DOKUMENTI- Noizy 50 mln lekë pagesë për koncertet nga bashkia e Tiranës
Kompania e quajtur ‘Iliriyan Bloodline’ në pronësi të Rigels Rajku (Noizy) ka marrë një pagesë prej 50 milionë lekësh nga Erion Veliaj në datë 19 tetor 2022, si pjesë e projektit art-kultur të bashkisë për koncertin e Noizy-t ‘Alpha Show’ që zhvilloi në Tiranë.
2 Maj 2023, 15:11Nga k.m.
Noizy
TIRANË- Reperi Rigels Rajku, i njohur me emrin artistik Noizy, disa muaj më parë organizoi një koncert në sheshin "Nënë Tereza", për të cilën ka marrë 50 milionë lekë të vjetra nga Bashkia Tiranë. Kompania e quajtur ‘Iliriyan Bloodline’ në pronësi të Rigels Rajku (Noizy) ka marrë një pagesë prej 50 milionë lekësh nga Erion Veliaj në datë 19 tetor 2022, si pjesë e projektit art-kultur të bashkisë për koncertin e Noizy-t ‘Alpha Show’ që zhvilloi në Tiranë.
Problemi nuk është që Bashkia paguan për një koncert, por është Noizy ai që duhet të paguajë për përdorimin e sheshit. Për më tepër që koncerti ka qenë tërësisht privat. Fansat e muzikës së tij dhe jo vetëm, paguan dhe shuma të kripura për biletat.
Për koncertin me kapacitet prej 15,000 personash të pranishëm; çmimi më i lirë ishte 25 euro, për të vazhduar më pas me të tjera shifra. Zona A dhe B silver kushtonin nga 45 euro; gold A dhe B, 85 euro; ndërsa platinium A dhe B, 180 eurosh.
Pra përveçse njerëzit kanë paguar biletat me çmime stratosferike, Noizy nuk ka nxjerrë asnjë qindarkë nga xhepi, madje dhe është paguar para të tjera shtesë. Ndaj edhe sot, Noizy nuk ngurron që t'i urojë fitoren kryebashkiakut Veliaj në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Në videon e xhiruar enkas për "lalin e tij", Noizy shprehet se dikur i vinte turp të sillte miqtë e tij në kryeqytet, ndërsa sot, me 50 milionë lekë më shumë, Tirana i duket më e bukur.