All - Scripts - 5
LIVE UPDATES
All - General - 1
Aktualitet

Qendrat e të dhënave: A ka shanse të tërheqë Shqipëria investime

Shqipëria, falë pozicionit të saj gjeografik, burimeve të qëndrueshme energjetike dhe fuqisë punëtore me profil teknologjik, po shihet si një destinacion potencial për zhvillimin e këtij sektori strategjik.

18 Tetor 2025, 07:25 Nga E. D
Qendrat e të dhënave: A ka shanse të tërheqë
foto ilustruese
All - Paragraf - 1

TIRANË- Zhvillimi i teknologjisë së informacionit dhe rritja e përdorimit të shërbimeve cloud i kanë vendosur data center-at (qendrat e të dhënave) në fokus të infrastrukturës dixhitale të ekonomive më të zhvilluara europiane.

Shqipëria, falë pozicionit të saj gjeografik, burimeve të qëndrueshme energjetike dhe fuqisë punëtore me profil teknologjik, po shihet si një destinacion potencial për zhvillimin e këtij sektori strategjik.

Aktualisht në Shqipëri, veprimtaria e kompanive data center,  është e përqendruar më tepër në ruajtjen e të dhënave sensitive financiare, ku me zhvillimet e sotme vlerësohet si guri kryesor i themelit të infrastrukturës globale të teknologjisë.

Kompanitë kryesore operojnë si operatorë të certifikuar të operatorëve më të mëdhenj në botë në fushën e pagesave elektronike, apo si operatorë teknologjikë, ofrues të zgjidhjeve të ruajtjes së të dhënave.

Për zonjën Eneida Thomaj, CEO e kompanisë PayLink e certifikuar nga VISA dhe Mastercard, për përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave të pagesave, edhe Shqipëria shfaqet si një vend me potenciale për zhvillimin e qendrave rajonale të ruajtjes së të dhënave.

“Infrastruktura telekomunikuese solide, përfshirë kabllot nënujore që lidhin vendin me Italinë dhe Greqinë, si dhe kapacitetet e energjisë, janë baza për zhvillimin e qendrave të të dhënave.

Investimet në Portin e Durrësit dhe Aeroportin e Tiranës përmirësojnë më tej logjistikën, duke e bërë Shqipërinë një vend potencial për kompanitë ndërkombëtare që kërkojnë një hub rajonal të të dhënave”, thekson ajo.

Gentian Likaj, administratori i kompanisë Communication Progress, e fokusuar me veprimtari në ofrimin e zgjidhjeve të integruara teknologjike, si avantazh kryesor të Shqipërisë për t’u integruar në tregun europian sheh nevojën që ka sot tregu amerikan për t’u diversifikuar për arsye gjeografike në Europë, madje duke shfrytëzuar kërkesën e kompanive të mëdha si Microsoft apo Amazon për ngritjen e filialeve në këtë shërbim.

“Së pari, shumë kompani europiane kërkojnë të diversifikojnë riskun gjeografik dhe Shqipëria mund të ofrojë këtë.

Së dyti, partneritete me hyperscale provider (kompani që ofron shërbime teknologjike në shkallë shumë të madhe, si ruajtje dhe përpunim të të dhënave, përmes qendrave të mëdha të të dhënave  – data center – dhe teknologjive cloud) si Amazon, Microsoft dhe Google.

Këto kompani janë duke kërkuar lokacione të reja për zgjerimin e infrastrukturës cloud në Europë.

Së treti, një strategji kombëtare e koordinuar me investime publiko-private. Kjo nuk mund të bëhet nga sektori privat i vetëm. Me këto masa, Shqipëria mund të bëhet një destinacion strategjik për cloud të decentralizuar dhe një gateway (në teknologji dhe financa) për tregjet rajonale”, pohon ai.

Por, për të tërhequr investime të konsiderueshme në sektorin e data center-ave, ekspertët e fushës vlerësojnë se Shqipëria duhet të ofrojë stimuj fiskalë të përshtatshëm dhe një mjedis rregullator të qartë dhe transparent.

“Duhen lehtësi tatimore specifike për data center-at, rregullore të qarta për transferimin e të dhënave dhe procedura të thjeshtuara licencimi”, nënvizon zoti Likaj.

Përveç lehtësive fiskale, për të bërë Shqipërinë një hub data center rajonal, duhen edhe tre investime të tjera sipas drejtuesit të Communication Progress.

“Së pari është infrastruktura fizike. Duhen data center me certifikime Tier III ose IV, jo thjesht dhoma serverësh. Kjo do të thotë sisteme të dyfishtë energjie, ftohje industriale dhe siguri fizike në standarde ndërkombëtare.

Së dyti është ndërlidhja. Duhen kabllo nënujore dhe tokësore që na lidhin drejtpërdrejt me operatorët kryesorë europianë. Pa këtë, vonesat e konektivitetit do të sillnin problematika.

Së treti janë njerëzit. Trajnimi i inxhinierëve në teknologjitë enterprise. Kjo nënkupton gjithashtu partneritete me universitetet dhe qendra trajnimi profesional. Me këto, Shqipëria mund të pozicionohet si alternativë e besueshme për vendet fqinje që kërkojnë zgjidhje lokale data center”.

Për drejtuesen e kompanisë PayLink, zonjën Eneida Thomaj, krijimi i “Durana Tech Park” si një park teknologjik dhe shkencor është një hap pozitiv, por kërkohen masa shtesë si lehtësi fiskale dhe strategji kombëtare për t’u zgjeruar më tej ky sektor.

Shqipëria ka të gjitha elementet për t’u bërë një hub rajonal i të dhënave, për shkak të  pozicionit strategjik, energjisë së lirë dhe të pastër, legjislacionit të harmonizuar me BE-në dhe kostove operative të ulëta.

Ajo që na mungon është një strategji kombëtare e koordinuar dhe investime të targetuara në infrastrukturë dhe kapacitete njerëzore. Një ligj specifik për data center-at do të siguronte siguri juridike për investitorët dhe do të mbështeste zhvillimin e mëtejshëm të sektorit. Me politikat e duhura, Shqipëria mund të tërheqë investime në këtë sektor brenda 5 viteve”, thotë ajo.

Për CEO-n e kompanisë PayLink, avantazhi kryesor i Shqipërisë në këtë perspektivë të re zhvillimi është se do ta fillojë me infrastrukturë të re të investuar nga kompanitë, të papërdorur, ku mund të zbatohen standardet më të fundit, pa pasur nevojë të modifikohen sisteme të vjetra.

Në epokën dixhitale, tashmë ruajtja dhe përpunimi i të dhënave të kompanive në data center (qendër të dhënash) është kthyer në domosdoshmëri për rritjen e efikasitetit të aktivitetit të biznesit.

Në Europë, investimet për data center u trefishuan në vitin 2024, krahasuar me vitin paraardhës, sipas raportit “Qytetet dhe Rajonet Europiane të së Ardhmes 2025” të publikuar nga agjencia “FDI Intelligence”, pjesë e grupit “Financial Time”.

Zgjerimi i shpejtë i sektorit të shërbimeve data center po nxitet nga interesi në rritje i kompanive të mëdha ndërkombëtare, si: Amazon, Google apo Microsoft etj., për të zhvendosur mbajtjen e të dhënave të tyre në Europë.

Legjislacioni dhe Siguria Kibernetike

Përshtatja e legjislacionit shqiptar për operimin në këtë sektor e harmonizuar me rregulloret e BE-së, duke përfshirë ligjet e ruajtjes së privatësisë (GDPR dhe Direktivën NIS2) janë faktorë që po nxisin më tej zhvillimin e këtij sektori.

Po ashtu, ligji “Për sigurinë kibernetike” dhe ai “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, sigurojnë një kuadër ligjor solid për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave sensitive.

“Avantazhet legjislative përfshijnë: Njohje e plotë ndërkombëtare e sistemit tonë juridik; Procedura të qarta për licencim dhe certifikim; Mbrojtje të fortë të investimeve të huaja dhe marrëveshje dypalëshe për shmangien e tatimit të dyfishtë”, pohon zonja Thomaj.

Megjithatë, për të siguruar suksesin e sektorit, ata kërkojnë të forcohen autoritetet mbikëqyrëse dhe të implementohen standarde të detajuara për qendrat e të dhënave.

“Në përgjithësi, kuadri ligjor po përmirësohet, por implementimi praktik ende ka nevojë për kohë për t’u konsoliduar plotësisht”, nënvizon ndër të tjera zoti Likaj.

Fuqia punëtore, një nga sfidat kryesore

Si në shumë sektorë të ekonomisë shqiptare, edhe në data center, një prej sfidave më të mëdha mbetet mungesa e specialistëve të kualifikuar për menaxhimin dhe operimin në këto teknologji.

Kërkohet krijimi i specializimeve të reja akademike në fushat e Cloud Computing, Data Center Management dhe Cybersecurity, si dhe partneritete mes universiteteve dhe industrisë për praktikë dhe trajnime profesionale.

“Kjo është një nga sfidat më të mëdha. Sektori i data center-ave kërkon ekspertizë shumë të specializuar që nuk mund ta mësosh vetëm me formate teorike. Universitetet publike duhet të bashkëpunojnë më shumë me industrinë.

Kjo përkthehet në praktika në kompani teknologjike, laboratorë të pajisur me teknologji reale dhe profesorë që janë të përditësuar me çfarë po ndodh në treg”, pohon zoti Gentian Likaj, administrator i Communication Progress.

Rritja e bashkëpunimit midis universiteteve dhe industrisë, si dhe ofrimi i trajnimeve praktike dhe certifikimeve ndërkombëtare, janë thelbësore për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore.

“Modeli më i mirë do të ishte hibrid: universitetet japin bazën teorike dhe kulturën profesionale, ndërsa qendrat private ofrojnë aftësitë praktike dhe certifikimet”, rekomandon zoti Likaj.

Në perspektivën e ngritjes në Shqipëri të qendrave të mëdha rajonale për ruajtjen e të dhënave, Eneida Thomaj nga “PayLink”  e sheh fuqinë punëtore më tepër të pamjaftueshme në numër sesa në cilësi. Për rrjedhojë, edhe ajo mendon se është i domosdoshëm forcimi i partneritetit mes shtetit dhe privatit për rritjen e numrit të të specializuarve në këtë fushë.

“Aktualisht, Shqipëria prodhon një numër të lartë të diplomuarish në IT çdo vit, por për një hub rajonal të dhënash, do të na duhen edhe më shumë specialistë.

Për të krijuar një forcë pune të kualifikuar për data center, nevojiten hapa konkretë si krijimi i specializimeve të reja në Cloud Computing, Data Center Management, Cybersecurity Operations.

Partneritete mes universiteteve dhe kompanive teknologjike për praktika pune,  qendra trajnimi për certifikime ndërkombëtare (AWS, Microsoft Azure, VMware, Cisco) dhe gjithashtu program bursash për studime magjistrature në vendet me traditë në këtë fushë”.

Si ruhen të dhënat sensitive, kush kujdeset për to dhe sa kushton?

Një qendër të dhënash përmban serverë, që janë kompjuterë të fuqishëm për përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave.

Ajo ka gjithashtu sisteme ruajtjeje si disqe të jashtme, SAN dhe NAS, për të siguruar ruajtjen e të dhënave në mënyrë të besueshme. Pajisjet e rrjetit, si ruterët, switch-et dhe firewall-et, mundësojnë lidhjen dhe mbrojtjen e sistemit.

Për furnizimin me energji, qendra përdor burime rezervë si UPS dhe gjeneratorë për të garantuar funksionimin e pandërprerë. Sistemet e ftohjes mbajnë temperaturën në nivele optimale për pajisjet, ndërsa masa të ndryshme sigurie, si kamera, qasja biometrike dhe mbrojtja kibernetike, sigurojnë mbrojtjen fizike dhe dixhitale të qendrës.

“Të dhënat ruhen në pajisje speciale që kanë kopje rezervë, pra nëse ndonjë pjesë prishet, informacioni nuk humbet. Gjithashtu, të dhënat kodohen me “çelës” sekret, që i mbron gjatë ruajtjes dhe kur dërgohen.

Kur kemi të dhëna sensitive, si informacion financiar apo biznesi që është shumë i rëndësishëm, siguria është prioriteti kryesor. Ne përdorim disa shtresa mbrojtjeje për t’i mbajtur ato të sigurta.

Por nuk mjafton vetëm teknologjia. Ne kemi ekipe ekspertësh që kujdesen për administrimin: disa monitorojnë vazhdimisht sistemin, disa merren me sigurinë, dhe të tjerë me bazat e të dhënave. Çdo njeri ka punën e vet, për të shmangur gabimet.

Për të kontrolluar gjithçka në kohë reale, përdorim një sistem të veçantë (SIEM) që na tregon kush hyn, çfarë ndryshon apo shkarkohet. Kjo na ndihmon të parandalojmë probleme dhe të jemi në rregull me ligjet e privatësisë (si GDPR).

Sa u përket kostove, fillimisht kërkohet një investim i madh për të blerë pajisjet dhe për trajnime profesionale. Por me kalimin e kohës, proceset automatizohen dhe sistemi bëhet më efikas dhe më ekonomik”, thotë zoti Likaj nga Communication Progress.

Trefishohen investimet për Data Centers në Europë; Shanset dhe sfidat për Ballkanin

Raporti “Qytetet dhe Rajonet Europiane të së Ardhmes 2025”, i publikuar nga agjencia “FDI Intelligence”, pjesë e grupit “Financial Times”, paraqet një tablo të qartë të prirjeve aktuale të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) në Europë.

Në raport theksohet se një nga sektorët që po shënon rritjen më të shpejtë në Europë, është ai i qendrave të të dhënave, i nxitur nga shpërthimi i shërbimeve cloud, përdorimi masiv i Inteligjencës Artificiale dhe nevoja për përpunim të të dhënave në kohë reale prej kompanive.

Në Europë, veçanërisht sektori i qendrës së të dhënave, po përjeton një zgjerim të shpejtë, i përqendruar në disa nga qytetet kryesore, si Frankfurt, Madrid, Dublin apo Londër.

Sipas raportit, investimet në qendrat e të dhënave arritën mbi 69 miliardë dollarë në 2024, trefishi krahasuar me vitin 2023, me investitorë kryesorë, kompani si: Amazon, Microsoft dhe Google që kryesojnë tregun.

“Kërkesa për qendra të të dhënave është nxitur nga rritja e shërbimeve icloud, Inteligjencës Artificiale (AI) dhe përpunimit të të dhënave në kohë reale.

Kompanitë si Amazon, Microsoft dhe Google kanë qenë ndër investitorët kryesorë, duke zgjeruar infrastrukturën e tyre në Europë për të përballuar nevojën në rritje për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave.

Por nga ana tjetër po investohet në Europë për të reduktuar varësinë nga tregjet aziatike dhe SHBA”, thuhet në raport.

Arsyet kryesore të zgjerimit të kërkesës janë të lidhura sipas raportit jo vetëm me zhvillimet teknologjike të fjalës së fundit, por edhe me nevojën dhe domosdoshmërinë për të krijuar një infrastrukturë të qëndrueshme për ruajtjen e të dhënave.

“Nevoja për më shumë kapacitete teknologjike; Përdorimi në rritje i Inteligjencës Artificiale,  big data dhe Internetit të Gjërave (IoT) po kërkon infrastrukturë më të fuqishme për përpunimin e të dhënave.

Shtimi i kërkesës për shërbime cloud, pasi bizneset dhe qeveritë po kalojnë gjithnjë e më shumë në zgjidhje cloud për siguri më të lartë dhe përpunim më të shpejtë të informacionit. Kërkesa për infrastrukturë të qëndrueshme.

Qendrat e të dhënave po kërkojnë vende që ofrojnë energjinë e rinovueshme, për të përmbushur objektivat e neutralitetit të karbonit. Reduktimi i varësisë nga Azia dhe SHBA. Europa po investon në këtë sektor për të pasur autonomi më të madhe dixhitale dhe siguri kibernetike, duke ulur varësinë nga qendrat e të dhënave jashtë kontinentit”.

Investimet më të mëdha në qendrat e të dhënave janë përqendruar në qytete që ofrojnë infrastrukturë të mirë, energji të pastër dhe qasje të lehtë në tregjet europiane.

“Londër, Mbretëria e Bashkuar – Qyteti kryesor për qendrat e të dhënave, me Amazon dhe Google që kanë investuar miliarda paund për zgjerimin e qendrave të tyre cloud.

Frankfurt, Gjermani – Një nga qendrat më të rëndësishme të të dhënave në Europë, falë pozicionit strategjik dhe rregulloreve të forta për sigurinë e të dhënave.

Madrid, Spanjë – Një destinacion i ri për qendrat e të dhënave, me kompani si Microsoft që kanë investuar 2.1 miliardë dollarë në ndërtimin e një kampusi të ri të të dhënave.

Dublin, Irlandë – Për shkak të politikave fiskale të favorshme dhe aksesit në energji të gjelbër, Irlanda është bërë një qendër kryesore për investime në këtë sektor.

Aragon, Spanjë dhe Blyth, Angli – Zona të reja të identifikuara për zgjerimin e qendrave të të dhënave për të shmangur mbingarkesën në qytetet kryesore si Londra dhe Frankfurti”.

Raporti “Rajonet Europiane të së Ardhmes 2025” rekomandon se edhe qytetet e Ballkanit Perëndimor duhet të përqendrohen në zhvillimin e infrastrukturës, krijimin e stimujve fiskalë për promovimin e industrisë së data center.

Raporti hedh dritë mbi qytetet dhe rajonet më tërheqëse për Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Europë. Në këtë analizë, qytete të Ballkanit si Shkupi, Beogradi, Novi Sadi dhe Leskovaci shfaqen si destinacione konkurruese për investitorët, falë kostove të ulëta operative, fuqisë punëtore të përballueshme dhe mbështetjes së qëndrueshme nga politikat publike.

Ndërkohë, Tirana, ndonëse e përfshirë në renditje, mbetet pas qyteteve fqinje në sajë të kostove më të larta dhe mungesës së lehtësive të mjaftueshme fiskale e infrastrukturore./MONITOR

shqipëri

All - ArticleEnd - 1
All - ArticleEnd - 1
All - ArticleEnd - 1
All - ArticleEnd - 2
All - ArticleEnd - 2

Sondazh

Poll
Aktualitet 17 Tetor 2025, 21:48 E. D

Ajri që vret

Dojna Mema Në këtë qytet, e në këtë jetën tonë të vogël, ka shumë gjëra që i marrim p&eum...

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje

"Studentët të ndërrojnë qeverinë"/ I riu thirrje të forta nga protesta: Mos u largoni nga Shqipëria

Protestuesit nuk i tremb as shiu, thirrje të forta nga Kryeministria: Revolucion!

“I preve në besë banorët e Rrjollit dhe Thethit”/ Protestuesi thirrje Ramës: Malet i nxore në shitje

PAMJE PREKËSE/ Vogëlushja mes lotësh mesazh Ramës: Pelikanin kaçurrel do ta sjellim në Surrel

Qytetarët njëzëri para Kryeministrisë: Rama në burg, Berisha në Burg

Banorja e Rrjollit: Mos bini pre e provokimeve! Këtu do rrimë deri sa Rama të japë dorëheqjen

Protesta kundër projektit të Zvërnecit/ Protestesit mesazh Ivanka Trump: Mbaj duart larg Nartës

Tensionohet situata në protestë, policia nuk kursen qytetarët hedh ujë me piper me presion

Protesta për Zvërnecin, përplasje mes qytetarëve dhe policisë

Përplasjt mes qytetarëve dhe policisë në protestë, çahet kordoni

PAMJE nga tubimi i i katërt kundër projektit në Zvërnec #dosja #protesta #zvernec

Protestë në Durrës kundër projektit në Zvërnec, qytetarët mblidhen para Bashkisë

Berisha: Shteti duhej të ishte garanti në Zvërnec.Ndërtimet të bëhen në përputhje me standardet e BE

Berisha: Aeroporti i Vlorës kurrë nuk mund të ndërtohej aty

Zvërneci,Berisha:Ne mbështesim plotësisht investimin e huaj.Sazani nuk është një investim i thjeshtë

Berisha në grupin parlamentar: Pas Kuvendit Kombëtar hyjmë në një etapë të re

Berisha: Meta është një i burgosur politik, Rama po vazhdon me besnikëri rrugën e babait të vet

Burgun apo dorëheqje? Rama kapet me gazetarin: Nuk meriton përgjigje

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen, Rama: Film i vjetër, përfaqësoj të paktën 800 mijë shqiptarë

Protesta për Zvërnecin, Rama: SPAK po mban të ngrira fondet pa i lënë të kalojë te shitësi

Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thotë të mbështesësh Shqipërinë drejt BE

Rama: Jemi këtu për të ndërtuar Shqipërinë e së ardhmes

Rama: Bëmë ligjin për hapjen e dosjeve të komunizmit, partia jonë u përball me të keqen në opozitë

"Kryeministri gënjeu"/ Gazetarja thirrje qytetarëve: Ai që të vjedh sot, do e bëjë dhe nesër

35-vjetori i PS në Tiranë/ Rama: Arsyeja e fitores së PS është aftësia për t’u hapur!

Mbyllet protesta për Zvërnecin #dosja #protesta #zverneci

Protesta për Zvërnecin/ Qytetarja: Ne nuk e lëshojmë sheshin pa u heq gardhi në Zvërnec dhe Rrjoll

Qytetarja: Kërkojmë anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura, nuk ka negociata

"Anulo projektin"/ Me pankarta në duar, të rinjtë 'pushtojnë' kryeministrinë: Jep dorëheqjen

"Janë provokime"/ Çfarë po ndodh para ambienteve të Kryeministrisë?

Protestuesit i përgjigjen kryeministrit Rama: Jep dorëheqje nuk ka dialog!

Qytetarët zbresin sërish në shesh, protestojnë kundër projektit në Zvërnec

Ermonela Jaho mbështet protestën për Zvërnecin, shpërndan pamjet në rrjetet sociale

Skandali me ADS/ Berisha: U ngrit pa vendim qeverie, Rama krijoi një monstër për të vjedhur

"Populli flet në ditën e zgjedhjeve"/ Kryeministri: Thirrjet 'O Rama të QR' nuk funksionojnë me mua

Projekti për Zvërnecin/ Rama për hetimet e SPAK: Investimi nuk ndalon sa kohë unë jam këtu!

Antonio Costa: Zgjerimi një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën

Antonio Costa: Zgjerimi një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën

Mesazhi i Antonio Costës: Përshpejtoni luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend

Grabitet me armë një bankë e nivelit të dytë në Tiranë