LIVE UPDATES
Ekonomi

“Më kanë borxh rreth 900 euro”/ Shfrytëzimi i punëtorëve globalë, mijëra kilometra larg shtëpisë dhe në ‘mëshir

17 Shkurt 2020, 11:20 Nga DOSJA
“Më kanë borxh rreth 900 euro”/ Shfrytëzimi i

JETA E PASIGURT E PUNËTORËVE TË HUAJ NË SERBI.

Mijëra kilometra larg shtëpisë, pa para, pasaporta dhe zotërim të gjuhës, ata ishin në mëshirën e punëdhënësit të tyre në Surçin diku në periferinë e Beogradit.

Ne të tre ishim aty — dy aktivistë dhe një gazetar. Të shtangur dhe duke mërdhirë, ndejtëm ulur në kerr të parkuar midis mjegullës së dendur dhe i pritëm. Kanani 26-vjeçar është njëri nga 70 punëtorët e përkohshëm prej Indisë që janë në grevë sepse punëdhënësi i tyre serb i ka lënë pa pagë.

“Ne s’paguhemi, edhe pse punojmë dhjetë orë në ditë”, shpjegon ai, duke na prirë përmes baltës së trashë. “Kështu po vazhdon muaj pas muaji dhe jemi ngopur, duam atë që kemi fituar dhe duam të shkojmë në shtëpi”.

Pasi kishin hasur në reklama për mundësi punësimi në Serbi shkurtin e kaluar, ata u rekrutuan nga firma serbe “Nikolić d.o.o.”, nënkontraktues për kompanitë kineze dhe ruse që kryejnë ndërtimet më të mëdha rrugore kombëtare.

Megjithatë, del se punëtorët indianë kanë qenë duke punuar me kontrata tejet të pafavorshme dhe ilegale, të nënshkruara përmes një kompanie ndërmjetësuese amerikane. Disa prej punëtorëve nuk kanë leje pune dhe pretendojnë se u janë marrë pasaportat, prandaj i janë drejtuar policisë serbe.

Menduam se gjithçka do të rregullohet dikur”, thotë Kanani, duke na treguar kampet e punëtorëve të ndërtuara nga punëdhënësi i tyre, ku kanë jetuar për një muaj. “Por, meqenëse situata nuk ka ndryshuar për disa muaj, kemi vendosur të ngritemi për të drejtat dhe pagat tona”.

Secila nga këto dhoma me hapësirë dhjetë metra katror banohet prej katër vetëve — ata hanë, pinë dhe lajnë rrobat e tyre këtu. Të shqetësuar nga ngrohja e dobët, kanë blerë nxehëse të vogla.Janë vetëm katër tualete në tërë kompleksin. Në mungesë të dusheve, punëtoret lahen me një tub gome në pjesën e pasme të njërës nga banjat. Edhe pse kushtet e jetës dhe punës nuk janë fare të përshtatshme, ata merakosen më fort që nuk u janë dhënë paratë për të cilat kapërcyen një gjysmë kontinenti.

NUMRI I PUNËTORËVE TË HUAJ PO RRITET ÇDO VIT SI PASOJË E EKSODIT TË PUNËTORËVE SERBË DREJT VENDEVE MË TË PASURA EVROPIANE.

Më kanë borxh rreth 900 euro”, thotë ai, duke shpjeguar motivimin e tij për të ardhur këtu. “Është vështirë të gjesh punë në shtetin tim, ndërsa në Serbi paguhesh tri herë më shumë”. Sipas kontratave të tyre, pagat janë 320 euro, pra tri herë më të larta se paga mesatare në Indi. Me përfshirjen e punës mbi normë, pagesa mund të arrijë deri në 400–500 euro. Sidoqoftë, të gjitha paratë që i fitojnë u transferohen në llogaritë bankare në Indi, kështu që krejt çfarë marrin në Serbi janë vetëm 50 euro të zbritura nga paga prej punëdhënësit.

Serbia po heq dorë nga tagri brenda kufijve të vet

Ky rast — fillimisht i raportuar nga Istinomer — është shembulli më i rëndë i shfrytëzimit të punëtorëve të huaj në Serbi. Numri i punëtorëve të huaj po rritet çdo vit si pasojë e eksodit të punëtorëve serbë drejt vendeve më të pasura evropiane.

Aktivistja Sërnja Ignjatoviq, e cila punon me OJQ-në ASTRA, ka pasur mundësinë t’i ndjekë fatet e punëtorëve indianë për muaj të tërë.  “Fatkeqësisht, ky është shembull klasik i shfrytëzimit të punëtorëve sepse punëdhënësi kreu rekrutim mashtrues në Indi dhe ujdisi që punëtorët të transportohen në Serbi, duke e shfrytëzuar pozitën e tyre të pasigurt”, thotë ajo.

“Punëtorët kanë kaluar tetë muaj këtu duke punuar dhe jetuar së bashku. Janë ballafaquar me kushte të tmerrshme, madje çnjerëzore, duke mos u lejuar t’i qasin pagat ose duke mos u paguar fare,” shpjegon ajo, duke shtuar se e punëtorët e kanë pasur të pamundur ta ndërprejnë punën vullnetarisht sepse u janë konfiskuar dokumentet indentifikuese, janë frikësuar dhe kërcënuar nga policët, si dhe janë të varur nga punëdhënësi financiarisht (dhe në çdo mënyrë tjetër). Përveç shfrytëzimit të punëtorëve, ky rast është gjithashtu domethënës duke marrë parasysh se si punëtorët indianë në Serbi përfunduan duke u bërë të padukshëm juridikisht pa para në duar.

Në thelb të çështjes qëndron një mekanizëm i rrezikshëm global i “transferimit” të punëtorëve, gjë që pa dyshim u hap udhë mënyrave të ndryshme të abuzimit nëse nuk i vihet ledh.

Doli se punëtorët indianë — ani pse të punësuar nga “Nikolić d.o.o.” — nuk kanë lidhur kontrata pune me firmën serbe, por me një kompani amerikane të quajtur “IDEA Capital LLC.” Thuhet se e funda i ka transferuar te “Nikolić d.o.o.” si pjesë e një marrëveshjeje për bashkëpunim teknik dhe biznesor.

Megjithatë, këto kontrata të nënshkruara me kompaninë e bazuar në Majami të ShBA-së bien në kundërshtim me Ligjin e Punës të Serbisë, nuk kanë vulë dhe parashohin gjoba me vlerë mes 50 dhe 500 eurosh ndaj punëtorëve. Për më shumë, dokumentet përmbajnë një dispozitë që e lejon punëdhënësin t’i shkëput kontratat pa njoftim paraprak ose arsye formale.

Pavarësisht kësaj, Inspektorati i Punës i Serbisë ka thënë se këto çështje janë jashtë tagrit të vet, duke hedhur përgjegjësinë te homologët amerikanë. Me këtë vendim, inspektorati — në mënyrë paradoksale — ka shkelur Ligjin e Punës, i cili parasheh se secili person që punon brenda territorit të Serbisë u nënshtrohet ligjeve vendore, pa marrë parasysh se a janë të punësuar nga një kompani vendore a e huaj, ose nëse kanë shtetësi të Serbisë a të një vendi tjetër.

GJATË VITEVE TË FUNDIT ËSHTË RRITUR NUMRI I PUNËTORËVE TË HUAJ QË KANË HYRË NË SERBI, KRYESISHT PËR TË PUNUAR NË NDËRTIMTARI.

Më tej, mendimi i ekspertëve është se tash është hapur Kutia e Pandorës, duke marrë parasysh që punëdhënësit mund ta zbatojnë mekanizmin e njëjtë për të regjistruar kompani false në Shtetet e Bashkuara ose ndokund tjetër dhe të punësojnë punëtorë të huaj në mënyrë mashtruese. Në anën tjetër, Serbia ngurron t’i mbrojë të drejtat e tyre, për të cilat punëtorët shpesh nuk janë të vetëdijshëm gjatë luftës së tyre për mbijetesë.

“Nuk kemi qenë kurrë në Amerikë — kemi ardhur drejt në Serbi”, thotë Kanani. “Morëm vesh që kontratat ishin ilegale vetëm atëherë kur folëm me vajzat e ASTRA-s”.

Shfrytëzimi nën patronazhin e punëve shtetërore

Gjatë viteve të fundit është rritur numri i punëtorëve të huaj që kanë hyrë në Serbi, kryesisht për të punuar në ndërtimtari. Sipas Goran Rodiqit nga Oda e Ndërtimtarisë e Serbisë, punëtorët serbë të këtij sektori po emigrojnë drejt vendeve më të pasura evropiane për t’u lënë vend punëtorëve nga Turqia, Kina, Shqipëria, Azerbajxhani, dhe tashmë nga India.

Numri i saktë i punëtorëve të huaj nuk mund të llogaritet lehtë sepse shumica prej tyre punojnë ilegalisht. Sidoqoftë, bazuar në raportet nga terreni të përpiluara nga sindikatat tregtare, Rodiq vlerëson se janë rreth 3,500 punëtorë nga jashtë, duke shtuar se kushtet e jetës dhe punës janë çnjerëzore.

“Punëtorët shpesh jetojnë në dhoma të ngushta, nuk mund të bëjnë dush dhe nuk kanë ku të pushojnë pas punës së rëndë, që shpeshherë vazhdon pas orarit, duke u paguar pak krahasuar me punën që bëjnë”, shpjegon Kanani.

“Është tepër ftohtë për ta gjatë dimrit dhe tepër nxehtë gjatë verës”, vazhdon ai. “Meqë shumicës së punëtorëve u mungon veshja e përshtatshme për punë dhe regjistrimi, çdo lëndim mund të jetë vdekjeprurës, dhe shumë prej tyre nuk shpërfaqen kurrë”.

Një shembull tjetër i shfrytëzimit të punëtorëve të huaj që doli në pah është rasti i 80 punëtorëve të ndërtimtarisë me shtetësi turke në projektin e kompleksit luksoz të banimit dhe biznesit “Belgrade Ëaterfront”. Kjo ndërmarrje e përbashkët mes Serbisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe — pavarësisht kundërshtimeve nga partitë opozitare dhe ekspertët — është shpallur projekt me rëndësi kombëtare nga qeveria serbe.

Në mes të vitit 2018, punëtorët turq hynë në grevë sepse nuk kishin marrë pagat për dy muaj, dhe ndryshe nga kolegët indianë, nuk kishin qasje në ushqim dhe strehim. Sipas deklaratave që kanë bërë në takimin që u mbajt në hapësirën e ndërtimit, një pjesë e madhe prej tyre kanë punuar ilegalisht në baltë dhe ujë të thellë pa u paguar fare.

Institucionet serbe kanë ruajtur një heshtje shpërfillëse. Ambasada Turke pagoi biletat e kthimit për qytetarët e vet, por vetëm pas trysnisë së fortë nga mediat. Punëtorët prapëseprapë nuk u paguan.

Rodiç beson se shfrytëzimi i punëtorëve të huaj do të vazhdojë krahas heshtjes institucionale, sepse çështja në fjalë lidhet me projektet shtetërore dhe interesat e kompanive të fuqishme dhe shteteve prej ku ato vijnë.

“Të gjitha këto janë projekte që përfshijnë kapital të dyshimtë prej shteteve të jashtme, kështu që ka arsye të besohet se kemi të bëjmë me shpërlarje parash, duke llogaritur dhe mungesën e transparencës,” thotë ai.

Projektet më të mëdha të ndërtimit të rrugëve zbatohen nga qeveria serbe sipas marrëveshjeve bilaterale, gjë që eliminon procedurat e prokurimit publik dhe përjashton qytetarët gati krejtësisht nga procesi.

PËRVEÇ NDËRMARRJEVE KINEZE DHE RUSE, KOMPANITË TURKE DHE AZERE GJITHASHTU NDËRTUAN RRUGË NË RRETHANA TË MJEGULLTA. VJET U BASHKËNGJIT EDHE BECHTEL, NJË KOMPANI AMERIKANE.

Veç kësaj, projektet shpeshherë kryhen përmes huave të dhëna nga shtetet që i mbikëqyrin këto projekte. Në përputhje me këtë, sa i përket projektit [të ndërtimit] të Korridorit 11 që punëson punëtorë indianë — kontraktuesi kryesor është kompania kineze “CCCC”. Vetë projekti financohet nga një hua prej bankës “Exim” të Kinës.

Për ndërtimin e urë-rrugës së Çortanovcit në linjën hekurudhore me shpejtësi të lartë mes Beogradit dhe Budapestit, kontraktuesi kryesor është kompania shtetërore ruse “RŽD International”. Projekti është pjesërisht nga një hua ruse. Punëtorët indianë po ashtu kanë punuar në këtë projekt.

Përveç ndërmarrjeve kineze dhe ruse, kompanitë turke dhe azere gjithashtu ndërtuan rrugë në rrethana të mjegullta. Vjet u bashkëngjit edhe Bechtel, një kompani amerikane që u përzgjodh pa procedurë të prokurimit publik. Krahas lidhjeve me Partinë Republikane, Bechtel po ashtu njihet për rindërtimin e hapësirave të shkatërruara nga ShBA-ja gjatë pushtimit të Irakut në vitin 2003.

“Kur kemi të bëjmë më këtë lloj ndërmarrjeje, nuk është e qartë se cilat janë përfitimet e Serbisë”, thotë Rodiq. “Projektet janë shumë më të shtrenjta sesa duhet, dhe kryesisht zbatohen prej kompanive të jashtme që sjellin punëtorë të huaj dhe mbesin larg syrit të publikut. Për më shumë, shohim se tejkalohen kufijtë sa i përket shfrytëzimit të fuqisë punëtore”.

Të zëvendësueshëm dhe njëpërdorimësh, punëtorët kthehen në shtëpi

Ka kaluar kohë e gjatë qëkur Serbia është bërë pikë takimi e interesave amerikane, kineze dhe ruse, por edhe nyjë e shfrytëzimit të pakompromis të në një ekonomie të gjerë kapitaliste dhe të stërglobalizuar.

Për shkak të këtyre zhvillimeve, institucionet shtetërore thuajse kanë hequr dorë nga kontratat ilegale — dhe pothuaj skllavëruese — që punëtorët indianë kanë nënshkruar me punëdhënësin e tyre serbo-amerikan.

Në anën tjetër, Ambasada e Indisë thuajse ka braktisur mbrojtjen e shtetasve të vet, të udhëzuar nga interesat e një shteti që ka për prioritet strategjik eksportimin e varfërisë dhe rrjedhimisht hyrjen e remitancave.

“Askush nga Ambasada nuk na ndihmoi. Na thanë të durojmë dhe ta përmbushim kontratën”, shkroi Kanani në ËhatsApp të premten më 30 janar, duke u çlodhur gjatë përgatitjes së valixheve për t’u kthyer në shtëpi.

Nina Nikoliq, pronarja e “Nikolić d.o.o.” dhe drejtorja e “IDEA Capital LLC” të shtetit të Floridës, ka pranuar t’i blejë bileta aeroplani shumicës së grevistëve të papajtueshëm, përfshirë Kananin. Për rrjedhojë, ajo i dëboi të pakënaqurit dhe shpejt do të marrë një kontigjent të ri punëtorësh nga India.

Në fund të fundit, grevistët nuk u paguan por morën vetëm nga 70 euro për shpenzimet e udhës dhe ushqimit. Kjo mbulon udhëtimin e tyre prej Nju-Delhit deri në Çenaj, kryeqytetin e shtetit jugor indian të Tamil Nadusë, prej ku edhe vijnë Kanani dhe shumica e kolegëve të tij.

Ata e kryen udhëtimin e biznesit në Serbi si mall njëpërdorimësh, ose më saktë si mall i zëvendësueshëm me afat të skaduar. Të dërrmuar dhe të zhgënyer, punëtorët po presin të bashkohen me familjet e tyre. Rënkimet e tyre s’janë dëgjuar kurrë në Serbi. Kur të vijë koha, ata do ta provojnë fatin në një shtet tjetër që ka nevojë të madhe për punëtorë të lirë dhe të privuar.

“Jam i zemëruar dhe i zhgënyer. Kam punuar në Oman për tri vjet dhe kurrë s’kam pasur probleme si në Serbi,” shkroi Kanani në ËhatsApp.

Ai thotë se shpreson të ketë më shumë fat në vendet sikur Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, dhe Omani. Kanani mbetet të bredh në tregun e pamëshirshëm global të punës, duke e shitur gjënë e vetme që i takon — vetveten. Për të dhe të tjerët në pozitën e njëjtë, si duket fati është zgjidhja e fundit.

Marrë nga Kosovotwopoinitzero

(a.m/dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

sociale sociale kompanite punedhenese shfrytezimi i punetoreve globale kompanite punedhenese shfrytezimi i punetoreve globale

Sondazh

Poll
Ekonomi 13 Shkurt 2020, 16:04

TIRANË– “Historia ime”, në Tv Klan ka sjellë ditën e sotme historinë e 35-vjeçares Eliona Xhema. Ajo në studio ka folur për divorcin nga ish-b...

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale