LIVE UPDATES
Aktualitet

Kosova sërish në vendnumëro: Fondet, reformat dhe ekonomia në rrezik

Më shumë se një muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, partitë politike ende nuk kanë gjetur formulën për krijimin e institucioneve të reja.

16 Korrik 2026, 21:22 Nga e.e
Kosova sërish në vendnumëro: Fondet, reformat dhe ekonomia
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës në Prishtinë

Çdo ditë pa institucione të reja e bën faturën e krizës politike në Kosovë më të lartë: miliona euro nga fondet e Bashkimit Evropian mund të humbasin, reformat kanë mbetur pezull, bizneset dhe investitorët përballen me pasiguri...

Më shumë se një muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, partitë politike ende nuk kanë gjetur formulën për krijimin e institucioneve të reja.

Në vend të sinjaleve për kompromis, zhvillimet e ditëve të fundit kanë shtuar pasigurinë se kur Kosova do të ketë një Kuvend funksional dhe një Qeveri të re.

Shpresa për një marrëveshje të shpejtë u zbeh më 15 korrik, kur kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftoi se do t’i pezullojë bisedimet me partinë fituese, Lëvizjen Vetëvendosje, për shkak të nismës së disa bashkëpartiakëve për shkarkimin e tij.

Një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së shihej si alternativa më e mundshme për krijimin e institucioneve - nga Kuvendi deri te presidenti.

LVV-ja thotë se vazhdon të mbetet e gatshme për marrëveshje me partitë shqiptare. 

“Ne përpiqemi maksimalisht. Jemi aktivë e konstruktivë për takime dhe bashkëbisedime, të hapur e të sinqertë për marrëveshje. Shpresojmë që opozita nuk do të barrikadohet kundër dhe të na çojë sërish në zgjedhje”, thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Arlind Manxhuka.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi disa figura të LDK-së, përfshirë Armend Zemajn, Florian Dushin dhe Lutfi Hazirin, për t’i pyetur nëse zhvillimet brenda partisë së tyre rrezikojnë negociatat për formimin e institucioneve të reja dhe sa përgjegjësi mban LDK-ja për këtë proces, por asnjëri prej tyre nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Sekretari i LDK-së, Ilir Ferati, tha të enjten para gazetarëve se mbajtja e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë është bërë urgjente, për shkak të afatit për konstituimin e institucioneve.

Ai nuk tregoi se kur mund të mbahet ai takim, ndërkohë që afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës është 7 gushti.

Dy partitë e tjera që, të paktën teorikisht, mund të siguronin një shumicë të qëndrueshme parlamentare me LVV-në, e kanë bërë tashmë të qartë qëndrimin e tyre: Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se do të mbetet në opozitë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk i është përgjigjur as ftesës së parë të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për takim. 

A ka mbetur një rrugëdalje?

Analisti politik dhe profesori i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Rrahman Paçarizi, thotë se ngërçi aktual nuk është krijuar vetëm nga zhvillimet e fundit në LDK, por është rezultat i raporteve të ndërtuara ndër vite ndërmjet partive politike.

Sipas tij, refuzimi i PDK-së dhe AAK-së për të hyrë në koalicion me LVV-në lidhet me këto raporte, ndërsa zhvillimet e fundit në LDK e kanë zbehur edhe mundësinë që kjo parti të bëhet partneri i LVV-së.

Ai dyshon se LDK-ja, edhe nëse arrin ta tejkalojë krizën e brendshme, do të mund t’i sigurojë të 18 votat e deputetëve të saj për një marrëveshje me LVV-në.

“Pavarësisht nga rezultati, LDK-ja do të dalë jounike nga Kuvendi i saj, nëse për asgjë tjetër, atëherë të paktën në kuptim të mundësisë së orientimit të 18 votave drejt një marrëveshjeje eventuale”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.

Ai vlerëson se përgjegjësia për zhbllokimin e situatës nuk mund t’i lihet vetëm një partie dhe shton se përpjekjet për ta zhvendosur fajin te kundërshtari, vetëm sa e afrojnë vendin drejt një fushate të re zgjedhore, në vend se drejt një marrëveshjeje.

“Ky lloj i ndërtimit të rrëfimit çon kah një situatë e re parazgjedhore, ku subjektet politike përpiqen të marrin sa më pak faj mbi vete. Nëse duam të diskutojmë fajin, partitë politike, përgjithësisht, e kanë pjesën e tyre të përgjegjësive dhe të meritave për cilëndo nga situatat që krijohen", thotë Paçarizi.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe Njomza Arifi, drejtoreshë ekzekutive në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Ajo thotë se, ndonëse përgjegjësia kryesore për krijimin e institucioneve bie mbi partinë fituese të zgjedhjeve, zgjidhja kërkon angazhim nga i gjithë spektri politik.

“Në secilin rast, i gjithë spektri politik duhet të angazhohet në gjetjen e një konsensusi që sjell stabilitet institucional afatgjatë në vend, duke u zhveshur nga interesat partiake”, thotë Arifi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, negociatat mes LVV-së dhe LDK-së krijuan fillimisht përshtypjen se një marrëveshje ishte e mundur, por zhvillimet e fundit në LDK e çuan këtë perspektivë në pikëpyetje.

“Se a është ky shansi i fundit i humbur mbetet e paqartë, për shkak se nuk dihet se kur mund të mblidhet Kuvendi i LDK-së dhe cili do të jetë epilogu i tij, duke pasur parasysh edhe afatet kushtetuese që tashmë kanë filluar të rrjedhin”, thotë Arifi.

Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë që tradicionalisht mbështesin formimin e institucioneve, ka vota të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e kryetarit të tij.

Por, sfida fillon menjëherë pas këtij hapi: zgjedhja e presidentit kërkon të paktën 80 vota në Kuvend - numra që LVV-ja nuk i ka.

Pikërisht për këtë arsye, Kurti ka nisur javën e kaluar negociatat me partitë e tjera shqiptare.

Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues - deri në 60 ditë nga dita e konstituimit të Kuvendit - vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja.

Koha nuk është në anën e Kosovës

Pas takimit që zhvilloi me Abdixhikun më 10 korrik, Kurti deklaroi se kishte ende kohë për të gjetur një marrëveshje për konstituimin e institucioneve.

Por, sipas njohësve të zhvillimeve politike, çdo ditë e humbur e bën më të rëndë çmimin e ngërçit institucional. 

“Zvarritja gjithmonë ka kosto”, thotë Paçarizi.

Sipas tij, Kosova tashmë po humb terren në raport me partnerët ndërkombëtarë, në një kohë kur vendet e tjera të rajonit po avancojnë në procesin e integrimit evropian.

“Bota, përkatësisht institucionet e BE-së, NATO-ja e të tjerat, nuk i përshtatin oraret me tekat tona meskine dhe të vogla. Ne jemi ata që duhet t’u përshtatemi dinamikave të tyre”, thotë Paçarizi.

Pas gati dy vjetësh bllokadë institucionale, Arifi thotë se çdo vonesë e re dërgon sinjale negative te partnerët ndërkombëtarë dhe e lë Kosovën edhe më prapa në procesin e integrimit evropian.

“Me pothuajse dy vjet stagnim, vendi ynë vazhdon të dërgojë sinjal negativ te partnerët ndërkombëtarë... Kosova nuk gëzon as statusin e vendit kandidat dhe mbetet e fundit në procesin e negociimit me Bashkimin Evropian”, thotë ajo.

Por, kostoja e vonesave nuk matet vetëm me ritmin e integrimit evropian.

Ngërçi politik tashmë ka filluar të reflektohet edhe në financat publike - me rrezikun që Kosova të humbasë dhjetëra miliona euro nga fondet e Planit të Rritjes të BE-së. 

Gazetari me përvojë në çështjet evropiane, Augustin Palokaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e institucioneve funksionale rrezikon zbatimin e reformave që janë kusht për përfitimin e këtyre fondeve.

“Nuk është sekret as në Bruksel e as në Prishtinë se arsyeja kryesore e humbjes së këtyre mjeteve është kriza politike dhe mungesa e institucioneve, përmes të cilave do të kalonin reformat, pasi një pjesë e tyre duhet të miratohen në Kuvendin e Kosovës”, thotë Palokaj.

Kosova e dorëzoi raportin për zbatimin e hapave reformues më 15 korrik, në ditën e fundit të afatit.

Burime të Komisionit Evropian i konfirmuan Radios Evropa e Lirë se raporti tashmë është pranuar dhe se do t’i nënshtrohet vlerësimit.

Në bazë të këtij procesi do të përcaktohet se sa reforma janë zbatuar dhe sa fonde mund të shpërndahen.

Vetë kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, paralajmëroi ditë më parë se vendi rrezikon të humbasë mbi 40 milionë euro, pikërisht për shkak të vonesave në zbatimin e reformave.

Ai sqaroi se pesë nga gjashtë reformat e pambyllura varen nga miratimi i ligjeve në Kuvend - një proces që ka mbetur i bllokuar për shkak të mosfunksionimit të institucioneve. 

Palokaj thotë se ekziston rreziku që një pjesë e mjeteve të humbura, të mos rikuperohen më.

“Fondet e pashfrytëzuara nga Kosova, Serbia apo Bosnje e Hercegovina mund t’u rialokohen vendeve që kanë përmbushur me më shumë sukses kriteret, si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria”, thotë ai.

Në kuadër të Planit të Rritjes 2024-2027, Kosovës iu ndanë rreth 882 milionë euro - 253 milionë euro grante dhe 629 milionë euro kredi - duke e bërë atë përfituesen më të madhe për kokë banori në Ballkanin Perëndimor.

Pasojat nuk ndalen te fondet e BE-së

Përtej fondeve evropiane, pasojat e ngërçit politik i ndien edhe ekonomia.

Profesori i kësaj fushe në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë se mungesa e institucioneve funksionale frenon vendimmarrjen ekonomike, dobëson besimin e investitorëve dhe e bën më të vështirë planifikimin afatgjatë për bizneset.

Një nga pasojat më të dukshme, sipas tij, është rritja e çmimeve.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se inflacioni në qershor ishte 6% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar - i nxitur nga shtrenjtimi i transportit, strehimit, energjisë, ujit dhe produkteve ushqimore. 

Nëse pasiguria politike vazhdon, paralajmëron Bektashi, ajo mund të rrezikojë edhe stabilitetin financiar.

“Inflacioni i lartë ul depozitat në bankat komerciale, rrit nevojën për kredi dhe shton barrën financiare për qytetarët”, thotë Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se pasiguria institucionale i bën edhe investitorët e huaj më të rezervuar, ndërsa prodhuesit vendorë e kanë më të vështirë të zgjerojnë aktivitetin. Si pasojë, ekonomia mbetet gjithnjë e më e varur nga importet.

E, këtë e tregojnë edhe të dhënat e ASK-së: gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, vlera e importeve arriti në rreth 3.6 miliardë euro, nga 3.2 miliardë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./REL

kosova ekonomia reformat

Sondazh

Poll

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet

Dhunuan dhe kërcënuan me një pistoletë 70-vjeçarin në banesën e tij, arrestohen tre të rinjtë

Laura Pausini dhe Tom Cruise pjesë e ceremonisë së mbylljes së Botërorit 2026

Ish i burgosuri në Fier: Nuk jeton dot në Shqipëri pa shkelur ligjin, bën vaki të kthehem prapë

I burgosuri falënderon Zotin pas daljes nga qelia: Jam krenar për burgun që kam bërë!

Amnistia Penale/ Vodhi 500 mijë euro në banesën e Alda Klosit, lirohet nga qelia Rozeta Dobi

Nis zbatimi i amnistisë penale/ I burgosuri në Drenovë lë qelinë: U dënova padrejtësisht

Nis zbatimi i amnistisë penale/ Lënë qelinë 541 të dënuar në të gjithë vendin

Riaktivizohet vatra e zjarrit në Novoselë, rrezikohen disa banesa

Marta Kos: Shqipëria po motivon edhe vendet e tjera kandidate

A do hapen kapituj të tjerë?/ Rama: Jam shumë optimist, deri tani jemi në drejtimin e duhur

Marta Kos: Shqipëria ecën përpara drejt objektivit ambicioz deri në fund të 2027

Rama: Po sjellim standardet europiane për qytetarët tanë

Marta Kos për projektin në Zvernec: Mbrojtja mjedisore është pjesë e kritereve të BE-së

Rama nuk bën hapa pas: Ligji për Zonat e Mbrojtura nuk preket

Rama për projektin në Zvërnec: Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar

Përplasja në Kuvend/ Braçe akuzon për sulm të organizuar: Bëjnë plane për të sulmuar kolegët e mi

Familja mbretërore britanike për herë të parë të bashkuar pas katër vitesh