Gazetari në Gaza
IZRAEL- Një ditë më parë ai mori vesh lajmin e kobshëm të humbjes së familjes së tij nga sulmet Izraelite, por gazetari i 'Al Jazeera' me veprimin e fundit na jep mesazhine vyer se çdo fatkeqësi duhet të kthehet nga dhimbja në forcë dhe se jeta vazhdon. Wael al-Dahdouh ka vijuar me raportimin për fushatën e bombardimeve të izraelitëve në Gazë edhe pse nuk janë bërë ende 24 orë nga lamtumira e fundit që i dha gruas dhe fëmijëve të tij.
“Kjo kurrë nuk do të heshtë zërat tonë. Gazetaria është misioni ynë i shenjtë. Pavarësisht dhimbjes dhe humbjes, ne u rikthyem”, tha al-Dahdouh në një video të postuar në Instam teksa falenderonte të gjithë ata që dërguan mesazhe ngushëllimi dhe duke shpjeguar vendimin e tij për t'u paraqitur në punë.
Duke folur në arabisht, Al Dahdouh tha se e kishte për detyrë që të kthehej në punë, pavarësisht nga situata. Në video-mesazhin e regjistruar sipër një çatie të një ndërteseje në qytetin e Gazës, në sfond shihet një shtëllungë tymi nga një objekt, ku u ndezën edhe sirenat e alarmit, raporton indianexpress.
Të mërkurën mbrëmë, gruaja, vajza dhe djali i al-Dahdouh, nipi dhe tetë kushërinj u vranë në sulmet ajrore izraelite, ku një bombë goditi shtëpinë brenda të cilës ishin strehuar në Nuseirat në pjesën qendrore të Gazës, pasi ishin zhvendosur nga prona e tyre.
“Izraeli shënjestron civilët dhe po kryen masakra mbi familjet. Është pjesë e asaj që familjet palestineze po kalojnë çdo ditë në Gazë”, tha al-Dahdouh.
Gazetari mësoi për vdekjen e tyre në transmetimin e drejtpërdrejtë të imazheve. Imazhet e Al Dahdouh duke hyrë në spitalin al-Aqsa në Gaza për të identifikuar trupat e familjes së tij u shpërndanë në të gjitha rrjetet sociale, duke shkaktuar zemërim dhe pikëllim në të gjithë botën.
Lufta Izrael-Palestinë (përditësimi i fundit)
Konflikti në Gaza filloi më 7 tetor kur grupi palestinez Hamas nisi Operacionin Al-Aksa Flood, një sulm i papritur me breshëri raketash dhe depërtimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri. Hamasi tha se inkursioni ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve. Ushtria izraelite më pas nisi një bombardim të pamëshirshëm të objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës. Më shumë se 7,900 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë të paktën 6,546 palestinezë dhe 1,400 izraelitë. 2.3 milionë banorëve të Gazës kanë mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe lëndë djegëse, dhe autokolonat e ndihmave të lejuara kohët e fundit në Gaza kanë bartur vetëm një pjesë të asaj që nevojitet.