndërtesën për pasurimin e uraniumit në Fordo, i cili është i mbrojtur mirë, i vendosur nën një mal dhe thuhet se është i paarritshëm nga armët tjera përveç bombave të veçanta amerikane “bunker-buster”.

Trump tha të enjten se do të vendosë brenda dy javësh nëse ushtria amerikane do të përfshihet drejtpërdrejt në luftë, duke pasur parasysh “mundësinë e konsiderueshme” për rinisjen e negociatave mbi programin bërthamor të Teheranit.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se diplomatët evropianë do t’i bëjnë Iranit një “ofertë gjithëpërfshirëse, diplomatike dhe teknike për negociata”.

Izraeli nisi fushatën ushtarake ndaj Iranit më 13 qershor, duke thënë se synon të parandalojë armikun e përbetuar nga krijimi i armëve bërthamore.

Irani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë ndaj Izraelit. Teherani thotë se programi i tij bërthamor është për qëllime civile.

Sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 657 njerëz në Iran, ndërkaq Izraeli ka raportuar për 24 viktima nga sulmet iraniane.

Izraeli ka shënjestruar objektet bërthamore dhe raketore të Iranit, me synimin për të shkatërruar Qeverinë dhe udhëheqësin suprem iranian, ajatollah Ali Khamenei, sipas zyrtarëve perëndimorë dhe rajonalë.

“A po godasim për të rrëzuar regjimin? Ndoshta ky do të jetë rezultati, por është në dorën e popullit iranian që të ngrihet për lirinë e vet”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të enjten.

Irani ka thënë se ka shënjestruar objekte ushtarake dhe të lidhura me mbrojtjen në Izrael, megjithëse po ashtu ka goditur një spital dhe disa caqe të tjera civile.

Udhëheqësi suprem i Iranit hodhi poshtë thirrjet e SHBA-ve për dorëzim të mërkurën dhe paralajmëroi se çdo përfshirje ushtarake nga ana e amerikanëve do t’u shkaktonte atyre “dëme të pariparueshme”

Në një intervistë të transmetuar të premten në televizionin shtetëror iranian, Araghchi tha se “në këtë gjendje të tanishme, derisa sulmet e regjimit sionist vazhdojnë, ne nuk jemi duke kërkuar negociata me askënd”.

Pak para takimit me diplomatët evropianë, Araghchi bëri një paraqitje të shkurtër para Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë.

Ai tha se “sulmet e Izraelit ndaj objekteve bërthamore janë krime të rënda lufte” dhe këmbënguli se “ne kemi të drejtë… dhe jemi të vendosur të mbrojmë integritetin tonë territorial, sovranitetin kombëtar dhe sigurinë me të gjithë forcën”.

Irani ka këmbëngulur prej kohësh se programi i tij bërthamor është paqësor, megjithëse ka qenë i vetmi shtet i paarmatosur me armë bërthamore që ka pasuruar uraniumin deri në 60 për qind, i cili është hap i shkurtër dhe teknik larg arritjes së shkallës së nevojshme për prodhimin e armës, që është 90 për qind.

Gjermania, Franca dhe Britania kanë luajtur rol të rëndësishëm në negociatat për marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore.

Por, ato kanë kërcënuar vazhdimisht do t’i rivendosin sanksionet që ishin hequr në kuadër të marrëveshjes, nëse Irani nuk përmirëson bashkëpunimin me vëzhguesin bërthamor të OKB-së, Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike./REL

11 MUAJ ME PARE

Presidenti Macron zbulon planin evropian për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, ja katër pikat ku bazohet propozimi

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
macron

FRANCË- Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron, njoftoi qëllimin e Francës dhe partnerëve të saj evropianë për të paraqitur sot në Gjenevë një propozim të strukturuar diplomatik ndaj Iranit për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme.

Duke folur me gazetarët në Le Bourget, pak jashtë Parisit, Macron theksoi se iniciativa evropiane synon të krijojë një dialog me Teheranin, me qëllim parandalimin e një zjarri të përgjithësuar dhe stabilizimin e rajonit.

Propozimi, sipas presidentit francez, bazohet në katër pika kryesore:

1. Rifillimi i bashkëpunimit të Iranit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), me qëllim arritjen graduale të "pasurimit zero" të uraniumit.

2. Mbikëqyrja ndërkombëtare e programit të raketave balistike të Iranit, i cili është një burim shqetësimi prej kohësh për sigurinë rajonale.

3. Kufizimi i financimit iranian për organizatat e armatosura paraushtarake që veprojnë në Liban, Gaza, Siri dhe Jemen.

4. Lirimi i shtetasve të huaj të mbajtur në burgjet iraniane, të cilët Franca dhe vende të tjera i përshkruajnë si "peng".

“Irani duhet të tregojë se është i gatshëm të ulet në tryezën e negociatave dhe t’i përgjigjet propozimit evropian”, tha Macron, duke nënvizuar se iniciativa është një përpjekje e koordinuar evropiane.

Bisedimet në Gjenevë po zhvillohen në një kohë tensionesh në rritje në rajon, me përfshirjen e Iranit që shkakton shqetësim në kryeqytetet evropiane dhe organizatat ndërkombëtare, për shkak të aktiviteteve të tij bërthamore, testeve të raketave dhe mbështetjes për milicitë pro-iraniane.

11 MUAJ ME PARE

Erdogan bisedë telefonike me Merz, paralajmëron se tensionet Izrael-Iran mund të sjellin një valë emigrantësh në Evropë

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Foto

TURQI- Presidenti turk, Tayyip Erdogan paralajmëroi se sulmet izraelite ndaj Iranit rrezikojnë të shkaktojnë një valë emigracioni drejt Evropës. Kjo deklaratë e tij ka ardhur gjatë një telefonate me kancelarin gjerman Friedrich Merz.

"Presidenti ynë deklaroi se ndikimi i këtij përshkallëzimi të dhunës të shkaktuar nga sulmet izraelite mund të dëmtojë rajonin dhe Evropën në aspektin e migrimit dhe se ekziston mundësia e një derdhjeje bërthamore", thuhet në një deklaratë të presidencës turke.

Turqia, e cila ndan një kufi prej 500 kilometrash me Iranin, nuk ka regjistruar një rritje të mbërritjeve nga Irani gjatë javës së kaluar.

"Konflikti që filloi me sulmin e Izraelit ndaj Iranit është një kërcënim i madh për sigurinë rajonale", shtoi Erdogan gjatë bisedës së tij me Merz, duke bërë thirrje për një kthim në tryezën e negociatave.

Çështja e emigrimit kishte tensionuar marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Ankarasë, e cila u akuzua për inkurajimin e refugjatëve sirianë që kërkuan strehim në territorin e saj për të vazhduar drejt Evropës. Një marrëveshje e vitit 2016 midis BE-së dhe Turqisë parashikonte që Ankaraja do të mbante një numër të madh refugjatësh sirianë në territorin e saj.

11 MUAJ ME PARE

Rusia: Nëse SHBA-ja përdor armë bërthamore në Iran do të ishte katastrofike

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
foto ilustruese

RUSI- Përdorimi i mundshëm i armëve taktike bërthamore nga Shtetet e Bashkuara në Iran do të ishte një zhvillim katastrofik. Kështu tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ruse, Tass. Peskov komentoi ato që i cilësoi si raportime spekulative mediale lidhur mundësinë e përdorimit të armëve të tilla. Por, zëdhënësi i Kremlinit nuk përmendi se cilat media kanë raportuar për këtë gjë.

Gazeta The Guardian ka raportuar se zyrtarët amerikanë të mbrojtjes janë informuar se përdorimi i bombave konvencionale kundër ndërtesës nëntokësore për pasurimin e uraniumit Fordo në Iran, nuk do të mjaftonte për ta shkatërruar plotësisht këtë impiant. Sipas gazetës, për shkatërrimin e këtij centrali do të kërkohej që të kryheshin sulme, fillimisht me bomba konvencionale, e më pas bombarduesit B-2 do të mund të lëshonin armë taktike bërthamore.

Megjithatë, gazeta britanike tha se presidenti amerikan, Donald Trump, nuk po e shqyrton përdorimin e një arme taktike bërthamore në Fordo dhe se kjo mundësi nuk është paraqitur nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Dan Caine, gjatë takimeve në Shtëpinë e Bardhë.

Trump tha të enjten se çdo vendim për përfshirjen e mundshme të SHBA-së në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit do të merret brenda dy javësh. Rusia, e cila ka lidhje të ngushta me Iranin, ka paralajmëruar ashpër kundër një ndërhyrjeje ushtarake të SHBA-së në anën e Izraelit.

11 MUAJ ME PARE

Maersk pezullon përkohësisht ndalesat e anijeve në portin e Haifës, shkak tensionet mes Iranit dhe Izraelit: Rrezikohet siguria e ekuipazheve

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Foto

IRAN- Gjigandi danez i transportit detar, Maersk njoftoi se po pezullon përkohësisht ndalesat e anijeve në portin e Haifës në Izrael për shkak të konfliktit të vendit me Iranin. Maersk thotë se mori vendimin pas analizës së kujdesshme të raporteve të rrezikut dhe kërcënimeve të vazhdueshme midis Izraelit dhe Iranit.

Më tej në njoftim Maersk thekson se ky konflikt rrezikon sigurinë e ekuipazheve të anijeve të tyre. Haifa dhe zona përreth kanë pësuar sulme të përsëritura me raketa balistike nga Irani gjatë javës së kaluar. Nga sulmet shumë ambasada të huaja janë mbyll të ndër të cilat më e fundit ajo e Australisë.

11 MUAJ ME PARE

A mund të jetë ndërhyrja ushtarake në Iran rrugë e suksesshme për ndryshimin e regjimit?

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
foto ilustruese

IRAN- Çështja nëse synimi i Izraelit në luftën me Iranin ka të bëjë më shumë se thjesht me rrënimin e infrastrukturës bërthamore dhe raketore të Teheranit, pra ndryshimin e regjimit, është bërë tema kryesore e debatit mes analistëve dhe vëzhguesve.

Derisa udhëheqësit izraelitë nuk e kanë deklaruar haptazi ndryshimin e regjimit si qëllim të tyre, retorika nga kryeministri Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të lartë e kombinuar me shkallën dhe intensitetin e operacioneve të fundit nënkupton se përmbysja e republikës islamike mund të jetë synim i nënkuptuar ose aspirues.

Kritikët paralajmërojnë se një strategji e tillë mbart rreziqe të mëdha: përshkallëzim rajonal, pasoja të paqëllimshme politike dhe mundësia e fuqizimit të elementëve edhe më radikalë brenda udhëheqjes iraniane. Ata argumentojnë se përpjekja për ta rindërtuar me forcë rendin politik të Iranit është një lojë me rrezik të lartë dhe pa garanci për sukses.

Mbështetësit e një qasjeje më agresive, megjithatë, pohojnë se republika islamike është më e dobët se kurrë.

Ata nënvizojnë pakënaqësitë e vazhdueshme publike dhe izolimin në rritje ndërkombëtar, duke këmbëngulur se këto kushte përbëjnë mundësi të rrallë për të ndihmuar në rënien e regjimit. Sipas tyre, trysnia e qëndrueshme nga jashtë mund të jetë faktor vendimtar për të sjellë ndryshimin e shumëdëshiruar.

Se a mund të sjellë ndryshim regjimi në Iran ndërhyrja ushtarake mbetet çështje shumë e diskutueshme – si në qarqet politike ashtu edhe mes vetë iranianëve.

Në vitet e fundit, vendi ka përjetuar valë të përsëritura protestash mbarëkombëtare, më e theksuara ajo e vitit 2022 pas vdekjes së Mahsa Amini në paraburgim policor.

Ajo lëvizje, e cila u bashkua rreth sloganit “Grua, Jetë, Liri”, u përhap me shpejtësi në dhjetëra provinca dhe gjeti mbështetje nga segmente të ndryshme të shoqërisë. Ajo u përball me një shtypje të ashpër: sipas organizatave për të drejtat e njeriut, mbi 550 protestues u vranë dhe më shumë se 20.000 u arrestuan.

Protestat zbuluan pakënaqësinë e thellë publike dhe treguan brishtësinë e regjimit. Por, ato gjithashtu nënvizuan qëndrueshmërinë – dhe gatishmërinë për përdorim force të pakufizuar – të aparatit të sigurisë së Iranit, duke theksuar sfidat në të cilat has çdo përpjekje për të rrëzuar republikën islamike nga brenda.

Disa analistë argumentojnë se trysnia ushtarake nga jashtë mund të krijojë hapësirë për opozitën iraniane.

Por, edhe përkrahësit e ndryshimit të regjimit, e pranojnë se sulmet ajrore nuk mjaftojnë.

“Ne flasim shumë për ndryshimin e regjimit, por nuk kemi investuar vërtet në një fushatë për të zgjeruar komunikimin, për të krijuar një fond, për të bërë të gjitha ato gjëra që do t’i jepnin opozitës iraniane hapësirën për të marrë frymë, për t’u organizuar dhe mobilizuar kundër regjimit”, tha Ilan Berman, nënkryetar i Këshillit Amerikan për Politikë të Jashtme dhe anëtar bordi i Radios Evropa e Lirë (REL).

Duke folur për Radio Farda të REL-it, ai e quajti këtë punë përgatitore “parakusht të domosdoshëm që iranianët të ndihen të sigurt për t’u ngritur në mënyrë të qëndrueshme”.

Pa përpjekje të tilla, kritikët paralajmërojnë, ndërhyrja ushtarake rrezikon të sjellë efekt të kundërt – duke forcuar linjën e ashpër dhe duke larguar iranianët e zakonshëm.

Për shumë iranianë, dallimi midis republikës islamike dhe kombit është thelbësor.

“Kjo nuk është një luftë mes Izraelit dhe Iranit, por mes Izraelit dhe republikës islamike. Iranianët kanë kërkuar ndryshim regjimi prej vitesh dhe në fund, midis Iranit dhe republikës islamike, vetëm njëri do të mbetet”, tha Hamed Sheibani-Rad, anëtar i lartë i Partisë Iran Novin, me seli jashtë vendit.

“Njerëzit e dinë shumë mirë që kjo mundësi e dhënë nga Izraeli mund të mos u vijë më kurrë”, shtoi ai, duke pasqyruar pikëpamjen e disa njerëzve se trysnia nga jashtë mund të përshpejtojë ndryshimin e shumëpritur.

Të tjerë, megjithatë, paralajmërojnë se ndërhyrja nga jashtë – sidomos kur sjell viktima civile ose godet infrastrukturë të rëndësishme për jetën e përditshme – mund të dëmtojë legjitimitetin e pakënaqësisë së brendshme.

“Kritikat ndaj republikës islamike janë çështje e brendshme. Populli i Iranit është i vetëdijshëm dhe nuk ka nevojë për një kujdestar jashtë vendit, sidomos jo dikë si Netanyahu”, tha analisti i mbrojtjes me bazë në SHBA, Hossein Arian, në një intervistë për Radio Farda.

Ai argumentoi se sulmet izraelite në fund të fundit godasin pasuri që “u përkasin njerëzve iranianë,” duke përshkruar republikën islamike si “asgjë më shumë se një qiramarrës”.

Derisa legjitimiteti i republikës islamike duket gjithnjë e më i brishtë – i dëshmuar nga pjesëmarrja e ulët në zgjedhje dhe trazirat e vazhdueshme – shumica e vëzhguesve pajtohen se ndryshimi i qëndrueshëm do të duhet të vijë përfundimisht nga brenda.

Ndërhyrja e jashtme ushtarake mund të ndikojë në ritmin apo natyrën e atij ndryshimi, por se a mund ta nisë atë, mbetet çështje thellësisht e pasigurt./REL

11 MUAJ ME PARE

Bisedimet në Gjenevë, ministri Araghchi: SHBA është partner në krimin izraelit kundër Iranit! Duan të kthehen në tryezën e negociatave për programin bërthamor por Teherani e ka refuzuar

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Abbas Araghchi,

GJENEVË- Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, i tha televizionit shtetëror iranian se Teherani nuk do të zhvillojë bisedime me asnjë palë derisa Izraeli të ndalojë sulmet ndaj Republikës Islamike. Araghchi pritet të takohet sot me ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë në Gjenevë për të diskutuar për uljen e tensioneve me Izraelin.

Ai gjithashtu pohoi se SHBA-të duan të kthehen në tryezën e negociatave për të diskutuar programin bërthamor të Iranit, por se Teherani e ka refuzuar kërkesën. Ministri shtoi se nuk ka vend për negociata me SHBA-në derisa të ndalet agresioni izraelit. Ai ka akuzuar SHBA-në se është partner në krimin izraelit kundër Iranit.

11 MUAJ ME PARE

Konflikti në Lindjen e Mesme/ Irani paralajmëron: Nuk ka vend për negociata me SHBA-në derisa të ndalen sulmet izraelite

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Abbas Araghchi

IRAN- Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar për televizionit shtetëror se nuk ka vend për negociata me SHBA-në derisa të ndalet agresioni izraelit. Araghchi ka mbërritur në Gjenevë, Zvicër, për një takim me ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilët po kërkojnë të krijojnë një rrugë kthimi në diplomaci për të çtensionuar konfliktin mbi programin bërthamor të Iranit.

Në komente të mëtejshme për televizionin shtetëror, Araghchi tha se bisedimet zvicerane do të përqendrohen në çështjet bërthamore dhe rajonale. Ai shtoi se programi i raketave balistike të Teheranit ishte i panegociueshëm. Takimi i planifikuar është përpjekja e parë e madhe diplomatike që kur Izraeli nisi sulmet ndaj Iranit javën e kaluar. 

11 MUAJ ME PARE

Izraeli paralajmëron Hezbollahun kundër përfshirjes në konflikt

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Katz

IZRAEL- Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka paralajmëruar grupin libanez Hezbollah që të jetë i kujdesshëm, duke shtuar se durimi i Izraelit ndaj “terroristëve” që e kërcënojnë është shteruar.

Hezbollahu është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka në listën e zezë krahun ushtarak të grupit libanez, por jo edhe partinë politike. Kreu i Hezbollahut, Naim Qassemi, tha një ditë më parë se grupi libanez do të veprojë si ta vlerësojë, në dritë të asaj që e quajti “agresion brutal izraelito-amerikan” kundër Iranit.

Në një deklaratë tjetër të bërë javën e kaluar, Hezbollahu nuk bëri ndonjë zotim të qartë lidhur me bashkimin me Iranin në konfliktin kundër Izraelit. Ky grup libanez bën pjesë në të ashtuquajturin “Bosht i Rezistencës” – një rrjet i bashkëpunëtorëve rajonalë të Iranit, ku përfshihen grupe milicie, por edhe Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Hezbollahu dhe Izraeli zhvilluan një luftë njëvjeçare, që përfundoi me një armëpushim të arritur në nëntor të vitit të kaluar. Por, pavarësisht armëpushimit, Izraeli vazhdon të kryejë sulme ndaj caqeve të Hezbollahut në Liban. Ndryshe, Izraeli nisi sulmet kundër Iranit më 13 qershor, duke rritur frikën për përhapjen e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Izraeli ka thënë se fushata ushtarake synon ta parandalojë Iranin që të ketë armë bërthamore. Irani menjëherë është kundërpërgjigjur me sulme raketore dhe me dronë, ndërsa vazhdimisht ka hedhur poshtë pretendimet se synon të ketë armë bërthamore. Teherani ka thënë se programi i tij bërthamor është për qëllime civile./ REL

11 MUAJ ME PARE

Tensionet në Lindjen e Mesme, ambasadorja izraelite: Kosova është në kontakt me qytetarët e saj në Izrael! Po ofrohet ndihmë për largimin e tyre

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Foto ilustruese

KOSOVË- Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv ka konfirmuar se institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët që aktualisht ndodhen në Izrael pas përshkallëzimit të situatës së sigurisë në rajon. Ziv ka deklaruar se shefja e Misionit të Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, Ines Demiri është në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët e Kosovës që ndodhen në Izrael.

“Zonja. Ines Demiri, është në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët kosovarë që ndodhen në Izrael, si dhe me Ministritë e Punëve të Jashtme të Izraelit dhe të Kosovës, dhe ata po ndihmojnë të gjithë qytetarët kosovarë që janë të interesuar të largohen nga vendi ose që kanë nevojë për lloje të tjera ndihme”,  ka bërë të ditur ambasadorja Ziv.

Tensionet mes Izraelit dhe Iranit kanë krijuar shqetësime të mëdha për stabilitetin rajonal dhe sigurinë e civilëve në Lindje të Mesme. Sot është dita e tetë që dy vendet vijojnë sulmet me raketa në objekte me rëndësi që kanë sjellë viktima të shumta.

11 MUAJ ME PARE

U raportua javën e kaluar se u vra nga sulmet e Izraelit, mediat iraniane pretendojnë se këshilltari i lartë i Khameneit është gjallë: Po shërohet nga plagët e rënda!

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Ali Shamkhani

IRAN- Media shtetërore iraniane pretendon se Ali Shamkhani, një këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, është gjallë dhe po shërohet nga plagët e rënda në një spital, pavarësisht raportimit javën e kaluar se ai ishte vrarë në një sulm izraelit.

Disa media, përfshirë Agjencinë e Lajmeve Fars të kontrolluar nga IRGC-ja dhe agjencinë gjysmëzyrtare të lajmeve Mehr, publikuan një deklaratë që i atribuohet Shamkhanit. Javën e kaluar, të njëjtat agjenci raportuan se ai ishte vrarë në valën e parë të sulmeve ajrore të Izraelit më 13 qershor.

"Jam gjallë dhe gati të sakrifikoj veten," thuhet në deklaratën që i atribuohet Shamkhanit.

Mediat pretendojnë se ai po shërohet nga plagët e rënda të marra në sulmin izraelit dhe se është në gjendje të qëndrueshme.

11 MUAJ ME PARE

Emigruan drejt Izraelit për të trajtuar vajzën e mitur me leuçemi, 5 pjesëtarët e familjes ukrainase humbin jetën nga sulmet iraniane

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
E mitura

IZRAEL- Një familje e tërë ukrainase u shfaros gjatë natës së së shtunës kur një raketë iraniane goditi një kompleks banesash në qytetin bregdetar të Bat Yam, pranë Tel Avivit . Emrat e pesë anëtarëve të familjes, të cilët kishin emigruar në Izrael për arsye mjekësore, u publikuan të mërkurën.

Familja ukrainase kishte mbërritur në Izrael në dhjetor 2022 në një përpjekje të dëshpëruar për të shpëtuar jetën e vajzës së tyre 7-vjeçare, Nastya Buryk, e cila vuante nga leuçemia akute limfoblastike. Pavarësisht shpresave fillestare dhe një përgjigjeje të pjesshme ndaj trajtimeve, sëmundja u rikthye dhe u përkeqësua, me një transplant të kohëve të fundit të palcës së kockave që dështoi të ndalonte përhapjen e saj.

Nastya u vra së bashku me nënën e saj, Maria Peskorova, 30 vjeç, gjyshen e saj, Lena Peskorova, 60 vjeç, dhe dy nipërit. Fëmijët ndiqnin një shkollë në Bat Yam dhe jetonin me familjen, pasi gjyshja e tyre i solli në Izrael për të ndihmuar vajzën dhe mbesën e saj.

Babai i Nastyas, Artem Buryk, shërben në Brigadën Sulmuese të Ushtrisë Ukrainase dhe aktualisht është në vijën e frontit kundër Rusisë. Burri i Lenës, gjyshi i Nastyas, gjithashtu nuk mundi të udhëtonte për në Izrael për shkak të luftës në vendin e tij.

11 MUAJ ME PARE

Anija e parë turistike që transportonte izraelitë të bllokuar nga portet e Qipros mbërriti në Ashdod

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Foto

IZRAEL- Anija e parë turistike "Mano Maritime" që solli izraelitët e bllokuar nga Qiproja, në koordinim me Ministrinë e Transportit, mbërriti në Izrael herët këtë mëngjes. Rreth 2,000 pasagjerë ishin në anijen luksoze Crown Iris për udhëtimin e saj nga Limasoli në Qipro në portin e Ashdodit në Izraelin jugor.

Ministrja e Transportit Miri Rege, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Ministrisë së Transportit Moshe Ben Zaken, kryetarin e portit të Ashdodit Shaul Schneider dhe zyrtarë të tjerë, i mirëpritën të kthyerit me mbërritjen e tyre në port.

“Operacioni Kthim i Sigurt është një mision kombëtar”, thotë Regev. “Ne vazhdojmë të punojmë fuqishëm, me të gjitha mjetet dhe mjetet, për t’i kthyer qytetarët izraelitë në shtëpi të sigurt.”

Rreth 50 autobusë dhe minibusë po prisnin në port për të transportuar falas pasagjerët që mbërrinin në stacionin e trenit të Ashdodit dhe në Beer-Sheba, Tel-Aviv dhe Jerusalem. Ministria e Transportit thekson se hapësira detare mbetet e hapur dhe operacionet e riatdhesimit janë duke vazhduar, me kusht miratimin e zyrtarëve të mbrojtjes për të ruajtur sigurinë e pasagjerëve.

"Ky është një operacion kompleks logjistik i kryer në bashkëpunim të plotë midis të gjitha autoriteteve," thotë Ben Zaken. "Kroçera Mano është e para, por jo e fundit - pritet që pasagjerë të tjerë të kthehen në këtë rrugë në ditët në vijim".

Drejtori ekzekutiv i portit të Ashdodit, Nissan Levi, shton se gjatë këtyre ditëve, punonjësit e portit po vazhdojnë të punojnë pa u lodhur midis sirenave për të përmbushur nevojat e ekonomisë izraelite dhe për të pritur anijet e riatdhesimit me përkushtim dhe përgjegjësi. 

11 MUAJ ME PARE

Natë "ferri" në Iran dhe Izrael/ Dhjetëra sulme në zemrën e industrisë iraniane të mbrojtjes (FOTO+VIDEO)

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
foto ilustruese

IRAN- Zemra industriale e Iranit u godit nga dhjetëra sulme nga ushtria izraelite gjatë natës. Në veçanti, Forcat Mbrojtëse të Izraelit njoftuan se kishin kryer sulme ndaj dhjetëra objektivave ushtarake në Iran, përfshirë një sulm ndaj Organizatës së Inovacionit dhe Kërkimit në Mbrojtje (SPND), e cila, sipas tyre, është e përfshirë në zhvillimin e armëve bërthamore të Iranit.

 


Më shumë se 60 avionë luftarakë morën pjesë në sulme, duke shënuar dhjetëra goditje, sipas ushtrisë. IDF thotë se objektivat përfshinin disa uzina industriale të prodhimit të raketave në Teheran, të cilat kishin shërbyer si zemra industriale e Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit.

"Midis objektivave ishin objektet ushtarake-industriale që prodhonin komponentë raketash dhe objekte për prodhimin e lëndëve të para të përdorura në derdhjen e motorëve të raketave", tha IDF.

Sulmet goditën gjithashtu zyrat e programit bërthamor të SPND-së, sipas ushtrisë, një vendndodhje që ishte shënjestruar tashmë gjatë konfliktit.


"SPND vepron si një qendër kërkimore dhe zhvillimi për teknologji të përparuara dhe sisteme armësh për aftësitë ushtarake të regjimit iranian. U themelua në vitin 2011 nga Mohsen Fakhrizadeh, themeluesi i programit të armëve bërthamore të Iranit", thuhet në deklaratën ushtarake.

Një tjetër vend i sulmuar ishte përdorur për të prodhuar një komponent thelbësor për programin e armëve bërthamore të regjimit. Ndërkohë, një sulm me raketa iraniane shkaktoi dëme në Beersheba, në Izraelin jugor, me zjarre dhe tym të dukshëm në vendin e sulmit. Shërbimet izraelite të emergjencës njoftuan se të paktën pesë persona u plagosën lehtë në sulm, sipas kanalit izraelit N12.

 


Ushtria izraelite shpalli alarm dhe aktivizoi sirenat e mbrojtjes ajrore në zona të ndryshme të vendit në agim, pas një lëshimi të ri rakete nga Irani. Pak kohë më vonë, alarmi mori fund dhe banorët ikën nga strehimoret e tyre. Ndërhyrja e një rakete iraniane në zonën e Beer Sheva shkaktoi një zjarr pranë një parku teknologjik ku ndodhet një zyrë e Microsoft.

Policia izraelite tha se mori njoftime për municione që binin në Qarkun Jugor të vendit, duke shtuar se pati dëme materiale, por nuk u raportuan viktima. Shpërthim në rezidencën e ambasadorit norvegjez në Tel Aviv. Ndërkohë, Ministria e Jashtme Norvegjeze njoftoi të enjten në mbrëmje se një shpërthim ndodhi në rezidencën e ambasadorit norvegjez në periferi të Tel Avivit, Herzliya.

"Jemi në kontakt me ambasadën sonte. Asnjë anëtar i stafit të ambasadës nuk u lëndua", tha Ministria e Jashtme Norvegjeze në një deklaratë.

11 MUAJ ME PARE

Konflikti Izrael-Iran hyn në javën e dytë/ Evropa synon një zgjidhje diplomatike

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
foto ilustruese

IZRAEL- Konflikti ajror mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në javën e dytë më 20 qershor, teksa zyrtarët evropianë po tentojnë ta kthejnë Teheranin në tavolinën e negociatave, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se një vendim potencial për përfshirjen amerikane do të merret brenda dy javësh.

Izraeli nisi fushatën ushtarake ndaj Iranit më 13 qershor, duke thënë se synon të parandalojë armikun e përbetuar nga krijimi i armëve bërthamore. Irani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë ndaj Izraelit. Teherani thotë se programi i tij bërthamor është për qëllime civile.

Sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 224 persona në Iran, ndërkaq Izraeli ka raportuar për 24 viktima nga sulmet iraniane.

Izraeli ka shënjestruar aftësitë bërthamore dhe raketore të Iranit, me synimin për të shkatërruar qeverinë dhe udhëheqësin suprem iranian, ajatollah Ali Khamenei, sipas zyrtarëve perëndimorë dhe rajonalë.

“A po godasim për të rrëzuar regjimin? Ndoshta ky do të jetë rezultati, por është në dorën e popullit iranian që të ngrihet për lirinë e vet”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të enjten.

Irani ka thënë se ka shënjestruar objekte ushtarake dhe të lidhura me mbrojtjen në Izrael, megjithëse po ashtu ka goditur një spital dhe disa caqe të tjera civile.

Me asnjërën palë që nuk po tërhiqet, ministrat e Jashtëm të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, së bashku me shefen për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, pritet të takohen të premten në Gjenevë me ministrin e Jashtëm iranian, në përpjekje për të ulur tensionet.

“Tani është koha t’i japim fund skenave të rënda në Lindjen e Mesme dhe të parandalojmë një përshkallëzim rajonal që nuk do t’i sillte dobi askujt”, tha sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, para takimit të përbashkët me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araqchi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjithashtu u takua me Lammyn të enjten dhe zhvilloi biseda të ndara telefonike me homologët e tij nga Australia, Franca dhe Italia për të diskutuar rreth konfliktit.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Rubio dhe ministrat e Jashtëm u pajtuan që “Irani nuk mund të zhvillojë asnjëherë apo të posedojë armë bërthamore”.

Lammy tha të njëjtën gjë përmes një postimi në X, duke shtuar se situata në Lindjen e Mesme “mbetet e rrezikshme” dhe se tani “ekziston mundësia që brenda dy javësh të arrihet një zgjidhje diplomatike”.

Shtëpia e Bardhë tha se Trump do të marrë pjesë në takimin e sigurisë kombëtare mëngjesin e së premtes. Presidenti amerikan e ka kërcënuar Teheranin, por gjithashtu ka bërë thirrje për rinisjen e bisedimeve bërthamore mes Uashingtonit dhe Teheranit, që u pezulluan për shkak të konfliktit.

Në agimin e së premtes, ushtria izraelite lëshoi një paralajmërim të ri për një breshëri raketash të lëshuara nga Irani. Të paktën njëra prej tyre goditi drejtpërdrejt në Ber Sheva, qytetin më të madh në jug të Izraelit, që ka qenë shënjestër e sulmeve ditët e fundit.

Raketa goditi pranë ndërtesave të banimit, zyrave dhe objekteve industriale, duke shkaktuar dëme materiale.

“Kishte një goditje të drejtpërdrejtë pranë njërës prej banesave. Dëmet këtu janë mjaft të mëdha”, tha mjeku Shafir Botner.

Transmetuesi publik izraelit, Kan, publikoi pamje të makinave të përfshira nga zjarri, shtëllunga tymi dhe dritare të thyera nëpër strehimore.

Të paktën gjashtë persona u plagosën lehtë nga sulmet, tha Botner, i cili ishte në grupin e parë të mjekëve të emergjencës që dolën në vendngjarje.

Ushtria izraelite tha se ka kryer disa sulme ajrore gjatë natës në zemër të kryeqytetit iranian, Teheran. Ushtria tha se sulmet shënjestruan objekte për prodhimin e raketave dhe objekte për kërkimin dhe zhvillimin e armëve bërthamore./REL

11 MUAJ ME PARE

OKB: Konflikti Iran-Izrael do të diskutohet urgjentisht sot në Këshillin e Sigurimit

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
foto ilustruese

SHBA- Armiqësitë e vazhdueshme midis Iranit dhe Izraelit janë tema e diskutimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i cili po mblidhet sot në seancë urgjente në Nju Jork. Takimi, sot në orën 10:00 do të mbahet nën temën "Kërcënimet për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare". Kërkesa për të thirrur takimin u mbështet gjithashtu nga Algjeria, Kina, Pakistani dhe Rusia. Irani dhe Izraeli pritet të marrin pjesë në takim sipas rregullit 37 të Rregullores së Punës së Këshillit.

Në takimin e sotëm informues, pritet që shtetet anëtare të përsërisin qëndrimet që shprehën në takimin e 13 qershorit 2025. Gjithashtu zëvendëssekretarja e Përgjithshme e OKB-së për Çështjet Politike dhe të Ndërtimit të Paqes, Rosemary DiCarlo, kishte theksuar se një zgjidhje paqësore përmes negociatave mbetet rruga më e mirë për të siguruar natyrën paqësore të programit bërthamor të Iranit, duke paralajmëruar për një shpërthim të afërt me pasoja të mëdha globale.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, kishte theksuar se objektet bërthamore nuk duhet të jenë kurrë shënjestër, duke paralajmëruar për pasoja serioze për sigurinë bërthamore, mbrojtjen dhe paqen ndërkombëtare.

Algjeria, Pakistani dhe Rusia e dënuan sulmin izraelit si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, mbështetën të drejtën e Iranit për vetëmbrojtje dhe kundërshtuan se diplomacia është shteruar, duke iu referuar bisedimeve të vazhdueshme Iran-SHBA.

Franca dhe Mbretëria e Bashkuar theksuan se Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore, ndërsa bënë thirrje për ulje të tensioneve, përmbajtje dhe rifillim të përpjekjeve diplomatike, një kërkesë që u miratua edhe nga anëtarët e tjerë.

SHBA-të miratuan vlerësimin e Izraelit se veproi në vetëmbrojtje dhe konfirmuan se kishin marrë paralajmërim për operacionin, por theksuan se nuk morën pjesë dhe se përparësia e tyre mbetet mbrojtja e personelit dhe interesave të tyre në rajon.

11 MUAJ ME PARE

Konflikti në Lindjen e mesme/ Peskov: Ndryshimi i regjimit në Iran do të ishte i papranueshëm

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Dmitry Peskov

MOSKË- Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka përshkruar mundësinë e ndryshimit të regjimit në Iran si të papranueshme, duke paralajmëruar se kjo do të çonte në lindjen e ndjenjave ekstremiste në vend. Siç theksoi Peskov në një intervistë me Sky News të premten vrasja e udhëheqësit suprem të vendit do të hapte kutinë e Pandorës.

I pyetur se si do të reagonte Rusia nëse Izraeli, me ndihmën e SHBA-së, do të vriste Ajatollah Ali Khamenein e Iranit, Peskov tha: “Shumë negativisht, ne do ta dënonim fuqimisht atë. Kjo do të çojë në veprime që do të vijnë nga brenda Iranit. Do të çojë në lindjen e ndjenjave ekstremiste në Iran, dhe ata që flasin për vrasjen e Khameneit duhet ta mbajnë mend këtë."

Peskov deklaroi gjithashtu se ndryshimi i regjimit në Iran është i paimagjinueshëm. Duhet të konsiderohet i papranueshëm, madje edhe diskutimi i tij duhet të konsiderohet i papranueshëm nga të gjithë. Vlen të përmendet se Rusia dhe Irani mbajnë lidhje të ngushta diplomatike dhe ushtarake, një marrëdhënie që është forcuar që nga lufta në Ukrainë.

11 MUAJ ME PARE

Irani emëron kreun e ri të inteligjencës së Gardës Revolucionare pas vrasjes së Mohammad Kazemi

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Garda

IRAN- Irani ka emëruar Gjeneral Brigade Majid Khadami si kreun e ri të shërbimit të inteligjencës së Gardës Revolucionare, duke zëvendësuar Mohammad Kazemi, i cili u vra në një sulm ajror izraelit të dielën.

Ish-shefi i inteligjencës së IRGC-së, Kazemi, u vra të dielën, më 15 qershor, së bashku me dy oficerë të tjerë të lartë të inteligjencës, Hassan Moayegh dhe Mohsen Bagheri, në një sulm ajror izraelit.

Gjeneral Major Pakpour kërcënoi të premten e kaluar se "portat e ferrit" do të hapeshin dhe Izraeli do të përballej me "pasoja katastrofike" pas sulmeve ajrore të pashembullta dhe operacioneve tokësore shkatërrimtare ose sabotuese që nisi në tokën iraniane.

11 MUAJ ME PARE

"Izraeli po bën punët e pista për të gjithë ne"/ Merz shkakton debate me deklaratën e tij në grupin parlamentar të SPD-së

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
 Friedrich Merz

GJERMANI- Kancelari gjerman Friedrich Merz ka shkaktuar debate të shumta me deklaratën e tij se "Izraeli po bën punët e pista për të gjithë ne në Iran". "Ky togfjalësh, ka shkaktuar acarim në grupin parlamentar të SPD-së", thotë eksperti i politikës së jashtme Adis Ahmetoviq për portalin "ZDFheute.de".

Kundërshtime të forta erdhën edhe nga të Gjelbrit, Partia e Majtë dhe aleanca e Sahra Wagenknecht. Ndërsa kancelari i sheh pikëpamjet e tij si të justifikuara nga reagimet.

"Kjo deklaratëmori miratim në masë të madhe", tha Merz nëBerlin. Kishte vetëm disa zëra kritikë që ai nuk pranoi t'i komentonte. Kritikët e Merz i referohen një fraze në një intervistë për ZDF në margjinat e samitit të G7 në Kanada.

Moderatorja Diana Zimmermann përdori në fakt fjalën "punë të pista" në pyetjen e saj dhe Merz e përmendi atë: "Zonja Zimmermann, jam mirënjohëse ndaj jush që përdorët termin "punë e pistë". "Kjo është puna e pistë që Izraeli bën për të gjithë ne. Ne jemi gjithashtu të prekur nga ky regjim. Ky regjim mullahësh ka sjellë vdekje dhe shkatërrim në botë", tha Merz. Ai shprehu "respektin më të madh" që ushtria dhe qeveria izraelite "patën guximin ta bënin këtë".

Deklaratë "e çutitshme"

Politikani i SPD-së, Ahmetoviq, zëdhënës i politikës së jashtme për grupin e tij parlamentar, u distancua nga kjo deklaratë e kancelarit: "Qëllimi kryesor në këtë situatë shumë të ndjeshme është deeskalimi. Toni i kancelarit nuk është shumë i dobishëm në këtë pikë", tha ai.

Kolegu i tij i SPD-së, Ralf Stegner, i tha Der Spiegel: "Kur kancelari thotë se Izraeli po bën punën tonë të pistë në Iran, kjo është më shumë se e çuditshme."

"Komente injorante"

Opozita ishte edhe më e qartë. Raportuesja e të Gjelbërve përLindjen e Mesme dhe Iranin, Luise Amtsberg, kritikoi si zgjedhjen e fjalëve ashtu edhe përmbajtjen e deklaratës së Merz. Ajo tha: "Në vend të komenteve cinike dhe injorante nga kancelari, pres që Qeveria federale të bëjë gjithçka që mundet për të ulur shkallëzimet në këtë situatë të tensionuar."

Politikani i Partisë së Gjelbër, Anton Hofreiter, i tha Welt TV: "E konsideroj zgjedhjen e fjalëve të ngathët." Në Iran, 80 deri në 90 për qind e njerëzve janë kundër regjimit islamist, por shtoi se "nga sulmet e Izraelit në Iran po vdesin edhe civilët".

Pellmann: "Një skandal"

Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Majtë, Sören Pellmann, kritikoi edhe më ashpër: "Fakti që kancelari Merz tani po e hedh poshtë ligjin ndërkombëtar dhe po përqafon logjikën shkatërruese të 'të drejtës së më të fortit' është një skandal dhe dëmton në mënyrë masive reputacionin e Gjermanisë në Kombet e Bashkuara dhe më gjerë".

Deklaratat e Merz ishin një refuzim i sundimit të ligjit dhe normave ndërkombëtare. "Shumica prej nesh ndoshta ende nuk e dinë se ku mund të përfundojë kjo", tha Pellmann për dpa.

AfD: "Mungesë respekti dhe dëmtim"

AfD e quajti deklaratën e Merzit si "mungesë respekti dhe dëmtuese për reputacionin e Gjermanisë". "Kontributi aktiv në luftë nuk është në interes të Gjermanisë apo të Evropës", kumtuan Alice Weidel dhe Tino Chrupalla.

"Politikanët e Evropës duhet të mbrojnë qytetarët e tyre nga efektet negative të konfliktit në Lindjen e Mesme, siç janë lëvizjet e migracionit ose sulmet dhe të kontribuojnë me diplomaci në vendosjen e paqes."

BSW: "Standarde të dyfishta"

Kryetarja e BSW, Sahra Wagenknecht, foli për një deklaratë të paprecedentë. Merz "legjitimon në mënyrë të paturpshme një luftë agresioni që shkel ligjin ndërkombëtar, e cila tashmë ka marrë jetën e qindra civilëve në Iran", tha Wagenknecht. Kjo është një thyerje e traditës së moderimit të politikës së jashtme.

Deklaratat e Merz shkaktuan mosbesim edhe në komunitetin gjermano-iranian.

"Z. Merz, Ju nuk jeni prekur fare nga ky regjim. Para së gjithash, ata që preken janë 80 milionë njerëzit në Iran që kanë jetuar nën shtypjen vdekjeprurëse të këtij regjimi për 46 vjet", shkroi gazetarja Gilda Sahebi në Instagram. Ajo shtoi se qeveria izraelite nuk po bënte "punën e pistë"; ​​kjo ishte puna e shumë njerëzve që po i rezistonin atyre në pushtet. "Këta njerëz tani po bombardohen."/DW

11 MUAJ ME PARE

Konflikti Iran-Izrael/ DW: A ka diplomacia ende një shans?

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
foto ilustruese

IRAN- Në Gjenevë takohen të premten (20.06.) ministrat e Jashtëm të të ashtuquajturit "E3" - Gjermania,  Franca  dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilët diskutojnë të ardhmen e programit bërthamor iranian me homologun e tyre iranian, Abbas Araghchi. Pritet që të marrë pjesë edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul foli në programin gjerman të ARD-së rreth kërcënimit që paraqet Irani,  i cili prek jo vetëm Izraelin,  por "edhe ne". Ndërsa Irani kohët e fundit e ka ngadalësuar programin e tij bërthamor, pasurimi "padyshim ka vazhduar" dhe është "shumë mbi nivelet civile". Pra, çfarë roli ndërmjetësues mund të luajë Gjermania dhe çfarë pritjesh kanë ministrat e E3 në Gjenevë?

Röttgen: "Ndryshim i vërtetë" në politikën e Lindjes së Mesme

Norbert Röttgen, nënkryetar i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, i cili shpesh e kishte kritikuar qeverinë e koalicionit të mëparshëm gjerman për politikën e saj të paqëndrueshme ndaj Iranit, e sheh tani Gjermaninë në një "pozicion të qartë". Kancelari Merz ka "marrë drejtimin" dhe e ka bërë të qartë se rreziku buron nga Irani, pasi ky vend po përpiqet të bëhet një fuqi bërthamore.

Kjo është një pikë thelbësore dhe "ndryshim i vërtetë nga politika e mëparshme në Lindjen e Mesme", tha Röttgen. Por nëse do të ketë edhe një ndryshim të vërtetë në në negociata në Gjenevë mbetet e paqartë.

Po pse të vazhdojnë negociatat kur diplomacia nuk ka qenë në gjendje ta ndalojë programin bërthamor të Iranit në të kaluarën? "Ne duhet të provojmë se jemi ende të aftë të zgjidhim konfliktet në këtë botë në mënyrë diplomatike", thotë zëdhënësi i politikës së jashtme të SPD-së, Adis Ahmetoviç. Regjimi iranian duhet të rikthehet në tryezën e negociatave. Gjermania gëzon besim të madh në Lindjen e Mesme, edhe për shkak të rolit të saj në negociatat për marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, sipas Ahmetoviç.

Gjermania luajti një rol kyç në arritjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin dhjetë vjet më parë. Përveç vendeve të E3, pjesë e grupit negociator në atë kohë ishin gjithashtu SHBA-të, Rusia dhe Kina.

Trump do "kapitullim pa kushte"

Politikani i Partisë së Gjelbër dhe Zvendëspresidenti i Bundestagut, Omid Nouripour, tha për programin e mëngjesit të ARD, se i konsideron përpjekjet diplomatike "shumë të mira dhe të rëndësishme". Ai beson se ky mund të jetë shansi i fundit "për të parandaluar shpërthimin e madh". Ai vetë erdhi në Gjermani me familjen e tij nga Irani në moshën 13 vjeç.

Po ndërsa evropianët duan të flasin për programin bërthamor të Iranit që të përdoret vetëm për qëllime civile, Presidenti i SHBA-së Trump foli së fundmi për "kapitullim pa kushte". Irani duhet ta braktisë plotësisht programin e tij bërthamor. "Ka shumë pasiguri tek kjo pikë", thotë Nouripour. "Pra, pyetja është nëse evropianët do të negociojnë në një mënyrë që i kënaq amerikanët."

Edhe pse diplomacia evropiane ka hasur shpesh në limitet e saj në të kaluarën, eksperti i politikës së jashtme Röttgen megjithatë i sheh bisedimet në Gjenevë si një mundësi, pasi situata e Iranit tani është e ndryshme dhe ekzistenca e regjimit të mullahëve është e kërcënuar. Ndoshta braktisja e programit bërthamor është aktualisht "e keqja më e vogël", thotë Röttgen. "Regjimit duhet t'i jepet mundësia. Është mirë që evropianët ia ofrojnë atë."/DW

11 MUAJ ME PARE

Australia mbyll ambasadën në Teheran, u bën thirrje zyrtarëve dhe australianëve të largohen nga Irani dhe Izraeli

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Foto

IRAN- Australia ka mbyllur ambasadën e saj në Teheran dhe u ka urdhëruar zyrtarëve të largohen nga Irani duke përmendur një situatë të përkeqësuar të sigurisë. Ministrja e Jashtme Penny Wong në një konferencë për shtyp në Adelaide udhëzoi të gjithë zyrtarët të largohen nga Irani.

“Ky nuk është një vendim i marrë lehtë. Është një vendim i bazuar në përkeqësimin e mjedisit të sigurisë në Iran”, tha ajo.

Qeveria këshillon të gjithë australianët të largohen nga Irani nëse mund ta bëjnë këtë në mënyrë të sigurt. Wong thotë se ka rreth 2,000 australianë dhe anëtarë të familjeve të tyre të regjistruar në Iran që duan të largohen, dhe 1,200 të tjerë në Izrael. Kombe të tjera që kanë pezulluar operacionet e ambasadave në Teheran përfshijnë Bullgarinë, Republikën Çeke, Zelandën e Re, Portugalinë dhe Zvicrën.

11 MUAJ ME PARE

Analiza: A po shtyhet Lufta e Tretë Botërore për një kohë

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Donald Trump

SHBA- Ajo që ne e kemi quajtur prej vitesh "përshkallëzim i luftës" ose "eksportim" i saj përtej kontekstit të një konflikti rajonal është në thelb frika se fuqitë e botës do të hyjnë në këtë luftë, në palë të kundërta, dhe ne do të kemi, në një mënyrë ose në një tjetër, një konflikt global.

Lufta në Ukrainë i kishte dhënë shumë hapësirë ​​këtij skenari, pasi një konflikt i hapur që po afrohej midis NATO-s dhe Rusisë po na çonte drejt e në humnerë. Ky skenar nuk është larguar. Përkundrazi, ndryshimi në politikën e jashtme amerikane i ka çuar evropianët në një qëndrim më të ashpër, efektet e të cilit nuk e dimë nëse i kemi matur. Për momentin, Evropa deklaron se po riarmatoset sikur të ishte një zonë e çmilitarizuar dhe po përgatitet pa e ditur se për çfarë po përgatitet.

Në Lindjen e Mesme, gjërat janë edhe më të zymta. Gjithmonë kanë qenë të tilla. Për 80 vjet, rajoni ka qenë në thelb një fuçi baruti që mund të ndizet me shkëndijën më të vogël. Operacionet e Izraelit kundër Gazës dhe kriza humanitare që pasoi nuk ishin skenari më i keq.

Lufta e hapur midis Izraelit dhe Iranit po krijon një fushë paqëndrueshmërie globale që askush nuk e di ende se ku do ta çojë. Rezultati i parë i prekshëm do të jetë karburanti më i shtrenjtë, por kjo mund të duket e vogël në krahasim me atë që vjen më pas.

Me rëndësi kyçe për rajonin, por edhe për jetën e të gjithëve, do të jetë vendimi i Trump nëse do të angazhohet në një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Iranit. Dhe për këtë, presidenti amerikan nuk është i qartë. Dhe ndoshta ai po është qëllimisht i paqartë, pasi dëshiron të vlerësojë reagimin e dy palëve të përfshira. Për momentin, ka një vonesë, por kur dikush me kaq shumë fuqi ushtarake e ka gishtin te "butoni", nuk mund të flesh aq thellë.

11 MUAJ ME PARE

Dilema historike e Trump dhe "ethet" diplomatike evropiane/ Analiza: A do të vendos presidenti amerikan ultimatum ndaj Iranit?

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Donald Trump

SHBA- Përballë Iranit dhe perspektivës së përfshirjes aktive amerikane në Lindjen e Mesme, Presidenti i SHBA-së Donald Trump përballet me dilama. Edhe pse Presidenti aktual i SHBA-së kultivoi idenë e shkëputjes së vendit të tij nga "ndërhyrjet humanitare" në të gjithë botën gjatë fushatës zgjedhore, ultimatumi ndaj Teheranit hapi megjithatë debatin dhe derën për kthimin e SHBA-së në rajonin më të gjerë. 

Konkretisht, ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar do të zhvillojnë takime me zyrtarë iranianë, me qëllim hapjen e një kanali serioz komunikimi me Teheranin. Me SHBA-në të pranishme fuqishëm në këtë çështje, kreu i Departamentit të Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi dje biseda telefonike me homologët e tyre nga Franca, Jean-Noel Barrot, dhe Mbretëria e Bashkuar, David Lamy, duke theksuar në të gjitha drejtimet se Irani nuk mund të zhvillojë ose të sigurojë kurrë armë bërthamore.

Ky formulim fsheh gjithashtu vijën e kuqe të Uashingtonit, i cili thuhet se është në dijeni të iniciativës diplomatike të tre Ministrave të Jashtëm, por vazhdon të ushtrojë presion mbi Teheranin për të marrë vendime të menjëhershme.

Presioni në negociata

Ky ishte kuptimi, sipas shumë analistëve, i ultimatumit dyjavor që Donald Trump i lëshoi ​​Iranit, me qëllim përshkallëzimin e presionit mbi Teheranin për të pranuar kushtet në një negociatë që deri më tani i ka refuzuar. Presioni mbështetet edhe nga përqendrimi i forcave ushtarake amerikane në rajon në orët e fundit, duke shkaktuar skenarë për përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-së në një operacion ushtarak.

Dilema historike

Veprimi i mundshëm ushtarak i SHBA-së kundër objekteve bërthamore iraniane po shfaqet si një kërcënim me qëllim arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për të eliminuar programin bërthamor të Teheranit. Megjithatë, kjo është edhe dilema historike e Trump, i cili e di se vetëm SHBA-të kanë aftësinë të shkatërrojnë potencialisht uzinën bërthamore iraniane në Fordow. 

Kur, në fakt, Donald Trump duhet të përballet me 3 probleme. Senatorët e Partisë Republikane që duken të përçarë kundër një operacioni të drejtpërdrejtë ushtarak amerikan. Baza e tij elektorale, e cila është e përçarë dhe në një masë të madhe dëshiron që vetëm Amerika të jetë përparësia e Presidentit të SHBA-së. Mediat amerikane si dhe madje edhe mediat masive ose komentatorët që mbështesin Presidentin aktual, nuk duken të gatshëm të mbështesin pa kushte dhe veçanërisht pa kufizime kohore një ndërhyrje të re të SHBA-së në Lindjen e Mesme. 

Kursimi i kohës

Edhe pse Donald Trump i pëlqen ultimatumet, siç ndodhi për çështjen e tarifave, nuk përjashtohet që ajo që i drejtoi Teheranit të jetë një dredhi, në mënyrë që forcat e armatosura amerikane të mund të përgatiten siç duhet për një sulm, por edhe për një operacion presioni psikologjik nga Irani.

Për disa analistë, Presidenti i SHBA-së nuk është i sigurt nëse e ka "fiksuar" qëndrimin që do të mbajë në fund dhe nëse do të guxojë një përgjigje ushtarake ndaj Teheranit, duke i dhënë hapësirë ​​dhe një rol "tabelës së madhe të shahut" dhe Evropës.

Investimi në diplomaci

Ministrat e jashtëm të Britanisë, Gjermanisë dhe Francës ndodhen sot në Gjenevë për të zhvilluar bisedime me përfaqësuesit iranianë, ndërsa janë informuar rreth detajeve të marrëveshjes së fundit që iu ofrua Iranit, të cilën Teherani përfundimisht e refuzoi para se të fillonin bastisjet izraelite.

Edhe pse Uashingtoni nuk pret rezultate spektakolare nga bisedimet e sotme, ajo që është e sigurt është se zyrtarët evropianë do të përcjellin mesazhin e "vendosmërisë" së SHBA-së për t'i dhënë fund programit bërthamor të vendit të tyre. 

"Në këtë kontekst, ky është një takim midis udhëheqësve evropianë dhe Iranit. Presidenti mbështet përpjekjet diplomatike të aleatëve tanë që mund ta sjellin Iranin më afër arritjes së marrëveshjes së tij", tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, me Presidentin e SHBA-së që tani po investon kohë dhe kapital diplomatik në arritjen e një zgjidhjeje përmes diplomacisë dypalëshe.

11 MUAJ ME PARE

Dita e tetë e sulmeve/ Forcat Ajrore Izraelite goditën gjatë natës objekte ushtarake dhe një vend kërkimor bërthamor në Teheran

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
Foto

IZRAEL- Forcat Ajrore Izraelite, IDF kryen një valë sulmesh në Teheran gjatë natës, duke synuar dhjetëra objekte ushtarake iraniane dhe një vend kërkimor bërthamor. Sipas ushtrisë më shumë se 60 avionë luftarakë u përfshinë në sulme, duke hedhur 120 municione.

IDF thotë se objektivat përfshinin disa vende industriale të prodhimit të raketave në Teheran, të cilat kishin shërbyer si bërthama industriale e Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit.

“Midis objektivave ishin vendet e industrisë ushtarake që prodhonin komponentë raketash dhe objekte për prodhimin e lëndëve të para të përdorura në derdhjen e motorëve të raketave”, thotë IDF.

Sulmet goditën gjithashtu selinë e projektit bërthamor të SPND, një vend që është shënjestruar tashmë gjatë konfliktit.

“SPND shërben si një qendër për kërkimin dhe zhvillimin e teknologjive dhe armatimeve të përparuara për aftësitë ushtarake të regjimit iranian. U krijua në vitin 2011 nga Mohsen Fakhrizadeh, themeluesi i programit të armëve bërthamore të Iranit”, thuhet në deklaratën e ushtrisë.

Një tjetër vend që u godit ishte përdorur për të prodhuar një komponent thelbësor për programin e armëve bërthamore të regjimit.

11 MUAJ ME PARE

"Kjo nuk është lufta e Amerikës"/ Ministri iranian: Bashkimi i SHBA-së me sulmet izraelite do të shkaktonte ferr për të gjithë rajonin

Dita e 8-të e sulmeve/ Izraeli goditi objekte ushtarake dhe një vend
foto ilustruese

IZRAEL- Zëvendësministri i jashtëm i Iranit ka deklaruar se Bashkimi i SHBA-së me sulmet izraelite do të shkaktonte "ferr për të gjithë rajonin". Saeed Khatibzadeh tha se kjo nuk është lufta e Amerikës dhe nëse Presidenti i SHBA-së Donald Trump përfshihet, ai do të mbahet mend gjithmonë si një president që hyri në një luftë ku nuk i përket.

Ai tha se përfshirja e SHBA-së do ta shndërronte konfliktin në një “kënetë”, do të vazhdonte agresionin dhe do të vononte përfundimin e “mizorive brutale”. Komentet e tij erdhën pasi spitali Soroka në Izraelin jugor u godit gjatë një sulmi me raketa iraniane. Mediat shtetërore iraniane raportuan se sulmi kishte në shënjestër një vendndodhje ushtarake pranë spitalit dhe jo vetë objektin.

Ministria e Shëndetësisë e Izraelit tha se 71 persona u plagosën gjatë sulmit në Qendrën Mjekësore Soroka. Ndërkohë, ushtria izraelite tha se kishte shënjestruar centralet bërthamore të Iranit, përfshirë reaktorin "joaktiv" të ujit të rëndë në Arak dhe uzinën e Natanzit. Teherani nuk ka dhënë një përditësim mbi viktimat në Iran nga sulmet izraelite.

Sulmet e fundit vijnë në një kohë kritike. Të enjten, Shtëpia e Bardhë tha se Trump do të vendosë nëse SHBA-të do të përfshihen drejtpërdrejt në konflikt apo jo brenda dy javëve të ardhshme. Duke folur për BBC-në, Khatibzadeh këmbënguli se "sigurisht, diplomacia është opsioni i parë", por tha se ndërsa bombardimet vazhdojnë "nuk mund të fillojmë asnjë negociatë".

Ai i quajti vazhdimisht sulmet e Iranit ndaj Izraelit vetëmbrojtje sipas Nenit 51 të Kartës së OKB-së dhe tha "ne ishim në mes të diplomacisë" kur në një përshkallëzim të madh të konfliktit më 13 qershor, Izraeli nisi sulme ndaj centraleve bërthamore iraniane, duke vrarë disa gjeneralë të lartë dhe shkencëtarë bërthamorë.

Zëvendësministri i jashtëm e quajti konfliktin të pashkaktuar dhe të panevojshëm.  Duke iu përgjigjur komenteve të përsëritura të Trump se konflikti mund të ishte shmangur nëse Irani do të kishte pranuar një marrëveshje bërthamore, Khatibzadeh tha se ata po negocionin derisa Izraeli "sabotoi" diskutimet duke nisur sulme ndaj Iranit.

"Ne po planifikonim të zhvillonim raundin e gjashtë të bisedimeve bërthamore në Muscat dhe në fakt ishim në prag të arritjes së një marrëveshjeje", tha ai.

Ai gjithashtu kritikoi postimet dhe intervistat “konfuze dhe kontradiktore” të Trump në mediat sociale, të cilat sipas tij tregonin “se amerikanët kanë qenë të vetëdijshëm dhe kanë marrë pjesë” në konflikt. I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, thuhet se kanë folur në telefon disa herë që nga e premtja, në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën, raportoi Reuters.

Sipas tre diplomatëve që folën me agjencinë e lajmeve dhe kërkuan të mos identifikoheshin për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, Araqchi tha se Teherani nuk do të kthehej në negociata nëse Izraeli nuk i ndalte sulmet.

Izraeli ka pretenduar se Irani kohët e fundit "ka ndërmarrë hapa për të armatosur" rezervat e tij të uraniumit të pasuruar, i cili mund të përdoret për termocentrale ose bomba bërthamore. Irani gjithmonë ka pretenduar se programi i tij bërthamor është tërësisht paqësor.

Të premten, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) organi mbikëqyrës bërthamor i OKB-së - tha se Irani kishte grumbulluar uranium të pasuruar deri në 60% pastërti një hap i shkurtër teknik larg gradës së armëve, ose 90% - për të prodhuar potencialisht bomba bërthamore./BBC

tensionet iran-izrael

Sondazh

Poll

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje

"Studentët të ndërrojnë qeverinë"/ I riu thirrje të forta nga protesta: Mos u largoni nga Shqipëria

Protestuesit nuk i tremb as shiu, thirrje të forta nga Kryeministria: Revolucion!

“I preve në besë banorët e Rrjollit dhe Thethit”/ Protestuesi thirrje Ramës: Malet i nxore në shitje

PAMJE PREKËSE/ Vogëlushja mes lotësh mesazh Ramës: Pelikanin kaçurrel do ta sjellim në Surrel

Qytetarët njëzëri para Kryeministrisë: Rama në burg, Berisha në Burg

Banorja e Rrjollit: Mos bini pre e provokimeve! Këtu do rrimë deri sa Rama të japë dorëheqjen

Protesta kundër projektit të Zvërnecit/ Protestesit mesazh Ivanka Trump: Mbaj duart larg Nartës

Tensionohet situata në protestë, policia nuk kursen qytetarët hedh ujë me piper me presion

Protesta për Zvërnecin, përplasje mes qytetarëve dhe policisë

Përplasjt mes qytetarëve dhe policisë në protestë, çahet kordoni

PAMJE nga tubimi i i katërt kundër projektit në Zvërnec #dosja #protesta #zvernec

Protestë në Durrës kundër projektit në Zvërnec, qytetarët mblidhen para Bashkisë

Berisha: Shteti duhej të ishte garanti në Zvërnec.Ndërtimet të bëhen në përputhje me standardet e BE

Berisha: Aeroporti i Vlorës kurrë nuk mund të ndërtohej aty

Zvërneci,Berisha:Ne mbështesim plotësisht investimin e huaj.Sazani nuk është një investim i thjeshtë

Berisha në grupin parlamentar: Pas Kuvendit Kombëtar hyjmë në një etapë të re

Berisha: Meta është një i burgosur politik, Rama po vazhdon me besnikëri rrugën e babait të vet

Burgun apo dorëheqje? Rama kapet me gazetarin: Nuk meriton përgjigje

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen, Rama: Film i vjetër, përfaqësoj të paktën 800 mijë shqiptarë

Protesta për Zvërnecin, Rama: SPAK po mban të ngrira fondet pa i lënë të kalojë te shitësi

Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thotë të mbështesësh Shqipërinë drejt BE

Rama: Jemi këtu për të ndërtuar Shqipërinë e së ardhmes

Rama: Bëmë ligjin për hapjen e dosjeve të komunizmit, partia jonë u përball me të keqen në opozitë

"Kryeministri gënjeu"/ Gazetarja thirrje qytetarëve: Ai që të vjedh sot, do e bëjë dhe nesër

35-vjetori i PS në Tiranë/ Rama: Arsyeja e fitores së PS është aftësia për t’u hapur!