Aktualitet

'Veprimet e prokurorit janë "ç'më duhet mua se ç'bëj unë"'/ Seanca për inceneratorin, Dervishaj: Më lironi!

Arben Dervishaj duke folur në seancë mohoi të ketë qenë ai mbikqyrësi i punimeve të incineratorit dhe kërkoi lirinë të cilin sic tha ai ia kanë hequr prej 8 muajsh.

19 Qershor 2023, 14:21 Nga A.B
'Veprimet e prokurorit janë "ç'më duhet mua se
Arben Dervishi

TIRANË- Ditën e sotme u zhvillua seanca për dosjen e inceneratorit të Fierit. Gjatë seancës, avokatët mbrojtës të të pandehurve paraqitën konkluzionet e tyre, mirëpo procesi kishte dhe debate. Arben Dervishaj duke folur në seancë mohoi të ketë qenë ai mbikqyrësi i punimeve të incineratorit dhe kërkoi lirinë të cilin sic tha ai ia kanë hequr prej 8 muajsh.

Pjesë nga debatet:

Arben Dervishaj: "Prisnim që në konkluzionet e SPAK dokumente me fakte penale. Por prokurori u kthye te akuzat e vjetra. Pretendon se jam subjekt i posaçëm, që jam subjekt me funksione  publike. Gjyqtarja paraprake e paracaktoi qartë që nuk jam. Nuk jam unë mbikqyrës i punimeve por kompania "Ave Consulting". Me qëllim prokurori nuk shikon VKM-në që normon një kompetencë të tillë për përzgjedhjen e mbikqyrësit. Nuk kam qenë as nuk kam kërkuar ndonjëherë të jem subjekt i posaçëm. Prokurori përveçse prej 8 muajsh më ka hequr lirinë, nuk ka marrë parasysh gjendjen time shëndetësore dhe kërkesat për masën, ka ndryshuar 3 herë akuzat ndaj meje.

Veprimet e prokurorit janë "ç'më duhet mua se ç'bëj unë". Nuk jam unë sot ai që ka shkelur ligjin, është prokurori ai që ka shpërdoruar detyrën. Ndodhem në mungesë të akuzës. Kërkoj lirinë. Nëse prokurori i qëndron të njëjtës akuzë, do ta mendoj edhe njëherë gjykimin e shkurtuar. Nëse nuk më pranohet kërkesa por merret parasysh qëndrimi i prokurorisë do ta rishikoj qëndrimin tim për formën e gjykimit. E nderuar trupë gjykuese, zbatoni Kushtetutën, po mbahem në qeli pa akuzë".

Elis Bilali, avokati i Arben Dervishajt: "Prokurori e tregoi qartë se nuk i qëndron akuzës. Jemi para faktit se çështja duhet të pushohet dhe Dervishaj të shpallet i pafajshëm. Ndodhemi në situatë ekstra ligjore të paparashikuar në KPP. Në këtë situatë gjykata duhet të shprehet me vendim".

Bledar Dervishaj, Avokati i Arben Dervishajt: “Asnjë ditë Dervishaj nuk ka qenë mbikqyrës i punimeve. Mbikqyrës ka qenë "Ave Consulting". Pse prokurori nuk e morri bashkë të pandehur nëse donte ti shkonte deri në fund. Me sa duket, prokurori ka qenë i drejtuar nga Dervishaj. Kjo kompani vijon edhe sot mbikqyrjen. Kërkojmë shuarje të masës së sigurisë, pushim të çështjes dhe shpallje i pafajshëm."

Përfaqësuesi i SPAK tha se i qëndron akuzës

Dritan Prençi: Ne i qëndrojmë pretendimeve tona. Ia lëmë gjykatës që të vlerësojë situatën. Nuk kemi ndryshim akuze, në seancën paraprake nuk është bërë ndryshim akuze por saktësim akuze. Edhe gjyqtarja paraprake këtë kërkoi. Alqi Bllako është subjekt i nenit 260.

/Dosja.al

arben dervishaj gjyqi per inceneratoret

Sondazh

Poll