Aktualitet

Dosja “Metamorfoza”! Nga Behar Bajri tek Edmond Preka, Gjykata e Posaçme jep dënimet për të pandehurit

Pas rreth katër orësh zhvillimi të seancës në dhomë këshillimi, trupi gjykues bëri publik vetëm dispozitivin e vendimit, ndërkohë që arsyeja e plotë e tij do të publikohet në një moment të mëvonshëm.

18 Nëntor 2025, 15:52 Nga M.L
Dosja “Metamorfoza”! Nga Behar Bajri tek Edmond Preka, Gjykata e
Foto ilustruese

TIRANA- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli vendimin për një pjesë të dosjes së njohur si “Metamorfoza”, e cila është ndërtuar mbi komunikimet e përgjuara në aplikacionin SKY ECC dhe që përfshin disa të pandehur të akuzuar për vepra të rënda penale. Pas rreth katër orësh zhvillimi të seancës në dhomë këshillimi, trupi gjykues bëri publik vetëm dispozitivin e vendimit, ndërkohë që arsyeja e plotë e tij do të publikohet në një moment të mëvonshëm.

Në lidhje me Behar Brajoviç, gjykata e deklaroi atë fajtor për një sërë akuzash, mes të cilave sigurimi i kushteve për kryerjen e vrasjes së mbetur në tentativë, sigurimi i kushteve për vrasjen e Dorian Lulit, mbajtje pa leje të armëve, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal si dhe korrupsion ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke vendosur një total prej 13 vite burg, dënim i cili, pas aplikimit të uljes me një të tretën, përfundon në 8 vite e 8 muaj burgim.

Po kështu, për Edmond Prekën, u vendos fajësia për mbajtje pa leje të armëve në kuadër të grupit kriminal, si edhe për pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal, duke e çuar dënimin e tij në 10 vite e 6 muaj, të cilat, pas uljes ligjore, reduktohen në 7 vite burg.

Ndërsa për Asmer Bilalin, gjykata e shpalli fajtor për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen e tre personave dhe për përfshirjen në një grup të strukturuar kriminal, duke vendosur një dënim total prej 8 vite e 6 muaj, që pas uljes me një të tretën zbret në 5 vite e 8 muaj burg.

Sa i përket ish-prokurorit Xhevahir Lita, ai u deklarua fajtor për zbulim të akteve sekrete si dhe për korrupsion të funksionarëve të drejtësisë, duke marrë një dënim përfundimtar prej 5 vitesh, i cili pas uljes kthehet në 3 vite e 4 muaj, ndërkohë që gjykata urdhëroi shuarjen e masës së arrestit dhe lirimin e tij të menjëhershëm nëse nuk mbahet për ndonjë akuzë tjetër.

Për Oltion Bistrin, trupi gjykues konstatoi se akuzat për pastrim parash nuk qëndronin, duke e deklaruar të pafajshëm për këtë pikë, por e shpalli fajtor për zbulim të akteve sekrete dhe i caktoi një dënim prej 3 vitesh, i cili përfundon në 2 vite pas uljes, duke urdhëruar gjithashtu lirimin e tij. Ndërkohë, gjykata vendosi që provat materiale të qëndrojnë pjesë e procedimit penal dhe rrëzoi kërkesën për konfiskimin e pasurive me vlerë rreth 1.3 milionë euro./ Dosja.al

gjykata e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Sondazh

Poll