Sulm në paradën e krenarisë në Gjermani/ Makina përplas turmën, humb jetën 1 person, 16 mbeten të plagosur, autori ende në kërkim
Një i vdekur dhe 16 të lënduar, detaje nga sulmi në Berlin, Policia: 3 janë në gjendje kritike për jetën...
Një i vdekur dhe 16 të lënduar, detaje nga sulmi në Berlin, Policia: 3 janë në gjendje kritike për jetën...
“Lironi shqipet”/ Protestuesit mblidhen para Komisariatit nr. 3: Nuk jeni vetëm! 25 Korrik, 23:00 Prote...
Berisha: Gjesti i Ramës për fëmijën autik tregon se është një birbo që e ka ndjeshmërinë n&eum...
Dita e 55-të e protestës/ Nis grumbullimi i qytetarëve në sheshin ‘Skënderbej’ 24 Korrik, 19:30 ...
• Një ngjarje tragjike tronditi Berlinin mbrëmjen e së shtunës, kur një automjet u përplas me turmën e pjesëmarrësve në eventin Christopher Street Day, duke lënë një person të vdekur dhe të paktën 16 të plagosur. • Incidenti ndodhi pak pas orës 22:00 me orën lokale në zonën Tiergarten, ku mijëra qytetarë ishin mbledhur për festimet e Berlin Pride. • Sipas Policisë së Berlinit, një furgon i vogël i bardhë hyri me shpejtësi të lartë në zonën e eventit, goditi një numër të madh njerëzish dhe më pas u përplas me një pemë. • Pas kësaj, autoritetet nisën një kërkim të pandërprerë për të gjetur dhe arrestuar autorin e sulmit vdekjeprurës. • Ai është Abdul B., 21 vjeç, i cili sapo ishte liruar nga paraburgimi. • 21-vjeçari përshkruhet si më poshtë: I dobët, 1.90 m i gjatë, me flokë të zinj dhe besohet se ka pasur veshur një bluzë me kapuç të zi dhe pantallona të bardha. • Sipas zëdhënësit të policisë, Florian Nath, i dyshuari besohet se ka lidhje me “qarqe islamiste”. • Në mesin e 16 personave të plagosur, tre janë në gjendje kritike, sipas zëdhënësit të zjarrfikësve të Berlinit, Dominik Pretz.
3 artikuj për këtë temë.

GJERMANI- Policia gjermane është në kërkim të një 21-vjeçar, që besohet se ka lidhje me qarqe islamiste, pasi një veturë u përplas me turmën pranë festimeve për Paradën e Homoseksualëve në Berlin, duke vrarë një person dhe duke plagosur 16 të tjerë.
Incidenti i së shtunës ndërpreu paradën ku po merrnin pjesë qindra mijëra njerëz – një prej ngjarjeve më të mëdha të këtij lloji në Evropë. Pjesëmarrësit u detyruan të iknin nga vendngjarja, ndërsa sirenat e policisë u dëgjuan gjatë gjithë natës.
Policia i tha agjencisë AFP se vetura e të dyshuarit u gjet e braktisur pranë parkut Tiergarten. Autoritetet nisën një operacion kërkimi që përfshinte helikopterë dhe policë nga disa lande gjermane, në të gjithë kryeqytetin.
Policia dhe prokuroria u bënë thirrje qytetarëve të japin informacione për një 21-vjeçar të identifikuar si Abdul B., duke paralajmëruar se ai mund të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm.
Sipas zëdhënësit të policisë, Florian Nath, i dyshuari besohet se ka lidhje me “qarqe islamiste”.
Sulmi ndodhi pak para orës 22:00 të së shtunës.
Një automjet, i ngjashëm me një minifurgon ose një SUV, hyri në parkun Tiergarten dhe goditi disa persona”, tha policia.
Në mesin e 16 personave të plagosur, tre janë në gjendje kritike, sipas zëdhënësit të zjarrfikësve të Berlinit, Dominik Pretz. Rreth 30 persona të tjerë morën trajtim në vendngjarje pasi ishin në gjendje shoku.
Policia e përshkroi të dyshuarin si një person me trup të hollë, rreth 1.90 metra i gjatë, me flokë të zinj, i veshur me një kapuç të zi dhe pantallona të bardha. Hetuesit thanë se besohet se disa persona janë plagosur me mjete të mprehta dhe se një ose më shumë persona janë parë duke dalë nga automjeti pas incidentit.
Një dëshmitar, i cili ndodhej pranë skenës kryesore të Paradës së Krenarisë te Porta e Brandenburgut, i tha AFP-së se festimet u ndërprenë papritur kur policia u kërkoi pjesëmarrësve të largoheshin. Sulmi riktheu kujtimet e një sërë përplasjeve të qëllimshme me automjete dhe sulmeve në tregje që kanë tronditur Gjermaninë vitet e fundit dhe kanë nxitur një debat të ashpër mbi sigurinë.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, u zotua se përgjegjësit për incidentin e fundit do të përballen me drejtësinë. Përmes një deklarate, Merz e përshkroi ngjarjen si një “akt të tmerrshëm” dhe tha se ai dhe ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, po informoheshin vazhdimisht për zhvillimet.
Kryetari i Berlinit, Kai Wegner, dënoi atë që e quajti një sulm brutal ndaj “një tubimi për një Berlin tolerant dhe paqësor”.
Policia gjermane kishte angazhuar më shumë se 2.000 efektivë për të garantuar sigurinë gjatë Paradës së Krenarisë. Pas sulmit, operacioneve të kërkimeve iu bashkuan forca shtesë policore nga mbarë Gjermania, të mbështetura nga helikopterë të pajisur me kamera termike. Gjermania është përballur me disa të dhunshme në hapësira publike, përfshirë një sulm me thikë në shkurt të vitit 2025 në Memorialin e Holokaustit në Berlin, pranë vendit ku ndodhi incidenti i së shtunës, ku u plagos rëndë një turist spanjoll.
Një shtetas sirian, i identifikuar vetëm si Wassim Al M., në mars u dënua me 13 vjet burg për këtë sulm, pasi gjykata konstatoi se ai kishte vepruar në emër të grupit ekstremist, Shteti Islamik. Në maj, një shtetas gjerman goditi me veturën e tij në Lajpcig qytetarët, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur gjashtë të tjerë.
Muajin e kaluar, Taleb Jawad al-Abdulmohsen, një psikiatër saudit 51-vjeçar, u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e gjashtë personave dhe plagosjen e më shumë se 300 të tjerëve, pasi në vitin 2024 kishte shkelur me makinë njerëz që ishin në tregun e Krishtlindjes në në qytetin lindor të Magdeburgut. Ndërkaq, sulmi më vdekjeprurës i viteve të fundit ishte ai me kamion në një treg të Krishtlindjes në Berlin në dhjetor të vitit 2016, ku u vranë 12 persona./REL
GJERMANI- Autoritetet në Berlin kanë nisur një kërkim të pandërprerë për të gjetur dhe arrestuar autorin e sulmit vdekjeprurës në festival të shtunën në mbrëmje. Ky është Abdul B., 21 vjeç, i njohur për autoritetet gjermane nga skena islamiste në Berlin, ku ai përhapi terror dhe panik kur drejtoi një furgon të bardhë drejt turmës së mbledhur për festivalin, duke vrarë një grua dhe duke plagosur 16 persona të tjerë.
JUST IN: 21-year-old Islamist Abdul B. identified as Berlin CSD pride parade ramming suspect; released from juvenile detention in May 2026 pic.twitter.com/2aWwUo7zZn
— Rapid Report (@RapidReport2025) July 26, 2026
Sipas agjencisë gjermane të lajmeve, 21-vjeçari u lirua nga paraburgimi majin e kaluar dhe apartamenti i tij në Berlin është kontrolluar tashmë, por nuk janë gjetur gjetje të dyshimta. Policia lëshoi një deklaratë urgjente me foton dhe të dhënat e tij, duke kërkuar ndihmën e publikut. 21-vjeçari përshkruhet si më poshtë: I dobët, 1.90 m i gjatë, me flokë të zinj dhe besohet se ka pasur veshur një bluzë me kapuç të zi dhe pantallona të bardha.
"Kush ka qenë dëshmitar i ndonjë gjëje që mund të lidhet me krimin? Kush mund të ofrojë informacion në lidhje me situatën e tij të mundshme aktuale? Nëse e takoni, ju lutemi mos i afroheni në asnjë rrethanë dhe shmangni kontaktin e drejtpërdrejtë. Ai mund të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm! Kontaktoni menjëherë numrin e urgjencës së policisë 110", theksohet në deklaratën e policisë./Dosja.al
GJERMANI- Një ngjarje tragjike tronditi Berlinin mbrëmjen e së shtunës, kur një automjet u përplas me turmën e pjesëmarrësve në eventin Christopher Street Day (Berlin Pride), duke lënë një person të vdekur dhe të paktën 16 të plagosur. Incidenti ndodhi pak pas orës 22:00 me orën lokale në zonën Tiergarten, ku mijëra qytetarë ishin mbledhur për festimet e Berlin Pride.
Sipas Policisë së Berlinit, një furgon i vogël i bardhë hyri me shpejtësi të lartë në zonën e eventit, goditi një numër të madh njerëzish dhe më pas u përplas me një pemë. Shoferi braktisi automjetin dhe u largua në këmbë. Autoritetet kanë nisur një operacion të gjerë për kapjen e të dyshuarit, ku janë angazhuar forca të shumta policore dhe një helikopter. Policia konfirmoi se një person humbi jetën nga plagët e marra, pavarësisht përpjekjeve të ekipeve mjekësore për ta shpëtuar në vendngjarje. Të paktën 16 persona të tjerë mbetën të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë.
Departamenti i Zjarrfikësve e shpalli ngjarjen si incident me viktima masive, ndërsa mbi 150 zjarrfikës dhe ekipe shpëtimi u angazhuan në operacion. Për transportimin e të plagosurve rëndë u ngrit një pikë e përkohshme uljeje për helikopterët pranë zonës së Reichstagut, ndërsa ambulancat dhe ekipet mjekësore vijuan evakuimin drejt spitaleve.
Pas incidentit, organizatorët e Christopher Street Day, në bashkëpunim me policinë, vendosën të ndërpresin aktivitetet dhe të evakuojnë zonën përpara skenës kryesore pranë Portës së Brandenburgut. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur motivin e ngjarjes, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë./Dosja.al