Aktualitet

76 të infektuar me COVID-19, Tirana, epiqendra e virusit, Fieri e pason me 8 të prekur, Qeveria: Tre do kthehen në shtëpi të shëruar

Izolohet në Tiranë, Fier, Durrës, Elbasan, Kavajë, Lushnje e Rrogozhinë, harta e të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri. Tashmë numri ka shkuar në 76 të prekur, 2 prej të cilëve janë shëruar dhe kanë dalë nga spitali. Gjendja në spitalin Infektiv ku janë 37 të shtruar është e mirë, ndërsa 4 prej pacientëve janë në terapi intesive. 59% e të prekurve në Shqipëri janë burra. Një 55-vjeçar nga Fieri është nisur me urgjencë në Tiranë
Featured image of article: 76 të infektuar me COVID-19, Tirana, epiqendra e virusit, Fieri e pason me 8 të prekur, Qeveria: Tre do kthehen në shtëpi të shëruar Foto ilustruese

TIRANË- Janë 76 të infektuar nga koronavirusi në Shqipëri. Dosja.al raportoi në mëngjes rastin e një55-vjeçari të infektuar me COVID-19 nga fshati Frakull i Fierit, i cili është nisur mbrëmë me urgjencë drejt spitalit Infektiv në Tiranë, pasi i gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar. Pacienti i Fierit dyshohet se u infektua nga i vëllai.

Fatmirësisht, nuk ka raste të reja zero, por 6 të prekurit janë kontakte të pacientëve të mëparshëm.  Ndërkohë që gjendja e pacientëve të tjerë është e mirë, ku vetëm 4 janë në terapi intesive, 2 janë shëruar dhe kanë lënë spitalin, 33 janë në Spitalin Infektiv ku po trajtohen, ndërsa të tjerë në vetë-karantinim.

9 prej të infektuarëve janë mjekë dhe infermierë, një nga Spitali i Durrësit dhe të tjerët nga spitali “Shefqet Ndroqi”. Vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, Lushnje, Fier dhe Kavajë. Kryeministri Edi Rama bën herë pas here thirrje që shqiptarët që të qëndrojnë në banesat e tyre. Nga ana tjetër Pacienti zero është drejt shërimit, pasi testi që ka bërë ka rezultuar negativ. Lajmin e ka bërë me dije vetë kryeministri Edi Rama, në një status në profilin e tij në Facebook. Të njëjtin lajm e ka dhënë edhe Ogerta Manastirliu, ministrja e Shëndetësisë, e cila shkruan se tashmë 3 pacientë do nisen të shëruar drejt shtëpive të tyre.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Sot hyri në fuqi urdhri i ri i kryeministrit Edi Rama dhe tashmë qytetarët mund të lëvizin vetëm në këtë fashë orari, nga ora 05:00 e mëngjesit deri në në orën 13:00 të mesditës. Po kështu, pas orës 13:00 ditës së sotme deri në orën 05:00 të mëngjesit të së hënës nuk lejohet të lëvizë asnjë person dhe çdo aktivitet në vend do të jetë mbyllur.

(J.V;F.G/Dosja.al)

  • 21:20

    Shërohet pacienti zero me koronavirus në Shqipëri, Manastirliu dhe Rama të ekzaltuar: Tre persona, gati për t’u kthyer në shtëpi

    Pacienti zero është drejt shërimit, pasi testi që ka bërë ka rezultuar negativ. Lajmin e ka bërë me dije vetë kryeministri Edi Rama, në një status në profilin e tij në Facebook. “Edhe pacienti zero sapo doli negativ,”– shkruan Rama në statusin e tij, lajm të cilin e shoqëron me disa ikona me sytë me yje, duke treguar entuziasmin e tij pas kësaj ngjarjeje. Të njëjtin lajm e ka dhënë edhe Ogerta Manastirliu, ministrja e Shëndetësisë. “Një tjetër lajm i mirë🙏🏼 Edhe pacienti 0️⃣ sapo është konfirmuar negativ👍🏼
    Babë e bir pritet të lënë spitalin dhe bashkë me pacientin tjetër që la spitalin mesditën e sotme, janë 3️⃣ pacientët e shëruar që rikthehen në shtëpi🙏🏼 Shumë mirënjohëse për punën dhe sakrificën e ekipit të #Infektivit😊 #JeniMëTëMirët🤩,”- shkruan Manastirliu.

  • 14:18

    Dhëndri dhe vajza i morën për pushime, 85 vjeçari vdiq nga koronavirusi në Indonezi: Çfarë ndodhi me grupin e shqiptarëve

    Një 85 vjeçar shqiptar ndërroi jetë një ditë më parë në Indonezi për shkak të koronavirusit. Krahas keqardhjes, lajmi shkaktoi gjithashtu habi për faktin se çfarë e kishte çuar këtë të moshuar disa dhjetra mijëra kilometra larg Shqipërisë për të ndërruar jetë pikërisht atje.

    Foto ilustruese

    Abcnews.al mëson ekskluzivisht se i moshuari shqiptar kishte shkuar për pushime disa ditë më parë në Indonezi bashkë me familjen.

    Vajza e tij është martuar me një zvicerjan dhe të dy ata vendosen që në udhëtimin për në Indonezi të merrnin edhe prindërit të kësaj të fundit, por duket se gjithçka ka shkuar keq, shkruan abcnews.al.

    Tre shqiptarët, pikërisht 85 vjeçari që ndërroi jetë, bashkëshortja e tij dhe vajza janë infektuar me koronavirus, ndërsa dhëndri zvicerjan ka rezultuar negativ.

    Abcnews.al mëson se vajza dhe nëna janë në gjendje shëndetësore të stabilizuar, ndërsa 85 vjeçari është varrosur nga autoritetet indoneziane.

    Ndërkohë, mësohet se në Indonezi gjenden edhe një çift shqiptarësh që nuk ka lidhje me familjen e mësipërme. Ata kishin shkuar për pushime, por kanë ngecur në Indonezi për shkak të krizës së shkaktuar nga koronavirusi. Marrë nga Abcnews.al

  • 12:11

    COVID-19/ Kavalishenca e Durrësit kthehet në karantinë, shtrohen aty dy pacientët e parë

    Foto nga Kavalishenca e Durrësit

    Kavalishenca e Durrësit është kthyer në një karantinë për të infektuarit me COVID-19. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se dy persona të infektuar me koronavirus ndodhet aty dhe po marrin mjekim. Mësohet se  dy pacientët janë shtruar aty,  me qëllim për të ulur rrezikun e infektimit të personave të tjerë.

  • 11:23

    76 të infektuar nga COVID-19, 6 raste të reja në Tiranë e Fier, MSH: 59% e të infektuarve janë burra, të prekurit, kontakte të pacientëve të mëparshëm (NJOFTIMI)

    Eugena Tomini, perfaqesuese e ISHP

    76 të infektuar nga koronavirusi në Shqipëri. 6 raste të reja janë shënuar gjatë 24 orëve të fundit, 5 në Tiranë dhe 1 në Fier, (përfshirë këtu rastin e raportuar nga Dosja.al). Eugena Tomini, përfaqësuese e ISHP bëri me dije se janë testuar 46 persona, të gjithë raste kontakti, (të infektuar pas kontakteve me pacientët e mëparshëm). ISHP ka bërë gjithashtu me dije se 59%  e të infektuarve janë meshkuj dhe 41%, femra. Ndërkohë që Tirana është epiqendra e COVID-19 me 55 të prekur,e  pasuar nga Fieri me 8 persona, Durrësi, Elbasani, Rrogozhina, Lushnja dhe Kavaja.  Lajm i mirë është se dy kontaktet e pacientit zero tanimë janë shëruar, kanë dalë nga spitali dhe do të qëndrojnë në vetë-karantinim, ndërsa 37 të infektuar janë shtruar tek Spitali Infektiv në Tiranë, 4 prej tyre në terapi intesive, por asnjërit fatmirësisht nuk i është dashur aparati respirator, (frymëmarrje e drejtuar).

    NJOFTIMI I PLOTË:

    Përditësimi i situatës së COVID-19 në Shqipëri/ Eugena Tomini, Instituti i Shëndetit Publik Ministria e Shëndetësisë: 6 raste të reja, shkon në 76 numri i të prekurve Rikuperohen dy pacientë, kontakte të pacienti zero. Pas daljes nga spitali duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim për 14 ditë Vijon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara positive. Në 24 orët e fundit janë testuar 46 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 6 raste të reja me COVID-19:
    – 5 qytetarë nga Tirana, kontakte të rasteve pozitive
    – 1 qytetar nga Fieri, gjithashtu person kontakti.
    Deri në këto momente testuar 778 janë raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 76 raste. Nga totali i rasteve të konfirmuara, 59% janë meshkuj dhe 41% janë femra. Ndërsa shpërndarja gjeografike e rasteve positive, është si vijon:

    • Tiranë 55 qytetarë
    • Durrës 5 qytetarë
    • Lushnje 2 qytetarë
    • Elbasan 2 qytetarë
    • Fier 8 qytetar

    • Rrogozhinë 2 qytetarë
    • Kavajë 2 qytetarë

    Janë shënuar deri tani dy raste humbje jete.

    Ju informojmë se në spitalin Infektiv ndodhen aktualisht 37 pacientë të shtruar.
    4 prej tyre janë në terapi intensive, në situatë të njëjtë klinike. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Dy kontakte të pacientit zero kanë rezultuar negativ edhe pas testit konfirmues që përfundoi mbrëmjen e djeshme. Por edhe pas daljes nga spitali, pacientët e rikuperuar duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim edhe për 14 ditë të tjera, duke ndjekur masat e kontrollit respirator dhe higjienën personale. Jemi duke vijuar me testimin e rasteve të dyshuara, si element i rëndësishëm për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit COVID-19.
    Nga ana tjetër, për të siguruar suksesin e ndërprerjes së zinxhirit të transmetimit të infeksionit, qytetarët kanë një rol thelbësor. Mënyra e vetme për ta ndërprerë këtë zinxhir është që qytetarët të vetëizolohen dhe të shmangin sa më shumë kontaktet.

    Ministria e Shëndetëisë dhe Mbrojtjes Sociale I drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital!

    Ministria ka vënë në dispozicion një linjë të gjelbër FALAS 0800 40 40 për çdo qytetar që kërkon informacon apo këshilla në lidhje me COVID-19. Kjo linjë do të shërbejë edhe për pacientët kronikë që të marrin informacion se si të lidhen me mjekun e familjes, se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim dhe për cdo shqetësim tjetër që ata kanë.

    Por është e rëndësishme të sqarohet se: Nëse qytetarët kanë shenja të sëmundjes dhe për rastet e urgjencave duhet të telefonohet numri unik i urgjencës kombëtare 127! Edhe një herë përsërisim apelin për qytetarët për të respektuar masat e distancimit social, të qëndrojnë në shtëpi, të ndihmojnë veten e tyre dhe të afërmit e tyre që të mos preken nga COVID-19 dhe të ndihmojnë stafet mjekësor për të përballuar këtë situatë.

  • 09:14

    Rast i ri me koronavirus në Fier, niset me urgjencë drejt Infektivit 55-vjeçari nga fshati Frakull

    Foto ilustruese

    Një tjetër person rezulton i infektuar me COVID-19. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se një 55-vjeçar nga fshati Frakull i Fierit është nisur mbrëmë me urgjencë drejt spitalit Infektiv në Tiranë, pas i gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar. Dyshohet se ai është infektuar nga i vëllai.

Shto Koment