LIVE UPDATES
Aktualitet

"Tendera me vetëm një pjesëmarrës dhe abuzime edhe nga firmat e licensuara!" DW: Shpyllëzimi, “uria” italiane për pyjet shqiptare

Moratoriumi i pyjeve në Shqipëri nuk e ka ndalur shpyllëzimin. Raportet kombëtare dhe ndërkombëtare, pamjet satelitore dhe hulumtimet në terren janë shqetësuese.

15 Prill 2025, 08:16 Nga M.B
"Tendera me vetëm një pjesëmarrës dhe abuzime edhe nga
Foto ilustruese

TIRANA- "Mos shkoni atje se ju ha arusha”. Kjo është "këshilla” që na japin katër burrat, të cilët takojmë në qendër të fshatit Lekbibaj, në Tropojë. Destinacioni ynë përfundimtar është Vrana e Madhe, aty ku rreth dy vite më parë disa banorë denoncuan prerjen pa kriter të pyjeve në fshatin e tyre. Në masakrën mjedisore të ndodhur me pyjet shqiptare në tri dekadat e fundit, Tropoja është një ndër zonat ku kanë mbetur ende pemë ahu, me vlerë të madhe për ata që merren me përpunimin e drurit.

"Janë i vetmi mjet mbijetese, në një zonë që nuk ofron asnjë mundësi punësimi dhe nga ku shumica kanë emigruar”- nxitojnë të sqarojnë banorët.

Rrugës për në Lekbibaj ndeshim kamionë të ngarkuar plot e përplot me trungje pemësh me diametër të gjerë, drurë që sipas inxhinierëve të pyjeve, janë më të përshtatshmit për përpunim mobiljesh apo produktesh të tjera drusore. Ndërsa në Vranë të Madhe, shtigjet e hapura nga kamionët dhe gjurmët e freskëta ose të vjetra të prerjeve masive, nuk fshihen dot.

Thuajse e njëjta situatë është edhe në juglindje të vendit. Në Polis-Guri i Zi-Valamar, pranë Pogradecit, në fshatrat përreth, si Bishnica, sa më lart të ngjitesh, aq më të zhveshura janë malet.

Bledi Hoxha, biolog pranë organizatës mjedisore PPNEA, punon në zonë prej vitesh. "Në terren shohim kamionë që vijnë këtu për të prerë drurët e fundit me vlerë që kanë mbetur. Ka pasur raste që jemi përballur me njerëz që kryejnë aktivitetin e paligjshëm, të cilët shpesh bllokojnë edhe rrugën derisa ngarkojnë të gjitha trungjet” – thotë ai.

Abuzime edhe nga firmat e licensuara

Pavarësisht se Shqipëria ka miratuar me ligj me ligj moratoriumin e pyjeve që prej vitit 2016, i cili ndalon prerjen e pyjeve për qëllim biznesi deri në vitin 2026 dhe lejon vetëm shfrytëzimin e pyjeve për dru zjarri, për familjet dhe institucionet publike si shkolla dhe kopshte, në terren – në zonën e Lezhës, të Librazhdit, të Shkodrës e thuajse në të gjithë vendin, gjen kantierë të shumtë sharrash, të cilët në shumicën e rasteve nuk rezultojnë as të regjistruar si biznese dhe operojnë në informalitet të plotë.

Por edhe ata që janë të licensuar nga institucionet për të prerë dru zjarri, abuzojnë.

"Ata ngarkojnë kamionët e tyre me ahun më cilësor, atë të cilësisë së parë. Dhe gjëja më e tmerrshme është se parcelat për të cilat kanë lejen për t'i prerë, nuk preken, ndërsa parcelat me drurin më cilësor, priten masivisht. Nuk ndiqet asnjë rregull. Presin çfarë u pëlqen, atë që ju hyn në punë” – shprehet i revoltuar Ahmet Mehmeti, inxhinier pyjesh me eksperiencë, i cili pak javë para nisjes së moratoriumit, u sulmua në terren bashkë me kolegë të tjerë dhe një ekip gazetarësh, teksa po raportonin për masakrën pyjore në Stravaj të Librazhdit.

Përgjegjësia nis nga pushteti vendor

Në përplasjen e dy viteve më parë të banorëve së zonës së Vranës së Madhe me bashkinë Tropojë, vendasit pretendonin se në pyllin e tyre, ku kryesisht gjenden pemë ahu, pritej pa kriter, duke shfrytëzuar licensën për prerje për dru zjarri. Sipas ligjit shqiptar, pushteti vendor është autoriteti që menaxhon dhe kontrollon aktivitetet në fondin pyjor, ku përfshihet edhe shfrytëzimi i pyjeve.

"Kemi raste sporadike të prerjeve të paligjshme të pyjeve, por nuk mund të themi që është fenomen i përhapur” – thotë Pjetër Imeraj, administrator i komunës Lekbibaj. Ai i përgjgjet interesit tonë për të ditur më shumë se si funksionon licensimi i kompanive që kanë të drejtën për prerjen e druve të zjarrit.

"Ne si komunë i paraqesim bashkisë së Tropojës nevojat që ka zona për dru zjarri gjatë stinës së dimrit. Nuk e përcaktojmë ne se kush vjen dhe pret” – thotë Imeraj. Pyetjes nëse kompanitë e licensuara janë të zonës apo vijnë nga Tirana, ai i përgjigjet nën zë: "nga Tirana” pa përmendur emër kompanie apo pa e zgjatur më shumë me detajet.

Përmes një kërkese zyrtare që i drejtuam Bashkisë Tropojë në lidhje me pretendimin e banorëve, ajo u përgjigj duke thënë se "Bashkia Tropojë nuk licenson asnjë kompani për dru zjarri, por procesi bëhet përmes tenderimit”. Sipas përgjigjes zyrtare, vëllimi drusor i përdorur për periudhën 2020-2024 ka qenë 8489 m3 dhe se ahu është ndër llojet e drurëve që janë prerë.

Tendera me vetëm një pjesëmarrës

Në lidhje me kontratën e firmosur me kompaninë fituese të tenderit, "Alxhef shpk” bashkia rekomandoi që të bazoheshim tek kontrata e publikuar në faqen e Prokurimeve Publike. Në këtë faqe, ajo çka bie në sy është fakti se në rastet kur kompania është futur në garën për tender në Bashkinë Tropojë, nuk ka pasur kompani tjetër konkurrente në garë.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, tenderat me vetëm një pjesëmarrës janë gjithmonë flamur i kuq.

"Në vitet 2022-2023 jemi përzgjedhur për të furnizuar me dru zjarri shkollat dhe institucionet në varësi të bashkisë së Tropojës. Kemi zbatuar gjihçka parashikon kontrata dhe kemi prerë vetëm pemët e rrëzuara dhe ato të thara. Deklaroj me përgjegjësi të plotë që nuk kemi prerë apo transportuar lëndë drusore përtej asaj për të cilën jemi kontraktuar nga bashkia e Tropojës” – thotë Xhafer Fiora, pronar i kompanisë.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania "Alxhef Shpk” vepron prej rreth 20 vitesh në treg, regjistruar si biznes për përpunimin e materialeve të drurit, import-eksportin e lëndës drusore si dhe prodhimin e mobiljeve. "Ne nuk jemi të specializuar për prodhimin e mobiljeve” – deklaron Fiora. Ai shton se para vitit 2016 nuk ka pasur kontrata për shfrytëzimin e pyjeve. Por sipas një tjetër regjistrimi në QKB, Fiora rezulton administrator i mëparshëm i kompanisë "Fjora”, e regjistruar në vitin 1995 dhe me objekt biznesi për ndërtim dhe shërbime të tjera, dhe në vitin 2009 me objekt të ndryshuar biznesi, atë të shfrytëzimit të pyjeve, tregtimin, prodhimin dhe import-eksportin e të gjitha llojeve të lëndëve të para të drurit.

Treg europian dhe amerikan

Klienti kryesor tek i cili "Alxhef shpk” transporton lëndë drusore për mbi 10 vite është "Minelli S.p.a”, pjesë e "Minelli Group”, kompani italiane e krijuar që nga viti 1937, e cila prodhon produkte druri të llojeve të ndryshme por është veçanërisht e njohur për kasat dhe qytat prej druri luksoze të armëve, produkte të cilat shiten në tregun europian dhe eksportohen edhe në tregun amerikan.

Marrëdhënia e tyre tregtare ka nisur në vitin 2012, bashkëpunim i cili, sipas kompanisë "Minelli S.p.a” nisi sepse kostoja e ulët e fuqisë punëtore në Shqipëri ishte më tepër konkurruese se vendet e tjera të rajonit.

Kompania thotë se nuk ka qenë në dijeni të akuzave të banorëve në Tropojë dy vite më parë, dhe se moratoriumi nuk i ka ndryshuar dinamikat e bashkëpunimit me "Alxhef shpk”.

"Ne dimë që Alxhef importon nga Mali i Zi dhe Kosova, sepse disponojmë materialet e nevojshme që na nevojiten për regjistrimin e EUTR 995/2010. Më vonë Alxhef nisi të furnizohet edhe nga Greqia” – thotë Marcello Minelli, përfaqësues i kompanisë.

Edhe "Alxhef shpk” thotë se importon nga shtete si Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Kosova dhe Greqia dhe se "Minelli S.p.a”-në e furnizon kryesisht me doreza furçash të përmasave të ndryshme dhe pjesën tjetër me pelete druri ahu.

Italia destinacioni kryesor

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave druri dhe produktet drusore janë një zë i qëndrueshëm i eksporteve shqiptare. Sipas këtyre të dhënave, që i referohen periudhës kohore 2012-2023, tendenca e drurit të eksportuar ka pësuar rënie të lehtë por kryesisht për qymyr-drurin. Ndër vite Italia ngelet shteti ku Shqipëria dërgon numrin më të madh të prodhimeve të drurit dhe letrës për eksport, sipas INSTAT.

Sipas OEC, databazës online të aktiviteteve ekonomike që përpunon të dhëna nga e gjithë bota, Shqipëria ka një histori të vjetër eksportesh me Italinë në periudhën e pas-tranzicionit, duke nisur nga viti 1995. Sipas të dhënave të publikuara, në vitin 2015, një vit para hyrjes në fuqi të moratoriumit, Shqipëria ka eksportuar dru dhe prodhime druri me vlerë tregu rreth 21 milionë euro, ku 71.7% e të gjithë sasisë së eksportuar shkonte në Itali. Pjesën më të madhe e zinin qymyr- druri, druri për mobilje dhe druri i sharruar.

Italia mbetet vendi i parë i eksporteve të drurit deri në vitin 2023, ku pas hyrjes në fuqi të moratoriumit vihet re një rënie e sasisë së eksportuar të qymyr-drurit por ngelet thuajse e njëjtë sasia e drurit të sharruar dhe drurit teknik.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nuk vuri në dispozicion asnjë të dhënë në lidhje me import-eksportet e 10-vjeçarit të fundit, përfshirë këtu edhe kodet doganore për llojin e drurit të eksportuar.

Neglizhenca italiane në zbatimin e legjislacionit europian

Rregullorja e Bashkimit Europian për lëndën drusore, EUTR, hyri në fuqi në vitin 2013 për të luftuar aktivitetin e paligjshëm të drurit dhe nënprodukteve të tij. Vendosja e EUTR në teori nënkupton ndalimin e hyrjes së drurit të paligjshëm në tregun e BE-së. Dhjetë vite më vonë, në 2023-in, BE miraton një tjetër rregullore, këtë herë të quajtur Rregullorja e BE-së për Shpyllëzimin, EUDR, e cila ka nisur zbatimin në terren.

EUTR parashikon që çdo sasi druri, prodhuar në BE ose importuar në BE, duhet të ketë të bashkëngjitur një dokumentacion të zgjeruar, përfshirë origjinën e drurit, pra burimin dhe llojin e tij.

Ekspertë të EUTR/EUDR në Itali thonë se rregulloret kanë më shumë forcë morale se sa ligjore.

Davide Pettenella, profesor i ekonomisë pyjore në universitetin e Padovës dhe njëkohësisht ish-konsulent i FAO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë) në zonën e Ballkanit, thotë se "Shqipëria përbën një rast unik, sepse është i vetmi vend nën efektin e moratoriumit dhe një pjesë e konsiderueshme e pyjeve, sidomos ato me vlerën më të madhe, janë pronë publike, tradicionalisht e menaxhuar përmes planeve të menaxhimit”. Ky kombinim, sipas tij, "favorizon përhapjen e rasteve korruptive”.

Sipas tij, EUDR nuk do të ndalonte veprimtarinë e paligjshme në rastin e Shqipërisë, sepse sistemi funksionon kur bëhet fjalë për dru të gjurmueshëm dhe të ligjshëm, por në një rrjet korrupsioni, që nis nga prerja e paligjshme, kontrollet në pikat doganore, në matjet, shitjet dhe eksportet, është thuajse e pamundur.

Ndërkohë, burime nga policia pyjore italiane pranojnë se veprojnë kryesisht përmes kontrollit të dokumentacioneve dhe dalin në terren për kontrolle të rastësishme çdo dy vjet.

Një burim konfidencial, prej vitesh në sektorin e ndërtimit, thotë se "druri vjen në Itali me një dokumentacion ku origjina e drurit është e falsifikuar. "Hyn këtu me dokumente bullgare ose greke ose nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe trajtohet si mall i importuar brenda Europës. Sipas mendimet tim, në Itali nuk kanë informacion, nuk pyesin ose nuk u intereson, sepse atyre u nevojitet vetëm që të blejnë dru dhe të prodhojnë me të parkete dhe mobilje”.

Deklarimet e dhëna nga burimi në kushtet e anonimatit nuk u provuan dot gjatë këtij hulumtimi, edhe për shkak të refuzimit të dhënies së informacioneve zyrtare nga autoritetet lokale dhe qendrore në Shqipëri dhe Itali.

Moratoriumi shqiptar nuk mjafton

"Në 20 vitet e fundit Shqipëria ka humbur përafërsisht rreth 33% të biomasës drusore” – thotë Abdulla Diku, inxhiner pyjesh që prej vitesh studion në terren situatën në pyjet shqiptare. Sipas tij, piku i masakrës mjedisore në pyjet e vendit ka ndodhur në vitin 2011, por vijon ende.

"Në të shkuarën kemi pasur 80 milionë metër kub vëllim pyjor ndërsa tani kemi rreth 53-54 milionë m3, si pasojë e prerjeve të paligjshme dhe zjarreve” – thekson inxhinier Diku, duke iu referuar të dhënave zyrtare të institucioneve.

Edhe për "Global Forest Watch”, strukturë ndërkombëtare që monitoron pyjet anembanë botës, Shqipëria konsiderohet si një ndër vendet më problematike përsa i përket humbjes së sipërfaqeve pyjore si pasojë e prerjeve të paligjshme dhe zjarreve. Në raportin e fundit të GFW evidentohet se në 20 vitet e fundit "Shqipëria ka humbur 6.5 % të sipërfaqes totale të mbuluar nga pyjet”.

Problemet me menaxhimin e moratoriumit të pyjeve evidentohen edhe ne raportin e vitit 2024 të Bashkimit Europian për progresin e Shqipërisë në reformat e ndërmarra në kuadër të procesit të anëtarësimit.

"Mbeten shqetësuese zbatimet e pamjaftueshme të ligjeve për prerjen e pyjeve. Pavarësisht moratoriumit të pyjeve, situata vijon të mbetet e pakontrolluar” – thuhet në njoftim.

Vetëm për vitin e kaluar, në kuadër të fondeve që u jepen shteteve në procesin drejt anëtarësimit në BE, ky i fundit i dha Shqipërisë fondin prej 67.35 milionë eurosh për t'u përdorur në shumë fusha, si lufta kundër korrupsionit, qeverisja vendore, mbrojtja e pyjeve e shumë të tjera të cilat konsiderohen me rëndësi të veçantë.

BE: Shqipëria, larg energjisë së rinovueshme

Megjithatë, në Kapitullin e Mjedisit, Bashkimi Europian vijon të ketë pakënaqësi ndaj Shqipërisë. Ambicia europiane e dekarbonizimit - për të lënë pas energjinë e prodhuar nga lëndët djegëse dhe për të prodhuar vetëm energji të pastër përmes energjisë së burimeve të erës dhe diellit - duket të jetë shumë larg situatës në Shqipëri.

Pyjet gëzojnë fuqinë natyrale për të përthithur dioksidin e karbonit përmes fotosintezës dhe depozituar atë në pemë, tokë dhe pjesë të tjera të ekosistemit, duke realizuar atë që njihet si sekuestrimi i karbonit. Shpyllëzimi nuk e ndihmon procesin.

"Niveli i uljeve të emetimeve të planifikuara për periudhën 2021-2030 në Planin Kombëtar të Energjisë dhe Klimës nuk rezultoi i azhurnuar në vitin 2024. Ky plan mbështetet thelbësisht në sekuestrimin e karbonit nga pyjet, por ka masa dhe mjete shumë të kufizuara për të mbrojtur dhe menaxhuar pyjet” - thuhet në raport./ DW

italia shqiperia

Sondazh

Poll

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje

"Studentët të ndërrojnë qeverinë"/ I riu thirrje të forta nga protesta: Mos u largoni nga Shqipëria

Protestuesit nuk i tremb as shiu, thirrje të forta nga Kryeministria: Revolucion!

“I preve në besë banorët e Rrjollit dhe Thethit”/ Protestuesi thirrje Ramës: Malet i nxore në shitje