LIVE UPDATES
Bota

Studentët protestues në Serbi përdorin narrativin shtetëror për bombardimet e NATO-s

Koordinatorja e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, Bojana Selakoviç, thekson se narrativi për 2.500 civilë të vrarë dhe mbi 1.000 ushtarë të vrarë, ka vazhduar për faktin se nuk ekzistojnë të dhëna shtetërore për numrin e viktimave.

27 Mars 2025, 07:49 Nga N.F
Studentët protestues në Serbi përdorin narrativin shtetëror
Serbi

SERBI- Njëzet e gjashtë vjet pas bombardimeve të NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë, në Serbi mbetet gjerësisht i përhapur narrativi për mijëra civilë të vrarë, ashtu si edhe pjesëtarë të forcave të armatosura. Kjo u pa edhe në protestën që u organizua nga studentët në Beograd, përpara godinës së ish-Shtabit të Përgjithshëm, më 24 mars - në përvjetorin e 26-të të fillimit të bombardimeve.

Në thirrjen për tubim, të cilën studentët e publikuan në faqen në Instagram “Studentët në bllokadë”, thuhej se gjatë 78 ditëve bombardime, u vranë 2.500 civilë dhe 1.031 pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë. Ata iu referuan të dhënave të Ministrisë serbe të Mbrojtjes, sipas të cilave nga bombardimet humbën jetën edhe 89 fëmijë.

Këto të dhëna, me disa variacione, janë përmendur ndër vite në ceremonitë zyrtare me rastin e përvjetorëve të fillimit të ndërhyrjes së NATO-s. Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), gjatë pothuajse tre muajve bombardime kanë humbur jetën gjithsej 756 persona.

Nga ta, 451 kanë qenë civilë, ndër të cilët 217 shqiptarë, 204 serbë dhe 30 romë apo pjesëtarë të grupeve të tjera etnike. Sa u përket viktimave nga radhët e forcave të armatosura, 276 kanë qenë pjesëtarë të Ushtrisë së Jugosllavisë apo të MPB-së së Serbisë, ndërsa 29 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Këto janë të dhënat më të besueshme për viktimat e sulmeve ajrore të NATO-s në vitin 1999. Për vite me radhë kemi ftuar publikun që, nëse dikush ka ndonjë të dhënë për ndonjë viktimë, të na e japë, por askush nuk është lajmëruar”, thotë për Radion Evropa e Lirë Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare.

Në një raport të publikuar në vitin 2014, janë paraqitur emrat dhe mbiemrat e viktimave, përkatësia etnike, data e lindjes, si dhe vendi dhe data e vdekjes.

Çfarë kanë thënë zyrtarët e Serbisë?

Të dhënat për numrin e viktimave që i ka paraqitur udhëheqja shtetërore serbe ndër vite, kanë ndryshuar. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në shënimin e 25-vjetorit të fillimit të bombardimeve, në vitin 2024, deklaroi se janë vrarë 79 fëmijë, 2.500 njerëz - “jo vetëm civilë, por edhe ushtarë e policë”.

Në një fjalim para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në shtator të vitit 2023, Vuçiq tha se në ’99-tën janë vrarë disa mijëra civilë dhe ushtarë. Në një ngjarje përkujtimore, me rastin e bombardimeve të NATO-s në vitin 2021, u tha se janë vrarë rreth 4.000 civilë. Ky numër ishte pak më ndryshe në vitin 2017, kur Vuçiq deklaroi se janë vrarë më shumë se 2.000 civilë dhe pothuajse 1.000 ushtarë dhe policë.

Koordinatorja e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, Bojana Selakoviç, thekson se narrativi për 2.500 civilë të vrarë dhe mbi 1.000 ushtarë të vrarë, ka vazhduar për faktin se nuk ekzistojnë të dhëna shtetërore për numrin e viktimave.

“Këtë nuk e ka bërë asnjë qeveri që nga viti 1999”, thotë Selakoviq, duke kujtuar se hulumtimi i vetëm është bërë nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Sipas saj, narrativi për një numër më të madh viktimash përdoret për t’i mobilizuar njerëzit mbi baza të ndjenjës kombëtare.

“Kjo është një praktikë e shpeshtë - të flitet me shifra pa evidencë zyrtare, të mos flitet për fakte, por për ndonjë lloj konstrukti, ndërtimi, në mënyrë që të mbahet gjallë ajo përmasë e viktimës, e cila, në fakt, është thelbësore në atë narrativ dhe shërben për një lloj manipulimi ndaj njerëzve”, thotë ajo.

Gjeneratat që nuk i mbajnë mend bombardimet

Narrativin për mijëra civilë të vrarë e kanë vazhduar edhe studentët në bllokadë. Studentja Dunja Stanojkoviq lexoi deklaratën, në të cilën thuhej se “më 24 mars, 1999, u bombardua një shtet, dhe deri më sot askush nuk ka dhënë përgjegjësi”.

“U bë e qartë se parimet e së drejtës ndërkombëtare nuk vlejnë njësoj për të gjithë”, thuhej në deklaratën e studentëve.

Radio Evropa e Lirë nuk arriti të marrë përgjigje me shkrim nga grupi “Studentët në bllokadë”, lidhur me mënyrën se si informohen për ngjarjet që lidhen me bombardimet e NATO-s më 1999, dhe nëse kanë dijeni për të dhënat e publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Bojana Sellakoviq vlerëson se studentët në bllokadë kanë vendosur të dalin me këto të dhëna, për të mbledhur një numër më të madh njerëzish në protestën para Shtabit të Përgjithshëm. Ajo thekson se narrativin për bombardimet e shpërndan pushteti dhe kujton se bëhet fjalë për gjenerata që nuk e mbajnë mend atë periudhë.

“Ata kanë mësuar për këtë nga narrativët shtetërorë, kanë mësuar në shkolla, sepse ky është narrativ që përdoret në sistemin arsimor... kanë mësuar edhe nga mediat për këtë. Marrë parasysh se, në një mënyrë, u janë nënshtruar mekanizmave që pushteti i ka përdorur gjatë gjithë këtyre viteve, për të diskredituar njerëz në hapësirën publike, ata, thjesht, nuk i konsiderojnë relevante burimet e tjera”, shpjegon Sellakoviq.

Kandiq mendon se gjeneratat e reja nuk dinë pothuajse asgjë për vuajtjet e popullsisë joserbe gjatë bombardimeve të NATO-s, ndaj as që e vënë në dyshim informacionin që paraqesin zyrtarët serbë.

“Ata nuk e dinë që ekzistojnë edhe të dhëna të tjera që janë të verifikuara me emër dhe mbiemër, përveç numrave që i japin përfaqësuesit e institucioneve shtetërore”, thotë Kandiq.

Edhe më pak, sipas saj, dinë për krimet e luftës që i kanë kryer pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë së Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, në luftën e viteve 1998 dhe 1999. Ndërhyrja e NATO-s filloi pas raporteve për krimet e kryera nga njësitë policore dhe ushtarake serbe ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë.

Intervenimi u krye pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara - gjë që përbënte një precedent. Në narrativin zyrtar të Serbisë theksohet vetëm ky aspekt, ndërsa për përndjekjen sistematike të popullsisë shqiptare në Kosovë nuk thuhet gjë.

Krimet e forcave serbe janë vërtetuar me aktgjykime të Tribunalit të Hagës. Kandiq thotë se shpreson se do të vijë një kohë kur gjeneratat e reja do të fillojnë të vënë në dyshim narrativin zyrtar për luftën në Kosovë dhe bombardimet e vitit 1999.

“Mendoj se është jashtëzakonisht me rëndësi që këta të rinj të orientohen drejt të dhënave dhe fakteve të vërtetuara përmes hulumtimit dhe që janë nxjerrë nga një analizë e kujdesshme e të gjitha dokumenteve gjyqësore. Përmes rrjeteve sociale i kam ftuar të bashkohen me disa nga projektet tona të reja, që do t’i ndihmojnë pikërisht në fitimin e njohurive për luftërat e viteve ’90”, thotë Kandiq.

Hulumtimi i Fondit për të Drejtën Humanitare

Fondi për të Drejtën Humanitare ka filluar hulumtimin për viktimat menjëherë pas bombardimeve të NATO-s. Hulumtuesit, sipas Kandiqit, kanë kaluar nëpër 35.000 burime. Të dhënat e para që ka publikuar ky fond, janë bazuar ekskluzivisht në burime mediatike.

“Atëherë mediat publikonin të dhëna zyrtare që duhej të ishin të aprovuara më parë. Këto burime mediatike ishin të përqendruara vetëm në viktimat në Serbinë qendrore. Nuk kishte asnjë të dhënë që tregonte se kishte pasur sulme edhe ndaj shqiptarëve në Kosovë", thotë Kandiq.

Ajo shton se në hulumtimet e mëvonshme është konstatuar se numri i viktimave ishte disi më i madh në mesin e popullatës shqiptare. Sipas themelueses së Fondit për të Drejtën Humanitare, ata kanë humbur jetën kryesisht në rrethana të veçanta.

“Zakonisht bëhej fjalë për kolona të popullatës që më parë ishte dëbuar drejt Shqipërisë. Këto kolona gjithmonë ishin nën përcjelljen e policisë. Kurrë nuk është folur për këtë në media dhe asnjë përfaqësues i autoriteteve në Serbi nuk i ka përmendur viktimat shqiptare nga sulmet ajrore”, thotë Kandiq.

Për mënyrën se si narrativi zyrtar i shtetit serb është selektiv në lidhje me viktimat gjatë bombardimeve, flasin edhe të dhënat për fëmijët e vrarë. Sipas të dhënave që japin zyrtarët shtetërorë, numri i fëmijëve të vrarë varion nga 79 deri në 89. Fëmijët me përkatësi kombëtare shqiptare, në këtë rast, zakonisht nuk përmenden fare.

Të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare tregojnë se nga bombardimet e NATO-s kanë humbur jetën gjithsej 81 fëmijë nën moshën 16-vjeçare. Numri më i madh i viktimave në një sulm është regjistruar më 13 maj, 1999, në fshatin Korishë në Kosovë, ku janë vrarë 29 fëmijë.

“Deri më tani është konstatuar se të gjithë ata fëmijë ishin nga fshatra prej nga ishte dëbuar popullata shqiptare. Ata ishin drejtuar kah kufiri me Shqipërinë. Policia e Serbisë i kishte drejtuar në një ndërtesë të vjetër ushtarake për ta kaluar natën aty dhe që të nesërmen të vazhdonin rrugën për në Shqipëri. Gjatë natës ndodhi sulmi i aviacionit të NATO-s”, thotë Kandiq.

Sellakoviq thekson se, nëse shteti do t’i publikonte emrat dhe mbiemrat e të vrarëve gjatë bombardimeve, do të shihej se një numër i konsiderueshëm i tyre ishin shqiptarë.

“Atëherë do të binte narrativi se viktimat e NATO-s janë vetëm serbë dhe se NATO-ja është një organizatë e drejtuar kundër serbëve. Ne e dimë se si është përdorur ky narrativ gjatë gjithë këtyre 20 e ca viteve - për ta orientuar qartë kursin e politikës së jashtme të Serbisë", thotë Sellakoviq.

Veteranët dhe studentët

Në protestën para ish-Shtabit të Përgjithshëm, studentëve dhe qytetarëve iu bashkuan edhe veteranët e Brigadës së 63-të Parashutiste. Ata, edhe më herët, kanë mbështetur protestat e studentëve, që kanë nisur prej fundit të nëntorit.

Anëtarët e shoqatës së veteranëve u kanë ofruar ndihmë studentëve në ruajtjen e rendit edhe gjatë protestës së madhe në Beograd më 15 mars, kur në kryeqytet u mblodhën disa qindra mijëra njerëz.

“Duke pasur parasysh se ato njësi kanë reputacionin e mbrojtjes së interesave kombëtare, studentët ndoshta nuk shohin asgjë të keqe nga përfshirja e tyre. Thjesht, nuk janë të informuar për atë që kanë bërë ata njerëz dhe sa problematike ka qenë”, thotë Sellakoviq.

Pjesëtarët e Brigadës së 63-të Parashutiste kanë marrë pjesë në të gjitha luftërat në hapësirën e ish-Jugosllavisë, gjatë viteve ’90. Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, në aktgjykimet gjyqësore përmendet pjesëmarrja e tyre në aksionin “Reka”, në prill të vitit 1999.

Gjatë këtij aksioni ndodhi krimi më masiv në Kosovë, kur mbi 300 pjesëtarë të komunitetit shqiptar nga fshati Mejë u ndanë nga familjet dhe u vranë në rrugën për në Gjakovë. Në aktgjykimet ndaj gjeneralëve të atëhershëm të Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq dhe Vlladimir Llazareviq, për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë, nuk përmendet përgjegjësia e komandantëve apo shefave të shtabit të Brigadës së 63-të Parashutiste. Në ato aktakuza, fokusi ishte te krerët ushtarakë të Ushtrisë Jugosllave.

Tubimi para Shtabit të Përgjithshëm ishte pjesë e protestave disamujore në Serbi, me të cilat kërkohet përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e një kulmi betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit. Protestat po udhëhiqen nga studentët, të cilët, për më shumë se katër muaj, bllokojnë dhjetëra fakultete në të gjithë Serbinë./ REL

studentët protestues serbi

Sondazh

Poll

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës