LIVE UPDATES
Bota

Luftimi i propagandës ruse, sfida e madhe e Moldavisë

Pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Kremlini është përqendruar në lojën e dezinformatave, thanë ekspertët, duke përdorur mediat tradicionale dhe ato sociale, si dhe mjete të tjera, për të ndryshuar narrativin në të mirë të tij, teksa po përballet me dënim global për shkak të agresionit të tij.

19 Qershor 2023, 08:10 Nga I.A

Luftimi i propagandës ruse, sfida e madhe e Moldavisë

MOLDAVI- Një video që pretendonte se shfaqte grumbullimin e ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të Rumanisë në kufi me Moldavinë, shpejt ra në sytë e mediave pro-ruse dhe u shpërnda gjerësisht në Telegram dhe Twitter në shkurt të këtij viti. Videoja, megjithatë, nuk shfaqte grumbullimin e ushtarëve rumunë pranë kufirit me Moldavinë. Pamjet ishin marrë nga një paradë ushtarake rumune e mbajtur muaj më parë në Alba Iulia, një qytet në rajonin rumun të Transilvanisë, që gjendet qindra kilometra larg kufirit me Moldavinë.

Pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Kremlini është përqendruar në lojën e dezinformatave, thanë ekspertët, duke përdorur mediat tradicionale dhe ato sociale, si dhe mjete të tjera, për të ndryshuar narrativin në të mirë të tij, teksa po përballet me dënim global për shkak të agresionit të tij.

Moldavia – një prej shteteve më të varfra të Evropës – duket se është në krye të listës së Kremlinit për të bërë propagandë. Për të kundërshtuar këtë, Kishinievi fillimisht ndaloi programet ruse të lajmeve dhe disa muaj më vonë bllokoi transmetimin e disa kanaleve televizive. Së fundi, Maia Sandu, presidentja pro-Perëndimore e këtij shteti, propozoi krijimin e një qendre shtetërore për të monitoruar dezinformimin dhe propagandën ruse, duke thënë se gënjeshtrat e shpërndara përmes televizioneve dhe mediave sociale ishin “arma më e rrezikshme”.

Fushata dezinformuese duket se është një anë e asaj që ekspertët thanë se ka qenë një fushatë e koordinuar nga Kremlini kundër Moldavisë, ish-republikës sovjetike me 2.6 milionë banorë, që kufizohet me Ukrainën. Zyrtarët amerikanë dhe të tjerët kishin paralajmëruar se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk i ka sytë vetëm në Ukrainë, por edhe në Moldavi, që gjendet në një pozicion strategjik. SHBA-ja ka shprehur shqetësim edhe për pothuajse 2.000 trupa ruse të dislokuara në rajonin e shkëputur moldav të Transnjestërit.

Në shkurt, Sandu publikisht akuzoi Rusinë se po bënte komplot për të rrëzuar Qeverinë e saj. Ky pretendim disa ditë para Sandus u bë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Njoftimi i presidentes moldave u pasua me dorëheqjen e kryeministres moldave, Natalia Gavrilita, e cila fajësoi krizën e shkaktuar nga Rusia, përfshirë edhe “shantazhin përmes furnizimeve me energji”.

Atëbotë, Qeveria moldave po përballej me një valë protestash, gjerësisht të organizuara nga partia pro-ruse, Shor, lideri i së cilës, Ilhan Shor, është një oligark moldav në arrati, që është i lidhur me një rast të mashtrimit bankar në vlerë prej 1 miliard dollarësh dhe në disa skema të tjera të paligjshme.

Përderisa Kishinievi mund të jetë duke u munduar të përballet me fushatën e dezinformimit, ai përballet me një detyrë të vështirë, sipas Mark Sawyer, analist i lartë në Logically, një firmë private që gjurmon dezinformatat për qeveritë dhe bizneset.

“Përpjekjet e fundit për të luftuar mesazhin rus në Moldavi kanë qenë një lojë sikurse ajo e maces me miun. Rregullatorët mbyllën televizionet dhe ueb-faqet që po ritransmetonin programet shtetërore ruse, por përmbajtja po vazhdon të ekzistojë sepse ajo transmetohet shpejt nga kanalet e tjera, sikurse ueb-faqet që janë krijuar së fundmi dhe përmes aplikacioneve për dërgimin e mesazheve”, tha Sawyer për Radion Evropa e Lirë.

“Një pakicë e konsiderueshme e qytetarëve po ashtu janë dashamirës të narrativëve të propagandës ruse, duke bërë të vështirë që përpjekjet kundër dezinformimit të fitojnë besueshmëri me këtë pjesë të qytetarëve. Në të ardhmen, përdorimi i përmbajtjes së rremë dhe inteligjencës artificiale mund të rrisë shpejtësinë dhe shkallën e dezinformimit, duke ndërlikuar përpjekjet e Qeverisë”.

Në shkurt, Rusia mohoi se po bënte komplot për të destabilizuar Moldavinë, pretendime që u përsëritën dhe u amplifikuan brenda Moldavisë nga zëra pro-rusë. Kremlini nuk u ndal me kaq, por bëri akuza, duke pretenduar se Ukraina po planifikonte të kryente një operacion të fshehtë në Transnjestër, ku Moldavia ka luftuar një luftë të shkurtër, por të përgjakshme, kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia më 1992. Akuzat e Kremlinit u cilësuan si “dezinformata klasike” nga Valeriu Pasa, drejtor në institutin moldav, Watchdog.md.

Pretendimet e rreme për një komplot ukrainas fillimisht qarkulluan në Twitter dhe Telegram para se të përdoreshin më 23 shkurt nga Ministria ruse e Mbrojtjes. Kjo deklaratë zyrtare u shpërnda “në mënyrë masive nga mediat shtetërore ruse dhe pro-Kremlinit”, por edhe nga “burimet pro-Kremlinit në Moldavi”, sipas Task Forcës East StartCom, që është themeluar nga BE-ja për të monitoruar dhe raportuar për dezinformimin rus brenda bllokut evropian. Pjesë e kësaj fushate ishte edhe videoja që pretendonte se shfaqte grumbullimin e ushtrisë dhe pajisjeve ushtarake të Rumanisë pranë kufirit me Moldavinë.

“Ripërdorimi dhe keqpërdorimi i fotografive të vjetra apo videove është një taktikë e zakonshme që përdoret nga aktorët dezinformues për të rritur besueshmërinë e narrativëve të tyre, teksa ata janë të vetëdijshëm se postimet multimediale kanë më shumë gjasa të bëhen virale në mediat sociale. Në këtë rast specifik, videoja nënkuptonte se Rumania dhe Qeveria në Kishiniev ishin agresive dhe destabilizuese, edhe pse Ministria e Mbrojtjes së Rumanisë shpejt hodhi poshtë këto pretendime të rreme”, shpjegoi Sawyer.

Pavarësisht mospërputhjeve në këtë narrativ, Kremlini vazhdoi ta përhapte të njëjtin.

Më 24 shkurt, Ministria e Jashtme ruse paralajmëroi se çdo sulm ndaj ushtarëve rusë në Transnjestër do të konsiderohej sulm ndaj Rusisë. Liderët separatistë në këtë rajon të shkëputur iu bashkuan këtij kërcënimi, duke thënë se “jemi të gatshëm të përballemi me çdo provokim”.

Thashethemeve iu dha “një rritje dramatike” më 26 shkurt, sipas njësisë kundër dezinformimit të BE-së, kur programi kryesor i lajmeve televizive ruse në Channel One, i cili ndiqet nga miliona, i dha hapësirë këtij pretendimi.

Më 1 mars, një prej gazetarëve kryesor në televizionet e Kremlinit, Vladimir Solovyov, pohoi se “Ukraina po planifikon të sulmojë” Moldavinë, duke cituar llogarinë në Telegram të Igor Dodon, ish-presidentin moldav, mik të Putinit. Dodon për një kohë të shkurtër kishte qenë në arrest shtëpiak më 2022 pas pretendimeve për korrupsion dhe tradhti. Postimi i Solovyovit në Telegram u shpërnda dhe u shikua më shumë se 240.000 herë.

Ai lloj mesazhi mund të fitojë mbështetje në Moldavi, ku për dekada sundimi sovjetik i kishin bërë qytetarët të prirë ndaj narrativëve miqësorë me Kremlinit, sipas Pasas.

“Ky opinion publik është formësuar për dekada, dhe shumë prej narrativëve modernë të Kremlinit janë promovuar që nga koha sovjetike. Për shembull, gjithçka që lidhet me NATO-n”, tha Pasa për Current Time, rrjet në gjuhën ruse që udhëhiqet nga Radio Evropa e Lirë dhe Zëri i Amerikës.

Një sondazh i publikuar në shkurt nga Watchdog.md sugjeroi se moldavët ishin më të prirë të fajësonin Perëndimin dhe NATO-n për pushtimin rus. Pothuajse 55 për qind e të anketuarve u pajtuan me deklaratën se “Rusia, faktikisht po lufton me NATO-n në Ukrainë”. Të anketuarit po ashtu ishin më të prirë të fajësonin Qeverinë e tyre për rritjen e çmimeve të energjisë në Moldavi sesa të fajësonin Rusinë për ndërprerjet e furnizimeve të energjisë.

Sandu fillimisht tentoi të hiqte sinjalet e transmetimit për mediat ruse në qershor të vitit 2022, duke nënshkruar Ligjin për sigurinë e informacionit, që u miratua në Parlament në fillim të atij muaji. Ky ligj ndalon shpërndarjen e lajmeve televizive ruse dhe të analizave politike brenda Moldavisë.

“Ligji do të hyjë në fuqi gjatë kësaj jave dhe propaganda ruse do të sanksionet edhe më ashpër. Keqinformimi i organizatave mediale gradualisht do të penalizohet, përmes gjobave e deri te tërheqja e të drejtës për transmetim”, tha atëbotë Liliana Vitu, udhëheqëse e Këshillit Audioviziv të Moldavisë.

Deri në vendimin e qershorit, përmbajtja nga Rusia transmetohej menjëherë në kanalet moldave të lidhura me politikanët pro-rus, sipas Current Time. Për shembull, kanali televiziv First In Moldova kishte marrë shumicën e programacionit direkt nga Channel One i Rusisë.

Në dhjetor të vitit 2022, Moldavia shkoi në tej, duke shënjestruar në mënyrë specifike rrjetet televizive nën pretendimet se po përhapnin dezinformata. Komisioni moldav për Situata Emergjente më 16 dhjetor pezulloi licencën e transmetimit për First In Moldova, RTR Moldova, Accent TV, NTV Moldova, TV6 dhe Orhei TV.

Komisioni tha se mori këtë vendim pas një shqyrtimi që bëri Këshilli Audioviziv që gjeti se “kishte mungesë të informacionit të saktë dhe të mbulimit të ngjarjeve kombëtare, por po ashtu të luftës në Ukrainë”. Po ashtu tha se pezullimi synon “të parandalojë rrezikun nga dezinformimi... apo përpjekjet për të manipuluar opinionin publik”.

Katër nga gjashtë kanalet e pezulluara – First In Moldova, RTR Moldova, NTV Moldova dhe TV6 – rregullisht kanë ritransmetuar programe nga kanalet televizive ruse.

First In Moldova, TV6, dhe Accent TV janë të lidhura me oligarkun Shor, i cili së bashku me partinë e tij janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për përpjekjet për të destabilizuar Moldavinë.

NTV Moldova është e lidhur me Partinë e Socialistëve të Republikës së Moldavisë (PSRM), subjekt pro-Kremlinit. Lider i kësaj partie është Dodon, që ka qenë president i Moldavisë nga vitit 2016 deri më 2020, kur humbi zgjedhjet ndaj Sandus, politikanes së shkolluar në SHBA, që ka punuar në Bankën Botërore.

Dodon dyshohet se ka marrë para nga Kremlini. Një shoqatë biznesi që ai ka udhëhequr – Shoqata e Biznesit moldavo-rus – raportohet se ka pranuar 300.000 dollarë nga Moska nga tetori i vitit 2021 deri në prill të vitit 2022, pretendon një hetim i kryer nga RISE Moldova.

TV6 e ka quajtur pezullimin e licencës “krejtësisht të pabazë” dhe “sulm të paprecedent ndaj lirisë së shprehjes, lirisë editoriale dhe lirisë së gazetarëve”.

Atëbotë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e quajti vendimin e Kishinievit “shkelje cinike të të drejtave të pakicave kombëtare”.

Megjithatë, duke pasur parasysh bollëkun e mediave që janë aktualisht, ndalimi i transmetimeve tokësore të televizioneve ka rezultuar të jetë një vendim krejtësisht i pafuqishëm. RTR Moldova ishte në gjendje të shmangte vendimin, duke zhvendosur programet e saj për transmetim në kanalin tjetër, Cinema 1, tha Task Forca e BE-së.

Orhei TV dhe TV6 përdorën platformën pak të njohur, Orizont TV, për të transmetuar programet e tyre, tha Task Forca e BE-së. Kanalet e tjera që kanë pasur rritje të audiencës që prej pezullimit përfshijnë Publika, Canal 2, Canal 3dhe Canal 5. Që të gjitha këto kanale televizive janë të lidhura me oligarkun tjetër në arrati, Vlad Plahotniuc, i cili është i përfshirë në mashtrimin e njëjtë bankar sikurse Shor.

Plahotniuc dhe Shor ishin në mesin e një grupi prej shtatë personash nga Moldavia që u sanksionuan nga BE-ja më 30 maj për shkak të veprimeve, që Brukseli tha se destabilizonin dhe minonin integritetin territorial të shtetit. Që të dy ishin në mesin e nëntë individëve dhe 12 entiteteve që u futën në listën e zezë nga Departamenti amerikan i Thesarit tetorin e kaluar për “korrupsion sistematik” dhe përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet në Moldavi. Thesari tha se Shor kishte marrë mbështetjen e Moskën dhe kishte punuar me entitetet me seli në Moskë për të larguar Moldavinë nga rruga drejt anëtarësimit në BE.

Gjatë monitorimit të gjashtë kanaleve në nëntor të vitit 2022, Watchdog.md gjeti se në tri kanalet që ritransmetonin programet ruse - First In Moldova, RTR Moldova, and NTV Moldova – Putin ishte portretizuar më pozitivisht sesa Zelensky, edhe pse të tri rrjetet kishin publikuar lajme negative për Rusinë, kryesisht të lidhura me agresionin e saj të paprovokuar.

“Marsin e kaluar, ne bëmë një studim dhe gjetëm se shumë qytetarë të Moldavisë ndryshuan mendimin e tyre ndaj Rusisë dhe Putinit dhe filluan të besonin më pak në narrativët e Kremilinit. Më pas gjendja ndryshoi. Fillimisht ka pasur një rritje të vogël dhe tani besimi ndaj Putinit sërish ka rënë. Ne e shohim këtë trend të rënies bazuar në sondazhet e fundit që kemi kryer”, tha Pasa për Current Time.

Sipas tij, do të ishte e gabuar të thuhej se shumica e komunitetit rusisht-folës në Moldavi ka më shumë gjasa t'iu besojë narrativëve pro-Kremlinit.

“Mbi gjysma e atyre që mbështesin Putinin janë qytetarë të Moldavisë që flasin gjuhën rumune. Kështu thotë hulumtimi që kemi bërë. Po, në mesin e pakica etnike, perceptimi i lajmeve të rreme është më i lartë, por nuk mund të thuhet se vetëm rusisht-folësit mbështesin Putinin dhe Rusinë”, tha Pasa.

Për të luftuar dezinfirmimin dhe propagandën ruse, Sandu më 29 maj njoftoi se ajo do të dorëzojë një legjislacion për të krijuar Qendrën Kombëtare për Mbrojtje të Informacionit dhe për të Luftuar Propagandën. Sipas saj, detyrat e kësaj qendre do të jenë që të koordinojë dhe zbatojë politikat shtetërore në fushën e sigurisë së informacionit dhe të ofrojë “komunikim strategjik për të parandaluar dhe luftuar dezinformimin në nivel kombëtar”.

“Ata që iniciojnë apo shpërndajnë informacione të rreme duan të provokojnë frikë, urrejtje dhe ndarje. Çdo ditë, Kremlini dhe grupet kriminale kryejnë sulme hibride, përdorin armë të propagandës për të ndjellë urrejtje në Moldavi, për të dobësuar besimin tonë te njëri-tjetri dhe ndaj shtetit tonë”, tha Sandu në deklaratë, përmes së cilës njoftoi për nismën e saj.

Kishinievi ka marrë edhe masa të tjera mbrojtëse, tha Walters. Më 24 shkurt, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, Qeveria në Moldavi krijoi një kanal në Telegram për të verifikuar informacionet në këtë platformë në rrjetet sociale. Ky kanal u emërua Prima Sursa, apo Burimi i Parë.

Në tetor të vitit 2022, Prima Sursa u aktivizua për të hedhur poshtë pretendimin se Ministria moldave e Mbrojtjes po planifikonte një mobilizim të përgjithshëm ushtarak. Pavarësisht kundërmasave që Kishiniev mund të ndërmarrë, Sawyer parashikon se përpjekjet dezinformuese pro-Kremlinit ka të ngjarë të vazhdojnë brenda Moldavisë, me mundësi që të bëhen më të sofistikuara.

“Që kur Kremlini ka dështuar të instalojë Qeverinë që preferon përmes pushtimit apo tentim grusht shtetit, Kremlini do të varet shumë në dezinformim, si një mjet efektiv për të penguar rrugën pro-evropiane të Moldavisë”, tha Sawyer.

“Ndikimi do të varet nga sa mirë Qeveria moldave mund të bashkëpunojë me shoqërinë civile, partitë politike dhe qytetarët për të prodhuar një mesazh të mirë që rezonon me qytetarët. Të paktën, Moldavia po sinjalizon te qytetarët e saj dhe partnerët e jashtëm se ka vendosmërinë e nevojshme”.

Marrë nga REL

lufta ukraine-rusi

Sondazh

Poll
Bota 19 Qershor 2023, 07:38 I.A

A do të ndodh takimi Kurti-Vuçiç?

Foto ilustruese KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, sipas gjasave nuk do të...

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale