LIVE UPDATES
Aktualitet

BIRN: Bashkia e Elbasanit i jep leje për treg të ri ushqimor babait të Suel Çelës

Socialistët në Këshillin Bashkiak të Elbasanit miratuan në janar zgjerimin e territorit të tregut Agro-Ushqimor në pronësinë e babait të Suel Çelës – pavarësisht se ai është shpallur dy herë në kërkim nga SPAK me akuzat e krijimit të një organizate kriminale dhe trafikut ndërkombëtar të kokainës.

18 Shkurt 2025, 14:26 Nga Vladimir Karaj
BIRN: Bashkia e Elbasanit i jep leje për treg të ri ushqimor babait
Foto ilustruese

ELBASAN- Përpara portës së rëndë metalike të tregut Agro-Ushqimor në Elbasan, rreth 3 kilometra larg qendrës së qytetit, vendin e tregtarëve e kanë zënë një grup djemsh vigjilentë rreth të 30-ave. Ky reporter nuk kishte zbritur ende nga taksia, kur njëri prej tyre bëri shenjë për t’u afruar me një të lëvizur të dorës dhe kërkoi llogari pse gjendesha aty.

“Ik, nuk ke me kë flet,” tha ai kur mësoi se kishte të bënte me një gazetar. “Tregu është i mbyllur”.

E rrethuar me mure betoni dhe kangjella të larta, godina i ngjan një fortese të sigurisë së lartë më shumë sesa një tregu fruta-perimesh. Përtej portës së hekurit dallohen njerëz që hyjnë dhe dalin nga magazinat. Dikush fishkëllen nga brenda dhe burri ndryshon qëndrim. Nga porta dalin dy djem të tjerë me xhupa të zinj dhe pasi prezantohen si roje, ripërsërin marrjen në pyetje. “Fol me pronarin”, thonë ata pasi humbin interesin dhe largohen.

Tregu Agro-Ushqimor është i vetmi i këtij lloji në Elbasan dhe zotërohet nga kompania “Çela P” me pronar Petrit Çelën – babai i Suel Çelës –  i shpallur në kërkim nga SPAK si kreu i një organizate kriminale që akuzohet se është përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, atentate, pastrim parash dhe korruptimin e zyrtarëve lokalë.

Përveç funksionit të tij zyrtar, tregu shërbeu sipas SPAK edhe si bazë e organizatës së dyshuar kriminale mes viteve 2020-2022; një vend i paprekshëm nga policia, ku bëheshin takime të fshehta dhe jepeshin urdhra okultë. Megjithatë, reputacioni famëkeq dhe një hetim i hapur nga SPAK nuk e pengoi Bashkinë e Elbasanit që të miratojë më 24 janar zgjerimin e territorit përmes një lejeje të dytë për treg agro-ushqimor në favor të kompanisë së babait të Çelës.

Vendimi i Këshillit Bashkiak e përligj lejen me zhvillimin e sektorit bujqësor dhe stimulimin e “inovacionit dhe bashkëpunimit mes fermerëve”. I pyetur nga BIRN, kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja e quajti miratimin e lejes “një procedurë standarde” dhe këmbënguli se nuk kishte kërkesa në ligj që e pengonin kompaninë e lidhur me një organizatë të dyshuar kriminale që të përfitonte lejen.

“Është bërë kërkesë nga një subjekt privat, për në pronë private për ndërtimin e një tregu publik dhe është miratuar nga Këshilli Bashkiak, meqë kërkon një leje nga Këshilli,” tha Llatja.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani tha se nuk komentonte veprimet e institucioneve të tjera si dhe çështjet nën hetim.

Ndërkohë, Petrit Çela i tha BIRN se pasuritë e tij ishin të ligjshme dhe nuk kishin asnjë lidhje me të birin, për të cilin tha se kishte “pesëmbëdhjetë vjet i ndarë dhe tre vite pa e parë”. Çela pretendoi gjithashtu se kompania e tij gjeneronte miliona lekë si produkt i punës së tij si tregtar që në fillimet e viteve ’90, ndërsa mohoi akuzat që Prokuroria e Posaçme ka ngritur kundër djalit të tij.

“Nuk ka as shpi as katandi,” pretendoi ai.

Akuzat ndaj Suel Çelës

Elbasani në Shqipërinë e Mesme është bashkia e katërt më e madhe e vendit, por gjatë dekadës së fundit ka fituar reputacionin e një qyteti të kontrolluar nga krimi. Në tetor 2020, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela deklaroi nga Elbasani se ishte e papranueshme që qyteti po kthehej në “një skenë lufte mes bandave të krimit të organizuar”.

Një pjesë e kësaj lufte i atribuohet organizatës së dyshuar kriminale të drejtuar nga Suel Çela, një 37-vjeçar i shpallur dy herë në kërkim gjatë dy viteve të fundit nga Prokuroria e Posaçme për vepra penale të krimit të organizuar. Drejtues të opozitës e kanë akuzuar Suel Çelën se është përfshirë më herët në fushata elektorale dhe ka ndihmuar socialistët në sigurimin e votave në zgjedhje. Pas operacionit të SPAK në nëntor 2024, Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Rama se kishte emëruar motrën e dy anëtarëve të grupit të tij në një post të lartë publik.

Aktiviteti kriminal i Çelës e ka zanafillën gati dy dekada më parë në Itali. Ai u dënua për herë të parë në moshën 17 vjeçare nga Gjykata e Torinos në vitin 2005, pasi u kap me 510 gram kokainë. Çela u shpall sërish në kërkim në vitin 2007 nga Gjykata e Livornos për shkelje të legjislacionit mbi lëndët narkotike dhe u dënua në vitin 2013 me 4 vjet e 7 muaj burg si dhe 26 mijë euro gjobë.

Në Shqipëri, Suel Çela është skeduar nga policia që prej vitit 2013, por nuk është dënuar nga drejtësia. Aktualisht ndaj Çelës ka të paktën dy urdhër arreste; i pari i lëshuar në maj 2022 pas hetimeve dhe dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani dhe i dyti në nëntor 2024, i bazuar në komunikimet në SKY ECC mes tij dhe 20 anëtarëve të tjerë të dyshuar të organizatës, gjithashtu nën akuzë.

Sipas SPAK, Çela u fut në luftë me organizatën rivale të drejtuar nga i dënuari me burgim të përjetshëm Ardian Çapja, ndaj të cilit akuzohet se organizoi disa atentate, me qëllim që merrte kontrollin mbi qytetin e Elbasanit. SPAK pretendon gjithashtu se i gjithë aktiviteti i Suel Çelës u financua nga trafiku ndërkombëtar i kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt shteteve si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda. Organizata e tij akuzohet gjithashtu për korruptimin e dyshuar të zyrtarëve në Polici, në sistemin gjyqësor si dhe në media.

Dokumentet hetimore tregojnë gjithashtu se ndërsa e kishte zgjeruar aktivitetin e tij në Europë dhe në Amerikën Latine, Suel Çela e kishte pikën e tij të fortë në shtëpi. Tregu i fortifikuar Agro-Ushqimor përshkruhet si një bazë e rëndësishme dhe e sigurt e organizatës së tij, anëtarët e së cilës i referoheshin shpesh si “puna”.

Në një lokal brenda tregut Agro-Ushqimor në fillim të shkurtit, babai i Suel Çelës i mohon akuzat e ngritura ndaj të birit. Ai pretendon se i penduari Nuredin Dumani ka mashtruar, ndërsa e akuzon SPAK-un si përndjekës. Ai e përshkruan të birin si një djalë të rritur larg familjes, nën kujdesin e dajës së tij në Itali, “që nuk është dënuar asnjëherë dhe nuk zotëron asnjë pasuri”.

“Çuni im nuk ka as makinë,” tha Çela, ndërsa zhvlerësoi akuzat e ngritura ndaj tij.

Vizita e Ramës

Kompania “Çela P” e Petrit Çelës u themelua në vitin 1996 me aktivitet tregtinë me pakicë dhe shumicë të mallrave ushqimorë, industrialë dhe bujqësorë. Ai e zgjeroi aktivitetin në vitet 2012-2013 me ndërtimin e tregut të vetëm Agro-Ushqimor të zonës, leja e së cilës u votua sipas Çelës me 99.99% të votave të Këshillit Bashkiak të kohës.

Por leja për të operuar tregun në kushtet e një monopoli nuk është benefiti i vetëm publik. Kompania “Çela P” përfitoi gjithashtu nga fondet e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, AZHBR, në vitin 2014, ndërsa në vitin 2024 mori të drejtën e shfrytëzimit të 7 hektarëve tokë pyjore mes Elbasanit dhe Peqinit për instalimin e paneleve diellore dhe paneleve eolike për prodhimin e energjisë.

Çela i tha BIRN se fondet e AZHBR-së për subvencionimin e interesave të kredisë iu premtuan direkt nga kryeministri Edi Rama. Rama e vizitoi tregun Agro-Ushqimor të Çelës në korrik të vitit 2014, i shoqëruar nga ministri i kohës i Bujqësisë, Edmond Panariti dhe drejtoresha e AZHBR, Suela Popa dhe e vlerësoi atë si një shembull që duhet shpërndarë “nga veriu në jug”.

“Më tha po këtë të fundit (kredinë) sa e ke? I thashë kam nja 236 milionë të vjetra,”kujton Çela. “Mirë”- tha, 70% të interesave do i paguajë shteti,”, citoi ai kryeministrin. Por Çela pretendoi gjithashtu se AZHBR nuk e mbajti fjalën.

Sipas transaksioneve të thesarit në faqen e Ministrisë së Financave, kompania “Çela P” përfitoi 1 milionë lekë si mbështetje nga AZHBR, me përshkrimin “Subvencion normë interesi” gjatë viteve 2014-2015. E pyetur nga BIRN lidhur me pretendimet e ndërhyrjes së kryeministrit dhe procedurat e ndjekura në dhënien e subvencionit, Kryeministria nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi.

Edhe pse kompania “Çela P” kontrollon të vetmin treg agro-ushqimor në bashkinë e Elbasanit, Çela thotë se prej një viti ka parë nevojën që të zgjerojë aktivitetin dhe ka marrë me qira toka shtesë në afërsi të tregut aktual, i cili sipas tij nuk ka më kapacitete për hapësira tregtimi.

Për të siguruar lejen për këtë treg të ri, Çela paraqiti një kërkesë në Bashkinë e Elbasanit në 16 janar 2025 dhe leja u miratua brenda një kohe rekord më 29 janar nga Këshilli Bashkiak. BIRN mësoi se anëtarët e Këshillit Bashkiak të Partisë Demokratike në opozitë nuk e votuan lejen, por disa prej këshilltarëve iu shmangën pyetjeve në lidhje me këtë rast dhe refuzuan të komentonin.

Bashkia e Elbasanit e mbrojti lejen në një përgjigje me shkrim, ndërsa tha se e kishte miratuar atë pasi kishte kryer verifikime burokratike në Qendrën Kombëtare të Biznesit si dhe pagesat e detyrimeve fiskale.

“Për argumentat e tjera të prashtruara nga ana juaj dalin jashtë funksioneve të bashkisë”, tha Bashkia duke iu referuar lidhjeve të kompanisë me organizatën e dyshuar kriminale të drejtuar nga Suel Çela.

Hetime të mbyllura

Suel Çela dhe rrethi i tij familjar i janë nënshtruar dy hetimeve pasurore në të shkuarën, por në të dyja rastet, çështjet u pushuan nga gjykatat. Procedimi i parë penal është regjistruar në vitin 2018 nga Prokuroria e Elbasanit, pas një referimi të nisur nga Drejtoria Vendore e Policisë për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, ndërsa procedimi i dytë u regjistrua mbi bazën e aktit normativ të qeverisë, i cili i parapriu Operacionit Forca e Ligjit në vitin 2020.

Në procedimin e vitit 2018, Drejtoria e Policisë së Elbasanit ngrinte dyshime mbi mënyrën e përfitimit të truallit në tregun agro-ushqimor dhe investimet e kryera për ndërtimin e tij, që kapnin një kosto mesatare të përllogaritur në 162 milionë lekë. Por Prokuroria e Elbasanit arriti në përfundimin se fakti nuk ekziston dhe procedimi u pushua në shkurt të vitit 2022 përmes një vendimi të gjyqtares Pajtime Fetahu. Vendimi u bazua kryesisht tek analiza e një eksperti për të ardhurat dhe shpenzimet nga kompania “Çela P”, të cilat u vlerësuan si të ligjshme.

Gjyqtarja Fetahu u arrestua nga SPAK në nëntor të vitit 2024 gjatë operacionit kundër organizatës së Çelës, e akuzuar se u korruptua prej saj. Vendimi i gjykatës për masë sigurie tregon se ish-gjyqtarja kishte një marrëdhënie të gjatë dhe mjaft miqësore me Suel Çelën me të cilin shkëmbente herë pas here mesazhe përmes aplikacionit Sky ECC dhe se kishte ndihmuar atë kundrejt parave, për të lehtësuar bashkëpunëtorët e tij të arrestuar dhe ndëshkuar armiqtë në përpjekjen për kontrollin e qytetit të Elbasanit.

Hetimi i dytë pasuror nisi në mars 2020, pasi Policia sekuestroi gjatë operacionit Forca e Ligjit dy automjete Land Rover në pronësinë e babait dhe vëllait të Suel Çelës. Të dyja automjetet iu rikthyen pronarëve në mars të vitit 2021, pasi prokurori i SPAK, Ened Nakuçi dhe gjyqtarja Irena Gjoka vlerësuan se ato ishin blerë me burime të ligjshme. Petrit Çela nga ana e tij këmbëngul se e ka të dokumentuar pasurinë dhe se ka ruajtur të gjitha faturat dhe ka letra për çdo marrëdhënie financiare, përfshi shuma të konsiderueshme të marra kredi.

“Hetimet e herëpashershme mbi pasurinë time kanë provuar se ajo është e ligjshme dhe e krijuar nga puna në tregti,” pretendoi Çela./ BIRN

suel cela

Sondazh

Poll

Rama: Është status dinjiteti dhe qytetarie europiane që ky popull nuk e ka patur kurrë

Rama: Është status dinjiteti dhe qytetarie europiane që ky popull nuk e ka patur kurrë

Rama në Shkodër: Më vinte t’ju ulesha në gjunjë për t’ju kërkuar besimin

Rama: Sot kur erdha nuk u ndjeva sikur po hyja në Kandahar...

Rama në Shkodër: Gjysma e burrave, të rinjtë dhe shumica e grave mbështesin PS-në

Rama takim me gratë dhe vajzat në Shkodër: Përpiqen tani të më fusin në sherr me të gjithë burrat!

Pamjet e sherrit mes Xhelal MziuT, nipit të tij dhe punonjësit të bashkisë Bulqizë

Berisha: Aty zbulova se e-Albania ishte kthyer në një kurth të tmerrshëm

Rama-bizneset 3

Incidenti në Dibër, Berisha: Ishte provokacion i ulët i Klosit dhe militantëve socialist ndaj Mziut

Rama në Shkodër: Para pak ditësh, arkivi i Marubit u vulos si pasuri botërore

"Deri në 2029 biznesi i vogël ka zero taksë", Rama: Tavani nuk do të ndryshohet

Rama-bizneset 2

Rama për bizneset

Oratoria e kandidates socialiste në Belsh

"Pensionet janë qesharake"/ Berisha nga Saranda: Shqiptarët janë vjedhur si askush tjetër në Europë

Zhupa në Sarandë: Kemi një program nga më të mirët, Rama do ta marrë përgjigjen e merituar në 11 maj

Rama nga Gramshi: Dikur ai ishte i çarmatosur, sot po vendos drejtësi me “shpatën” që i dhamë ne!

Rama nga Gramshi: Duhet të bëjmë përpjekje që sa më shumë njerëz të na bashkohen

Integrimi në BE/ Rama në Belsh: Po zbatojmë profecinë e Skëndërbeut dhe amanetin e rilindasve

Rama e mbyll me batuta me të riun në Belsh: Do Zoti të është futur ndonjë gjë në kokë se pashë...

Rama nga Belshi: 11 maji historike për BE! Nëse nuk kapet 2027 për negociatat

"Unë e shijoj një vajzë se ma ka sjellë gruaja!" Këngëtarja-Ramës: Më vjen keq që nuk keni vajzë

Rama batuta me të rinjtë në Belsh: S’e kishte mendjen se po dëgjonte çfarë po i thoshte zoçka!

Rama takim me të rinjtë në Belsh: Vetëm një tifoz i një partie s’mund t’i shikojë…

Berisha: Edi Rama ngjason me atë hajdutin që vjen dhe të bën për të qeshur

Berisha: 4-vjeçari që vjen në mënyrë absolute do e çojë pronën tek i zoti

Rama takim me bizneset: Me rrëzimin e taksës së sheshtë, kemi kursyer 140 milionë euro çdo vit!

Rama në Elbasan: Fiskalizimit do t’i mbivendoset Inteligjenca Artificiale

Ministrja Ibrahimaj tregon tre pikat ku bazohet paketa "Paqja Fiskale"

Rama i drejtohet Llatjas: Mos i bëj presion me sy, duhet ta kishe bërë atë

"Altin Dumani nuk thërriste dot njeri se nuk e kishte shpatën", Rama: Drejtësinë e armatosëm ne

Rama: Nuk kam ofenduar asnjë burrë dibran, përkundrazi do i shikoni në zgjedhje

"Beteja politike është dyluftim me mjete paqësore",Rama:Politika bëhet me fjalë dhe me gjuhën shpatë

Rama: Fushata jonë e ka një çështje thelbësore, anëtarësimin në BE

"Nuk pyetën këta për fëmijët kur më nxorën mua lakuriq",Rama:Ilir Vrenozi,lideri i vërtetë i kënetës

Rama: Këta që thonë se fushata e PS është tallava janë përbuzës të kulturës shqiptare

"Flitet për gjuhën time", Rama: Ka vetëm një gjë që thashë gabim dhe kam kërkuar ndjesë!

Ezani i ndërpret fjalën/ Rama ndalon: Ta respektojmë!

"Vetëm me gratë po e mund Rama kënetën"/ Kryeministri nga Berati: Kaq sa jeni ju këtu

Rama nga Poliçani:Thonë "e ka gjysmën e qeverisë në qeli"! Ju kujtohet kur ju thoja ma jepni timonin

Rama: Do të krijohet një unazë që do të sjell më tepër investime dhe turizëm

Rama ironizon partitë e reja: Këta më kujtojnë Suden, Xhaferrin dhe Vehbiun!

"Ilir Vrenozi lideri i vërtet i PD-së"/ Rama: E ekzaltoi gjithë sallën kur përmendi erotizmin tim

Rama nga Skrapari: Dera e BE-së nuk hapet kollaj

"Altin Dumani nuk erdhi dje nga materniteti!" Rama në Skrapar: Ju këtu jeni specialistë për politikë

Rama nga Skrapari: Reformën në drejtësi e donim dhe e sollëm ne...

"Të thajmë kënetën që është bërë një pengesë!" Rama në Skrapar:Më 11 maj të shtyjmë Shqipërinë në BE

Rama në Skrapar: Shiu, oguri i bereqetit për mandatin e katërt

Berisha: Siguria në shkolla prioritet, orari në shkolla do të jetë 8 orë, që fëmijët të ushqehen

Berisha: Ne do e ndryshojmë atë dhe reformën territoriale