LIVE UPDATES
Bota

Analiza e REL: Në krah të SHBA-së kundër Iranit, sa e sigurt është Kosova?

Presidentja Vjosa Osmani tha se, falë udhëheqjes së SHBA-së dhe presidentit Donald Trump, koha e lirisë për popullin e Iranit po vjen.

8 Mars 2026, 13:23 Nga I.A

Analiza e REL: Në krah të SHBA-së kundër Iranit, sa e sigurt

KOSOVË- Shumë shpejt pasi bombat e para ranë mbi Iran - duke ndezur një konflikt që brenda orësh mori përmasa rajonale - autoritetet e Kosovës nxituan të dilnin në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dënuan regjimin iranian dhe riafirmuan mbështetjen e tyre për aleancën perëndimore.

Presidentja Vjosa Osmani tha se, falë udhëheqjes së SHBA-së dhe presidentit Donald Trump, koha e lirisë për popullin e Iranit po vjen.

Në një reagim në X, ajo shtoi se Kosova do të vazhdojë t’i mbështesë veprimet e ndërmarra nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë për t’i dhënë fund regjimit iranian, ndërsa dënoi fuqishëm sulmet e këtij të fundit kundër aleatëve në Lindjen e Mesme.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet e përbashkëta kundër Iranit më 28 shkurt, me synimin për të frenuar programin bërthamor të këtij vendi. Në kundërpërgjigje, Irani dhe mbështetësit e tij po godasin objektiva në vendet aleate të SHBA-së - nga Arabia Saudite deri në Qipro - pavarësisht paralajmërimeve të Trumpit kundër hakmarrjes.

“Më mirë mos ta bëjnë këtë, sepse, nëse e bëjnë, do t’i godasim me një forcë që nuk është parë kurrë më parë”, shkroi Trump në rrjetin Truth Social.

Disa orë pas nisjes së sulmeve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mblodhi Këshillin e Sigurisë për të diskutuar situatën, dhe tha se Kosova po monitoron nga afër implikimet e mundshme për vendin dhe rajonin.

Qeveria e tij nuk iu përgjigj Radios Evropa e Lirë mbi implikimet e mundshme apo masat konkrete që mund të merren. Po ashtu, as Presidenca, as Ministria e Punëve të Brendshme, as Policia e Kosovës dhe as Departamenti amerikan i Shtetit nuk dhanë asnjë koment.

Kosova strehon kampin Bondsteel - bazën më të madhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Ballkan - dhe rreth 600 ushtarë amerikanë, që shërbejnë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.

Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, një zyrtar i NATO-s tha se KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Forca dhe pozicioni i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten herë pas here, sipas zhvillimeve të situatës, në mënyrë që misioni të mbetet i efektshëm për qëllimin e tij. Aktualisht, nuk po shqyrtohen ndryshime të rëndësishme”, tha zyrtari i NATO-s.

Irani dhe mbështetësit e tij sulmuan disa baza dhe misione të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre në Lindjen e Mesme. Një bazë britanike në Qipro ishte gjithashtu shënjestër e sulmeve me dronë. Autoritetet qipriote thanë se, sipas vlerësimeve fillestare, dronët u lëshuan nga Hezbollahu - grup militant i mbështetur nga Irani - nga territori i Libanit.

Incidenti nxiti reagim të menjëhershëm evropian: disa shtete dërguan avionë luftarakë dhe fregata në Qipro, për të forcuar mbrojtjen ajrore dhe detare të ishullit mesdhetar, mes frikës për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.

Kur bëhet fjalë për Kosovën, ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, argumenton se, edhe pse kampi Bondsteel është një instalim i madh amerikan, ai nuk ka gjasa të renditet ndër objektivat prioritare të Teheranit. Kjo, për faktin se Bondsteel-i nuk është bazë ajrore dhe nuk shfrytëzohet për të mbështetur opereacionet aktuale të SHBA-së kundër Iranit.

“Mësa kuptoj, Irani ka në dispozicion një numër të kufizuar raketash balistike. Duke qenë se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po godasin platformat e lëshimit të tyre, Irani duhet t’i përdorë ato në mënyrë të zgjuar, për të arritur efektin maksimal”, thotë Shea për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Sipas Zyrës së Drejtorit për Zbulim Kombëtar të SHBA-së, Irani ka rezervën më të madhe të raketave balistike në Lindjen e Mesme. Arsenali i tij përfshin raketa me rreze të gjatë që mund të arrijnë Izraelin, raketa lundruese Kh‑55 me rreze deri në 3.000 km dhe dronë Shahed, që besohet se kanë goditur bazën britanike në Qipro dhe arrijnë deri në 2.500 km.

Kjo do të thotë se, nëse lëshohet nga Irani, Ballkani mbetet jashtë rrezes së këtij arsenali.

Ish-komandanti i ushtrisë amerikane në Evropë, Ben Hodges, paralajmëron se brenda rrezes së kërcënimeve të mundshme, mund të jetë baza e Marinës amerikane në Kretë të Greqisë. Ai e konsideron atë si një objektiv të rëndësishëm në Evropë edhe për shkak të rolit të saj logjistik në rajon.

Hodges nuk përmend kërcënime specifike me raketa ose dronë ndaj Bondsteel-it, por thekson se baza duhet të trajtohet gjithmonë si nën rrezik potencial.

“Gjithmonë do të supozoja se ekziston një kërcënim, sidomos nëse ka organizata terroriste ose individë që mund të ndjehen të zemëruar për sulmet ndaj Iranit ose për vrasjen e Ajatollahut, dhe vendosin të veprojnë vetë. Prandaj, edhe në kampin Bondsteel duhet të mbahen masat e sigurisë dhe të llogaritet gjithmonë kjo mundësi”, thotë Hodges për Exposenë.

Shea thekson se për Evropën, përfshirë Kosovën, kërcënimet më të mundshme të veprimeve iraniane ose të frymëzuara nga Irani, janë sulmet terroriste, sulmet kibernetike dhe sulmet e individëve të njohur si “ujq të vetmuar” - persona të frymëzuar nga ideologji ose grupe, por që veprojnë në mënyrë të pavarur.

“Shumë kosovarë iu bashkuan Shtetit Islamik gjatë kohës së kalifatit; disa prej tyre mund të jenë kthyer në vend, disa mund të mbeten ende të radikalizuar. Kjo do të thotë se mund të ekzistojnë disa ‘xhepa’ të radikalizimit. Dhe, nuk po flas vetëm për Kosovën, sepse situatë e ngjashme mund të shfaqet edhe në vende të tjera të Evropës, brenda komuniteteve myslimane”, vlerëson Shea.

Ai paralajmëron se konflikti mund të sjellë edhe rritje të çmimeve të naftës dhe gazit, inflacion më të lartë dhe recesion të madh global. Pasojat do të jenë veçanërisht të rënda për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në tërësi - një rajon që ai e përshkruan si ekonomikisht të brishtë dhe të varur nga investimet e huaja.

E, përveç kësaj, gjenerali Hodges ndan edhe një shqetësim tjetër - sigurinë e qytetarëve evropianë, përfshirë edhe kosovarë, të bllokuar në vendet e Gjirit dhe Lindjes së Mesme.

“Nëse janë qindra mijëra evropianë të ngujuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar ose vende të ngjashme, për shkak se linjat ajrore janë ndalur, atëherë mund ta kuptoj përse Qeveria franceze mund ta ndiejë nevojën për të dërguar forcën e saj për t’i mbrojtur ata”, thotë Hodges.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, njoftoi këtë javë se vendi i tij do të dërgojë aeroplanmbajtësin “Charles de Gaulle” në Mesdhe dhe se do të punojë për të formuar një koalicion që do të mbronte trafikun detar, i cili rrezikohet nga përshkallëzimi i krizës në Lindjen e Mesme.

Në kontekstin e masave të sigurisë për Kosovën, Shea sugjeron që autoritetet të forcojnë kontrollin e kufijve, të monitorojnë individët potencialisht të radikalizuar, të rrisin sigurinë rreth objekteve të SHBA-së dhe KFOR-it, si dhe të forcojnë bashkëpunimin operacional dhe të inteligjencës me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara.

“Natyrisht, ekziston edhe një forcë rezervë e NATO-s që mund të dislokohet nëse situata e kërkon. Por, aktualisht, bëhet fjalë për masa të zakonshme parandaluese. Siguria duhet të përshtatet sipas vlerësimeve të kërcënimeve. Nuk duhet të reagosh më pak, por as ta teprosh me reagimin”, thotë Shea.

Me kalimin e çdo dite që lufta vazhdon, rreziqet bëhen gjithnjë e më të paparashikueshme. Hodges thotë se Uashingtoni nuk e ka përcaktuar kurrë qartë se si dëshiron të duket Irani kur lufta të mbarojë - gjë që, sipas tij, e bën konfliktin më të vështirë për t'u përfunduar.

Ai paralajmëron, gjithashtu, për presionin mbi rezervat ushtarake amerikane dhe mbi kapacitetin e përgjithshëm të parandalimit.

“Sa më gjatë që zgjat konflikti, aq më shumë vihet në provë aftësia e SHBA-së për të siguruar mjaftueshëm municion. Kjo nuk lidhet vetëm me operacionet aktuale, por edhe me ruajtjen e kapaciteteve të parandalimit ndaj Kinës. Unë jam i sigurt se po ushtrohet presion i madh mbi industrinë, për të rritur prodhimin. Por, këto nuk janë produkte të thjeshta - bëhet fjalë për armë shumë të sofistikuara, të shtrenjta dhe që kërkojnë kohë për t’u prodhuar. Nuk mund të trefishosh apo katërfishosh menjëherë prodhimin e interceptorëve Patriot, sistemeve HIMARS apo raketave Tomahawk”, thotë Hodges.

Presidenti Trump tha më 4 mars se forcat e Shteteve të Bashkuara janë në një pozicion shumë të fuqishëm në Iran. Sipas tij, ato kanë bërë një përparim të madh, “edhe pse lufta ka më pak se një javë që ka nisur”. Dhe, ndoshta, faktori më i rëndësishëm për këtë është “rindërtimi i ushtrisë gjatë mandatit tim të parë”, tha Trump.

Në Ballkan, Ministria e Sigurisë e Bosnje e Hercegovinës rriti masat e sigurisë në një nivel më të lartë, për shkak të përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e krahasoi sulmin e SHBA-së ndaj Iranit me fushatën ajrore të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë.

Me fjalët e Jamie Sheas, kjo është thjesht një “analogji krejtësisht e rreme” dhe retorikë e përsëritur e Serbisë, e cila ka mbështetjen edhe të Iranit në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.

Irani, me një popullsi prej mbi 91 milionë banorësh, nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me vendin./REL

vjosa osmani lufta izrael-iran

Sondazh

Poll

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës