Aktualitet

Shqipëria me 10 persona të prekur nga koronavirusi, Ministria: Zbatoni rregullat dhe izolohuni, kemi analizuar 114 raste

  • MSH thirrje të fortë qytetarëve: Izolohuni, evitoni daljet e tepërta
  • PD denoncon SKANDALIN: Ministria u ka shpërndarë mjekëve maska të skaduara
  • Sfida me pacientin 0 dështoi, çfarë do të ndodhë me parandalimin e koronavirusit?
  • Shkon në 10 numri i të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri. 3 nga rastet e reja janë të afërm të 2 të identifikuarve të parë pozitivë me Covid-19. Një prej tyre, 31-vjeç ka qënë vetëm për disa orë në Milano. Një prej të prekurve është në Durrës. Ministria bën thirrje që qytetarët të zbatojnë rregullat dhe të vetëizolohen.
    Featured image of article: Shqipëria me 10 persona të prekur nga koronavirusi, Ministria: Zbatoni rregullat dhe izolohuni, kemi analizuar 114 raste
    Përditësuar:

    TIRANË- Shqipëria tashmë është në hartën e vendeve të prekura nga koronavirusi. Pas zbulimit të 4 rasteve mbrëmjen e djeshme, Ministria e Shëndetësisë ka treguar sot se janë zbuluar dhe 4 raste të tjera, ku tashmë numri i të prekurve është 10. Minstria e Shëndetësisë njofton se një prej të prekurve është një 31-vjeçar me banim në Tiranë, që ka patur histori udhëtimi me Milanon 6 ditë më parë dhe është kthyer pas një qëndrimi të shkurtër 1 ditor në vendin fqinj.

    Ndërkohë në njoftimin e mesditës së sotme, u bë me dije se harta e qyteteve të prekura është zgjeruar ku një rast tjetër është zbuluar në Durrës. Deri tani të gjithë të shtruarit paraqesin një gjendje të mirë pa komplikacione që mund të rezultojnë fatale.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Koronavirusi zyrtarisht në Shqipëri është zbuluar  në orët e para të mëngjesit të së hënës. Ishin dy rastet e para me koronavirus në Shqipëri që u njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë. Pacienti “0” u identifikua një 28-vjeçar me inicialet P.K, i cili pas kthimit në Shqipëri nga Firence e Italisë, infektoi dhe babain e tij 54-vjeçar me inicialet V.K. Sipas Ministrisë dy personat e infektuar ndodhen në spitalin infektiv në QSUT dhe gjendja e tyre është e stabilizuar. Ndërkohë që vendi është “izoluar” për të ndaluar edhe përhapjen e virusit. Janë anuluar fluturimet dhe lundrimet me Italinë dhe zonat e kuqe, ndërsa shkollat e çerdhet janë mbyllur për 2 javë.

    • 15:57

      “Malësor ose lab, të godet”/ Rama mbledh qeverinë: Kjo është një luftë me një armik të padukshëm, s’pyet për trima

      Edi Rama

      Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sërish sot qeverinë në kuadër të masave parandaluse për koronavirusin. Kreu i qeverisë u ka bërë thirrje qytetarëve se nuk është koha të bëjnë deklarata se ‘janë labë’ ‘ apo malësorë dhe nuk i gjen gjë’ nga Koronavirusi, por të respektosh rregullat në mënyrë që të mos rrezikojnë jetën e tyre dhe të tjerëve përreth.

      Të gjithë sëbashku duhet të bëjmë cmos që të kufizojmëe dëmet e shëndetit tonë. Kjo nuk është një luftë, ku vihet në pah tërësia e virtyteve njerëzore që lidhen me trimërin e guximin, pasionin për lirinë. Kjo është një luftë me një ramik të padukshëm, i cili hyn në trupin tonë, duke kërcënuar jetën e të moshuarve. Kjo do të thotë se mund të jesh malësor ose lab, në këtë rast ky armik nuk pyet as nga vjen dhe as ça historie ke, por godet”, u shpreh Rama.

    • 15:25

      PD denoncoi maskat e skaduara, Rama: S’ndalen së kërkuari pushtet me shpifje, sherr e rrëmujë

      Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas denoncimit të Partisë Demokratike për maskat e skaduara që u janë dhënë mjekëve nga qeveria. Në një reagim në mediat sociale, Rama shkruan se ka vetëm një palë maska të dëmshme në Shqipëri, që sipas tij janë ata që edhe kur vendi lufton me një virus kërcënues nuk ndalen duke kërkuar pushtet me shpifje sherr dhe rrëmujë.

      Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

      Ka vetëm një palë maska të dëmshme në Shqipëri: Maskat e atyre që dhe kur ky vend lufton me jetën nën gërmadhat e tërmetit apo me një virus kërcënues për planetin, s’ndalen së kërkuari pushtet me shpifje, sherr, rrëmujë! Po përsëri Shqipëria do t’ia dalë sepse shqiptarët s’janë vetëm!”, shkruan Rama.

    • 15:08

      Basha akuza qeverisë: Keni shpërndarë maska të skaduara për mjekët. Kjo është kriminale dhe duhet dënuar

      Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas mbledhjes së Task-Forcës të ngritur me urdhër të tij, ka bërë një deklaratë publike. Në fjalën e tij, Basha është shprehur se Partia Demokratike ka zbuluar se masakt që u janë dhënë mjekëve janë të skaduara që në vitin 2011. Kreu i opozitës për këtë gjë ka bërë me faj Ministrinë e Shëndetësisë, duke thënë se ua ka dhënë me vetëdije mjekëve masakt e skaduara. Më tej Basha i bëri thirrje dhe prokurorisë që të marrë masa dhe të nisë hetimet, pasi këtë veprim të ministrisë e quajti kriminale dhe të dënueshme.

      Mbrojtja e vetme e këtij virusi janë shërbimet shëndetësor, por në Shqipëri nuk janë në kushte shumë të mira. Kjo që po ju tregoj tani është një kuti me maska, ku poshtë pullës shihet se data e skadencës së këtyre maskave është viti 2011. Kjo është kriminale dhe i bëj thirrje Prokurorisë që të marrë masa të menjëhershme. Shpërndarja e masakve të skadua është bërë me vetëdije, kjo është provë e një akti kriminal. Me maska të skaduara dhe pa mjete, personeli mjekësor rrezikon jetën e tyre dhe jetën e pacientëve. Kjo është për një papërgjegjshmëri totale. Nga ana tjetër dhe spitalet janë të papërgatitura për fluksin e pacientëve”, u shpreh ndër të tjera Basha.

    • 14:50

      Anulohen të gjitha fluturimet me Italinë, TIA: Vendimi hynë në fuqi menjëherë

      Aeroporti “Nënë Tereza” ka njoftuar sot të gjithë udhëtarët që nuk do ketë më asnjë udhëtim drejt Italisë. Sipas njoftimit nga TIA, bëhet me dije se është vendosur anulimi i të gjithë fluturimeve drejt Italisë deri në një njoftim të dytë që mund të jetë dhe në muajin prill, pasi atëherë mendohet të përmirësohet situata me koronavirusin.

      Foto ilustruese

      Anullohen të gjitha fluturimet me Italinë. Në vijim të situatës së krijuar në Itali për shkak të përhapjes së COVID-19, masave të marra nga qeveria Italiane për vendosjen në karantinë të të gjithë shtetit Italian, si dhe masave parandaluese të përhapjes së virusit në vendin tonë, në zbatim të urdhrit të Autoritetit të Aviacionit Civil, anullohen të gjitha fluturimet për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” drejt Italisë. Ky pezullim hyn në fuqi menjëherë, deri në një njoftim të dytë.

    • 14:34

      Propozimi i Metës: Të angazhohen dhe mjekët që janë jashtë shërbimit aktiv shëndetësor

      Presidenti Ilir Meta ka shpërndarë sot një reagim të profesorit të njohur Isuf Kalo, i cili kërkonte nga qytetarët që të ruanin qetësinë përballë koronavirusit. Në një postim në Facebook, Meta shkruan se përballimi i situatës në këto momente bëhet me përfshirjen e profesorëve më të mirë që janë dhe jashtë shërbimit aktiv shëndetësor.

      Ilir Meta dhe koronavirus

      Kjo deklaratë e Kreut të Shtetit është një thirrje për qeverinë, për të marrë të gjithë mjekët, pasi sipas tij bashkimi bën fuqinë. “Përballimi me sukses dhe përgjegjshmëri, kërkon pikërisht përfshirjen e profesionistëve më të mirë të vendit edhe jashtë shërbimit aktiv shëndetësor. BASHKIMI BËN FUQINË! 🇦🇱”, shkruan Meta.

    • 14:18

      Ministrja Xhaçka jep lajmin: Po evidentohet çdo ushtarak që ka udhëtuar jashtë vendit

      Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka bërë me dije lajmin se në Forcat e Armatosura ka nisur evidentimi i ushtarakëve që kanë dalë jashtë vendit 2 javët e fundit. Gjithashtu sipas ministres, kanë filluar që të bëhen edhe kontrolle nga ekipet mjekësore  në reparte dhe në strukturat ushtarake.

      “Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura kanë nisur marrjen e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 në strukturat e vartësisë së saj, bazuar nga udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Institutit të Shëndetit Publik dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Përveç kontrolleve në reparte dhe struktura ushtarake nga ekipet mjekësore, po evidentohet personeli ushtarak/civil që ka udhëtuar në zonat e infektuara jashtë vendit gjatë dy javëve të fundit,”- shkruan ministrja.

      POSTIMI I PLOTË:

    • 14:08

      KLGJ: Pezullohen të gjitha seancat gjyqësore për një periudhë 2 javore

      Këshilli i Lartë i Gjyqësorit ka vendosur që të pezullohen për një periudhë dy javore proceset gjyqësore. Ky vendim është marrë për shkak të përhapjes së koronavirusit në vendin tonë.

      Pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat e vendit, të juridiksionit të përgjtihshëm dhe të posaçëm, për shkak të situatës së krijuar dhe infeksioni i përhapur Covid-19”, shprehet në pikën e parë të vendimit.

      Gjithashtu, përjashtohen nga efektet e pezullimit, “seancat e vlerësimit të masave të sigurisë, seancat në të cilat janë kërkuar ose zbatuar masat e sigurisë me burg, dhe kur të arrestuarit, i pandehuri ose mbrojtësit e tyre e kërkojnë shprehimisht që të vijohet me shqyrtimin e tyre”. Kohëzgjatja e këtij vendimi do të jetë për një periudhë dy javore, thotë KLGJ.

    • 13:24

      A do zhduket koronavirusi? SHMU: Nesër rriten sërish temperaturat, do ketë mot të kthjellët

      Dita e sotme po shoqërohet me kthjellime dhe vranësira, por nesër pritet një përimirësim dhe rritje e temperaturave të ajrit. Sipas një njoftimi nga Shërbimi Metreologjik Ushtarak, mësohet se temperaturat e mëngjesit parashikohen në vlerat nga 1ºC në zonat malore deri në 5ºC në ato të ulëta dhe ato bregdetare.

      Foto ilustruese

      Ndërkohë në vlerat e mesditës parashikohet rritje me nga 15ºC në relievet malore deri në 21ºC në ato të ulëta dhe ato bregdetare”, shtohet më tej.  Rritja e temperaturave është një shenjë e mirë dhe për largimin e koronavirusit pasi sipas mjekëve COVID-19 shpërbehet nga dielli.

      NJOFTIMI I PLOTË

      Tashmë gradualisht kushtet e qëndrueshme atmosferike po ndikojnë në vendin tonë ndërsa dita sot ka nisur kryesisht me kthjellime dhe vranësira mesatare lokalisht të dendura në relievet malore. Gradualisht deri në fund të kësaj dite pritet mot i kthjellët ndërsa vranësirat do të mbeten prezente përgjatë relieveve malore.

      Për ditën e nesërme pritet një përmirësim i mëtejshëm i kushteve atmosferike. Moti do të jetë i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit përjashtuar vranësira e pakta kalimtare në orët e mesditës deri ato të pasdites. Temperaturat e mëngjesit parashikohen në vlerat nga 1ºC në zonat malore deri në 5ºC në ato të ulta dhe ato bregdetare. Ndërkohë në vlerat e mesditës parashikohet rritje me nga 15ºC në relievet malore deri në 21ºC në ato të ulta dhe ato bregdetare.

    • 13:15

      Zv.ministrja e Shëndetësisë, Rakacolli thirrje shqiptarëve: Evitoni lëvizjet me urban, kafenetë, nëse mbushet Infektivi, Senatoriumi do të kthehet në karantinë

      MSH tha se është gati edhe përballja me skenarin më të keq. Nëse spitali Infektiv do të mbushet me pacientë të prekur, atëherë, karantina e radhës do të jetë ‘Spitali i Senatoriumit’, Shefqet Ndroqi në dalje të Tiranës, në zonën pranë rrethrrotullimit të TEG.

      “Vetëm 3 të shtruar kemi në të gjithë spitalin Infektiv. Edhe nëse do të mendojmë për skenarin më të keq si në Itali, nëse do të mbushet infektivi, se ata edhe shërohen, ka një qarkullim, do të dalin, do të kemi edhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, i kemi marrë të gjithë masat. Edhe nëse shkojmë në këtë situatë, nuk do t’i pritet fare kujdesi njerëzve të tjerë. Do kemi shtretër të ndarë nga ana që kanë COVID-19″, tha zv.ministrja Rakacolli.

    • 13:15

      Mjeku e thotë “live”: Edhe unë mund të jem i infektuar, por nuk e di

      Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj gjatë një konference për shtyp tha se edhe ai mund të ishte i infektuar nga koronavirusi por që deri më tani nuk kishte shfaqur asnjë simptomë.

      Në fjalën e tij, Brataj po shprehej se jo të gjithë të infektuarit me koronavirus kanë shfaqur simptoma, duke dhënë edhe veten si shembull. Mjeku tha se kishte pasur kontakte me pacientë të ndryshëm dhe se mund të ishte infektuar.

      “Është normale të ketë shqetësim dhe panik. Është një gjë që po e kalon gjithë bota. Është trefishuar numri ndaj 127, dimë nga studimet se 3% e njerëzve që infektohen nuk shfaqin simptoma. Në këto kohë kemi pasur gjithmonë mbi 400 pacientë, nuk ia kemi vënë emrin koronavirus, por grip. Nuk mund të ndodhi mos të dalim në kafe, restorant, apo kudo. I mori masat Italia. Filloi izolimi i të gjithë Italisë, nuk ka rrugë tjetër. Duhet të izolojmë kontaktet. Mbani distancë nga njëri-tjetri. As unë nuk e di, mund të jem i infektuar. Është një betejë që të gjithë së bashku mund ta fitojnë, njerëzit shërohen. Do të jemi në dispozicion si gjithmonë. Merreni 127. Kemi edhe pacientë të tjerë jo vetëm ata me koronavirus. Këshillat ndiqni me rigorozitet,”-tha ai.

    • 13:15

      ‘Je sëmurë me Covid-19, por s’ke simptoma’/ MSH sqaron qytetarët: Mund të jesh i prekur, por s’ndjen asgjë…

      Drejtoresha e Inspektoriatit të Shëndetit Publik, Albana Fico foli edhe për rastet kur i prekuri mund të jetë bartës i virusit Covid-19, por të mos sëmuret. Fico tha, se këto raste rrezikojnë vetëm kalimin e koronavirusit tek personat e tjerë.

      “Pyetja është e saktë dhe ia vlen ta qasim. Vetëizolimi ka të bëjë me persona pozitivë jo të sëmurëve jo me shenja klinike. Në spital ke shenja klinike, je pozitiv . Personat që dolën pozitiv pas dy rasteve të para janë të vetëizoluar. Janë persona që nuk kanë shenja klinike. Vetëkarantinimi ka të bëjë me persona që kanë histori udhëtimi dhe nuk kanë shenja klinike. Nëse ti ke shenja respiratore, ke temperaturë dhe ke qenë në zonat e kuqe vjen këtu. Edhe atyre që nuk kanë histori udhëtimi i bëhet testimi. Në vetëkarantinim ke për detyrë të qëndrosh i izoluar, të përdorësh një dhomë të veçantë”, u shpreh Fico.

    • 13:15

      Rëndimi i bilancit me koronavirusin, ISHP apel qytetarëve: Ruhuni dhe lani duart! Facoletat hidhini në kosh me kapakë të mbyllur!

      Drejtoresha e Inspektoriatit të Shëndetit Publik, Albana Fico iu ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të respektojnë të gjitha rregullat e higjienës. Fico tha se duart duhet të lahen për më shumë se 20 sekonda, dhe se facoletat (letrat), duhet të hidhen në kosh me kapakë të mbyllur.

      “Larjen e duarve më shumë se 20 sekonda, përdorimin e dezinfektantëve, respektimin e higjienës respiratore, përdorimin e facoletës, pas kollitjes dhe teshtimave dhe pasi e përdorim ta hedhim në kosh me kapakë të mbyllur. Të zbatojmë rregullin e distanimit social, por të gjithë jemi të informuar që një nga mënyrat e përhapjes janë spërklat në kontakte direkte dhe jo e ajrit.
    • 13:15

      10 të prekur nga Covid-19 në Shqipëri, MSH thirrje të fortë qytetarëve: Izolohuni, evitoni daljet e tepërta, urbanet, dhe ruani higjienën

      Ministria e Shëndetësisë njofton se ka shkuar në 10 numri i të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri. Deri më tani janë ekzaminuar 114 raste, 10 prej të cilëve kanë rezultuar pozitiv. Mira Rakacolli iu bëri thirrje qytetarëve që të marrin të gjitha masat për të bërë të mundur që Covid-19 të mos përhapet. Zv.ministrja bëri me dije se njëri nga të infektuarit është në Spitalin e Durrësit.

      “Deri sot janë testuar 114 raste të dyshuar, prej të cilëve vetëm 10 janë pozitiv. Ato që kanë qenë dje babë e bir, 6 që janë konakte të këtyre të sëmurëve dhe dy raste të reja të palidhura me këto raste. Një që është i shtruar në Infektiv dhe ka një histori udhëtimi në Milano një ditor, dhe një në spitalin e Durrësit”-tha ajo. 

      Më tej, ajo iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të shmangin të gjitha kontaktet me njerëzit, daljet, por edhe daljet dhe transportin publik. Zv.ministrja tha se ka panik por shqiptarët rrinë në kafe dhe flasin për Covid-19.

      “E theksoj shumë karantinimin e detyrueshëm. Është shumë i rëndësishëm sepse jep disa gjëra të mira. Shmang kontaktet e këtyre njerëzve dhe duhet të merren masat. Nuk po zbatohen masa. Kemi njerëz në kafene e restorante shumë, të kufizojmë transportin publik. Të shmangim daljet e panevojshme nga shtëpia. Duhet të evituar transportin publik, udhëtimet ndërkombëtare. Nëse marrim këto masa, i kemi strukturat për të përballuar çdo lloj situate. Sistemi është në këmbë por sjellja nuk është në përputhje me panikun. Ulemi në kafene dhe diskutojmë për Covidin.“-tha ajo. 

      Gjithashtu, MSH tha se është gati edhe përballja me skenarin më të keq. Nëse spitali Infektiv do të mbushet me pacientë të prekur, atëherë, karantina e radhës do të jetë ‘Spitali i Senatoriumit’, Shefqet Ndroqi në dalje të Tiranës, në zonën pranë rrethrrotullimit të TEG.

    • 12:42

      FOTOT/ Tirana përfshihet nga paniku, urbanët në Tiranë mbeten bosh

      Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ditën e djeshme njoftoi se ka nisur dezinfektimi i urbanëve dhe rritja e kontrolleve të tyre për shkak të koronavirusit. Sot qytetarët të frikësuar nga një infektim i mundshëm kanë zgjedhur që të mos udhëtojnë me urban dhe shumë prej tyre kanë mbetur bosh.

      Siç shihet dhe nga fotot, autobusi është pothuajse bosh, nuk ka studentë apo nxënës për të shkuar në shkollë. Ndërkohë, qytetarët kanë vazhduar të marrin masa paraprake për një rrezik të mundshëm, e siç shihet në këto foto edhe fatorino ka vënë maskë.

    • 12:17

      Flet drejtori i Pastrim-Gjelbërimit: Do bëjmë aksion të përgjithshëm, kjo është hera e dytë

      Arjan Ndreu

      Qyteti i Fierit ka nisur që të dezinfektohet për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Drejtori i ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit në Fier, Arjan Ndreu ka bërë me dije se ky është dezinfektimi i dytë për këtë periudhë kohe. Ndreu tha se bashkia ka trajnuar punëtorët dhe ka filluar pa humbur kohë aksionin për të “sterilizuar” të gjitha ambientet e përbashkëta.

      “Sot herët në mëngjes kemi filluar me dezinfektimin e objekteve arsimore, OSSHE e CEZ dhe ambiente ku ka përqëndrime të popullatës. Kemi 4 grupe punë që po operojnë në të gjithë objektet. Ky dezinfekim nuk është i pari por i dyti për këtë periudhë sezonale. Në darke do dezinfektojmë sheshet, parqet, rrugët, do bëjmë aksion të përgjithshëm. Kemi trajnuar punëtorët. Kemi edhe pompa elektrike dhe mendoj se jemi të gatshëm që ky dezinfektim do të jetë rezultativ,”-u shpreh ai

    • 12:14

      Frika e Koronavirusit, FSHF merr vendimin për kampionatin shqiptar

      Komiteti i Emergjencës në Federatën Shqiptare të Futbollit pas mbledhjes së jashtëzakonshme të zhvilluar ditën e sotme dhe komunikimeve zyrtare me Këshillin e Ministrave ka vendosur të njoftojë klubet se aktiviteti futbollistik në Shqipëri do të vijojë sipas kalendarit zyrtar të parashikuar nga Sektori Garave, por ndeshjet do të zhvillohen me dyer të mbyllura.

      Foto ilustruese

      Njoftimi i Federatës Shqiptare të Futbollit

      Komiteti i Emergjencës në Federatën Shqiptare të Futbollit pas mbledhjes së jashtëzakonshme të zhvilluar ditën e sotme dhe komunikimeve zyrtare me Këshillin e Ministrave ka vendosur të njoftojë klubet se aktiviteti futbollistik në Shqipëri do të vijojë sipas kalendarit zyrtar të parashikuar nga Sektori Garave, por ndeshjet do të zhvillohen me dyer të mbyllura.

      Kjo masë është marrë pas vendimit të djeshëm të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe në respekt të ruajtjes së shëndetit publik të sportdashëve dhe të gjithë personave të përfshirë në garën futbollistike në vend. Federata Shqiptare e Futbollit kërkon mirëkuptimin e të gjithë palëve, si një vlerësim objektiv për situatën në cilën ndodhet vendi.

    • 12:07

      Çifti nga Erseka të dyshuar me koronavirus, ambulanca merr analizat me urgjencë, burrë e grua ishin në Itali tek fëmijët

      Dosja.al mëson se një çift nga Erseka janë të dyshuar si të prekur nga koronavirus. E.M dhe M.V, burrë e grua, kanë qenë në Itali tek fëmijët e tyre, dhe janë rikthyer në Shqipëri disa ditë më parë. Banorë të fshatit Qinam, çifti ka shfaqur simptoma dyshuese për koronavirusin. Gjithashtu mësohet se analizat e tyre janë marrë me urgjencë nga një makinë autoambulance që ka shkuar në banesën e tyre dhe janë dërguar në Tiranë. Pritet përgjigjia e analizave për të marrë vesh nëse çifti është i prekur me Covid-19 apo jo.

    • 12:05

      Koronavirusi mbyll konviktet deri në 3 prill, studentët rikthehen në rrethet nga vijnë, zbrazet Tirana

      Bashkë me kopshtet, shkollat, universitetet dhe konviktet janë mbyllur nga frika e përhapjes së koronavirusit. Pas urdhrit të bërë publik nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, sot administrata e konvikteve ka nisur zbrazjen e tyre.

      Konvikt në Tiranë

      Ka lindur nevoja që të shpjegoj një rregull që vlen si për shkollat, kopshtet e çerdhet, po ashtu edhe për konviktet. U kërkoj drejtoreshave të konvikteve që të komunikojnë se konviktet nuk do të funksionojnë. Pra, do të aplikojnë udhëzimin e qeverisë dhe urdhrin e Bashkisë së Tiranës për t’i mbyllur deri në datën 3 prill”, deklaroi Veliaj ditën e djeshme. Sot studetnët kanë treguar për Dosja.al, se ata tashmë kanë lënë dhomat e konvikteve dhe janë nisur drejt shtëpive të tyre në rrethe.

    • 11:42

      Nëna në merak: Erdhi nga Italia me traget, është pa bukë, i dhanë vetëm një kokërr

      Nëna e 41-vjeçarit

      Nëna e një 41-vjeçari po qëndron jashtë spitalit Infektiv, në merak për të birin që është kthyer para disa javësh nga Italia. Ajo tregoi se i biri kishte ardhur me traget nga porti i Durrësit, dhe gjatë kohës që kishte qëndruar në shtëpi kishte shfaqur probleme me frymëmarrjen dhe temperaturë. Më tej ajo shtoi se deri më tani mjekët i kanë bërë dy analiza por deri më tani nuk ka dalë asnjë rezultat.

      “E çuam tek spitali në Bulqizë, e çuan në Sanatoriuam dhe pastaj këtu. Djali është pa bukë. Sot në mëngjes ia bënë analizat. Ka qënë në Itali, në San di Mari. Kishte probleme me frymëmarrjen dhe kollë. Temperatura i shkonte ndonjëherë 38.5 dhe bëhej ujë në djersë. Është futur nga Durrësi me makinën e vet. Në Durrës nuk ia matën temperaturën. Kemi ardhur mbrëmë nga ora 5,”-shprehet nëna.

    • 11:36

      ‘Vini në rrezik fisin e lagjen’, drejtoresha shqiptare e Aeroportit të Bergamos thirrje shqiptarëve që kthehen nga Italia: Ngelët me puthje e përqafime mo trima!

      Stela Ulaj, drejtoresha e Aeroportit te Bergamos

      Drejtoresha e Aeroportit të Bergamos, shqiptarja Stela Ulaj, thotë se shqiptarët po largohen drejt Italisë duke nxjerrë si qëllim kurimin. Në një reagim në rrjetet sociale, me nota ironie, Ulaj thotë se shqiptarët me udhëtimet e tyre të shumta, janë ato që mbajnë gjallë ekonominë e këtij aeroporti, ndërkohë që nuk i kursyen në takimet e tyre puthjet e përqafimet, duke mos u ruajtur nga rreziku i përhapjes së koronavirusit.

      Reagimi i plotë:

      Dje Bergamo Tiranë ishte udhëtimi me më shumë pasagjerë në aeroport. Me pas lezet! Me t’u shtu jeta! Shqipet që mbajnë gjallë ekonominë e aeroportit. Një bravo të madhe. Vetëm shqip dëgjoje… Po ti shihje?. .. Vite jetë të shtoheshin… Të gjithë bashkë e të përbashkuar me një dëshirë e një qëllim… Shtrëngime duarsh shoqëruar me tundje krahu, se s’bën vaki mos të takosh dikë që e njeh:

      1. Oh, po ju këtu?

      2. Po përcjell pleqtë. Nami këtu.

      1. Edhe unë po I nisi. A ke lexu? Në Shqipni asnji për besë nuk është sëmurë, janë duke na studiu. Vazhdimi në Shqipni… Fantazia bën punën e vet. Triumfues pasagjerët tanë arrijnë në Shqipni, ku përqafime e puthje me muah, muah zemra nanës, nuk kursehen.
      Ca me kursy moj, një ‘Shyqyr që u kthyet shëndosh’ shoqëron çdo takim të përzemërt.
      Tash kena mbërrit në Shqipni, kurgja s’na gjen.

      Aman na ndal për një kafe të lokali poshtë shtëpisë se mbaruam për një kafe si duhet… Aaa, prit sa te ndalem ti përshëndes komshinjtë se janë bë merak të shkretët… Neser do shkoj vrap te im vëlla se është keq me tension i shkreti e është ba merak për mu… Aman moj, po për tetat që arritën në kohë per një darkë 8 Marsi? Po një valle doradore a nuk i takon? Kush ka kurajo të më thotë jo???Aman, po një kafe të blloku me një tag #asgjesmendalon?

      E kështu pra! Etj etj E gjitha kjo nga marazi i djeshëm më vjen. Optimizmi juaj më ka dhënë më kuptu se kam probleme. Jam bash rob kot! Pse moj, pa lidhje, a thu nisen ba me e dit se po ven në rrezik krejt fisin e lagjen? Hë pra!!!!!!!!!!!! Tash një lutje e një kërkes kam. Zot ruaji e na ruaj! Kur të keni nevojë si zakonisht për mjekësinë italiane mos bëni si viktima, o trima! Kam vite në botën aeroportuale dhe mirëkuptoj që motivet e spostimit janë nga më të larmishmet e të detyrueshmet, por këto eksodet me qëllim shpëtimi me duken tragjikomike. Tung!

    • 11:14

      Në izolim total tek Infektivi, ja si është gjendja e 6 të prekurve nga koronavirusi…deri më tani LAJME TË MIRA

      Foto ilustruese

      Zbulohen detaje lidhur me gjendjen e 6 të infektuarve me koronavirus, të cilët ndodhen në karantinë pranë spitalit Infektiv në QSUT. Mësohet se 28-vjeçari, i cili erdhi nga Firence dhe është identifikuar si ‘pacienti 0’, është në gjendje të mirë. Edhe të shtruarit e tjerë paraqesin një gjendje të mirë pa komplikacione që mund të rezultojnë fatale. Të gjithë pacientët nuk kanë nevojë të intubohen apo të mbahen në reanimacion pasi kanë gjendje të mirë.

    • 11:10

      Koronavirusi/ Shkollat u mbyllën me dy javë, Shahini jep njoftimin e rëndësishëm për maturantët

      Besa Shahini

      Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, pas ndërprejes së procesit mësimor ka deklaruar se maturantët gjatë kësaj kohe duhet të punojnë me librat e Maturës Shtetërore, pasi sipas saj do t’i ndihmojnë për t’u familjarizuar me natyrën e testeve.

      Reagimi:

      Për maturantët: Gjatë periudhës së ndërprerjes së procesit mësimor, punoni me librat e Maturës Shtetërore, që janë përmbledhje e testeve dhe skemave të vlerësimit për gjuhën e huaj, matematikën dhe lëndët me zgjedhje për vitet 2011-2019. Këta libra ju vijnë në ndihmë për t’u familjarizuar me natyrën e testeve dhe të pyetjeve që përdoren në këto teste. Matura Shtetërore, Gjuha Shqipe dhe Letërsia: http://qsha.gov.al/infos/gjuhe_shqipe.pdf Matura Shtetërore 2019, teste dhe skema vlerësimi, gjuhët e huaja, matematika dhe lëndë me zgjedhje: http://www.qsha.gov.al/…/matematike_lende_zgjedhje_gjuhe_hu…

    • 11:09

      Çfarë mund të bëj nëse kam temperaturë, dhimbje fyti ose vështirësi në frymëmarrje? Dëgjoni me vëmendje këshillat e Ministrisë së Shëndetësisë

      Ministria e Shëndetësisë ka dhënë sot disa këshilla se si të mbrohemi nga koronavirusi. Ministria këshillon që ata që kanë qenë në 14 ditët e fundit në vendet e prekura ose që kanë pasur kontakt me persona të sëmurë me COVID-19 që të telefonojnë në numrin 127, të qendrojnë në shtëpi dhe të përdorin kartëpecetë njëpërdorimëshe, të lajnë duart shpesh dhe të mbajnë një maskë.

      Disa këshilla se si të mbroni veten nga Koronavirusi COVID-19: Lani shpesh duart me ujë dhe sapun ose pastrojini mirë ato duke i fërkuar me pastrues me bazë alkooli; Kur kolliteni apo teshtini, mbuloni gojën dhe hundën me shami letre. Hidheni menjëherë shaminë e letrës në koshin e plehrave dhe pastaj lani duart; Mënjanoni kontaktet e ngushta me këdo që ka temperaturë dhe kollë; Kontaktoni 127 nëse keni kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje dhe raportoni historinë e udhëtimeve nëse keni kryer kohët e fundit.

    • 10:53

      Shkoi për t’u bërë baba në Itali, kapiteni legjendar shqiptar izolohet në Romë, Lorik Cana i dërgon mesazh shqiptarëve: Koronavirusi është edhe në Shqipëri…mirupafshim!

      Edi Rama dhe Lorik Cana

      Kryeministri Edi Rama ka postuar videon e kapitenit legjendar të skuadrës kombëtare të futbollit, Lorik Canës, i cili ka mbetur i izoluar në shtëpinë e tij në Romë. Në video-mesazhin e tij për qytetarët, Cana i kërkon të gjithë qytetarëve që të mos shfaqin frikë por të tregohen të kujdesshëm.

      Përshëndetje, këtu Loriku nga shtëpia ime në Romë. Tanimë jo vetëm anembanë botës apo në Itali, koronavirusi është edhe në Shqipëri. Disa gjëra shumë të vogla për secilin prej nesh, shumë të rëndësishme për të vepruar dhe jo për të reaguar më vonë ndonjë situatë të papërballueshme. Secili prej nesh, ka në detyrë dhe çdo indidvid ka një detyrë që të respektojë dhe të mundohemi të respektojmë sidomos pjesën e higjenës. Më mirë që tani të bëjmë secili nga një forcë të madhe dhe të dalim nga kjo situatë sa më shpejt. Mirupafshim!,”-shprehet Cana.

      Ndërsa Rama krahas videos ka rishkruar edhe njëherë të gjitha këshillat që duhet të ndjekin qytetarët për të penguar infektimin me koronavirus.

      Të ruajmë veten dhe njëri-tjetrin duke kufizuar sa më shumë kontaktet fizike! Të lajmë duart sa më shpesh për jo më pak se 20 sekonda! Të kufizojmë daljet dhe uljet nëpër kafene e restorante, vajtjet në palestra, disko e në mjedise të mbyllura me kontakte të shumta! Të mbrohemi me maskën e arsyes nga INFODEMIA – lajmet, kronikat, komentet, debatet që krijojnë konfuzion, pasiguri, shkurajim,”-shkruan Rama.

      Prej disa muajsh, Cana është rikthyer në Itali pasi është bërë baba për herë të dytë me një vajzë të quajtur Enkelejda.

    • 10:34

      ISHP njoftim me rëndësi për qytetarët: Duhet të rrëzoni këto mite, mos vendosni maska. Nuk duhet të keni frikë nga ushqimet kineze

      Instituti i Shëndetit Publik ka bërë sot një njoftim me rëndësi për të gjithë qytetarët, duke qartësuar disa fakte rreth koronavirusit. Në një njoftim në Facebook, me anë të disa fotove ISHP kërkon të rrëzojë disa mite që janë ndërtuar mbi koronavirusin dhe të tregojë se si qëndron e vërteta.

      Për specialistët e ISHP është e gabuar që të vendosim maska, por duhet që të kujdesemi sa më shumë për higjienën tonë personale. Një mit tjetër është se në situatë paniku nga koronavirusi racizmi dhe ksenofobia janë normale në situata të tilla. Po ashtu evitimin e ngrënies së ushqimeve kineze apo marrjen e pakove nga Kina ISHP e klasifikon si mit pasi OBSH nuk ka dhënë asnjë njoftim të tillë.

    • 10:40

      Koronavirusi në Shqipëri, Meta i qetë, poston FOTO me lule: Po shtohen, pranvera nuk ndalet!

      Presidenti Ilir Meta ka postuar një foto ditën e sotme nga kopshti i oborrit të shtëpisë së tij. Meta ka pozuar pranë luleve të çelura të një peme duke dërguar mesazhe edhe për manifestimin që mbajti disa kohë më parë në sheshin “Dëshmorët e Kombit” duke e zhvendosur vëmendjen nga të infektuarit me koronavirus në Shqipëri.

      “Lulet po shtohen! Pranvera nuk ndalet!,”-shkruan Meta krahas fotos.

      POSTIMI I PLOTË: 

    • 10:36

      6 të infektuar me koronavirus në Shqipëri, Erion Braçe i kthehet Zotit, shkon tek Kisha e Laçit për t’u falur

      Zv/kryeministri, Erion Braçe reagon shpesh në situatën e koronavirusit në vendin tonë. Së fundmi, në Instagram ai ka pulikuar një foto nga Kisha e Laçit, ku shfaqet busti i shenjtorit dielli sipër kokës së tij. “Diell”, shkruan Braçe krahas fotos.  Mesa duket se Braçe i ka drejtuar sytë nga Zoti për këtë situatë.

    • 10:04

      Flet 31-vjeçari me koronavirus: Kam 36 orë tek Infektivi, as për rezultatin e analizës nuk më njoftuan (VD)

      Foto ilustruese

      31-vjeçari i prekur me koronavirus, i cili ndodhet në Spitalin Infektiv në QSUT ka deklaruar se ka 36 orë që ndodhet i shtruar, dhe askush nuk i ka konfirmuar përgjigjen e analizave të tij. Ai shprehet se nuk e kupton lojën e qeverisë, pasi sipas tij  publikisht e deklarojnë me koronavirus, ndërkohë këtë nuk ia ka konfirmuar askush.

      Unë jam 31 vjeçari për të cilin Ministria e Shëndetësisë dhe Erjon Braçe pretendoi se jam infektuar me koronavirus. Këtu jam te karantina, jam izoluar që prej orës 00:00 të natës së të dielës. Nuk më kanë sjellë asnjë përgjigje që jam me koronavirus, infermierët këtu nuk e pranojnë që jam me koronavirus. Nuk arrij të kuptoj këtë lojën që publikisht nxjerrin të dhënat e mia dhe thonë se jam me koronavirus ndërkohë këtu nuk vjen askush të ma konfirmojë. Se kuptoj se pse po e bëjnë këtë propagandë në emër timin. Nëse telefoni është i fikur më vonë do të thotë se ma kanë bllokuar këta. Nuk është normale të rrish më shumë se 36 orë në karantinë pa marrë një përgjigje”shprehet ai për Ora News.

    • 9:28

      Nis dezinfektimi i hapësirave publike në qytetin e Pukës (VD)

      Numri i personave të infektuar me koronavirus në vendin tonë ka shkuar në 6. Në qytetin e Pukës ka filluar dezifektimi i të  gjithë hapësirave publike. Siç shihet edhe në videon e mëposhtme të publikuar nga Bashkia Pukë, punonjësit janë duke dezinfektuar rrugët dhe parqet.

    • 8:34

      Braçe jep detaje për 31-vjeçarin: Shkoi vetëm disa orë në Milano, vizitoi dajën në spital

      Erion Braçe

      Zv/ kryeministri Erion Braçe u ka bërë thirrje shqiptarëve që kanë qenë 2 javët e fundit në Itali të vetëkarantinohen. Braçe ka theksuar se i infektuari i 6-të, 31-vjeçari kishte shkuar për disa orë në Milano,  për të vizituar dajën e tij në spital dhe aty u infektua.

      Reagimi i plotë:

      NJEREZ NESE KENI QENE NE ITALI DY JAVET E FUNDIT RRINI NE SHTEPI! MOS DILNI! MOS SHKONI NE KAFE A RESTORANTE! INFEKTONI TE TJERE KESHTU! Ky virus shfrytezon fort menyren tone te jeteses; E DIME MIRE, NE JEMI POPULL SHUME SOCIAL, “BEHEMI SHUME” ME NJERI TJETRIN! I infektuari i 6-te eshte nje dale i ri qe ka shkuar vec per disa ore ne Milano, “per te pare dajen e shtruar ne spital atje”!!!!!!!!!! Vec kaq pak eshte dashur! Pastaj dashuria e madhe per njeri tjetein ketu e perhap me qef virusin! Ndaj, NESE KE QENE NE ITALI, VETEKARANTINOHU! RI NE SHTEPINE TENDE! SHPETON VETEN DHE GJITHKEND QE DO! Beje tani!

    Shto Koment