LIVE UPDATES
Politike

Bamir Topi rrëfen takimet e fshehta për paktin Berisha-Rama: Si ma trashte zërin Saliu në telefon pas 115 votave me PS në K

21 Maj 2019, 12:42 Nga DOSJA
Bamir Topi rrëfen takimet e fshehta për paktin Berisha-Rama: Si ma

TIRANË- Në vitin 2008, pozita dhe opozita e atëhershme ranë në një mendje për të bërë disa ndryshime në Kushtetutën e Shqipërisë, çka nuk do të kalonte pa ndikim në jetën politike të vendit.

Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, tregon në librin e tij “Nocturn: Kur arsyeja errësohet nga pushteti”, botim i “UET Press”, prapaskenat e këtyre ndryshimeve, thellimin e hendekut mes institucionit të Presidentit dhe të Kryeministrit, bisedat me ish-Kryeministrin dhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, qëndrimin e Ramës, votimin në Parlament, dekretimin nga ana e tij dhe reagimin e menjëhershëm të Berishës.

PJESË NGA BAMIR TOPI 

Pas gjashtë muajsh në krye të shtetit, gjërat po ecnin si mos më mirë. Klima politike kish gjetur qetësi dhe stabilitet, takimet ndërkombëtare ishin shtuar ndjeshëm. Vështirë se gjendej ndonjë ditë që të mos takoje delegacione, të cilat në fokus të bisedimeve kishin çështjen e hyrjes së vendit në NATO dhe Kosovën. Në të gjitha anketimet në Shqipëri, emri im ishte më i kuotuari dhe kanali televiziv “Top Channel” në shpalljen e anketës së njeriut të vitit më nxori fitues. Krahas gëzimit që gjërat po shkonin mirë, fillova të parandiej që kjo do të zgjonte edhe xhelozinë njerëzore, e pashmangshme për mjediset e politikës dhe medias në Shqipëri.

Gjatë javës së tretë të janarit, do të bëja një vizitë tepër të rëndësishme në Kosovë, me ftesë të Presidentit Sejdiu, në një moment kyç kur debati për Kosovën ishte ndërkombëtarizuar dhe ishte vendosur në axhendën e politikës botërore. Pas asaj vizite të paharruar dhe të suksesshme në Kosovë, shumë shpejt do të vinin ngjarje tepër të forta për jetën politike. Më 17 shkurt, në më pak se tri javë nga vizita ime, Kosova shpalli pavarësinë, së cilës do t’i kushtoj vëmendje të veçantë në një kapitull tjetër të librit. Ndërkohë që ende nuk ishte shuar ky gëzim për të gjithë shqiptarët, Tirana do të tronditej nga një shpërthim i tmerrshëm që vinte nga një fshat i Vorës, ngjarje për shkak të së cilës do të fitonte “famë” botërore.

Më 15 mars 2008, rreth orës 11:00 të paradites, kishte shpërthyer municioni brenda fabrikës së demontimit të armëve, duke shkaktuar një tragjedi të përmasave të mëdha me 26 të vrarë, burra, gra e fëmijë, të plagosur të shumtë dhe dëme të mëdha në bizneset e zonës. Përveçse solli humbje jetësh, kjo ngjarje kishte ndodhur dy javë para Samitit të Bukureshtit, ku Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia prisnin të merrnin ftesën për anëtarësim. Dukej që pas kësaj ngjarjeje, për më tepër që kishte ndodhur në një poligon ushtarak, ëndrra për marrjen e ftesës mund të ndërlikohej, por falë Presidentit Bush dhe miqve të tjerë perëndimorë, Shqipëria arriti të marrë ftesën.

Pas kthimit nga Bukureshti, ndonëse opozita e Edi Ramës kishte bërë disa protesta të panevojshme për atë moment historik, pa kaluar një javë, politika në Tiranë jep shenjat e një rrotullimi të papritur e të pazakontë, që mund të përkufizohet si një “Deus ex machine”, ku pas një klime të ashpër politike, midis krahëve të saj vjen një paqe, që do të kuptohej shumë shpejt se çfarë fshihte.

Njerëzit e Berishës dhe Ramës kishin filluar të takoheshin në fshehtësi dhe po përgatitnin nën rrogoz dhe pa asnjë konsultë paraprake me të tjerë, disa ndryshime të rëndësishme të Kushtetutës së Shqipërisë, jo për të forcuar themelet e shtetit, por për “t’i hedhur në erë” ato për interesa meskine të pushtetit të tyre personal.

Sinjalin e parë publik e jep një deputete demokrate e Qarkut të Shkodrës, Arenca Trashani, anëtare e Komisionit të Ligjeve, shumë afër Jozefina Topallit dhe e shquar për besnikëri të verbër ndaj Sali Berishës. Gjatë një mbledhjeje të komisionit, papritur nxjerr nga çanta një propozim aventuresk, ndoshta për gjënë më të rëndësishme që bën ndarjen dhe kontrollin e pushteteve në demokraci. Propozimi, natyrisht, doli nga çanta e saj, por ideatori dhe formuluesi ishte shefi i vet. Sipas këtij propozimi, të gjitha dekretet presidenciale duhet të kundërfirmoseshin nga Kryeministri, veprime këto nga të cilat nënkuptohej se i gjithë shteti do të ishte nën komandën e qeverisë dhe Kryeministrit. Natyrisht e quajta shashkë për të krijuar një debat publik të rremë, me qëllim që ndryshimet e tjera të kalonin pa u marrë kush me to.

Çudia më e madhe që po shoqëronte këtë proces ishte tek opozita. Ata nuk kundërshtonin si më parë. Ishin të përgjumur, madje të relaksuar deri në atë pikë sa PD-ja dhe PS-ja “gjuanin” nga e njëjta llogore. Të vetmit që kundërshtonin ishin disa deputetë të Partisë Demokratike, të cilët Berisha i quante mbështetësit e mi, ndonëse vërejtjet e tyre ishin parimore. Po ashtu vinin kundërshtime nga deputetë të LSI-së dhe PDK-së, të cilët shikonin një prapavijë të qartë për eliminimin e partive të vogla dhe kthimin e jetës politike në bipolarizim, ku nuk ka zgjidhje tjetër, ose komandon njëri ose tjetri. Bipolarizimin e kanë vetëm shtetet demokratike të konsoliduara me kulturë dhe formim tradicional, ndërkohë që politika në Shqipëri kishte shembuj të gjallë që krijonte pa shumë barriera liderë politikë, të cilët nisen nga premisa demokratike dhe përfundojnë të larguar si diktatorë.

E gjithë tërheqja e Berishës në këto momente ishte taktikë për të futur në kurth Edi Ramën, që të mos merrej politikisht me tragjedinë e Gërdecit, duke e joshur me idenë se do të vinte në pushtet nga zgjedhjet e një viti më pas, pikërisht ato të verës të vitit 2009. Në fakt, po gjente terren e po triumfonte eksperienca dhe djallëzia e Berishës ndaj Ramës, i cili ende nuk ndihej lider politik, por reflektonte me mënyrën e tij të sjelljes tiparet e një lideri lokal pa vizion afatgjatë.

Përveç të tjerave, Edi Rama po rreshtohej në frontin kundër Presidentit, të cilit jo vetëm i rrudheshin kompetencat, por e vendoste kreun e shtetit në “betejë” me gjithë politikën, në Parlament e qeveri. Koha tregoi se Edi Rama pabesisht po shfrytëzonte përplasjen e Presidentit me Kryeministrin, ku të dy kishin qenë pjesë e së djathtës politike në Shqipërinë e tranzicionit. Në këtë mënyrë, vendi po kthehej në domen të kryeministrave, ëndërr të cilën Edi Rama do ta realizonte vetëm në zgjedhjet politike të vitit 2013.

Debati rreth Kushtetutës kishte marrë përmasa politike, mediatike dhe kishte futur në diskutime jo vetëm politikanë, por edhe ekspertë kushtetues, shoqata dhe analistë, të cilët shikonin me shqetësim dhe takoheshin në një pikë, që kjo do të shtonte arrogancën e pushtetit të Kryeministrit. Tashmë ishte krijuar fronti i bashkuar kundër Presidentit dhe institucioneve të pavarura, ku dëmin më të madh do ta pësonte institucioni i zgjedhjeve, që do të binte nën kontrollin e partive politike, që shpesh janë përfaqësuar nga njerëz të dhunshëm me precedentë penalë, që në fund kanë rezultuar si hajdutë votash dhe shkaktarë të ngjarjeve tragjike pranë qendrave të votimit. Tashmë, kishte ardhur çasti i duhur i një pozicionimi të qartë dhe publik, ku më shumë se cilido tjetër, roli garantues i Kushtetutës i njihej Presidentit. Ndërsa po bëhesha gati të nisesha për një vizitë pune në Korçë, i telefonova me urgjencë gazetarit Sokol Balla me idenë e një interviste në lajmet e “Top Channel”, një televizion kombëtar, i cili nuk ishte futur në asnjë rast nën kthetrat e interesave të Sali Berishës.

– Sokol, merr grupin e xhirimit dhe hajde në Presidencë, pasi do të bëj një prononcim të rëndësishëm publik!
Pa pyetur për temën, Sokoli u tregua i gatshëm.
– Po vij menjëherë!
Rruga nga studio e televizionit te Piramida deri në Presidencë nuk ishte më shumë se 200 metra dhe pa kaluar 20 minuta më njoftuan që ata ishin në paradhomë.
– Çfarë është zoti President? — më thotë me një frymë Sokoli.

Kur i them tipin e intervistës, si një gazetar me intuitë kuptoi që fjalët e mia do të ishin të drejtpërdrejta dhe do të thellonin debatin politik dhe hendekun midis interesave parimore të kreut të shtetit dhe pazareve të dyshes Berisha – Rama, për pushtet personal dhe kontroll të institucioneve

– Sokol, vendosa për intervistë dhe jo konferencë për shtyp, pasi gjërat janë në evolucion dhe më mirë të dalë si interes i gazetarit për të mos futur institucionin zyrtarisht në “luftë”, por si mendime personale e politike, pa arritur në vendime institucionale. Sidoqoftë, ky është iluzion, sepse ata këtë luftë e kanë nisur, kanë organizuar formacionet dhe po luftojnë së bashku në një front!

**

Kjo intervistë dhe debatet në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike po thellonin përçarjen midis Presidentit dhe maxhorancës, aq sa në mënyrë paradoksale Berisha po e merrte mbështetjen nga kundërshtari i tij politik, pa të cilin nuk mund të arrinte 94 votat që duheshin për ndryshimet kushtetuese, por edhe për faktin se pas kësaj të dy do të merrnin në dorë fatin e Shqipërisë, duke e alternuar pushtetin herë te njëri e herë te tjetri. Pas kësaj, çdo qeverisje do të shkonte në dëm të demokracisë së shpresuar dhe qytetarëve, siç rezulton të ketë qenë këto 10 vjet. Madje, edhe sot, ndonëse mund “të nxjerrin” sytë e njëri-tjetrit për gjithçka, veç riparimin e vendimeve të 2008-s janë të vendosur të mos e bëjnë.

Përplasja me deputetët kundërshtues shkoi e fortë deri më 21 prill, kur Kuvendi vendosi me 115 vota pro të ndryshojë Kushtetutën, duke hapur një periudhë konfliktuale politike, veçanërisht midis institucioneve, ku edhe kreu i shtetit do të zgjidhej me procedurë fyese edhe me 36 vota, duke zbehur rëndësinë e tij si përfaqësues i interesit të gjerë publik.

Ditën e Europës, që kremtohet më 9 maj, kisha vendosur të dekretoj ligjin për ndryshimin e Kushtetutës, duke u nisur edhe nga numri 115 i votave kuvendare, edhe pse me bindjen se kisha folur intensivisht dhe në kohë. Por kjo ditë do të përziente disa emocione.

Gjatë rrugës për në zyrë vjen një telefonatë nga Saliu, i cili tashmë ishte çliruar nga makthi i zgjedhjeve të parakohshme dhe po e trashte më shumë zërin. Në krah të tij, por në mënyrë të heshtur, kishte Edi Ramën, përballë Presidentit me të cilin do të vijonte një betejë të fortë për çështjen e institucioneve të pavarura.

— Alo, Saliu jam! — u dëgjua zëri i tij.
— Mirëmëngjesi, urdhëro! — ia preva shkurt.
— Shiko, Kreshnik Spahiu po e kthen KLD-në në parti politike! — vazhdoi duke përdorur sharje të rënda dhe vulgare në adresë të tij.
— Dëgjo, — i thashë, — jam në makinë dhe do t’ju telefonoj pas pak nga zyra!
Me të hyrë në zyrë, i telefonova duke i thënë:
— Së pari, po ju kujtoj nevojën e një komunikimi korrekt, për më tepër që sot jam këtu ku jam. Së dyti, Kreshnikun e keni zgjedhur ju dhe mos e paragjyko për asgjë, duke e sulmuar brutalisht. Nëse ke gjë për t’i thënë, thuaja drejtpërdrejt pa qenë nevoja të kalosh nëpërmjet meje. Së treti, sa të jem unë, do të punoj për pavarësinë e institucioneve! Më dëgjoi pa më kundërshtuar.

Në orën dhjetë të asaj dite ishte parashikuar një xhiro me biçikleta, së bashku me ambasadorin e BE-së, z. Lohan, dhe një grup të rinjsh përgjatë bulevardit të Tiranës. Të veshur sportivë, filluam ecjen me biçikleta në bulevard, me një nostalgji nga sporti im i preferuar, i filluar që në moshën 5-6- vjeçare. Në të njëjtën kohë, Kryeministri dhe kryeparlamentarja ishin në një aktivitet në hotel “Tirana”. Para se të nisesha në ceremoninë e organizuar nga zyra e BE-së në hotel “Sheraton”, firmosa dekretin e ndryshimeve kushtetuese, ndërkohë që informacionet nëpër televizione po e lajmëronin këtë gjë.

Në pritje të njoftimit nga protokolli për të dalë nga Presidenca, një nga këshilltarët e mi, që kishte një të njohur në stafin e Kryeministrit, më thotë diçka që kishte ndodhur tek ata, duke më ndryshuar si me magji humorin, si dhe duke shkaktuar një të qeshur te të gjithë.

— Shef, — më thotë këshilltarja, — pas kthimit nga aktiviteti për në Kryeministri, pasi ju ka parë në televizion gjatë xhiros me biçikletë është bërë keq dhe u është turrur të vetëve duke u thënë: “Pse nuk më njoftuat që të isha edhe unë në bulevard me biçikletë!”

— Aftësia për të mbuluar defektet dhe kompleksin e provincës e kishte nxjerrë qesharak në këtë rast. Dihej nga të gjithë që ai nuk dinte të ecte me biçikletë, por donte të demonstronte të kundërtën. Ishte e njëjta gjë që ndodhte në rekordet e imagjinuara të notit sa herë shkonte në Dhërmi, duke më kujtuar një film të famshëm francez me aktorin Luis de Fines, “Marrëzia e Madhështisë”. Me këtë gjendje humori arrita në ceremoninë që zhvillohej te “Sheratoni”, ku natyrisht ishim sërish afër duke bërë sikur bisedonim për të demonstruar përpara televizioneve që gjithçka ishte korrekte midis nesh. Vetëm pak ditë më vonë unë i paraqita Kuvendit të Shqipërisë dekretet për pesë vendet vakante në Gjykatën e Lartë, në vijim të një procedure kushtetuese dhe të hapur, duke përzgjedhur emra të njohur të jurisprudencës dhe njerëzve që gëzonin respekt në komunitetin e gjyqtarëve. Ndaj tyre filloi një sulm i paparë politik, pasi konsideroheshin njerëz të zgjedhur nga unë dhe nuk mund të ishin të besuar për Sali Berishën, i cili kishte kritere të tjera në përzgjedhje, me kushtin themelor që gjithkush që do të merrte miratimin e tij politik, duhej të vendosej në shërbim të tij.

Tashmë ngjarjet që implikonin pushtetin e tij po merrnin rrugën e gjykimit. Mbi të gjitha, Gërdeci ishte i freskët dhe ai ishte i zbuluar, kështu sido që të vinte puna, duhej të kontrollonte verdiktin. Dhe kështu ndodhi, njeriu që kishte marrë pushtet të fortë i rrëzoi politikisht kandidaturat, pa asnjë motiv, duke thelluar në mënyrë përfundimtare krizën, e cila do të arrinte kulmin në janar të vitit 2011, për një prishje pa kthim. Në një dalje publike e quajta ekzekutim politik, midis të cilëve edhe gjykatësin e Strasburgut, z. Kristaq Traja, i cili kish marrë vlerësime dhe rekomandime nga Këshilli i Europës. Ky ishte preludi i një përplasjeje të gjatë e të vështirë, ku Kryeministri në vazhdimësi do të pengonte njerëzit me integritet, për të shtrirë influencën e emërimeve të tij, sidomos në sistemin e drejtësisë.

Ironik dhe domethënës ishte fakti që ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008 do të penalizonin shumë shpejt Partinë Socialiste dhe vetë Edi Ramën, duke i prishur ëndrrën për pushtet, pasi KQZ-ja komandohej nga Berisha, madje dhe kutitë që kontestoheshin ruheshin në periferi të Tiranës, në institucionin ku djali i tezes së tij ishte drejtor. Më pas, pikërisht në vitin 2011, Edi Rama do të largohej dëshpërimisht nga drejtimi 11-vjeçar i kryeqytetit, si pasojë edhe e makinacioneve zgjedhore dhe gjykimit të influencuar politikisht. Përveç të tjerave, greva socialiste dhe precedenti i ngritjes së çadrës në bulevard erdhën si pasojë e deziluzionit, që origjinën e kishte te 21 prilli, por gjithsesi kjo datë mbetet për të si ditë e bekuar, pasi i shkon për shtat fizionomisë së pushtetit të ëndërruar dhe që tani e ka bërë realitet.

Marrë nga Panorama

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

politike politike bamir topi edi rama nocturn sali berisha bamir topi edi rama nocturn sali berisha

Sondazh

Poll

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale