LIVE UPDATES
Aktualitet

VIDEO/ Zinxhiri i thyer i drejtësisë për të miturit

Ai kujton momentin e arrestimit të tij 4 vite më parë, kur ishte vetëm 14 vjeç. A. Gj. u dënua me heqje lirie për një plagosje me thikë. Marrja e tij në pyetje u zhvillua në ambientet e një hoteli në Durrës, ku thotë se ka qenë pre e dhunës së ushtruar nga policë.

25 Shtator 2024, 11:41 Nga Vivian Mançellari dhe Heldis Ismailaj

VIDEO/ Zinxhiri i thyer i drejtësisë për të miturit

Sistemi i drejtësisë për të miturit në Shqipëri mbetet i thyer, me shkelje të të drejtave gjatë marrjes në pyetje dhe mungesë të përfaqësimit ligjor. Komisariatet shpesh nuk ofrojnë infrastrukturën e duhur, ndërsa programet e rehabilitimit dhe ri-integrimit nuk funksionojnë si duhet, duke lënë të miturit të pambrojtur dhe të shkëputur nga mbështetja sociale.

Na arrestun në hotel, na rrafën, na morën në pyetje aty. Na lidhën në karrike, vazhdun tu bo pytje… Na merrshin me radhë, rrifshin një herë atë shokun te dhoma, pastaj më merrshin mu”, – kështu e nis rrëfimin e tij A. GJ., aktualisht 19 vjeç, i cili tashmë ka lënë ambientet e Institucionit për të Mitur (I.M.) në Kavajë.

Ai kujton momentin e arrestimit të tij 4 vite më parë, kur ishte vetëm 14 vjeç. A. Gj. u dënua me heqje lirie për një plagosje me thikë.

Marrja e tij në pyetje u zhvillua në ambientet e një hoteli në Durrës, ku thotë se ka qenë pre e dhunës së ushtruar nga policë.

Edhe pse kanë kaluar 4 vite nga arrestimi, ai thotë se ende sot nuk e di se çfarë ka firmosur në komisariat, por di që në asnjë moment gjatë marrjes në pyetje në dhomën e hotelit nuk e ka pranuar krimin.

Ça deshën me shkrujt ata, e thosha unë, që ta shkrushin ata. Në gjyq mora avokat unë, por ishte vonë. Unë kam firmos pa avokat, pa psikolog, pa asgjë… 14 vjeç, edhe me presion”, – thotë A. Gj., duke shtuar se as atij dhe as shokut të tij, që u ndalua bashkë me të, nuk iu është lejuar që të telefonojnë familjarët: Pas dy ditësh kanë marrë vesh robt tonë, që ne jemi arrestu, jemi në komisariat.

Sipas A. Gj., dy të miturit nuk kanë qenë në një ambient të veçantë për të miturit në komisariat. Ata janë transferuar dhe kanë qëndruar në ambiente të përbashkëta me të rritur gjatë seancave gjyqësore.

Avokati i Popullit, Erinda Ballanca, thotë se pretendimi i mëparshëm nga komisariatet e policisë ka qenë se nuk kanë infrastrukturë për marrjen në pyetje nën kamera dhe me audio, por, dhe pse sot ka dhoma të specializuara, ato nuk përdoren.

Ballanca shton se një çështje, për të cilën kërkohet ndërhyrje urgjente nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, është marrja në pyetje e të miturve në dhomat e posaçme, që janë në përputhje me standardet e intervistimit.

“Është pikërisht ky momenti, kur (të miturit) i nënshtrohen një presioni psikologjik, kur merren në pyetje nga oficerët e Policisë Gjyqësore apo nga të tjerë dhe nuk iu njihen apo nuk iu garantohen të drejtat e tyre”, – thotë Ballanca, duke shtuar se, edhe pse ka patur investim për krijimin e dhomave të intervistimit, ato nuk përdoren, duke e bërë të pamundur ruajtjen e intervistave dhe shqyrtimin e çdo gjëje që pyetet i mituri për të mënjanuar presionin.

“Ka gjithnjë një konflikt me strukturat e policisë, pasi ata thonë se, ne duam që të zbulojmë krimin dhe për ne zbulimi i krimit dhe parandalimi i veprimeve penale është më i rëndësishëm sesa zbatimi i të drejtave të njeriut”, – thotë Avokati i Popullit, duke shtuar se ka patur raste publike, ku është ushtruar forcë ndaj të miturit.

Sipas Avokatit të Popullit, problematika kryesore me të miturit ndodh nga momenti i ndalimit deri te momenti i futjes në komisariat, si pasojë e mungesës së monitorimit.

Ardita Kolmarku, nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, një organizatë monitoruese për drejtësinë për të mitur, thotë se janë evidentuar raste dokumentimi të parregullt të shenjave trupore nga ana e mjekut, për të cilat të miturit pretendojnë se iu janë shkaktuar nga punonjës të policisë nga momenti i ndalimit deri në shoqërimin e tyre në komisariat.

Sipas Avokates së Popullit, në 90% të rasteve në komisariate nuk ka dhoma intervistimi; edhe kur ka, ato nuk përdoren.

“Ata (të miturit) vijojnë të merren në pyetje në dhomat e punës të punonjësve të policisë, të cilat janë pa kamera, duke iu cenuar kjo e drejtë apo ky aktivitet parandalues”, – shprehet ajo, duke theksuar se mungojnë denoncimet nga institucionet monitoruese.

Ballanca shton se kamerat mungojnë nëpër komisariate, pikërisht në vendet ku duhet të jenë të pranishme, duke e cilësuar këtë si një “nonsense”.

Në një përgjigje zyrtare Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit thotë se gjatë 5 viteve të fundit nuk është evidentuar asnjë rast keqtrajtimi apo dhunimi i të miturve gjatë shoqërimit, intervistimit, arrestimit, ndalimit apo transferimit të tyre.

Gjatë vizitës së ACQJ në këtë institucion disa prej të miturve ishin duke luajtur rugby, teksa disa të tjerë ishin në sallën e kompjuterëve e në paradhoma, duke u kujdesur për zogjtë. Jashtë të miturit kujdesen dhe për kopshtin, ku kultivojnë zarzavate gjatë verës.

Ambientet e përbashkëta dhe dhomat individuale janë të mbushura me piktura, gjë që nuk të jep ndjesinë e një institucioni të ngurtë izolimi. Ajo çfarë sheh, nuk i përngjet një burgu, por sjell një pasqyrë disi më pranë realitetit.

I.E.V.P., Kavajë ose, si njihet ndryshe, Instituti i të Miturve, Kavajë, u hap në tetor të vitit 2009 dhe shërben si një qendër rehabilitimi, këshillimi dhe si shkollë për të miturit. Projekti u realizua nëpërmjet një investimi prej 2.4 milionë eurosh. Këtu trajtohen minorenët, të cilët kanë kryer vepra penale.

Në këtë institucion punojnë 40 persona dhe 80% e stafit të tij është civil.

Ajo çfarë sheh si problem këtu është lagështia, që dallohet qartë në të gjitha ambientet, sidomos në palestër. Për drejtuesen e I. M., Kavajë, Marinela Alia, ky problem vjen si pasojë e vetë-ndërtimit dhe herë pas here përpiqen që ta adresojnë situatën brenda institucionit.

Ajo shton se janë në pritje të një përgjigjeje për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë. Problematikë ka qenë edhe mungesa e mjeteve të dedikuara të transportit, por, sipas zonjës Alia, që prej një viti kjo problematikë është zgjidhur.

Por, në këtë institucion problemet nuk janë vetëm infrastrukturore. Ardita Kolmarku nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit thotë se janë konstatuar disa parregullsi procedurale në komunikimin e masave disiplinore.

“Në disa prej praktikave evidentuam raste, ku shtetasit e mitur nuk e kishin nënshkruar marrjen në dijeni për masën disiplinore, që ishte vendosur ndaj tyre. Mungesa e këtij nënshkrimi cenon drejtpërdrejt të drejtën e ankimit të masës te një komision apelimi, që ngrihet pranë Drejtorisë të Përgjithshme të Burgjeve dhe më tej edhe pranë instancave gjyqësore”, – thotë Kolmarku.

Nga ana tjetër, shkelje në këtë institucion janë gjetur edhe nga Avokati i Popullit, ku janë identifikuar raste të përdorimit të forcës përtej kushteve apo përtej masës së lejuar nga policia. Zonja Ballanca thotë se forcat e policisë kanë bërë dy kontrolle të menjëhershme, njëri pas tjetrit në I.E.V.P., Kavajë. Ajo thotë se ka pasur dhe një rast, ku kanë çuar në veçim një nga të miturit, që ajo e konsideron “absolutisht shkelje të të drejtave të të miturit”.

Një tjetër problematikë, që Avokati i Popullit përmend, është mosrespektimi i Kodit Penal për të Mitur, që përcakton se individë të grup-moshës 18-21 vjeç janë një grup-moshë e ndërmjetme, që s’duhet të qëndrojnë me të rriturit.

“Sipas ligjit, personat e moshës 18-21 vjeç nuk duhet të rrinë në të njëjtat ambiente me personat e rritur, pasi konsiderohet një kohë e ndërmjetme, por për shkaqe të organizimit të brendshëm të I.E.V.P.-ve një gjë e tillë është e pamundur”.

Një përmirësim të situatës brenda Institucionit të të Miturve në Kavajë e evidenton edhe Avokati i Popullit.

Ajo thotë se po ndryshon qasja e drejtuesve.

“Në qoftë se drejtuesit në këto institucione, të cilat kanë dhe siguri të ulët, janë gra dhe vijnë nga profili i psikologes apo punonjëses sociale, është gjithnjë më mirë dhe ato janë më të prira drejt rehabilitimit dhe trajtimit të çështjeve mbi bazën e rehabilitimit sesa mbi bazën e dënimit (ndëshkimit)”.

Institucioni i të Miturve në Kavajë me një kapacitet prej 40 personash është një strukturë, e cila strehon vetëm djem. Ende nuk ka një institut për vajzat e mitura në konflikt me ligjin. I.E.V.P. 325, i njohur ndryshe si burgu i grave në Tiranë, i cili tashmë është transferuar në Pogradec, është për gratë dhe për vajzat në konflikt me ligjin, por nuk është i specializuar për vajzat e mitura.

Burime bëjnë me dije se para dy vitesh në I.E.V.P. 325 kishte edhe vajza të mitura, të cilat qëndronin në paraburgim, por Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thotë se në 5 vitet e fundit nuk ka patur të dënuara të mitura, gjë që bie ndesh me një raport të vitit 2022 nga CRCA.

Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me bashkitë ka firmosur disa marrëveshje për mundësimin e masave alternative për të miturit, rehabilitimin, ri-integrimin dhe ndjekjen e tyre nga punonjës socialë dhe psikosocialë.

Neni 134 i Kodit Penal për të Mitur përcakton në pikën 3 të tij se organet kompetente për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve duhet të zbatojnë planin e integrimit në shoqëri dhe të mbikëqyrin shërbimet e marra nga të miturit deri në 6 muaj pas lirimit.

I mituri duhet mbështetur pas lirimit nga organet kompetente, për të bërë të mundur ri-integrimin e suksesshëm në shoqëri.

Marinela Alia, drejtoreshë e I.E.V.P., Kavajë, gjatë vizitës në institucionin e të miturve, thotë se pas çdo lirimi dërgon personalisht dosjet te njësitë administrative.

“Pjesa, që çalon, janë bashkitë”, të cilat duhet të ndjekin të miturit pas lirimit sipas rekomandimeve.

Sipas marrëveshjes, Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve me menaxherin e rastit, atashuar në Drejtorinë e Shërbimit Social, duhet të ndjekë rastin e referuar nga Institucioni i Shërbimit të Provës, nga D.V.P., nga gjykata, si dhe nga institucione të tjera.

Marrëveshja përcakton se Ministria e Drejtësisë i jep tagrin e implementimit të marrëveshjeve Shërbimit të Provës dhe bashkitë kanë ngritur kapacitetet e qendrave multidisiplinore për trajtimin e rasteve të rehabilitimit dhe ri-integrimit.

Momentalisht, 22 të mitur vuajnë dënimin në I.E.V.P., Kavajë, (17 nën moshën 18 vjeç dhe 5 të grup-moshës së ndërmjetme, 18-21 vjeç); ndërkohë 269 të mitur janë nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës, sipas përgjigjes së kërkesës për informacion drejtuar Shërbimit të Provës.

Kjo diferencë shifrore është një tregues që po shkojmë drejt masave alternative, por, sipas Albana Izetit, menaxhere e programit Akses në Drejtësi, pranë Terre Des Hommes, ka ende shumë për të bërë:

“Unë besoj se shifrat absolutisht janë një tregues i mirë se si Kodi i Drejtësisë Penale po jep efektet e veta, por besoj që ende ka shumë punë për të bërë, veçanërisht në sigurimin e shërbimeve cilësore në kohë, si dhe për bashkëpunimin ndërinstitucional për të ofruar mirë-riintegrimin e të miturve”.

Për t’iu përgjigjur pyetjes shqyrtuam marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2018 me bashkitë Tiranë, Durrës dhe Korçë.

“Nuk ka asnjë program të specializuar për këtë kategori, edhe pse qendrat ditore, komunitare vazhdojnë që të funksionojnë, por këta të mitur nuk marrin pjesë për shkak të grup-moshës”, – thotë Bashkia e Korçës.

Bashkia e Tiranës thotë se ka adaptuar 7 qendra komunitare për asistimin e të miturve në konflikt me ligjin, por, të pyetur për rastet, që këto qendra kanë trajtuar në 5 vitet e fundit, thonë se vetëm qendra komunitare Gonxhe Bojaxhi ka raportuar 2 raste të referuara nga Njësia Administrative numër 4, të cilët i kanë refuzuar shërbimet e ofruara.

Ndonëse bashkia zyrtarisht thotë se ka 7 qendra, në komunikimin zyrtar kërkesa për të dhënat e kërkuara nga ACQJ i drejtohet vetëm 4 të tillave, të cilat, sipas vetë përgjigjes së bashkisë, janë përshtatur për dhënien e shërbimeve në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar.

“Qendra Komunitare, Multidisiplinare, Qendra Komunitare, Shkozë, si dhe qendra komunitare Të Qëndrojmë së Bashku kanë raportuar 0 raste të të miturve në konflikt me ligjin; ndërsa qendra komunitare Gonxhe Bojaxhi ka raportuar 2 raste të referuara nga Njësia Administrative nr. 4, përkatësisht të moshës 16 dhe 17 vjeç, për t`u ndjekur me seanca këshillimi, të cilët kanë shmangur ardhjen pranë qendrës komunitare, duke refuzuar marrjen e shërbimeve të ofruara”, – thotë Bashkia e Tiranës.

Ajo që duket se ka funksionuar është dhënia e ndihmës pranë komisariateve nga Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve pranë Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale.

Të dhëna mbi numrin e rasteve të asistuara në komisariate nga Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve pranë Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale nëpërmjet Punonjësve për Mbrojtjen e Fëmijëve në 27 Njësitë Administrative /Lagje në territorin e Bashkisë së Tiranës:

“Bashkia e Tiranës ka 7 qendra komunitare, multidisiplinore, të cilat janë:

Përgjigjja zyrtare nuk specifikon se sa raste janë trajtuar konkretisht për rehabilitimin e të miturve në konflikt me ligjin dhe se sa kanë marrë shërbim ri-integrimi pas kryerjes së dënimit.

Shtatë qendrat multidisiplinore mbulojnë kategori të ndryshme të grupeve në nevojë, nga të miturit dhe gratë në nevojë, te të moshuarit, si dhe të miturit në konflikt me ligjin.

Në Durrës këtë shërbim për 25 të mitur (5 përsëritës) e ofrojnë qendrat multifunksionale.

“Marrëveshja është firmosur ndërmjet Bashkisë së Durrësit dhe Ministrisë së Drejtësisë më 19/10/2018 për zbatimin e masave alternative. Shërbimet ofrohen dhe mbahen nën monitorim nga qendra komunitare, multifunksionale Nishtulla, Qendra e Reziliencës, qendra komunitare Sot për të Ardhmen dhe nga Sektori i Mbrojtjes dhe i Përfshirjes Sociale/Drejtoria e Shërbimit Social/Bashkia e Durrësit”, – thotë Bashkia e Durrësit.

“Këto qendra janë funksionale dhe e vazhdojnë misionin e tyre në shërbim të fëmijëve (të mitur).

Kanë qenë të suksesshme dhe janë aktualisht këto qendra që kanë ofruar shërbime për këto kategori të miturish në konflikt me ligjin”.

Gjithsej, në total, kanë të regjistruar apo pjesë të programeve 25 të mitur në konflikt me ligjin dhe 5 raste prej tyre recidivistë.

Monitorimi i të miturve, pjesë e programeve, është në përgjegjësinë e qendrës komunitare, multifunksionale (Sot për të Ardhmen), që ofron shërbime, në përgjegjësinë e Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Institucionit të Shërbimit të Provës” , – shton Bashkia e Durrësit.

Ndonëse marrëveshjet janë në fuqi prej disa vitesh, nga komunikimet me bashkitë dhe me institucionet në varësi duket se ka një paqartësi dhe një mosfunksionim praktik të marrëveshjeve të lidhura dhe të rinovuara.

Një problematikë, që vështirëson funksionimin e këtyre shërbimeve, sipas Albana Izetit nga Terre Des Hommes, është distanca e qendrave komunitare, multifunksionale nga vendbanimet e të miturve në nevojë të shërbimit, kapacitetet e kufizuara, si dhe fakti që një punonjës social, sipas raportit ligjor, duhet të mbulojë nevojat e 3.000 të miturve të kategorive të ndryshme.

Aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile e pranojnë paqëndrueshmërinë e trajnimeve, që realizohen për punonjësit psikosocialë, për stafin me uniformë apo edhe për prokurorë e gjykatës.

“…vetë fakti që stafi qëndron aq pak kohë në punë, do të thotë që nuk i jep jetëgjatësi aplikimit të këtyre kurrikulave, në të cilat ata trajnohen”, – thotë Anda Kruetani, koordinatore projektesh në K.Sh.H. Kjo gjë theksohet edhe nga Albana Izeti, e cila shprehet se, si çdo sektor tjetër dhe ai i drejtësisë për të mitur vuan nga rotacioni dhe riemërimi i burimeve njerëzore.

Zhvillimi i infrastrukturave të drejtësisë për të miturit në një shoqëri është një domosdoshmëri.

Të miturve iu duhet dhënë një mundësi rehabilitimi për t’u larguar nga bota e krimit, për një jetë sa më normale, për t’u shndërruar në qytetarë të denjë dhe funksionalë të shoqërisë.

Ndonëse ligjet ekzistojnë dhe shpesh institucionet shqiptare kanë nënshkruar marrëveshje me njëri-tjetrin, në terren situata është shumë larg asaj të përshkruar në marrëveshjet e lidhura dhe shërbimet që duhet t’iu ofroheshin të miturve në konflikt me ligjin./ACQJ.al

Sondazh

Poll

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje

"Studentët të ndërrojnë qeverinë"/ I riu thirrje të forta nga protesta: Mos u largoni nga Shqipëria

Protestuesit nuk i tremb as shiu, thirrje të forta nga Kryeministria: Revolucion!

“I preve në besë banorët e Rrjollit dhe Thethit”/ Protestuesi thirrje Ramës: Malet i nxore në shitje

PAMJE PREKËSE/ Vogëlushja mes lotësh mesazh Ramës: Pelikanin kaçurrel do ta sjellim në Surrel

Qytetarët njëzëri para Kryeministrisë: Rama në burg, Berisha në Burg

Banorja e Rrjollit: Mos bini pre e provokimeve! Këtu do rrimë deri sa Rama të japë dorëheqjen

Protesta kundër projektit të Zvërnecit/ Protestesit mesazh Ivanka Trump: Mbaj duart larg Nartës

Tensionohet situata në protestë, policia nuk kursen qytetarët hedh ujë me piper me presion

Protesta për Zvërnecin, përplasje mes qytetarëve dhe policisë

Përplasjt mes qytetarëve dhe policisë në protestë, çahet kordoni

PAMJE nga tubimi i i katërt kundër projektit në Zvërnec #dosja #protesta #zvernec

Protestë në Durrës kundër projektit në Zvërnec, qytetarët mblidhen para Bashkisë

Berisha: Shteti duhej të ishte garanti në Zvërnec.Ndërtimet të bëhen në përputhje me standardet e BE

Berisha: Aeroporti i Vlorës kurrë nuk mund të ndërtohej aty

Zvërneci,Berisha:Ne mbështesim plotësisht investimin e huaj.Sazani nuk është një investim i thjeshtë

Berisha në grupin parlamentar: Pas Kuvendit Kombëtar hyjmë në një etapë të re

Berisha: Meta është një i burgosur politik, Rama po vazhdon me besnikëri rrugën e babait të vet

Burgun apo dorëheqje? Rama kapet me gazetarin: Nuk meriton përgjigje

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen, Rama: Film i vjetër, përfaqësoj të paktën 800 mijë shqiptarë

Protesta për Zvërnecin, Rama: SPAK po mban të ngrira fondet pa i lënë të kalojë te shitësi

Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thotë të mbështesësh Shqipërinë drejt BE

Rama: Jemi këtu për të ndërtuar Shqipërinë e së ardhmes

Rama: Bëmë ligjin për hapjen e dosjeve të komunizmit, partia jonë u përball me të keqen në opozitë

"Kryeministri gënjeu"/ Gazetarja thirrje qytetarëve: Ai që të vjedh sot, do e bëjë dhe nesër

35-vjetori i PS në Tiranë/ Rama: Arsyeja e fitores së PS është aftësia për t’u hapur!

Mbyllet protesta për Zvërnecin #dosja #protesta #zverneci

Protesta për Zvërnecin/ Qytetarja: Ne nuk e lëshojmë sheshin pa u heq gardhi në Zvërnec dhe Rrjoll

Qytetarja: Kërkojmë anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura, nuk ka negociata

"Anulo projektin"/ Me pankarta në duar, të rinjtë 'pushtojnë' kryeministrinë: Jep dorëheqjen

"Janë provokime"/ Çfarë po ndodh para ambienteve të Kryeministrisë?

Protestuesit i përgjigjen kryeministrit Rama: Jep dorëheqje nuk ka dialog!

Qytetarët zbresin sërish në shesh, protestojnë kundër projektit në Zvërnec

Ermonela Jaho mbështet protestën për Zvërnecin, shpërndan pamjet në rrjetet sociale

Skandali me ADS/ Berisha: U ngrit pa vendim qeverie, Rama krijoi një monstër për të vjedhur

"Populli flet në ditën e zgjedhjeve"/ Kryeministri: Thirrjet 'O Rama të QR' nuk funksionojnë me mua

Projekti për Zvërnecin/ Rama për hetimet e SPAK: Investimi nuk ndalon sa kohë unë jam këtu!

Antonio Costa: Zgjerimi një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën

Antonio Costa: Zgjerimi një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën

Mesazhi i Antonio Costës: Përshpejtoni luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend

Grabitet me armë një bankë e nivelit të dytë në Tiranë