Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion 4 Qershor, 18:26 Sot pro...
Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion 4 Qershor, 18:26 Sot pro...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
• Mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste ka shënuar ndryshime të mëdha në kabinetin qeveritar. • Kryeministri Edi Rama ka dhënë emrat e rinj që i janë bashkuar qeverisë, ndërkohë që ka pasur dhe largime nga Ministritë më të rëndëishme në vend. • Ministria e Financave do të drejtohet nga Ervin Mete, ndërkohë që Delina Ibrahimaj është emëruar ministre në Ministrinë e Shtetit për Sipërmarrjen. • Ministre e Shëndetësisë është vendosur Albana Koçiu, ndërsa Ogerta Manastirliu është emëruar Ministre e Arsimit. • Ministër i Jashtëm është vendosur Igli Hasani, ndërkohë që Anila Denaj është emëruar Ministre e Bujqësisë. • Arbian Mazniku është emëruar Ministër Shteti për Pushtetin Vendor. • Nga ndryshimet në kabinetin qeveritar, pa post ministror ka mbetur Olta Xhaçka, Evis Kushi, Frida Krifca si dhe Edona Bilali. • Pjesë e sekretariatit ekzekutiv të PS-së është vendosur Ardian Çela, Sekretar Organizativ; Eduart Ndreca, Sekretar i Burimeve Njerëzore; Evis Kushi, Sekretare e Gruas; Etjen Xhafa, Sekretar Digjital; Romina Kuko, Sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë; Eridjan Salianji, Sekretar për Çështjet Zgjedhore si dhe Milva Ekonomi, Sekretare e Programit.
17 artikuj për këtë temë.
TIRANË- Arbjan Mazniku është emëruar Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor ditën e sotme. Ky vendim ka ardhur nga kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së. Rama vendosi sot që Ministria e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet të shkrihet dhe në vend të saj të ketë një ministri tjetër që do të drejtohet nga Mazniku.
Mazniku deri më tani ka mbajtur postin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës që nga shtatori i vitit 2015. Ndërkohë që më parë, ai ka qenë zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit dhe Drejtor Ekzekutiv i Institutit AGENDA, një organizatë në Tiranë që merret me kërkime dhe analiza të politikave publike në Shqipëri.
Arbjan Mazniku ka studiuar për Gazetari në Universitetin e Tiranës. Ndërkohë që zotëron një Master në Profilin Komunikim Politik nga Universiteti Sheffield në Britaninë e Madhe.
TIRANË- Igli Hasani do të jetë Ministri për Punët e Jashtme të Shqipërisë. Këtë vendim e dha ditën e sotme kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së, ndërkohë që Olta Xhaçka, e cila mban këtë post aktualisht ka mbetur jashtë qeverisë.
Igli Hasani aktualisht është Koordinator i Aktiviteteve Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së. Ndërkohë që përpara anëtarësimit në OSBE, Hasani ka qenë Përfaqësues i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Vjenë. Hasani ka një përvojë 17 vjeçare në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë në role të ndryshme drejtuese, duke përfshirë si Sekretar i Përgjithshëm, Drejtor i Përgjithshëm për Politikat e Mbrojtjes, Drejtor i NATO-s e Marrëdhënieve me Jashtë si dhe Drejtor i Integrimeve Euro-Atlantike.
Ai është diplomuar në Drejtësi, Sociologji dhe Filozofi nga Universiteti i Tiranës, ndërkohë që Masterin e ka përfunduar në Angli për Marrëdhënie Ndërkombëtare nga King's College.
TIRANË- Nga ndryshimet që qeveri është prekur dhe Ministria e Financave. Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së ditën e sotme Rama ka shkarkuar Delina Ibrahimajn dhe ka emëruar në krye të MF-së Ervin Meten. Që nga viti 2020 Mete ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nga maji 2020. Më herët ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bordit të Autoritetit, prej shtatorit 2019.
Më parë Mete ka shërbyer si Zëvendësministër i Financave dhe Zëvendësministër i Ekonomisë nga vitet 2013-2017. Gjatë kësaj periudhe ka qenë thelbësisht i përfshirë në reformën e menaxhimit të financave publike dhe modernizimin e kuadrit ligjor fiskal dhe financiar.
Mete është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, ndërkohë që mban gradën Master nga Universiteti i Harvardit si dhe nga Shkolla Ekonomike e Londrës.
TIRANË- Ministria e Shëndetësisë do të ketë një tjetër figurë në krye. Në vend të Ogerta Manastirliut, e cila u vendos nga Rama në krye të Ministrisë së Arsimit, është propozuar që të vendoset Albana Koçiu. Ajo është Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike (DAP), post ky që mban prej vitit 2013.
Koçiu ka përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës. Ajo ka një eksperience 18 vjeçare në pozicione drejtuese ne administratën qendrore dhe vendore, me fokus të veçantë në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore. Në DAP, Koçiu kryeson në nivel teknik procesin e Reformës së Administratës Publike, si një ndër prioritetet e vendit drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka bërë publikë emrat për ndryshimet në sekretariatin e PS-së. Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, Rama ka deklaruar se emrat e propozuar duhet që të miratohen nga Kongresi i PS-së.
Emrat e propozuar:
Sekretar Organizativ Ardian Çela
Sekretar i Burimeve Njerëzore Eduart Ndreca
Sekretare e Gruas Evis Kushi
Sekretar Digjital Etjen Xhafa
Sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë Romina Kuko
Sekretar për Çështjet Zgjedhore Eridjan Salianji
Sekretare e Programit Milva Ekonomi
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur dhe ndryshimet në kabinetin qeveritar ditën e sotme. Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, Rama ka deklaruar se vendin e Delina Ibrahimajt në Ministrinë e Financave do e marrë Ervin Mete, ndërsa Ministër i Jashtëm është vendosur Igli Hasani. Ministrinë e Arsimit e ka marrë në dorë Ogerta Manastirliu, ndërkohë që në Ministrinë e Shëndetësisë është vendosur Albana Koçiu. Anila Denaj është vendosur në Ministrinë e Bujqësisë, ndërsa Ministre Shteti për Sipërmarrjen është Delina Ibrahimaj.
Ndryshimet në kabinetin qeveritar:
Ministër i Financave-Ervin Mete
Ministër për punët e Jashtme-Igli Hasani
Ministër i Arsimit-Ogerta Manastirliu
Ministre e Bujqësisë-Anila Denaj
Minsitre e Shëndetësisë-Albana Koçiu
Ministre Shteti për Sipërmarrjen-Delina Ibrahimaj
Ministër Shteti për Pushtetin Vendor-Arbian Mazniku
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në fillim të muajit tetor do të mblidhet Kongresi i PS-së për të miratuar ndryshimet e ditës së sotme. Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, Rama deklaroi se pa miratimin e Kongresit, ndryshimet e sotme për sekretariatin e Ps-së nuk janë të vlefshme.
"Në fillim të tetorit thirret mbledhja e kongresit të PS-së. Me propozim të sekretarit përgjithshëm në detyrë Blendi Klosi unë ju kërkoj të miratoni strukturë dhe përbërjen e re të Sekretariatit të Partisë, të cilin do ta votojë asambleja në kongres," tha Rama.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama i ka uruar liderit historik të PS-së fatos Nano shërim sa më të shpejt. Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, Rama ka deklaruar se shpreson që Nano të dalë nga burgu i terapisë, njësoj siç doli nga burgu politik 26 vite më parë.
"I urojmë nga ky oxhak i familje politike Fatos Nanos që të dalë nga burgu i terapisë intensive siç doli 26 vite më parë nga burgu politik ku e futi njëri nga pengmarrësit më të paskrupullt të drejtësisë. Mos ja bëni me hile shtetit e njerëzve, mos kini frikë nga gabimet e bëra duke punuar drejt e pastër, mos bëni faje edhe pse jeni të bindur se nuk do të merren vesh. Mos bini në kurthin e pasurimit me të djersën e të tjerëve, është haram," tha Rama.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk i ka borxh askujt që futet në luftë me drejtësinë. në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, Rama deklaroi se SPAK duhet që të lihet të bëj punën e tij, ndërkohë që ftoi dhe Shërbimin Informativ të Shtetit që të bashkohet në luftën kundër korrupsionit.
"Tek unë keni gjetur një njeri me vesh të hapur, një njeri të vështirë në debat, por për të fituar argumentin dhe jo për të përfituar synimin e vet. Ata që kanë punuar në qeveri me mua se sa herë e kanë dëgjuar prej meje se unë ju jap besimin që të uleni në atë karrige. Por secili prej atyre duhet të më japë arsye për tu ulur. Nuk ka bërë vaki që të ndërhy për asnjë qëllim. Nuk ka asnjë shans ti njoh borxhet ndonjërit që hyn në borxh me drejtësinë që do të thotë të hysh në borxh me shtetin, me njerëzit. Hyn në borxh duke hedhur gurin dhe fshehur dorën. Nuk ka shans që sa te jemi unë të pengohet SPAK-u. Unë pres që edhe SHISH ti bashkohet thelbësisht kësaj lufte duke u transformuar me forcën e të drejtës që i jep detyra të së vërtetës dhe profesionalizmit që kërkon misioni nga një dispeceri me shkrim ku duhet të lexosh 1 mijë faqe për të gjetur një flete me informacion për keqbërësit brenda zyrave të shteti apo rreth zyrave të shtetit”, tha Rama.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me arrestimet që kanë ndodhur në radhët e Partisë Socialiste. Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, Rama ka deklaruar se ai ka përgjegjësi morale, por nuk ka as përse të skuqet apo të kërkoj ndjesë. Po ashtu ka deklaruar se nëse dikush ka përdorur flamurin e PS-së për të vjedhur apo bërë korrupsion do të marrë ndëshkimin që meriton nga drejtësia.
"Nuk e di sa prej jush këtu mendojnë me gjithë mend se ky vend bëhet, dhe se këtë e bën Partia Socialiste dhe asnjë forcë tjetër që ka pasur mundësinë apo çdo individ që sheh Shqipërinë si një jorgan për t’u djegur kur e pickon pleshti i interesit të vetë. Po të mos e besoja që ky vend bëhet, as do kisha hyrë në politikë me ftesë të liderit historik të PS-së, e as do përpiqesha t’i zija vendin. Apo të mbaja në kurriz në 20 vjet më shumë baltë se të gjithë ju bashkë për të qëndruar si lider. As do e përballojë dot. Nuk do i hyja detit në këmbë për këtë. Ma dëgjoni mirë këtë ju dhe gjithë socialistët që janë shumë pak që qarkullojnë fjalën e neveritshme që Rama të lëshon, Rama s’të mbron. Unë kam përgjegjësi të madhe morale, më të madhen fare nga të gjithë ju, por e dini se cila është përgjegjësia ime morale nuk është as të skuqem apo të kërkoj ndjesë pse dikujt që i besoj një detyrë në frontin e betejave. Kur i merr mendjen pushteti dhe paraja, tradhton jo vetëm besimin tim e tuajin, por edhe flamurin shqiptar! Nëse njëri e ka përdorur flamurin e PS-së si maskë për të vjedhur në të tjerët u dashka ta përdorim si letër higjienikë për të fshirë bajgat e korrupsionit! JO JO JO. Përgjegjësia ime morale është mos lërë dy gurë bashkë që drejtësia në Shqipëri të ketë lirinë dhe pavarësinë që i duhet për të ndëshkuar çdo lloj klyshi të atij soji të vjetër politik. Jo se nuk kam asnjë ndjenjë tjetër përveç neverisë kur dëgjoj, jo po se mbrojti jo e lëshon, këdo që ka ngrënë pas shpinës sime, pas partisë e pas një populli të tërë," tha Rama.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka folur për çështjen Beleri në Asamblenë e Partisë Socialiste. Rama ka theksuar se pala greke në këtë çështje nuk pranon asnjë argument po vetëm këmbëngul për lirimin e tij. Por ai ka theksuar se qasja e qeverisë kundrejt drejtësisë së re në vend ka ndryshuar. Sipas tij qeveria nuk ta të drejtë që të ndërhyjë në punët e drejtësisë.
"Shikoni me kujdes se çfarë po diskutohet aktualisht mes nesh dhe Greqisë, më saktë, se çfarë pala greke po kërkon prej qeverisë, prej meje personalisht. Pse ndodh kjo, dhe si ka mundësi që pala greke nuk dëgjon asnjë argument, por vetëm këmbëngul, që siç shprehen ata, vullneti yunë politik duhet ta zgjidhë siç e mendojnë ata, një çështje për të cilën, këto organe të reja të drejtësisë, i kanë ndërmarrë veprimet e tyre dhe kanë dhënë vendimet e tyre, pavarësisht nga ne ose ata. Për çështjen nuk kam asgjë të re për të thënë dhe nuk kemi asnjë debat real për të zhvilluar me palën greke për thelbin e çështjes. E nisa këtu, sepse kjo qasje e palës greke, tregon në fakt se raporti i ri i përmbysur kokë e këmbë i pushtetit tonë politik me sistemin e drejtësisë po kalon përmes një sporove shumë të fortë. Qasja jonë është radikalisht e re në historinë e pushtetit politik në Shqipëri dhe për t’u mos u përzier as me gojë, e jo më me dorë në punët e organeve të drejtësisë, por për t’i mbështetur e inkurajuar ato pa kushte, në veprimtarinë e tyre pa kushte. Është një qasje që bie ndesh shumë brutalisht, me një inerci të tmerrshme të historie 111-vjeçare, që i ka mësuar njerëzit brez pas brezi, të mendojnë se pushteti i vërtetë politik, është ai që e tërheq për hunde pushtetin gjyqësor, pavarësisht se çfarë thotë Kushtetuta apo ligji," tha Rama.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të ketë ndryshime në ligjin për investitorët strategjik në vend. Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, Rama ka deklaruar se duhet që të synojnë majat e industrisë turistike botërore. Po ashtu ai ka theksuar se akulli për investimet është thyer dhe se ligji aktual e ka mbyllur misionin e tij.
"Shqipëria duhet të bëhet sezbën vendi europian i denjë për bukuritë dhe pasuritë që i ka falur zoti dhe ne duhet të synojmë majat e industrisë turistike botërore. Investimet qindra milionëshe, por edhe miliardëshe në euro. Ja pse ne duhet të forcojmë ndërgjegjen e një vendimmarrjeje të guximshme. Ata që do të trashëgojnë këtë vend, do të trashëgojnë një Shqipëri të kamur. Ne duhet të rrisim menjëherë kërkesën ndaj investitorëve vendas. Kjo është një pikë kthese e re, ku ne duhet të kërkojmë më të mirën. Bëhen hotele me mermer brenda, por harrojnë të bëjnë edhe depodatorin e ujërave të zeza. Në mëngjes mjaltin e luleve të egra e shërben hoteli, ndërsa largimin e luleshtrydheve njerëzore duhet ta bëjë shteti. Statusi aktual i investitorit strategjik duhet të ndryshojë, kuadri ekzistues e ka kryer misionin e vetë, në një vend ku turizmi ishte bukë sufllaqe, shalqi me djathë, që e bënin vapën bashkë me mungesën e kudondodhur të ujit, më të papërballueshme. Tani akulli është thyer. Ky vend nuk është 200 mijë kilometra katrorë, por 10 herë më i vogël se kaq”, tha Rama.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria ka sërish këtë vit presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, Rama shtoi se e gjithë bota do të mblidhet pas disa ditësh në New York dhe se Shqipëria do të jetë në krye të tryezës.
"Flamuri shqiptar ka fituar respekt. Pas pak ditësh e tërë bota do të mblidhet në Neë York dhe Shqipëria do jetë në krye të tryezës, ku merr Presidencën e Këshillit të Sigurimit. Kjo situatë nuk është pikëmbërritja jonë, por pasqyra e përpjekjeve. Na shërben jo të ulemi të kënaqur për të parë veten, por duke vazhduar ngjitjen. Duke parë në sy të metat dhe përmirësojmë imazhin e vendit”, u shpreh Rama.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në Shqipëri harta e krimeve është ulur tej mase. Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, Rama u shpreh se në hartën e vjedhjeve të banesave në Evropë, Shqipëria është në vendin më të ulët. Po ashtu theksoi se vrasjet në vendin tonë kanë rënë me 40% më pak se vitin që kaluam.
"Nuk po zgjatem me vrasjet që jo vetëm kanë rënë siç kanë bërë në çdo vit të qeverisjes sonë, por këtë vit deri tani si 8-mujor kanë shënuar rënien më të lartë vit më vit. 40% viktima më pak se vjet, ku kishim numrin më të ulët te viktimave në 3-vjeçarin e fundit. Kur ua do puna lënë pa gojë të huajt, përqeshës gjuhëjashtë për vendin e tyre. Miliona turistë vijnë të buzëqeshur në këtë vend të vogël, ku në kaq pak territor gjejnë bukuri të mahnitshme. Gjejnë edhe siguri që nuk ka asnjë lidhje me legjendat. Disa miq anglez më çuan hartën e vjedhjeve të banesave në Europë, Shqipëria në vendin më të ulët, e Britania me shifrën më të lartë. Nuk ke çfarë vjedh në shtëpitë e shqiptarë, ku nuk ke as bukë për të ngrenë u kishin thënë. Ndërsa një tjetër u kishte thënë se kanë shkuar shqiptarët atje. Mos e vet hiç, siç thonë në Kosovë. Por edhe vrasjet kanë shënuar numrin më të ulët. Por mendje mëndje është kjo dynja, por për ne vazhdon përpjekja për ta future Shqipërinë në hartë e sigurisë. Miliona të huaj po vizitojnë çdo vit e më shumë këtë vend. Edhe ata që na duan të vdekur mua bashke më këtë forcë udhëheqëse për Shqipërinë Europiane. Edhe ata kompetentë të huaj që duan ti shohin shqiptarët si fajtorë për probleme të vendit të tyre, janë një shtysë për të ecur vetëm përpara. Por ama me këmbët në tokë. Me sytë hapur për të hedhur hapat e duhur duke parë nga e ardhmja për të kuptuar realitetin e të tashmes. Ky realitet është më mirë se ai I djeshmes, por më problematik se ai i të ardhmes, ndaj detyra jonë është të kuptojnë se korrigjimi i të tashmes është arsyeja e ekzistencës tonë politike," tha Rama.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka folur për turizmin dhe drejtësinë në nisje të Asamblesë së Partisë Socialiste. Gjatë mbledhjes së sotme, Rama theksoi se vendi ynë ka hyrë në një fazë tjetër në lidhje me turizmin. Sipas tij turizmi këtë vit ka shënuar rekord në Shqipëri, por theksoi se çdo vit do të shtohet më shumë. Po ashtu theksoi se në këtë verë nuk kishte media të huaja që nuk kanë shkruar për turizmin në Shqipëri.
"Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, është në një nivel të ri. Ka plot arsye që e pohojnë këtë. Por dy janë pohimet më të mëdha, e para sezoni i turistik dhe e dyta impakti i pazakonshëm i organeve të reja të drejtësisë. Të kuptohemi drejt qysh në fillim, ky është një fillim i ri nga një nivel i ri. Nuk është maja ku duam të arrijmë në fund të kësaj dekada. Rruga drejt Shqipëria 2030 është e përpjetë, sfidat janë më të mëdha. Kur kthejmë kokën pas kemi 1001 arsye për të qenë krenar për rrugën që kemi bërë. Shqipëria e 10 viteve më parë kishte po këto dete, male, lumenj nga Thethi në Konispol, por nuk ishte një destinacion turistik evopiane. Turistët më evropiane që vinin në këtë vend ishin emigrantët në këtë vend dhe shqiptaret nga Prishtina apo Tetova. Për turistët e pakët që vinin kryesisht nga vendet ish komuniste ky ishte një vend zhgënjyes. Këtë vit qysh në pranverë nuk ka pasur javë që të mos shkruhej për Shqipërinë. Këtë verë shkrimet apo kronikat në mediat më të mëdha të huaja e bombarduan publikun e tyre me tone plot simpati për turizmin shqiptar. Këto qytete ishin edhe para 10 vitesh, por turizmi asokohe ishte një kockë pa mish. Në Berat nuk kishte as rrugë, në Korçë ishte vetëm një hotel. Gjirokastra ishte copë-copë.
Rritja e vazhdueshme në dekadën e parë të qeverisjes sonë, kulmoi këtë vit me një bum turistik në Korçë, Berat e Gjirokastër. Kjo u ndje edhe në qytetet larg bregdetit, ku nuk imagjinohej turizmi. Kur flisja për Tepelenën turistike më besonte vetëm Tërmeti me Golikun, që donte të mblidhte polifonistët për ndonjë këngë. Këtë verë te uji i ftohtë i Tepelenës shkohej vetëm me rezervime, ndërsa tutje ndesheshe me njerëz që të përshëndesnin në gjuhë të huaj. Tirana, kryeqytet ynë i betonizuar dhe i mbytur nga kullat e krimit, ku thuhet se nuk merret frymë nga ajri më i ndotur në botë. Tirana u pushtua nga turistët këtë vit, duke sjellë një lumë të pataksuar parash nga dhomat e dhëna me qira përmes AirBnb. Aeroporti i Tiranës, gati njësoj me pasagjerë sa aeroporti i Beogradit këtë vit. Kush mund ta imagjinonte kur ai mbreti i aeroporteve mund t’ia linte fronin Rinasit që mund të kapërcejë 6 milionë pasagjerë këtë vit. Ka vetëm një fjalë për këtë arritje, fantastike. Jam i gëzuar shumë, por jo i lumtur. Kur di që Majorka ka 1 milionë banorë dhe 18 milionë turistë, s’mund të jem i lumtur. Tirana dhe Shqipëria sot kanë hyrë në hartën turistikë të Evropës pa shpenzuar një qindarkë për reklama në media, ndërsa keq flasin vetëm shqipfolësit pa din e pa iman. Ata që ne na duan të vdekur, aq sa i bien mbarë e prapë Shqipërisë duke u folur shqiptarëve që nuk duan as t’i lexojnë," tha Rama.
TIRANË- Dy ministret e PS-së Delina Ibrahimaj dhe Frida krifca kanë mbërritur bashkë në mbledhjen e Asamblesë së partisë. Përflitet se të dyja ministret do të shkarkohen nga detyra dhe të zëvendësohen me emra të rinj.
Deri më tani nuk ka dalë asnjë emër në lidhje me ndryshimet e reja, ndërkohë që Rama pritet t'i bëj publike vendimet e tij në minutat në vijim.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar ndyshimet në kabinetin qeveritar ditën e sotme. Me anë të një postimi në Facebook, pak minuta para mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, Rama ka shkruar se do të paraqesë emrat për sekretariatin e ri ekzekutiv të partisë si dhe ndryshimet për kabinetin qeveritar.
Postimi i Plotë:
Pas pak, në 17.00, fjala ime drejtuar Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, propozimi i Sekretariatit të ri Ekzekutiv të partisë dhe paraqitja e propozimeve që do t’i drejtoj nesër Presidentit të Republikës për kabinetin e ri qeveritar Live edhe në këtë faqe